Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe dëshmorët e saj (II)

January 14, 2020 12:44

Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe dëshmorët e saj (II)

Shaqir Vukaj

(Vijon nga numri i kaluar)

Një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë ka qenë dhe mbetet Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, kryengritje që kishte si bazë idenë kombëtare për pavarësi. Ka mbetur në kujtesë të popullit dhe janë  bërë himn fjalët e këngës popullore: “Ded Gjon Luli ka shkrue letër, Valisë Shkodrës ja ka shkrue, se Shqipnia nuk don tjetër, veç don vedin me sundue”.

Pikërisht kjo ide “me sundue vedin”, pra thënë shqip, për të fituar pavarësinë, ka bërë që malësorët tanë trima të ishin ndër të parët që rrokën armët për të luftuar e përzënë pushtuesin dhe për të arritur qëllimin final çlirimin e vendit…

Idetë dhe qëllimet  e kryengritësve trima të Kosovës që u ngritën një vit më parë, por që u shtypën më dhunë, ishin kuptuar e mbështetur herët nga malësorët e Malësisë së Madhe dhe, megjithëse në shumicën dërmuese analfabetë, pa nivel kulturor, por me zemër shqiptare, u ngritën dhe vazhduan  atë rrugë që kishin filluar vëllezërit kosovarë.

Në të vërtetë të dyja këto kryengritje kishin në themel idetë dhe kërkesat kombëtare të parashtruara në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, ku Malësia e Madhe kishte marrë pjesë denjësisht duke dërguar  përfaqësuesit e vet në Prizren, dhe duke u angazhuar me të gjitha forcat për të çuar deri në fund vendimet e marra aty. Ishin e burrat e Malësisë së Madhe që u mobilizuan dhe u vunë në krye të luftës për mbrojtjen e Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë që Fuqitë e Mëdha ja dhanë pa drejtësisht Malit të Zi…

Kryengritja e Malësisë së Madhe ka meritën se ajo, ka qenë, siç është quajtur me të drejtë prologu i Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Krismat e pushkëve të bijve të Hotit, Kelmendit, Grudës, Shkrelit, Kastratit e krejt Malësisë së Madhe e Dukagjinit u dëgjuan deri në Filat të Çamërisë e Orman Çiflik të Korçës dhe ishin ato pushkë që paralajmëruan shpërthimin e një kryengritje mbarëshqiptare që nga Kosova në Vlorë, nga Shkodra në Shkup. Kërkesat e kësaj kryengritje, të parashtruara në Memorandumin e Greçës (Librin i Kuq- siç është quajtur ky memorandum) që përbenin programin minimal të Lëvizjes tonë Kombëtare, u bënë flamur i luftës së popullit tonë për liri deri në nëntor të vitit 1912, që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë.

***

Bijtë e Malësisë së Madhe që organizuan dhe udhëhoqën kryengritjen, Dedë Gjon Luli me shokë, kanë meritën se jo vetëm u organizuan ushtarakisht  (me aq sa lejonin kushtet dhe mundësitë) por ata u organizuan politikisht duke krijuar Komitetin e Kryengritjes, dhe duke thirrur e aktivizuar në këtë Komitet patriotë e politikanë të njohur si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Risto Siliqi, Ismail Qemali, Fadil Toptani, Themistokli Gërmenji, Alush Taka, Musa Emiri etj.  duke i shtrirë degët e veta në Rjekë, Cetinë, Tivar, Kotorr etj. Pjesëmarrja e këtyre patriotëve nga katër anët e tokave shqiptare flet qartë për karakterin e qëllimet e saj mbarëkombëtar. Duhet theksuar, se në saj të punës së këtyre patriotëve, qëllimet e saj kishin filluar të bëheshin të njohura në Europë, madje në Itali ishte krijuar Komiteti “Pro Shqipërisë” (ku bënin pjesë rreth 60 deputetë të Parlamentit Italian) me 110 nënkomitete që numëronin afro 20 mijë vullnetarë të regjistruar….

Përgatitjet për kryengritje kishin filluar me kohë, madje para fillimit të saj kishin filluar përpjekjet e para me armë kundër pushtuesve osmanë. Kështu në dhjetor të v.1910 kemi përplasje të armatosur në Rranxa të Hotit të luftëtarëve shqiptarë nga Hoti, Gruda, Trieshi etj. ku mbetën  të vrarë e të plagosur afro 50 vetë nga trupat ushtarake osmane dhe ku ranë heroikisht Gjel Cak Martini, Vatë Martini, Zef Peri, Nikollë Prek Hasa etj. që janë Dëshmorët e parë të kësaj kryengritje.

Organizatorët i filluan përgatitjet për kryengritje gjatë dimrit të v.1910-1911, me qëllim që ajo të shpërthente në pranverë të v.1911, madje punohej për të përfshirë edhe qytetarët e Shkodrës në kryengritje. Për shkaqe që nuk janë sqaruar plotësisht, ajo filloi para kohe (janë shprehur  mendime të ndryshme, ndërmjet të cilëve është thënë se nxitësit kanë qenë sundimtarët e Malit të Zi, që aspironin që këto toka shqiptare ti shkëpusnin nga Perandoria Osmane dhe ti aneksonin, siç kishin aneksuar më parë Plavën, Gucinë etj. Duhet vënë në dukje se në këtë periudhë Hoti, Gruda etj. vazhdonin të ishin pjesë e Vilajetit të Shkodrës, dhe Malit të Zi ju dhanë më vonë nga Konferenca e Londrës e v.1912….)

Sinjali i kryengritjes u dha me sulmin që u ndërmor më 24 mars mbi postat në Grykë Leqes dhe Cemerrit, dhe që u morën brenda një kohe të shkurtër. Të nesërmen, kryengritja u përhap edhe në krahina të tjera. Po atë ditë u morën dy postat turke në Traboin, ku u vranë dhe nëntë Dëshmorët e parë të Hotit, Kolë Marash Vata, Zef Lan Ula, Ujkë Gjelosh Leka etj.

Më 26 qershor kryengritësit sulmuan dhe morën kaushën e Pikales dhe tri kausha të tjera në kufi me Malin e Zi, ndërsa më 27 mars kryengritja mori përpjesëtime të gjëra, ku sipas të dhënave të ndryshme, numri i kryengritësve kishte arritur në afro 4000 vetë dhe kryesorja, ata vinin nga të gjitha anët që nga Trieshi, Koja, Kuçi, Fundënat, Kelmendi, Gruda, Hoti, Shkreli, Kastrati etj.

Më 28-29 mars kryengritësit (rreth 2000 vetë) sulmuan qendrën kryesore  administrative dhe ushtarake të krahinës, Tuzin, të cilin mbas një beteje të përgjakshme e pushtuan. Përhapja e kryengritjes dhe shtimi i radhëve të kryengritësve detyroi turqit që të shpallnin mobilizim në radhët e myslimanëve, duke dashur të fusnin kështu edhe vëllavrasje midis shqiptarëve. Megjithëse arritën të rekrutonin në Shkodër disa myslimanë fanatikë, malësorët, me urtësinë e tyre, nisën drejt Shkodrës një përfaqësi me burra të mençur që u dolën përpara “vullnetarëve” tek Prroni i Thatë (në afërsi të Koplikut) dhe arritën të bindnin një pjesë të tyre që të ktheheshin andej nga kishin ardhur, që për komandën turke konsiderohej dezertim…

Krahas fitoreve në fushën ushtarake, kryengritësit u angazhuan me qartësi të dukshme edhe në fushën politike. Kështu, më 30 mars në Cetinë u mblodhën disa nga përfaqësuesit më në zë që përfaqësonin: Malësinë e Madhe (Dedë Gjon Luli), Shkodrën (Muharrem Bushati), Kosovën (Isa buletini dhe Abdulla Aga) dhe formuluan “Memorandumin”. Tërheqë vëmendjen një fakt tepër interesant. Në qoftë se në qytetin e Shkodrës turqit gjetën myslimanë fanatikë që i ndërsyen kundër vëllezërve të tyre katolikë, myslimanët e Malësisë së Madhe nuk ranë në gracka të tilla. Madje, siç dëshmojnë dokumentet, rreth 400 kryengritës, ndërmjet tyre shumë myslimanë luftuan kundër forcave turke të instaluara në Koplik….

Duhet venë në dukje roli dhe kontributi i prijësve myslimanë si Deli Meta i Hotit, Dyl Sokoli, Bajraktari i Reçit, Bec Tahiri i Buzë-Ujit, Ramadan Aga dhe Haxhi Muji të Tuzit etj. për çka ka shkruar shumë qartë Risto Siliqi. Një fakt tepër domethënës ka qenë pjesëmarrja në kryengritje i një hoxhe, i cili është vrarë, dhe sot e kësaj dite përmendet si Hoxha i Lohes.

Po ashtu duhet vënë në dukje roli e kontributi i priftërinjve që shërbenin në Rapshë, Kastrat, Traboin, Selcë, Shkrel, Rrjoll, Grudë etj. që mbështetën kryengritjen pa asnjë rezervë.

Në fillim të prillit, kur kryengritja ishte përhapur në të gjithë Malësinë e Madhe (deri në këtë kohë kemi disa dhjetëra kryengritës të vrarë e të plagosur) Stambolli i shqetësuar nga përmasat e saj, kishte sjellë në portin e Shëngjinit batalionet e para që do të viheshin në dispozicion të Shefqet Dergut Pashës që përgatitej ta shuante me çdo mënyrë atë. Nga ana e tyre, kryengritësit morën masa të ruanin pozicionet e fituara. Tërheqë vëmendjen fakti se tashmë kryengritësve po u vinin ndihmë nga të gjitha zonat e Malësisë së Madhe, që nga Trieshi, Fundënat, Gruda, Hoti, Kelmendi e deri nga Lohja, Reçi, Gruemira, Buza e Ujit, Dukagjini madje edhe nga Shkodra e Nën Shkodra.

Ndër kulmet e kryengritjes ishte ngritja e Flamurit Kombëtar në Deçiq  më  6 prill, vepër që u arrit me gjakun e disa heronjve që dhanë jetën “si me le” (Dokë Preç Kerçaj, Tomë Uc Ivanaj, Marash Lukë Gjokaj, Çak Uc Ivanaj etj.). Mbas rreth pesëqind vjetëve, më në fund flamuri ynë u ngrit për herë të parë në trojet shqiptare, në Malësi të Madhe. Megjithëse simbolike, ngritja e flamurit ishte shprehje e qartë e kërkesave të kryengritësve malësorë dhe të gjithë shqiptarëve, që do të thoshte shumë për atë kohë, sepse ishte goditje direkt kundër pushtimit osman, prandaj edhe Kryeministri i Turqisë do të shprehej “Rreziku më i madh i Turqisë janë kombet e vegjël, janë shqiptarët”

Ngritja e flamurit ishte një veprim tepër domethenës politik, por lufta vazhdonte, madje ky akt i tërboi pushtusit osmanë të cilët u lëshuan me forca të shumta për ta shuar sa më parë kryengritjen.

Ndër betejat më të rrepta konsiderohet ajo e 7 prillit zhvilluar në Suka të Moksetit, ku u vranë shumë kryengritës nga Kastrati, të cilëve u kanë thurur lavdi në poezitë e tyre At Gjergj Fishta dhe “eciklopedisti i Malësisë së Madhe” (siç do e quaja unë) Palok Luni, apo kanë shkruar studjues si Gjokë Luli etj. Për të vazhduar me shumë beteja të përgjakshme si ajo e 16 prillit te “Hani i Gropës”, e 25 prillit në “Sukë të Mkushit”, e 24 majit në Dragan (Xhaj), e 5 qershorit në Selcë etj.

Në fillim të qershorit, Dergut Pasha, në krye të 20 mijë trupave ndërmorri operacionin ushtarak për të shtypur përfundimisht kryengritjen duke ndjekur itinerarin Koplik-Marshej-Kastrat etj. drejt Brojës dhe që u ndalua nga qendresa e kryengritësve në betejat e zhvilluara më 8, 9 e 18 qershor. Dua të theksoj se në këto beteja, kryengritësve të Masësisë së Madhe u erdhën në ndihmë luftëtarët e Dukagjinit. Pa përmendur emrat e të rënëve (lista e plotë me të dhënat për secilin eshtë pasqyruar në materialin e propozuar për ti shpallur Dëshmorë të Atdheut, ku janë shënuar dhe vendet ku janë zhvilluar luftimet, ku janë vrarë etj.)

 

***

Meritë e pa diskutueshme e kësaj kryengritje ishte se ajo nepërmjet pushkës ariti të bënte për vete e të angazhonte, madje ti vinte në krye të diplomacisë së saj, personalitete të tilla si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Risto Siliqi etj.

Kulmi dhe arritja më e madhe e Kryengritjes ishte Kuvendi Greçës i mbledhur më 10-23 qershor 191, ku u formuluan 12 kërkesat, të përmbledhura në atë që u quajt dhe ka mbetur në histori si Libri i Kuq. Merita e malësorëve patriotë dhe largpamës ishte se, ashtu siç shprehej udhëheqësi dhe heroi i kësaj kryengritje, Dedë Gjon Luli,  kërkesat e parashtruara në Librin e Kuq, malësorët nuk i donin vetëm për vete por “për tanë Shqipni”. Po ashtu, siç i kishte thënë ai Krajl Nikollës, se “shqiptarët nuk luftonin e derdhnin gjak për Malin e Zi, por për tokat shqiptare”.

Kryengritja e Malësisë së Madhe, pavarësisht nga disa tentativa për ti dhënë karakter fetar, sepse ajo u zhvillua në zona me popullsi mbizotëruese katolike, ka meritën se ajo u zhvillua në vazhdën e kryengritjeve të Kosovës, ku mbizotëronte popullsia myslimane, dhe ato nuk kishin asnjë lloj karakteri fetar, por mbi gjithçka, karakter kombëtar. Ato patën nga kreu deri në fund vetëm karakter antiosman dhe çlirimtar.

Kryngritja e Malësisë së Madhe ka meritën se u bë shembull e model që u ndoq nga shumë krahina anë e mbanë tokave shqiptare. Kështu Memorandumi i Greçës u shoqërua me memorandume të tilla drejtuar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha nga Ura e Shushicës (Vlorë), nga Gjirokastra, nga Krasniqe, nga Juniku, nga Mitrovica etj duke vazhduar me thirrjen e përbashkët të Shkodrës, Janinës, Manastirit etj.

Kryengritja e Malësisë së Madhe pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare deri në ShBA. Gazeta të tilla si “The Neë York Times” (ShBA), “The times” ( Britani e Madhe), “Neue Freie Presse”, “Zeit”, “Reichpost” etj (Austri), “Coriere della Sere”, Il giornale d’Italia”, “Secolo”, “Telegrafo” etj etj. (Itali), i kushtuan artikuj  të tërë kësaj kryengritje, duke e paraqitur, në shumicën e rasteve realisht zhvillimin e saj dhe kreysorja kërkesat e malësorëve.

Aq e rëndësishme ka qenë për Shqipërinë Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe roli i saj për Shqipërinë, dhe jo vetëm ajo, sa themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, mbasi u takua me Dedë Gjon Lulin tha se “Dedë Gjon Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”, fjalë me të cilat ai nënkuptonte, jo vetëm atë, por krejt Malësisë e Madhe…

 

 

 

January 14, 2020 12:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*