Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezanton projektin e Pazarit të Ri

August 12, 2015 17:38

Kryetari i Bashkisë së Tiranës prezanton projektin e Pazarit të Ri

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi sot nisjen e punimeve për projektin e Pazarit të Ri për ta kthyer atë në një hapësirë tërheqëse turistike për kryeqytetin. Duke folur për mediat nga sheshi “Avni Rustemi”, Veliaj sqaroi se  investimi do të kalojë në disa faza. “Puna do të fillojë në tetor dhe jo vetëm që do të realizojmë një nga projektet më të bukura të Tiranës, i cili do t’u shtojë vlerën pronave dhe aseteve të Njësisë nr. 2, por Pazari i Ri do të jetë edhe një hapësirë turistike”, tha ai. Kryebashkiaku Veliaj njoftoi se është duke u diskutuar gjetja e një zgjidhje efiçente për trafikun dhe ndërtimin e një sheshi me kalldrëm ose pllaka.

“Gjithashtu, do të marrim një vendim për të gjitha godinat që rrethojnë tregun. Do të kemi edhe një pastrim të rrugës “Qemal Stafa”, e cila do të rinovohet për t’u bërë pjesë e kompleksit të Pazarit të Ri”, sqaroi Veliaj. Sipas tij, njerëzit duan infrastrukturë që të ushqejnë veten e tyre në një treg i cili, gjatë paradites do të funksionojë si i tillë, kurse pasdite do të shërbejë si një hapësirë argëtuese, me restorante që gatuajnë ushqim tradicional shqiptar, artizanë, duke u shndërruar kështu në një epiqendër të turizmit në Tiranë.

“Sot Tirana vuan për atraksione tipike vendase. Ndaj, në pjesën e dytë të ditës, tregu i Pazarit të Ri do të jetë një hapësirë rikrijuese, me ushqime tradicionale dhe dyqane artizanësh. Aktualisht, gjatë pasdites tregu rri bosh dhe është komplet jashtë funksionit”, nënvizoi kryetari i Bashkisë së Tiranës. Veliaj theksoi se në gjendjen ku ndodhet sot tregu nuk e mban dot veten financiarisht, por as nuk është një pjesë e këndshme e Tiranës.

Më herët, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi administratorët e Njësisë nr. 1 dhe nr. 2. Pastrimi i lagjeve, bashkëpunimi për lirimin e hapësirave publike, inspektimi i institucioneve arsimore, hartimi i listës së problematikave dhe i nevojave që ka zona për investime publike, ishin disa nga porositë që kryebashkiaku dha për drejtuesit e dy njësive. “Kemi trashëguar një borxh përtej imagjinatës sime dhe viti i parë është  jashtëzakonisht i vështirë financiarisht. Për shkak të kësaj situate financiare duhet të kemi disa prioritete. Do të fillojmë me projektet, të cilat komuniteti i cilëson si më prioritare”, deklaroi Veliaj.

Për t’u siguruar se do të bëhet ajo çfarë komuniteti vlerëson si më të rëndësishme, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se për herë të parë do të futet koncepti ku qytetarët do të votojnë e do të anketohen për projektet prioritare. “Bashkia është rrethuar nga debitorët që kërkojnë paratë e detyrimeve nga bashkia, megjithatë po kërkojmë burime të tjera financiare për të dalë nga kriza e jashtëzakonshme e buxhetit me të cilat po përballemi çdo ditë e po mësojmë më shumë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve në lidhje me kërkesën e Prokurorisë drejtuar Bashkisë së Tiranës për vendosjen në dispozicion të dokumetacionit të disa lejeve të ndërtimit të dhëna nga drejtuesit e mëparshëm të bashkisë, duke u shprehur:

“Ka një kërkesë të Prokurorisë për një akuzë shumë të rëndë, për rreth 17 leje ndërtimi, dhe sigurisht i kam kërkuar stafit të Bashkisë që të bashkëpunojë plotësisht me prokurorinë. Me sa duket, kjo ishte e pamundur me Bashkinë e kaluar, s’ka pasur bashkëpunim. Prokuroria rinovoi kërkesën që Bashkia t’i jepte gjithë dokumentacionin. Stafi i Bashkisë po përgatit dosjet për të 17 lejet që ka kërkuar të hetojë prokuroria. Nuk ndihem mirë që Bashkia e Tiranës është në një situatë të tillë, ku po hetohet nga Prokuroria, megjithatë është një mënyrë për të vendosur një standard të ri, i cili do të shërbejë për të pasur transparencë në të gjitha vitet që do të vijnë. Për këtë ndihem mirë, që sot kemi një bashki tjetër, e cila pavarësisht se duhet të shpjegojë gjynahet e një lidershipi të vjetër, në fund të fundit, po mban edhe premtimin tonë elektoral, për të pasur një transparencë absolute. Transparencë më të mirë se sa bashkëpunimi me Prokurorinë, për t’i dhënë të gjithë dokumentacionin shoqërues për këto 17 leje që duket qartë se kanë problematika më të mëdha se sa të tjerat, nuk mund ta kisha menduar”.

 

August 12, 2015 17:38
Komento

1 Koment

  1. Loko-Loko August 12, 20:08

    O zoti Veliaj!
    Kudo premton shume,por kur te kerkojme te zgjidhesh nje HALL te madh per ne banoret e Yzberishit,por qe per ty vlen vetem 5 sekonda telefonate,qe t’i japesh urdher administratorit te Kasharit qe auti\obuzet e Kasharit dhe Yzberishit te pranojne ABONETE dhe te presin bileta,TI NUKI E BEN!!!
    A TA KANE DHENE NDONJE DORE PARESH,qe as po ben gje e as nuk flet???
    Mire per ne hallexhinjte,por per TATIMET e shtetit qe vidhen nga mos prerja e biletave,PSE HESHT???
    Edhe ti si LUL BASHA DOLE!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim