Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe dëshmorët e saj  

January 13, 2020 19:55

Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe dëshmorët e saj  

Shaqir Vukaj

Gjatë viteve që jam angazhuar në Organizatën e Dëshmorëve të Atdheut  jam ndeshur me probleme nga më të ndryshmet që lidhen me jetën, veprimtarinë, vrasjen, heroizmin apo me lartësimin e figurës së tyre etj. por jam ndeshur edhe me raste kur ata janë harruar, nëpërkëmbur, nënvlerësuar apo edhe cilësuar ashtu siç nuk duhej dhe nuk e meritojnë. Siç jam ndeshur me disa raste që, për arsye nga më të ndryshmet (nganjëherë pa baza) të rënëve për Atdhe u është mohuar e drejta për tu quajtur Dëshmor i Atdheut, apo edhe nga mosinteresimi i familjarëve apo i bashkëluftëtareve të tyre… Por edhe ligjet e vjetra për dhënien e statusit Dëshmorit i Atdheut, ishin pengesë dhe ngushtonin hapësirat për shumë prej atyre që e meritonin këtë vlerësim e titull nderi.

Dua të theksoj se ashtu siç e kam thënë edhe në ndonjë rast tjetër, deri më sot, asnjë qeveri shqiptare, duke filluar nga e para e deri më sot, nuk është marrë seriozisht me problemin e Dëshmorëve të Atdheut. Prandaj po e përsëris propozimin e bërë kohë më parë, se ka ardhur koha (madje ka kaluar) që qeveria të ngrejë një institucion të posaçëm shtetëror (ashtu siç e kanë shumë vende demokratike) që të merret me problemet e shumta që lidhen me Dëshmorët e Atdheut. Disa historianë thonë se që nga vitet 60-të te shek. XIX, kemi rreth 50 mijë shqiptarë të vrarë në kryengritje për pavarësi, në luftërat kundër pushtuesve etj. dhe vetëm rreth 13 mijë prej tyre janë shpallur Dëshmorë të Atdheut…

Duke parë mangësitë e ligjeve të vjetra, para një viti u arrit të bëhej një hap i rëndësishëm dhe të aprovohej ligji i ri për statusin e Dëshmorit të Atdheut që hapë shtigje e krijon mundësi për ti dhënë këtë titull nderi shumë prej atyre që padrejtësisht u ishte mohuar…

***

Ashtu si çdo njeri që interesohet për vendlindjen e vet, edhe unë, duke qenë me origjinë nga Malësia e Madhe, që në moshë të re jam përpjekur të mësoj sa më shumë për historinë e luftërat e krahinës tonë, për kontributin e malësorëve për mbrojtjen e trojeve tona, për kryengritjet për liri etj. e në këtë kuadër për ata që kanë dhënë jetën për Shqipërinë.

Nga studimi i shumë dokumenteve neper arkiva, studime e libra më rezulton se nga Malësia e Madhe kemi qindra e qindra  vetë që janë vrarë duke luftuar kundër pushtuesve, apo në kryengritjet për çlirim kombëtar, dhe për arsye nga më të ndryshmet, nuk kanë marrë titullin e lartë Dëshmor i Atdheut.

Në këtë kuadër kam parasysh ata që janë vrarë për mbrojtjen e trojeve shqiptare në vitet1878-1880, gjatë përplasjeve të armatosura me serbo-malazezët për mbrojtjen e kufijve, gjatë Kryengritjes së Malësisë së Madhe të vitit 1911, të udhëhequr nga Dedë Gjon Luli, në luftimet për mbrojtjen e Shkodrës në v.1912-1913, gjatë viteve  të Luftës Parë Botërore, në Luftën e Koplikut të v.1920 kundër jugosllavëve, të rënë gjatë Luftës Dytë Botërore në luftë kundër pushtuesve nazi fashistë, të rënët në krye të detyrës mbas çlirimit të vendit, e që për arsye nga më të ndryshme, nuk janë shpallur Dëshmorë, apo të tjerë që janë harruar e që është detyra e jonë ti gjejmë e ti nderojmë…

Në punën time për të zbuluar e vërtetuar me fakte e dokumente për shumë prej të rënëve të Malësisë së Madhe, e kryesorja për ti shpallur Dëshmorë të Atdheut,  vitet e fundit jam angazhuar me Kryengritjen e Malësisë së Madhe të v.1911, ku, sipas shumë fakteve e dokumenteve janë vrarë rreth 350 vetë…

Vërtet kësaj kryengritje i janë kushtuar studime, monografi, libra etj. është folur e shkruar për të rënët gjatë kësaj kryengritje, por deri më sot, me përjashtim të Dedë Gjon Lulit (Hero i Popullit), asnjë prej tyre nuk është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Prandaj duke parë këtë situatë, prej disa kohësh jam angazhuar për të zbuluar, argumentuar e gjetur dokumente e fakte, jo vetëm për emrat e të vrarëve, por edhe për origjinën e tyre, ku kanë luftuar, ku janë vrarë etj. Për këtë arsye kam shfrytëzuar shumë dokumente të arkivave, botime të ndryshme, madje edhe të autorëve që kanë qenë pjesëmarrës të kësaj kryengritje etj, e në këtë kuadër do të përmend:

– Risto Ll. Siliqi.   “Pasqyra” e Ditëve të Përgjakshme. Trieste 1912

– Palok Traboini  “Lufta e Maleve” Poemë Prizren 1911.

– Koleksioni i Revistës “LEKA”, veçanërisht i viteve 1932 dhe  1937

– Koleksionin e Revistës “HYLLI I DRITËS”

– Historia e Shqipërisë II Tiranë 1984.

– Atë Gjergj Fishat “Lahuta e Malësisë”

– Palok Traboini “ Flamuari Deçiq”. 2012

– Nikollë Ivanaj “Historia e Shqipërisë re” Tiranë 1943

– Gjergj Nikprelaj “Kryengritja e Malësisë” 1991

– Gazmend Shpuza. Kryengritja e Malësisë së Madhe 1911. Tiranë 1997.

– Xhevat Repishti “Kryengritja e Malësisë”. Tiranë 1992

– Palok Luni “Historia e Bajrakut të Kastratit” vargje rapsodike

– Ndue Bacaj “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër Perandorisë Turke  Osmane – 1911”. Shkodër 2016

– Gjok Luli “KASTRATI” Shkodër 1999

– Lulash N.Palushaj “Malësia dhe fiset e saj”  Lezhë 1999

– Gjon Toma- Berishaj “Deçiqi-Krenaria e Malësisë” Lezhë 2009

– Zef Mark Gjeka “Një shekull për Pultin”  Shkodër 2011

– Fran Gjeloshaj “Koja ndër shekuj” Tuz 2010 etj.

Pavarësisht se për këtë Kryengritje janë angazhuar shumë studiues e  historianë që kanë arritur të na japin një pasqyrë mjaft të qartë të zhvillimit, luftimeve dhe kërkesave të saj, fatkeqësisht, për të vrarët, për ata që dhanë jetën, nuk kemi një listë e pasqyrë të plotë, një Libër Nderi, siç do e quaja unë me të dhëna të plota për ta, që nga numri i saktë i të vrarëve, emri e mbiemri, vend lindja, vendi e data e vrasjes etj. Sigurisht që kjo është detyrë tepër e vështirë, mbasi kanë kaluar afro 110 vjet, por mbetet detyrë dhe është në nderin tonë për ta çuar deri në fund këtë detyrim…

Është tepër e vështirë edhe për faktin se kryengritja zhvillohej në zona të thella malore, larg qytetërimit, kur 99 për qind e popullsisë ishte analfabete, kur gazetat e revistat numëroheshin me gishta, kur pak kush besonte në fitoren e kryengritësve etj. Ne edhe sot e kësaj dite nuk kemi të saktë numrin e të vrarëve gjatë luftës Dytë Botërore (dhe jo vetëm ne, por edhe popuj e vende shumë më të zhvilluara se ne) pa folur për ngjarjet e vitit 1997 që i kemi jetuar shumica prej nesh, e që sot e kësaj dite askush nuk mund të thotë numrin e saktë të të vrarëve në atë vit të mbrapshtë…

Duhet pas parasysh edhe një problem që e vështirëson edhe më shumë problemin është edhe fakti se shumë nga të rënët në këtë Kryengritje kanë qenë shqiptarë nga Hoti, Gruda e Fundënat, që fatkeqësisht sot ndodhen jashtë kufijve të Shqipërisë. Kështu që sot kemi vështirësi edhe për gjetjen e trashëgimtarëve, për më tepër që një pjesë e mirë e popullsisë së këtyre krahinave janë larguar drejt ShBA apo vendeve të tjerave. Gjithsesi, ata janë gjaku i jonë e ne duhet ti respektojmë e ti vlerësojmë njëlloj si të rënët e tjerë. Prandaj në këtë studim janë përfshirë të gjithë ata, për të cilët kam gjetur të dhëna të dokumentuara.

 

***

Gjatë punës për kërkimin e te rënëve, jam ndeshur edhe me një problem të mprehtë e delikat.. Duke studiuar disa burime e veçanërisht librin e z. Gjegj Nikprelaj ”Kryengritja e Malësisë”, krahas shqiptarëve, në këtë kryengritje kanë marrë pjesë dhe janë vrarë edhe shumë banorë të viseve të hershme shqiptare, por të sllavizuara e ku dominon elementi malazez,  shqiptarë të origjinës së hershme shqiptare, por tashmë të sllavizuar, si  dhe sllavë të vërtetë (malazezë). Mbështetur në ligjin e ri, sipas të cilit mund të shpallen dëshmorë të gjithë të huajt (me kombësi jo shqiptare) që janë vrarë në territoret shqiptare, për çështjen shqiptare, mendoj se edhe malazezët e vrarë, pjesëmarrës në kryengritje, për të cilët ka shumë të dhëna nga burime shqiptare e malazeze  (të cilave u referohet me saktësi autori Nikprelaj),  mendoj se duhet ti shpallim Dëshmorë. Për më tepër që kjo do të ndikojë për forcimin e marrëdhënieve midis dy popujve e dy vendeve tona.

Në punën time për të nxjerrë sa më shumë të dhëna dhe për të përgatitur materialin sipas kërkesave të ligjit, jam mbështetur në radhë të parë në kujtimet e Risto Siliqit, në kujtimet e Palok Traboinit, të shprehura në poemën e tij epope “Lufta e Maleve” (Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se asnjëri prej tyre nuk ka pas mundësi të shkruante e të përmendte të gjithë të rënët gjatë Kryengritjes, sepse ajo ishte perhapur në shumë krahina, kur krahas tjerave, mjetet e komunikimit mungonin, dhe ata kanë shkruar për ata të rënë ku kanë qenë dëshmitarë), në të dhënat e botuara në revistat “LEKA” dhe “HYLLI i DRITËS”, në veprën e Gjergj Nikprelaj “Kryengritja e Malësisë”, veprën  e Ndue Bacës “Kryekryengritja e Malësisë së Madhe kundër Perandorisë Turko-osmane” e në shumë burime të tjera, duke bërë krahasimet e nevojshme dhe kryesorja, duke ju referuar dy apo më shumë burimeve.

Gjithsesi, si burime më të sakta mbeten ato që kanë lënë të shkruar pjesëmarrësit e Kryengritjes, Risto Siliqi dhe Palok Praboini. Kështu R.Siliqi në librin e tij, përshkruan me hollësi disa prej betejave dhe numrin e të vrarëve në këto beteja (ai shkruan për 72 vetë me emër e mbiemër, vendin e rënies, datën e rënies etj. ) Ndërmjet tjerave ai shkruan për të rënët kështu:

1-Kolë Marash Vata 2. Zef lani (Uka) 3. Gjon Pllumi, gjithsej 7 djem, përfshij tre të sipërpërmendurit, janë vrarë në Karakollin e Traboinit (Qepur) (fq.59). Gjon Nika (nga Traboini) dhe 13 vetë të vrarë gjatë sulmit në kalanë e Shipshanikut, ku mbetën të plagosur edhe 15 të tjerë. (fq.70). Nikë Pretashi  (Nga Gruda) dhe 7 vetë nga Gruda (fq. 81-82)

Nikë Gjekë (Gjelosh) Luli nga Traboini dhe 16 djem ranë për liri si dhe 28 të tjerë u plagosën gjatë luftës në Deçiq (fq.96), po ashtu Dush Lulashi dhe  Lucë Marku ranë dëshmorë (fq.103). Në Tuz u vranë 5 vetë (fq.103). Po ashtu në Kelmend u vra një person (fq.107). Në kapë të Brojës (Kelmend) u vra Kolë Toma. Më 24 maj 1911 u vranë në Qafën e Kapës 11 luftëtarë dhe u plagosën 9 vetë (fq.1)

Ai sjell një të dhënë tepër interesante për numrin e pjesëmarrësve në kryengritje. Siç shkruan ai, nën udhëheqjen e Mark Gjeloshit nga Kelmendi kanë luftuar 1000 shqiptarë, ku janë vrarë 5 vetë dhe 16 të tjerë janë plagosur (fq. 110).

Po ashtu Palok Traboini, pjesëmarrës, madje ai që ka marrë në dorëzim flamurin me shqiponjën dy krenare, porositur në Vjenë dhe që ja ka dorëzuar Ded Gjon Lulit (flamurin kuq e zi, me shqiponjën dy krenare, që u ngrit për herë të parë në trojet shqiptare, në Deçiq të Malësisë së Madhe mbas afro 500 vjet robërie) në poemën e tij “Poema e maleve”, na ka lënë me emër e mbiemër disa prej të rënëve….

Po kështu mund të vazhdohet me të dhënat që jepen shumë qartë në revistat LEKA dhe HYLLI I DRITËS etj. etj.

Sigurisht që ka vend për tu plotësuar edhe me të dhëna të tjera, siç mund të jenë këngët popullore që u kushtohen këtyre ngjarjeve dhe të rënëve, tregimet e gojëdhënat për ta, materiale të tjera të shkruara që nuk kam arritur ti gjejë e ti shfrytëzoj etj. Dhe kryesorja, megjithëse kam arritur të gjejë të dhëna për afro 280 prej tyre dhe ti vërtetoj nga dy apo më shumë burime, jam i ndërgjegjshëm se për mungesë të dhënash të plota, nuk kam arritur ti përfshijë të gjithë në këtë studim. Prandaj kërkohet punë e angazhim edhe nga studiues të tjerë, për ti plotësuar me të dhënat e domosdoshme që kërkohen, dhe në një fazë të dytë, të  propozohet për ti shpallur edhe ata Dëshmorë.

Sipas dokumenteve të botuar nga revista “LEKA” v.1932/11 dhe nga autorë të tjerë, gjatë Kryengritjes kanë mbetur të plagosur 208 vetë, të identifikuar me emër e mbiemër, vend lindje etj. Sigurisht që ka pas edhe të plagosur të tjerë, madje disa prej të cilëve mund të kenë ndërruar jetë nga plagët e marra, por për arsye që kuptohen nuk janë identifikuar.

Në materialin e propozuar për ti shpallur Dëshmorë të Atdheut janë pasqyruar me hollësi të dhënat e duhura për secilin prej tyre, emri e mbiemri, vend lindja, vendi dhe koha e vrasjes etj. sipas kërkesave të ligjit Nr. 109/2018 për Statusin e Dëshmorit të Atdheut.

(Vijon)

 

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911

 

Një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit tonë ka qenë dhe mbetet Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, kryengritje që kishte si bazë idenë kombëtare për pavarësi. Ka mbetur në kujtesë të popullit dhe janë  bërë himn fjalët e këngës popullore: “Ded Gjon Luli ka shkrue letër, Valisë Shkodrës ja ka shkrue, se Shqipnia nuk don tjetër, veç don vedin me sundue”.

Pikërisht kjo ide “me sundue vedin”, pra thënë shqip, për të fituar pavarësinë, ka bërë që malësorët tanë trima të ishin ndër të parët që rrokën armët për të luftuar e përzënë pushtuesin dhe për të arritur qëllimin final çlirimin e vendit…..

Idetë dhe qëllimet  e kryengritësve trima të Kosovës që u ngritën një vit më parë, por që u shtypën më dhunë, ishin kuptuar e mbështetur  herët nga malësorët e Malësisë së Madhe dhe, megjithëse në shumicën dërmuese analfabetë, pa nivel kulturor, por me zemër shqiptare, u ngritën dhe vazhduan  atë rrugë që kishin filluar vëllezërit kosovarë.

Në të vërtetë të dyja këto kryengritje kishin në themel idetë dhe kërkesat kombëtare të parashtruara në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, ku Malësia e Madhe kishte marrë pjesë denjësisht duke dërguar  përfaqësuesit e vet në Prizren, dhe duke u angazhuar me të gjitha forcat për të çuar deri në fund vendimet e marra aty. Ishin e burrat e Malësisë së Madhe që u mobilizuan dhe u vunë në krye të luftës për mbrojtjen e Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë që Fuqitë e Mëdha ja dhanë pa drejtësisht Malit të Zi….

Kryengritja e Malësisë së Madhe ka meritën se ajo, ka qenë, siç është quajtur me të drejtë prologu i Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Krismat e pushkëve të bijve të Hotit, Kelmendit, Grudës, Shkrelit, Kastratit e krejt Malësisë së Madhe e Dukagjinit u dëgjuan deri në Filat të Çamërisë e Orman Çiflik të Korçës dhe ishin ato pushkë që paralajmëruan shpërthimin e një kryengritje mbarëshqiptare që nga Kosova në Vlorë, nga Shkodra në Shkup. Kërkesat e kësaj kryengritje, të parashtruara në Memorandumin e Greçës (Librin i Kuq- siç është quajtur ky memorandum) që përbenin programin minimal të Lëvizjes tonë Kombëtare, u bënë flamur i luftës së popullit tonë për liri deri në nëntor të vitit 1912, që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë.

Bijtë e Malësisë së Madhe që organizuan dhe udhëhoqën kryengritjen, Dedë Gjon Luli me shokë, kanë meritën se jo vetëm u organizuan ushtarakisht  (me aq sa lejonin kushtet dhe mundësitë) por ata u organizuan politikisht duke krijuar Komitetin e Kryengritjes, dhe duke thirrur e aktivizuar në këtë Komitet patriotë e politikanë të njohur si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Risto Siliqi, Ismail Qemali, Fadil Toptani, Themistokli Gërmenji, Alush Taka, Musa Emiri etj.  duke i shtrirë degët e veta në Rjekë, Cetinë, Tivar, Kotorr etj. Pjesëmarrja e këtyre patriotëve nga katër anët e tokave shqiptare flet qartë për karakterin e qëllimet e saj mbarëkombëtar. Duhet theksuar, se në saj të punës së këtyre patriotëve, qëllimet e saj kishin filluar të bëheshin të njohura në Europë, madje në Itali ishte krijuar Komiteti “Pro Shqipërisë” (ku bënin pjesë rreth 60 deputetë të Parlamentit Italian) me 110 nënkomitete që numëronin afro 20 mijë vullnetarë të regjistruar….

Përgatitjet për kryengritje kishin filluar me kohë, madje para fillimit të saj kishin filluar përpjekjet e para me armë kundër pushtuesve osmanë. Kështu në dhjetor të v.1910 kemi përplasje të armatosur në Rranxa të Hotit të luftëtarëve shqiptarë nga Hoti, Gruda, Trieshi etj. ku mbetën  të vrarë e të plagosur afro 50 vetë nga trupat ushtarake osmane dhe ku ranë heroikisht Gjel Cak Martini, Vatë Martini, Zef Peri, Nikollë Prek Hasa etj. që janë Dëshmorët e parë të kësaj kryengritje.

Organizatorët i filluan përgatitjet për kryengritje gjatë dimrit të v.1910-1911, me qëllim që ajo të shpërthente në pranverë të v.1911, madje punohej për të përfshirë edhe qytetarët e Shkodrës në kryengritje. Për shkaqe që nuk janë sqaruar plotësisht, ajo filloi para kohe (janë shprehur  mendime të ndryshme, ndërmjet të cilëve është thënë se nxitësit kanë qenë sundimtarët e Malit të Zi, që aspironin që këto toka shqiptare ti shkëpusnin nga Perandoria Osmane dhe ti aneksonin, siç kishin aneksuar më parë Plavën, Gucinë etj. Duhet vënë në dukje se në këtë periudhë Hoti, Gruda etj. vazhdonin të ishin pjesë e Vilajetit të Shkodrës, dhe Malit të Zi ju dhanë më vonë nga Konferenca e Londrës e v.1912….)

Sinjali i kryengritjes u dha me sulmin që u ndërmor më 24 mars mbi postat në Grykë Leqes dhe Cemerrit, dhe që u morën brenda një kohe të shkurtër. Të nesërmen, kryengritja u përhap edhe në krahina të tjera. Po atë ditë u morën dy postat turke në Traboin, ku u vranë dhe nëntë Dëshmorët e parë të Hotit, Kolë Marash Vata, Zef Lan Ula, Ujkë Gjelosh Leka etj.

Më 26 qershor kryengritësit sulmuan dhe morën kaushën e Pikales dhe tri kausha të tjera në kufi me Malin e Zi, ndërsa më 27 mars kryengritja mori përpjesëtime të gjëra, ku sipas të dhënave të ndryshme, numri i kryengritësve kishte arritur në afro 4000 vetë dhe kryesorja, ata vinin nga të gjitha anët që nga Trieshi, Koja, Kuçi, Fundënat, Kelmendi, Gruda, Hoti, Shkreli, Kastrati etj.

Më 28-29 mars kryengritësit (rreth 2000 vetë) sulmuan qendrën kryesore  administrative dhe ushtarake të krahinës, Tuzin, të cilin mbas një beteje të përgjakshme e pushtuan. Përhapja e kryengritjes dhe shtimi i radhëve të kryengritësve detyroi turqit që të shpallnin mobilizim në radhët e myslimanëve, duke dashur të fusnin kështu edhe vëllavrasje midis shqiptarëve. Megjithëse arritën të rekrutonin në Shkodër disa myslimanë fanatikë, malësorët, me urtësinë e tyre, nisën drejt Shkodrës një përfaqësi me burra të mençur që u dolën përpara “vullnetarëve” tek Prroni i Thatë (në afërsi të Koplikut) dhe arritën të bindnin një pjesë të tyre që të ktheheshin andej nga kishin ardhur, që për komandën turke konsiderohej dezertim….

Krahas fitoreve në fushën ushtarake, kryengritësit u angazhuan me qartësi të dukshme edhe në fushën politike. Kështu, më 30 mars në Cetinë u mblodhën disa nga përfaqësuesit më në zë që përfaqësonin: Malësinë e Madhe (Dedë Gjon Luli), Shkodrën (Muharrem Bushati), Kosovën (Isa buletini dhe Abdulla Aga) dhe formuluan “Memorandumin”. Tërheqë vëmendjen një fakt tepër interesant. Në qoftë se në qytetin e Shkodrës turqit gjetën myslimanë fanatikë që i ndërsyen kundër vëllezërve të tyre katolikë, myslimanët e Malësisë së Madhe nuk ranë në gracka të tilla. Madje, siç dëshmojnë dokumentet, rreth 400 kryengritës, ndërmjet tyre shumë myslimanë luftuan kundër forcave turke të instaluara në Koplik….

Duhet venë në dukje roli dhe kontributi i prijësve myslimanë si Deli Meta i Hotit, Dyl Sokoli, Bajraktari i Reçit, Bec Tahiri i Buzë-Ujit, Ramadan Aga dhe Haxhi Muji të Tuzit etj. për çka ka shkruar shumë qartë Risto Siliqi. Një fakt tepër domethënës ka qenë pjesëmarrja në kryengritje i një hoxhe, i cili është vrarë, dhe sot e kësaj dite përmendet si Hoxha i Lohes.

Po ashtu duhet vënë në dukje roli e kontributi i priftërinjve që shërbenin në Rapshë, Kastrat, Traboin, Selcë, Shkrel, Rrjoll, Grudë etj. që mbështetën kryengritjen pa asnjë rezervë.

Në fillim të prillit, kur kryengritja ishte përhapur në të gjithë Malësinë e Madhe (deri në këtë kohë kemi disa dhjetëra kryengritës të vrarë e të plagosur) Stambolli i shqetësuar nga përmasat e saj, kishte sjellë në portin e Shëngjinit batalionet e para që do të viheshin në dispozicion të Shefqet Dergut Pashës që përgatitej ta shuante me çdo mënyrë atë. Nga ana e tyre, kryengritësit morën masa të ruanin pozicionet e fituara. Tërheqë vëmendjen fakti se tashmë kryengritësve po u vinin ndihmë nga të gjitha zonat e Malësisë së Madhe, që nga Trieshi, Fundënat, Gruda, Hoti, Kelmendi e deri nga Lohja, Reçi, Gruemira, Buza e Ujit, Dukagjini madje edhe nga Shkodra e Nën Shkodra.

Ndër kulmet e kryengritjes ishte ngritja e Flamurit Kombëtar në Deçiq  më  6 prill, vepër që u arrit me gjakun e disa heronjve që dhanë jetën “si me le” (Dokë Preç Kerçaj, Tomë Uc Ivanaj, Marash Lukë Gjokaj, Çak Uc Ivanaj etj.). Mbas rreth pesëqind vjetëve, më në fund flamuri ynë u ngrit për herë të parë në trojet shqiptare, në Malësi të Madhe. Megjithëse simbolike, ngritja e flamurit ishte shprehje e qartë e kërkesave të kryengritësve malësorë dhe të gjithë shqiptarëve, që do të thoshte shumë për atë kohë, sepse ishte goditje direkt kundër pushtimit osman, prandaj edhe Kryeministri i Turqisë do të shprehej “Rreziku më i madh i Turqisë janë kombet e vegjël, janë shqiptarët”

Ngritja e flamurit ishte një veprim tepër domethenës politik, por lufta vazhdonte, madje ky akt i tërboi pushtusit osmanë të cilët u lëshuan me forca të shumta për ta shuar sa më parë kryengritjen.

Ndër betejat më të rrepta konsiderohet ajo e 7 prillit zhvilluar në Suka të Moksetit, ku u vranë shumë kryengritës nga Kastrati, të cilëve u kanë thurur lavdi në poezitë e tyre At Gjergj Fishta dhe “eciklopedisti i Malësisë së Madhe” (siç do e quaja unë) Palok Luni, apo kanë shkruar studjues si Gjokë Luli etj. Për të vazhduar me shumë beteja të përgjakshme si ajo e 16 prillit te “Hani i Gropës”, e 25 prillit në “Sukë të Mkushit”, e 24 majit në Dragan (Xhaj), e 5 qershorit në Selcë etj.

Në fillim të qershorit, Dergut Pasha, në krye të 20 mijë trupave ndërmorri operacionin ushtarak për të shtypur përfundimisht kryengritjen duke ndjekur itinerarin Koplik-Marshej-Kastrat etj. drejt Brojës dhe që u ndalua nga qendresa e kryengritësve në betejat e zhvilluara më 8, 9 e 18 qershor. Dua të theksoj se në këto beteja, kryengritësve të Masësisë së Madhe u erdhën në ndihmë luftëtarët e Dukagjinit. Pa përmendur emrat e të rënëve (lista e plotë me të dhënat për secilin eshtë pasqyruar në materialin e propozuar për ti shpallur Dëshmorë të Atdheut, ku janë shënuar dhe vendet ku janë zhvilluar luftimet, ku janë vrarë etj.)

Meritë e pa diskutueshme e kësaj kryengritje ishte se ajo nepërmjet pushkës ariti të bënte për vete e të angazhonte, madje ti vinte në krye të diplomacisë së saj, personalitete të tilla si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, Risto Siliqi etj.

Kulmi dhe arritja më e madhe e Kryengritjes ishte Kuvendi Greçës i mbledhur më 10-23 qershor 191, ku u formuluan 12 kërkesat, të përmbledhura në atë që u quajt dhe ka mbetur në histori si Libri i Kuq. Merita e malësorëve patriotë dhe largpamës ishte se, ashtu siç shprehej udhëheqësi dhe heroi i kësaj kryengritje, Dedë Gjon Luli,  kërkesat e parashtruara në Librin e Kuq, malësorët nuk i donin vetëm për vete por “për tanë Shqipni”. Po ashtu, siç i kishte thënë ai Krajl Nikollës, se “shqiptarët nuk luftonin e derdhnin gjak për Malin e Zi, por për tokat shqiptare”.

Kryengritja e Malësisë së Madhe, pavarësisht nga disa tentativa për ti dhënë karakter fetar, sepse ajo u zhvillua në zona me popullsi mbizotëruese katolike, ka meritën se ajo u zhvillua në vazhdën e kryengritjeve të Kosovës, ku mbizotëronte popullsia myslimae, dhe ato nuk kishin asnjë lloj karakteri fetar, por mbi gjithcka, karakter kombëtar. Ato patën nga kreu deri në fund vetëm karakter antiosman dhe çlirimtar.

Kryngritja e Malësisë së Madhe ka meritën se u bë shembull e model që u ndoq nga shumë krahina anë e mbanë tokave shqiptare. Kështu Memorandumi i Greçës u shoqërua me memorandume të tilla drejtuar Portës së Lartë dhe Fuqive të Mëdha nga Ura e Shushicës (Vlorë), nga Gjirokastra, nga Krasniqe, nga Juniku, nga Mitrovica etj duke vazhduar me thirrjen e përbashkët të Shkodrës, Janinës, Manastirit etj.

Kryengritja e Malësisë së Madhe pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare deri në ShBA. Gazeta të tilla si “The Neë York Times” (ShBA), “The times” ( Britani e Madhe), “Neue Freie Presse”, “Zeit”, “Reichpost” etj (Austri), “Coriere della Sere”, Il giornale d’Italia”, “Secolo”, “Telegrafo” etj etj. (Itali), i kushtuan artikuj  të tërë kësaj kryengritje, duke e paraqitur, në shumicën e rasteve realisht zhvillimin e saj dhe kreysorja kërkesat e malësorëve.

Aq e rendësishme ka qenë për Shqipërinë Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe roli i saj për Shqipërinë, dhe jo vetëm ajo, sa themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali, mbasi u takua me Dedë Gjon Lulin tha se “Dedë Gjon Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë”, fjalë me të cilat ai nënkuptonte, jo vetëm atë, por krejt Malësisë e Madhe ……

Shaqir Vukaj

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

January 13, 2020 19:55
Komento

2 Komente

  1. MH January 13, 22:15

    I nderuari z.Shaqir Vukaj!
    Gjithe jeten qe te njoh ke tregue bindjen si nji shqiptare i vertet dhe modest.
    Persa i perket patriotizmes.Zonat malore kane ken gjithemon ma atdhetar se qytetaret.Kur ka ardhe puna per atdhe nuk kan pyet se cfare besimit ke.Po te gjithe si nji trup i vetem jane orvat mesa fuqi kane per te mbrojte atdheun,kombin lirin e vet.
    Ju jeni tue krye nji pune shume te dobishme mbasi kjo qe po bani ju sot duhet te ishte ba ne kohen e monizmes.Por ajo kohe quante deshmor vetem ato te rene ne luften partizane clirimtare,e shume pak nga luftrat qe jane ba ne shekuj nga kombi i yne per te mbrojte lirin e pavarsine,te cilet ruajten trollin me trashigimi nga brezi ne brez ku i fundit ishte lufta partizane nen hudheqjen e PK.Sot jemi si mozo ma keq.Nga nji ushtri me armatime me alet moderne te kohe ne kohen e monizmit kemi perfundue ne armatime ne armatosje me huje gardhit qe mund te pushtohemi me skadra gjuetaresh lane testamen shkjau serb Sllobodan Millosheviqi.
    Ne kete vite.Te uroj 79 vjetorin qe te shkosh,te arrish te festosh edhe 100 vjetorin.

    Reply to this comment
  2. Petro Kostandini January 14, 00:06

    Artikull i shkruar bukur fort nga Z. Shaqir Vukaj! Propozime per t’u pasur parasysh per herojte e Malesise se Madhe, e cila, ne kete periudhe, u vendos ne krye te luftrave per pavaresi dhe, si thote me te drejte autori, jo vetem ju parapriu, por me te vertet – iu priu. Ata qe guxuan dhe valaviten flamurin e Skenderbeut te paret mbas 450 vitesh meritojne shume e me shume. Vete Ded Gjo Luli e pati porositur prej kohe ate flamur, çka tregon largpamesine politike te tij dhe guxim te pashoq.. Meritojne monumente ne Tirane, Shkoder e gjetke e jo vetem ne Malesi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*