Kryetarë pa parti dhe parti pa kryetar!

August 14, 2017 16:10

Kryetarë pa parti dhe parti pa kryetar!

Nga Filip Çakuli

Autovetësugjestionimi i ca politikanëve është shndërruar në modë në skenën politike shqiptare. Në përfundim të këtyre zgjedhjeve, sipas KQZ-së, Partia Socialdemokrate fitoi ne Shkodër një mandat. Një eufemizëm politik, allashqiptar ky, për t’i hedhur një vello të vërtetës. Në të gjithë e dimë, se në Shkodër nuk fitoi PSD-ja, po Tom Doshi, si person. Pse duhet të gënjejmë veten, votuesit, Partinë, që merr përsipër autorësinë?

Edhe në Peqin, Elbasan na thuhet zyrtarisht se fitoi PDIU-ja. Domethënë, sipas kësaj logjike çështja çame qenka kaq e fortë në këtë qark, sa nuk është në Tiranë, Konispol, Mursi… T’i themi gjërat me emrin e tyre dhe jo me pseudonime: fitoi Aqif Rakipi dhe jo Partia në fjalë. Nuk ka nevojë për zbukurime e fjalë të mëdha. E vërteta duhet pranuar dhe nuk ka nevojë për veshje gabi politike.

Ne duhet të jemi vendi i parë në botë për numrin e partive politike. E përjashtojnë dikë nga një parti, ose ikën se zihet me kryetarin, të nesërmen e ke kryetar të një partie të re. A mund të më thotë dikush se ku ndryshon Partia Socialdemokrate me Partinë Demokratikesociale, në program a në statut, me përjashtim të emrave të kryetarëve?

Po Partia Demokristiane me Partinë Kristiandemokrate ku dallojnë? Nga emrat e pandryshueshme të kryetarëve të përjetshëm.

Ç’u bënë partiçkat që mbijetojnë prej dhjetëvjeçarësh në këtë vend të vogël?

Ekzistojnë vetëm ca persona, që, për t’u dukur më të rëndësishëm, i bashkëngjisin vetes një parti me lloj-lloj emrash. Vangjel Dule është një personalitet aktiv në politikë, me një elokuencë dhe veprimtari personale dhe mbetet i tillë edhe pa PBDNJ-në, nga mbrapa. Ku është kjo Parti, që nuk e shohim gjëkundi. Kur edhe vetë kryetari e braktisi dhe u strehua në listën-bunker të  një partie tjetër?

Po Agron Duka, një biznesmen i suksesshëm dhe një personalitet, që nga socialist, kthehet në republikan, pastaj merr  një parti të gatshme, Agrare Ambientaliste dhe në fund përfundon në listat e një partie tjetër, Partisë Demokratike? Si ka mundësi ta pranojnë partitë e tyre, që kryetari t’u bëhet anëtar i grupit kuvendor të një partie të madhe, vetëm e vetëm të sigurojë për vete një karrige deputeti. A nuk quhet braktisje e partisë kjo, tradhti e programit dhe objektivave të saj? Ja, pra, nuk kemi parti fare në këtë rast, po vetëm kryetar…

Po Fatmir Mediu, kryetar jetëgjatë i një partie të hershme, Republikane, që prej kohësh është kthyer në shtojcë të PD-së, duke qenë pjesëtar i rregullt i grupit të saj kuvendor? Nëse këta e duan të jenë drejtues partie dhe ta përfaqësojnë atë në Kuvend, le të dalin në shesh të burrave dhe të provojnë forcat.

Ç’i duhej Tomës kopertina socialdemokrate? Ai e fiton vetëm, krejtësisht vetëm, deputetllëkun, se është i zoti dhe ajo zonë e do, jo për sytë e bukur dhe as se i ka marrë malli për socialdemokracinë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Aqifin, i cili nuk ka nevojë për fushatë elektorale, për të takuar zgjedhësit e për t’u premtuar gjë. Dhe as për t’u shpjeguar programin e Partisë. Ai është atje, pranë tyre, në çdo kohë, natën ditën, duke u marrë edhe me spitalet për një të sëmurë,edhe duke ndihmuar për dasmën e një fukarai. Po të pyesësh votuesit e Tomës për programin socialdemokrat ata do nënqeshin dhe do ngrenë supet. Me të drejtë. Njihnin vetëm Tomën dhe jo Partinë. Shko pyet në Peqin, apo Gramsh, Cërrik, Elbasan e Librazhd nëse e njihnin çështjen çame dhe rrugën e zgjidhjes së saj. Mos na ngatërroni me këto gjëra, do të të thonë, ne njohim vetëm Qifin. Ai zgjidh hallet tona, ai mund ta zgjidh dhe çështjen çame. Natyrisht të njëjtën gjë duhet thënë dhe për Bujarin e DELTE-s, një biznesmen i suksesshëm, punëtor dhe i pafjalë, që nuk fitoi se u premtoi zgjidhjen e çështjes çame, po zgjidhjen e halleve dhe problemeve të qytetareve të zonës…

Nuk ia vlen te përmendim këtu Nard Nokën anekdotik dhe Partinë e tij, që la në hall të tyre katolikët e Veriut dhe zgjidhi hallin e tij duke gjetur një strehëz në listën e demokratëve;  dhe as Kreshnik Spahiun, i cili, pasi iku i fundit nga çadra që do bënte namin, u tregua dinjitoz në një çast, që, i zhgënjyer nga politika, braktisi kuqezinjtë e shkretë…

Të gjithë këta burra të vetësugjestionuar nga të qenit kryetarë partiçkash, dëshmojnë në çdo fushatë, se nuk kanë hallin e mender forcave që përfaqësojnë, po vetëm veten e tyre. Para partisë së tyre, ata zgjedhin një parti tjetër më të fortë e më të sigurt. Vari hejbet partisë sime, kjo tjetra është më e mirë.

Kjo më kujton historinë e atyre dy burrave që u kishin humbur gratë dhe u gjendën njëkohësisht te sporteli i policisë.

– Urdhëroni, – ju drejtua polici të parit.

– Më ka humbur gruaja, dua të ma gjeni.

– Edhe mua më është zhdukur gruaja, – ngriti zërin i dyti.

– Mirë atëherë, na thoni ca shenja karakteristike për secilën, që t’i kërkojmë…

– Imja është 1 80 e gjatë, – nisi i pari në radhë, – bionde, me sy të kaltra, me gjoks të madh, me bel të hollë, këmbë të gjata…

– Qartë, – tha polici, – po ti tjetri?

– Vari hejbet asaj times, gjejmë të këtij njëherë, se ia vlen…

 

August 14, 2017 16:10
Komento

6 Komente

  1. demo August 14, 16:41

    Materiali eshte i njohur,por barsaleta ishte e panjohur.befasuese.

    Reply to this comment
  2. Nik August 14, 18:59

    Shume drejt Z. Cakuli. E para mendoj duhet te ndryshoje komplet Ligji Zgjedhor. Deputetet do te ishte mire te zgjidheshin me sistemin e shumices (“mazhoritar”). Po ashtu 140 deputete jane shume, shume per kete vend e popullsi te vogel. Ndoshta 50-60 deputete do te ishin me se te mjaftueshem por besoj se ka standarte ne Europe dhe me tej per te caktuar nje numer te arsyeshem deputetesh.

    Reply to this comment
  3. Drejtesia do te behet,duan apo nuke duan mijte e kenateve dhe avoketerit e ligesise. August 14, 23:16

    O Filip,qe ju e dini se ne Shqiperi nuke ka shume parti,por as pluralizem te vertet,vetem PPSH nga eterit tek bijte,niperit dhe mostrat e tyre,dhe beni te paditurin,ky nuke eshte fai jone,por i nje populli te terrorrizuar,e te droguar,nga intelektuale te seres suaj, qe vazhdoni ti bien fyllit te eterve te diktatures komuniste dhe pjellave e mostrave te saje,qe nen vellon e pseudopluralizmit derdhin lot krokodilesh vetem e vetem per te mashtruar grabitur e shqyer prene e rradhes,pra popullin dhe popujt.Mjaft me,me lojra fjalesh e lloqe kavaje qe nuke i shkojne per shtat nje rrealiteti te dhimshem shqiptar.Filip me Hostenin dhe Fiksin je i po ai qe ishe dje dhe sot.Ne moralin tuaj Filip eshte te vendosesh nje gure ne themelet e lirise e demokracise shqiptare te mbetur ne tranzicion,se me Hostenin te konvertuar nga eterit e bijte ne FikFare,sot eshte me e pakta per ju si intelektual.Jane mijra nena dhe gra te veshura me te zeza dhe mijra femije jetim,si dhe nje pasuri kombetare e private e grabitur dhe e tjetersuar nga fuqia e riciklimit te botes,se krim-korrupsionit-mafjozo-imoralo-politik ne te tre pushtetet ,qe kerkon drejtesi me jo avokati ndaj djallit.Drejtesia do te behet duan apo nuke duan eterit,bijte e motrt e tyre ,se drejtesine e kerkon SOVRANI,USA dhe BE-ja.Dridhuni e perdridhuni,po vjen dita qe nga trasta peme e kalbur jasht do t’hidhet,BESO.

    Reply to this comment
  4. Mero 97 August 15, 14:26

    Ku merer leje per te komentuar?

    Reply to this comment
  5. Adi August 15, 17:15

    Filip Çakulli eshte nje fosile e ndyre greke e sherbimit sekret te Asfalise, qe i ka here sherbime te nedha Athines.Po dovte vij koha kur grekafon do ta shikoj veten ne HAPSANE pas hekurave.ky mesues fshati pasi filloj te medoj te shkruaj gjuhen e bukur shqipe i duket vetja i madh, shkrimtar e politikan.

    Reply to this comment
  6. Hynoska August 15, 20:46

    Ke harruar Çamët e Dibrës Filip. Edhe në Dibër doli një deputete e PARTISË ÇAME kur nuk gjen një çam të vetëm për demonstrim.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*