Kthehet kampionati, të shtunën zbresin në fushë pretendentët

March 31, 2015 22:27

Kthehet kampionati, të shtunën zbresin në fushë pretendentët

Kombëtarja mbyll një kapitull të futbollit shqiptar që këtë fundjavë rinis me disa sfida interesante. Përplasjet për kreun do të zhvillohen në distancë me 4 skuadrat e kreut që duhet të mos rrëshqasin në hapa falsë.

Kryesuesit – Të shtunën, Skënderbeu viziton fushën e Laçit për një 90-minutësh shumë të rëndësishëm pasi skuadra kurbinase mban vendin e pestë por për më tepër po zhvillon një 2015 në nivele stratosferike.

Kampionët që kryesojnë me 60 pikë në 28 ndeshje të luajtura e kanë marrë një leksion disa muaj më parë kur ekipi i Cungut i ndali në Korçë me një barazim pa gola, prandaj kjo është një sfidë shihet edhe si një gur themeli në garën për titullin e pestë rresht të korçarëve. Në krahun tjetër, Laçi vazhdon të kërkojë një biletë për zonën evropiane dhe klasifikimi e lejon të ëndërrojë, prandaj, Mirel Josa duhet të karikojë në maksimum ekipin mik për këtë 90-minutësh ku kryqëzohen shumë fate të këtij sezoni.

Tirana e Kukësi – Po të shtunën, Tirana udhëton drejt Vlorës për t’i dhënë vazhdimësi fitores së arritur në Fier. Bardheblutë kanë humbur terren gjatë javëve të fundit, por 6 pikë nga vendi i parë nuk janë shumë për ekipin e Maganit që do të përballet me të gjithë kundërshtarët direktë në fazën e fundit. Ndaj Flamurtarit dukshëm të pamotivuar për të vazhduar në maksimum kampionatin, kjo transfertë për kryeqytetasit parashikohet e lehtë, por surprizat nga Vlora mund t’ia prishin fundjavën skuadrës bardheblu. Në të njëjtën ditë edhe Kukësi udhëton drejt Elbasanit me objektivin e vetëm për të mos lëshuar terren. Vendasit i kanë mbyllur llogaritë me kampionatin por kjo nuk duhet ta relaksojë ekipin verior që me një tjetër hap fals do të shkëputej edhe më shumë nga vendi i parë të cilin e sheh nga poshtë.

Sfidat e së dielës – Të dielën është radha e Partizanit që pret në “Qemal Stafa”, Apoloninë. Fierakët nuk po kalojnë një moment të mirë, por futbolli që prezantojnë është tërheqës. Të kuqtë vijnë në këtë sfidë në shëndet të plotë dhe me sigurinë që u jep vendi i tretë, ndërsa në krahun tjetër, Apolonia kërkon të hedhë pas krahëve hidhërimin që la ngjarja e rreth 10 ditëve më parë kur portieri Cakovic kreu një gjest aspak sportiv pas hyrjes së një tifozi në fushë me flamurin shqiptar.

Përballja e fundit e javës, ajo mes Vllaznisë dhe Teutës do të luhet në orën 14:00 në “Loro Boriçi” ku vendasit mbeten të favorizuar pasi kërkojnë të nisin një projekt të suksesshëm për sezonin e ardhshëm nën drejtimin e Luan Zmijanit.

 

March 31, 2015 22:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*