Kryeministri përdor batutën kyçe, pushojnë reshjet

December 4, 2017 09:43

Kryeministri përdor batutën kyçe, pushojnë reshjet

 

Ai e fut në përdorim atë shprehje vetëm në momente themelore, në çastet pikante e të sikletshme kur integriteti i tij batutor është në rrezik. Jo vetëm kaq, por kjo batutë ka rezultuar zgjidhëse e situatave të komplikuara politike, pikërisht atëherë kur Edi Rama dhe gjithë grehina qeverisëse e mazhorancës luhatej në fije të perit. Edhe kësaj here ndodhi kështu.

Në arkivën e Gojëve të Liga është shënuar përdorimi i parë i kësaj batute kur PS dhe LSI diskutonin pikat e paktit politik që do sillte të majtën në pushtet në zgjedhjet e verës 2013. Siç dihet botërisht, ateherë kreu i LSI-së Ilir Meta i kërkoi Edi Ramës 6 ministri në qeverinë e ardhshme ndërsa ky i fundit pranoi vetëm pesë. “Të fillojmë njëherë”, pat thënë Rama, “pastaj të shohim rrugës, se s’bëhen të gjitha menjëherë”, dhe lëshoi togfjalëshin çudibërës: “Pse, ti fëmijët të gjithë njëherësh i bëre?” Pjesa tjetër është histori tashmë e njohur.

Edhe herë të tjera Rama ka futur në punë shprehjen gjigande, si psh gjatë fushatës elektorale në Vlorë, kur vlonjatët i kërkonin ndërtimin e njëzetë rrugëve njëherësh. “Të bëjmë Lungomaren a të vrarë, pastaj të tjerat. Edhe ju fëmijët nuk i bëtë të gjithë njëherësh, apo jo?!”, tha Rama, dhe vlonjatët mbetën sus.
Një funksionim të hatashëm pati shprehja legjendare edhe në rastin e negociatave të fshehta me Lulzim Bashën më 18 maj. Basha përveç kushteve tashmë të ditura për të mbyllur konsumin heroik të picave në çadrën e Lirisë, i kërkoi Ramës disa ministri teknike si edhe drejtorinë e Peshkimit në Dibër, kreun e Kapitanerisë Detare në Rogozhinë dhe një nënkomisioner të BE-së nga rradhët e PD-së. “Me rradhë o Lul; ti dhe fëmijët i bëre njërin pas tjetrit, apo jo?”

Por momenti më delikat do të vinte pasditen e djeshme, kur kryeministri po vizitonte disa nga zonat e përmbytura dhe një nënë e re iu ankua se asnjë nga pushtetarët nuk i kishin ardhur në ndihmë.
-Do vijmë tek të gjithë; do merren shënim dëmet dhe do ketë dëmshpërblim për secilin. Duhet pak durim, me rradhë. Sa fëmijë ke ti? – e pyeti Edi.
-Dy- i tha gruaja.
-Epo, nuk i ke bërë njëherësh, apo jo?
-Njëherësh i ka bërë, i kam binjakë, – i tha ajo.

Për dhjetë sekonda të pranishmit heshtën; kryeministri sikur ngriu, thonë burime të lagura nga vendngjarja. A kishte mbaruar magjia? A mos vallë forcës së fjalës i kishte ardhur fundi? A mos Edi duhej të braktiste gjithçka dhe të shkonte në shtëpi, duke shpallur zgjedhje të reja?

Një moment, Rama buzëqeshi dhe foli:
-Mirë o mirë, binjakë. E mora vesh. Por tamam-tamam njëherësh nuk i ke bërë.
-Jo tamam, – tha gruaja e nervozuar se po i dilte gënjeshtra e ulët në shesh, – djalin e vogël e kam 2 minuta më prapa nga djali i madh!
-Ja praaaa, – ja ktheu kryeministri, dhe të pranishmit shpërthyen në duartrokitje, duke marrë hopa kryeministrin dhe hedhur në ajër nga gëzimi. Raportohet se menjëherë më pas, edhe reshjet pushuan ndërsa meteorologët lajmëruan përmirësimin e motit.

***
P.S. Gojët e Liga është rubrikë satirike, jo satërike, dmth s’ka lidhje me satërin. Do thoni ju, po ç’është satëri. Ehuhaaa, gjejeni vetë

December 4, 2017 09:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*