Kryegjyqtarja e Gjirokastrës, u penalizua për “mungesë burimesh të ligjshme”

June 22, 2019 14:07

Kryegjyqtarja e Gjirokastrës, u penalizua për “mungesë burimesh të ligjshme”

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit argumentoi se gjyqtarja Albina Spaha nuk kishte burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti si dhe për krijimin e depozitave bankare, ndërkohë që vlerësoi se punësimi i bashkëshortit si ekspert pranë gjykatës nuk ishte në përputhje me legjislacionin tatimor.

Nga Edmond Hoxhaj

Kryetarja e Gjykatës së Gjirokastrës, Albina Spaha u shkarkua nga detyra më 15 prill 2019.   Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit argumenton se shkarkimi i saj u bazua te  mungesa e burimeve financiare të ligjshme për blerjen e një apartamenti si dhe deklarimi i pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Kryegjyqtarja e Gjirokastrës u penalizua edhe nga punësimi i bashkëshortit si ekspert në Gjykatën Administrative, i vlerësuar nga trupa gjykuese në kundërshtim me legjislacionin tatimor.

Albina Spaha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1998, fillimisht si gjyqtare në Tepelenë dhe më pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Ajo u komandua në krye të Gjykatës së Gjirokastrës pas shkarkimit të Guximtar Boçit, i cili u akuzua për një skandal seksual për të cilin gjykata e shpalli të pafajshëm.

Procesi i vetingut për Albina Spahën u krye nga trupa gjykuese e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi raportin pozitiv të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke vendosur shkarkimin kryesisht mbi kriterin e pasurisë.

Mungesa e burimeve të ligjshme

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 121,8 m2 në Tiranё dhe me vlerë 4.558.000 lekё, në bashkëpronësi mes gjyqtares Spaha dhe bashkëshortit. Për të njëjtën pasuri, KPK argumenton se ka pasur edhe mospërputhje mes deklarimeve periodike e asaj veting, përmbajtjes së kontratave, kronologjisë të pagesave dhe pagesën totale.

“Subjekti ka pasqyruar vlera të ndryshme për blerjen e këtij apartamenti. Konkretisht, në deklaratën veting ka pasqyruar vlerën 4.558.000 lekë; në deklaratën periodike të vitit 2007 vlerën 44.000 USD dhe në atë të shitblerjes të vitit 2007 përcaktohet çmimi 48.000 USD. Ndërsa në kontratën e sipërmarrjes të vitit 2000 përcaktohet çmimi 55.300 USD,” thuhet në vendimin e KPK-së.

Komisioni nënvizoi se gjyqtarja Spaha nuk arriti të dokumentojë kohën, vlerën e paguar dhe burimet financiare për pagesat në lidhje me blerjen e këtij apartamenti, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën e sipërmarrjes të vitit 2000. Ndërkohë, nga analiza financiare  ka rezultuar se gjyqtarja Spaha nuk justifikon me të ardhura nga burime të ligjshme krijimin e gjendjes së likuiditeve cash në shumën prej 700 mijë lekësh në vitin 2005 dhe në shumën prej 2.3 milionë lekësh për vitin 2006. Sipas KPK-së, edhe gjendjet bankare të pretenduara nga subjekti nuk përputhen me ato të dokumentuara nga bankat, ndërkohë që nga analiza financiare është konkluduar një balancë negative në vlerën prej 1.036.229 lekë për vitin 2005 dhe 665.994 lekë për vitin 2006.

Pretendimi i gjyqtares Spaha se në analizë nuk është konsideruar vlera 1.1 milionë lekë si e ardhur e përfituar nga bashkëshorti për punën e kryer pranë një shoqërie për vitin 2006 nuk është pranuar prej Komisionit me argumentimin se nuk justifikohet me dokumentacion ligjor. “Edhe pas shpjegimeve, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të justifikojë me dokumentacion ligjor burimet financiare të krijimit të shtesave në mjete monetare në bankë dhe cash (deklaruar) në fund të vitit 2006, duke rezultuar me një balancë negative të fondeve në vlerën prej 665.994 lekësh,” citohet në vendim.

Sipas KPK-së, pretendimi i subjektit të rivlerësimit se likuidimi i apartamentit është bërë deri në vitin 2007, nuk qëndron pasi nuk ka arritur të provojë mënyrën e pagimit të kësaj shume, në rrugë bankare apo cash, vlerën e çdo kësti dhe kohën e pagimit të tij.

“Në përllogaritjen e vlerës së çdo pasurie të fituar nga subjekti i rivlerësimit, deri më datë 31 dhjetor 2001, subjekti i rivlerësimit nuk justifikoi me burime të ligjshme shumën prej 5.289.892 lekësh,” thuhet në vendim.

Komisioni ka konstatuar balancë negative edhe në likujditetet e gjyqtares Spaha. Për një depozitё në “Raiffeisen Bank” nё vlerёn 4.944.512 lekё, që ka qenë e krijuar prej vitit 1988 në “Bankën e Kursimeve”, nga hetimi është gjetur se për periudhën 1994 – 2016, konstatohen të ardhura në shumën 15.103.416 lekë, që është e ndryshme nga ajo e pasqyruar nga Spaha në deklaratën veting, në shumën 22.694.771 lekëve.

Pas analizës financiare Komisioni konkludoi se të ardhurat e bashkëshortit të gjyqtares të pasqyruara në deklaratën “Vetting” të vitit 2017, nga paga, shpërblimet dhe dietat gjatë punës së tij pranë dy shoqërive, nuk përputhen me të ardhurat e rezultuara në dokumentacionin zyrtar të siguruar gjatë hetimit administrativ. Nga analiza e dokumentacionit zyrtar të siguruar gjatë hetimit administrativ të kryer nga KPK, rezulton se personi i lidhur ka përfituar 7.591.355 lekë më pak nga sa ka deklaruar gjyqtarja Albina Spaha në vitin 2017.

Komisioni ka konstatuar gjithashtu se subjekti nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar dy depozita të tjera bankare si dhe për krijimin e një gjendjeje cash të mbajtur në banesë. Komisioni vlerëson si deklarim të pasaktë edhe mospasqyrimin në deklartat periodike të një pasurie të paluajtshme tokё bujqёsore me sipërfaqe 2.2 dynymë në Tepelenë e pёrfituar me ligjin nr. 7501 “Për tokën”.

Ndërkohë, KPK nuk ka gjetur probleme për një apartament banimi me sipërfaqe 61,2 m2 në Tepelenë, të blerë në vitin 1996 nga bashkëshorti i gjyqtares Spaha para martese, në vlerën e 680.000 lekë.

Punësimi i bashkëshortit

Verifikimi i një llogarie rrjedhëse në emër të bashkëshortit në “Intesa SanPaolo Bank” ka zbuluar se gjyqtarja Albina Spaha nuk ka pasqyruar në deklaratën “Vetting” të ardhurat e bashkëshortit në vlerën 42.500 lekëve, të përfituara nga pagesa si ekspert topograf i pajtuar prej Gjykatës Administrative të Gjirokastrës.

Nga hetimet e KPK-së ka rezultuar se bashkëshorti i gjyqtares Spaha ushtron aktivitet si ekspert topograf në gjykatë, në shkelje të legjislacionit tatimor, pasi ka përfituar të ardhura nga ofrimi i shërbimit të ekspertizës topografike pa u regjistruar rregullisht në organet tatimore.

“Subjekti i rivlerësimit nuk i ka deklaruar të ardhurat nga ekspertizat në gjykatë gjatë vitit 2016. Si pasojë e qasjes personale të subjektit të rivlerësimit në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit tatimor, ka rezultuar krijimi i situatave në shkelje të këtij legjislacioni dhe të kodeve procedurale, lidhur me mënyrën e dhënies së shërbimit të ekspertizës topografike në gjykatë nga personi i lidhur,” citohet në vendim.

Komisioni konstaton se qasja apo qëndrimi juridik i subjektit të rivlerësimit, për sa i përket ushtrimit të aktivitetit si ekspert topograf nga bashkëshorti i gjyqtares Spaha, në kuadër të proceseve gjyqësore, bie në kundërshtim me disa dispozita ligjore që rregullojnë në mënyrë disiplinuese raportin mes institucionit që kërkon një punë ose një shërbim nga subjekte jashtë organikës dhe subjekteve që ofrojnë punën ose shërbimin e kërkuar, si edhe të prezantimit formal të secilit prej tyre.

Ndërkohë, Komisioni i ka vlerësuar të pabazuara shpjegimet e gjyqtares Spaha se bashkëshorti i saj është thirrur në të gjitha rastet nga trupi gjykues në mënyrë të pavarur dhe vetëm pasi palët kanë qenë dakord dhe se nuk është i regjistruar në organet tatimore pasi ai është i punësuar dhe ekspertimin nuk e ka si aktivitet të vazhdueshëm.

“Nga informacioni i dhënë nga gjykatat dhe nga subjekti i rivlerësimit, pjesëmarrja e personit të lidhur në ekspertiza të natyrës topografike është relativisht e shpeshtë në gjykata. Nga një vështrim paraprak u konstatuan disa raste të përfshirjes së personit të lidhur në ekspertiza të caktuara nga trupa gjykuese të ndryshme, në harkun kohor 2016 – 2018. Caktimi i tij si ekspert është bërë me vendim të ndërmjetëm të gjyqtarit të çështjes. Nga përmbajtja e vendimeve nuk rezulton burimi i informacionit për trupën gjykuese mbi aftësitë profesionale të personit të lidhur,” thuhet në vendim.

Në përfundim Komisioni ka konkluduar ndër të tjera se subjekti i rivlerësimit nuk i ka deklaruar të ardhurat nga ekspertizat e kryera prej bashkëshortit në gjykatë gjatë vitit 2016.

Ndërkohë, Komisioni e ka vlerësuar pozitivisht kryetaren e Gjykatës së Gjirkokastrës, Albina Spaha në dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.

Ll.h/ dita

June 22, 2019 14:07
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*