Kryeveprat botërore vijnë ndryshe, por sa bukur…

Agim Janina* November 17, 2015 15:39

Kryeveprat botërore vijnë ndryshe, por sa bukur…

Në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar është hapur ekspozita fotografike e artistes Soela Zani me titull “Edhe unë jam vepër arti”, mundësuar në bashkëpunim me Fondacionin Down Syndrome Albania dhe me kostumografe Lilo Shehu.

Artistja ka mbaruar Akademinë e Arteve, Dega Skenografi – Kostumografi Teatri, por i është kushtuar artit të fotografisë. Ka ngritur një studio që e ka kthyer në laboratorin apo magjen, ku marrin jetë fantazitë dhe gjetjet e saj artistike. Shikuesi i ka ndeshur në ballinat e ndonjë reviste dhe së fundi në posterin e tragjedisë “Hamleti” të Shekspirit, një ftesë grishëse që fton në shfaqjen e radhës.

Hyrja e në botën e fotografisë dhe atë të fëmijëve i erdhi natyrshëm. Mikeshat e saj ishin bërë nëna dhe i kërkonin t’u fotografonte fëmijët. Punon çdo ditë me ta dhe u është kushtuar prej vitesh atyre.

Duke të treguar disa prej punëve që ka realizuar në vite ndjen emocionet dhe dashurinë e madhe, që autorja ka ndaj fotografisë. Një foto është një dokument dhe një shkrepje e saj mban brenda gjithë energjinë, që është mbledhur në vite përvoje. Duke qenë art i çastit të mbrëmë, fotografia nyjëzon e mbledh, si asnjë art tjetër, elementë qendërzues për të arritur, kapur e përfaqësuar në një çast një portret, personalitet apo një ngjarje dhe më shumë një botë shpirtërore, një jetë të “ngrirë” në çastin, ku artisti ndjen, që ai (çasti) nuk është thjesht i tillë, por është vetë çasti në përfaqësimin, tipizimin dhe domethënien e asaj që atë çast ndodhet para syrit të artistit.

Fotot e Suelës dalin nga ky synim dhe kanë domethënien e tyre origjinale. Ardhja e një ideje për artistin është enigma që shoqëron krijimin. Në mënyrë shumë të rastësishme i vjen propozimi për të fotografuar fëmijët me sindromën Down, duke bërë kartolinat e fundvitit dhe ka qenë hera e parë që këta fëmijë pozuan përpara kamerave janë fotografuar me kostumet e Babagjyshit për Vitin e Ri në një dyqan festash, që shisnin objekte për fëmijë.

Soela rrëfen se kur është takuar për herë të parë me një person me sindromën Down, njohja i ka lënë vragë në shpirt, nga se ai kishte komunikim të pakët dhe ishte shumë i acaruar, si pasojë e ngujimit nga prindërit. Në atë kohë sindroma ishte tabu, madje edhe vetë familjarët nuk ndiheshin mirë.

Kupton se ata janë si fëmijët e tjerë të thjeshtë, sillen njëlloj dhe nuk kanë ndonjë ndryshim sepse, mërziten, gëzohen dhe kuptohen si të gjithë fëmijët. Janë pak ndryshe në pamje, shprehet Soela, por janë vërtet janë shumë të bukur dhe e kanë treguar këtë.

Në studio hyri një vajzë veshur një fustan të madh së bashku me kushërirën. Rrinte pa folur. U bëri një foto së bashku dhe kur e publikon dikush tha, ka dalë si në pikturë! dhe ajo e di që fotografia sa më shumë i ngjan pikturës, aq më e bukur është.. I ndizet zjarri i fantazisë dhe i thotë vetes “mund se mund të bëj një fëmijë të duket sikur ka dalë në një pikturë!”

Kur i hyri punës, filloi të dyshonte, sepse pikturat ishin të riprodhuara në fotografi dhe si do të mund t’i realizonte teknikisht. Fëmijët një ditë e për ditë i shkojnë në studio. Janë nga Tirana, por nga Burreli, Puka, Kamza etj dhe të gjithë kanë historitë e tyre. Më e madhja është Eta që pozon si “Motra Tone” dhe është 27 vjeçe dhe më e vogla me sa më kujtohet është Eljana, vajza në pozën e Pikasos. Ishte shumë e vogël.

Reagimi i fëmijëve ka qenë shumë bukur. Sa mirë qëndrojnë fëmijët në zbërthimin e “personazheve”, që fotografia u jep të interpretojnë. Fotot vijnë prekëse njëra pas tjetrës. Janë 18 foto dhe u bënë në një kohë shumë të shkurtër, për rreth 20 ditë.

I ka mbetur merak se ilustrimet janë marrë nga interneti. “Kënaqësia më e madhe ishte kur vendosja origjinalin dhe e shikoja se si kishte pozuar, filloja e editoja duke parë se çfarë kisha krijuar”.

Ndikimi i fotografive të paraqitura bie fuqishëm mbi shikuesin. Magjia e tyre është gjetja artistike, që i vjen si një ngacmim i brendshëm dhe i një qëndrimi thellësisht dashamirës ndaj fëmijëve me sindromën Down. Ata janë si të gjithë ne, i kemi rreth nesh, i shohim, i prekim, bashkëbisedojmë. Ajo që artisten e prek më shumë është dashuria që ata kanë brenda tyre. Lidhja njerëzore gjeneron energji pozitive dhe na bën të bëhemi më të mirë jo vetëm në komunikimin me ta por edhe me të tjerë.

Ato janë vepra arti dhe si të tilla janë trajtuar me kujdesin më të madh nga ana e autores. Është e ndërgjegjshme se nuk ka arritur përsosmërinë, por është e kënaqur shumë se ka dhënë një ndihmesë në ndërgjegjësimin e shoqërisë ndaj këtyre fëmijëve engjëll, siç i quan që t’i shohim ashtu si shohim fëmijët e tjerë. Vërtet të vegjël dhe me sindromën Down janë shndërruar në personazhe të mëdhenj, që vijnë nga tablo dhe autorë shumë të njohur. Kujton Arbin që ka pozuar si “Paulo harlekin” dhe është i pari që ka njohur, Lela në “Vajza e vogël duke u lutur” të Reynolds në atë qëndrim lutës në mbledhjen e duarve përpara gjoksit, Megin, një vajzë e mësuar me kafshët, se ka një qen në shtëpi, Irmën që qëndroi me macen deri në çastin kur macja i dha pak trupit dhe i nguli thonjtë. Ajo u tremb dhe nuk e pranoi më ta mbante macen. Kështu macja është fotografuar me vete dhe pastaj janë bashkuar. Edhe duart nuk janë të saj, por të dikujt tjetër. Ndjekim nga afër Irmën 18 vjeçare nga Bulqiza që ka pasur shumë qejf të ishte balerinë, ishte ëndrra e saj. Artistja është habitur me mënyrën se si ajo pozoi si në pikturën “Balerina” e Rënuarit, sepse e kishte provuar këtë pozë me një asistenten e saj dhe ajo nuk rrinte dot ashtu si rrinte Irma. Kur u vesh me rrobat e balerinës ishte shumë e emocionuar, hidhej përpjetë e thoshte, Oh… jam balerinë… balerinë…! Dukej si balerinë e vërtetë, i njëjti qëndrim sidomos në hapjen e krahëve. Po ashtu edhe Belkisa që ka qëndruar si në tablonë e Velaskezit, veshur si një zonjë e rëndë. Vanesa, Gazi, Irisi, Marvini, Megi që shtrëngon qenin, Krenardi si një zotëri i vërtetë etj.

Kalojnë tablotë e Manet, Picaso, Hoppner, Reabyrn “Djali dhe lepuri”, Manet “Flautisti”, Rubens “Vajza e piktorit”, Picaso “Vajza me pëllumb”, Magrite “Bir njeriu” (Krenardi), Gouguin (Gazi), Velaskez “Las Meninas” (Balkisa) etj. dhe natyrisht nuk kishte se si të mungonte edhe kryevepra e Idromenos “Motra Tone”. Artistja arrin që me mjete të thjeshta fotografike në një gjetje të zgjuar të përditësojë pikërisht këta personazhe që janë shumë të afërt me artistët që i kanë pikturuar.

Fëmijët të shoqëruar nga prindërit habiten kur para tyre u shfaq kostumografia Lilo Shehu me një metër në dorë. U krijua gjendje tejet e veçantë, vinin rrotull gjithë gëzim, kapnin, preknin metrin, stilolapsin, bllokun, ndërkohë që ajo u kërkonte të ngrinin duart që t’u maste belin apo krahët e këmbët. Ishin shumë kureshtarë dhe nuk të qëndronin në një vend, gjithmonë në lëvizje ndërkohë që mua më duhej një qëndrim statik që të merrja masat si duhej. Në kohën që e preknin veshjen pyesnin, çfarë është kjo dhe nuk përqendroheshin tek veshja, por se çfarë po vishnin, ndjesia që u jepte rroba, materiali, punimi. Ishin shumë detalistë. Shikonin çdo gjë me imtësi.

Edhe pse nuk ka bërë zgjedhjet e pikturave që do të përditësoheshin në fotografi, shprehet se në përgatitjen e veshjeve të fëmijëve për t’iu përshtatur atyre që Soela kishte zgjedhur, ishte një punë shumë e vështirë. Ka studiuar tetë vjet pikturë edhe Akademinë e Arteve dhe duke u marrë me tekstilin e kishte ndjesinë e materialit që duhet përdorur. Shkonte lehtë për të gjetur cohën e duhur dhe kjo ndoshta ia bëri më të lehtë punën për të bërë kalimin nga piktura në realitet.

Artistja Lilo shprehet se veshja nuk e bën priftin, por për të ajo është një pikë kryesore, sepse me anë të imazhit ecet përpara. Sot gjithçka është imazh dhe veshja jep jo vetëm atë që ti nuk je dhe e përcjell ashtu siç ti e do, por të paraqet karakterin tënd.

Artistja Soela Zani ka krijuar një ekspozitë mbresëlënëse të krijuar me mund e shpirt. Këta fëmijë të shënuar janë krijesa të veçantë që dhurojnë dashuri. Janë foto shprehëse, shumë prekëse, të goditura artistikisht që të venë në mendime për forcën e fotografisë jo thjesht në dokumentimin, por edhe në përcjelljen e ndjesive njerëzore dhe një mesazh i bukur e njerëzor që fëmijët me sindromën down duhen trajtuar e mbajtur pranë dhe si çdo fëmijë ata kanë personalitetin e botën e tyre të pasur e të bukur që nuk është gjë tjetër veçse vetë bota jonë.

* Studiues arti

Agim Janina* November 17, 2015 15:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*