Kthim në Labovë

Arben Duka February 25, 2016 14:32

Kthim në Labovë

(Baladë)

Mbeti prapa Tepelena,
dhe kala e Dollibashit,
kalova nëpër bedena,
gjer tek Ura e Subashit.

Poshtë këmbës më rrjedh Vjosa,
përmbi Vjosë gjarpëron rruga,
kundërmim nga barbarosa,
nga Veriu dhe nga Juga.

E nis rrugën për Labovë,
e nis rrugën vara-vara,
te Subashi s’na pret më,
si dikur Foto Xhavarra.

Gjer te Kroi i Kallogresë,
s’e kuptova rrugën fare,
aty ulem dhe me nge,
pi rehat dy-tri cigare.

Tërbuqi më flet nga maja,
si gjithnjë kur andej ikja,
aty më lindi mamaja,
dhe ka varrin Lekso Cikja.

Aty kam të shkretën hallë,
aty prehet xha Sotiri,
po kam Kalicën të gjallë,
me një zëmër prej floriri.

Aty kam dhe Pavllo Zherdin,
burrë plot njëqind dërhem,
që i pret gjuha si shpatë,
por që fjalën ka melhem.

Aty kam Llazon dhe Janon,
Llazon kripën e humorit,
kam Lirikën edhe Panon,
kam gjithë flladet e Qershorit.

Pas Tërbuqit vjen një Qafë,
e mbas Qafës vjen Mursia,
ku prek Labovën me dorë,
ku janë themelet e mia.

Një qiri ndez në Shën-Mitër,
nderim kripës edhe bukës,
më shikon me dhembshuri,
varri i bardhë i Pilo Dukës.

Më flet Cice Athinaja,
me një zë të ëmbël drite:
“Ku je-o Berto kërthiu,
sa të lashë e sa u rrite?!”

Eh-moj Cice Athinaja,
sa u deshëm ne të dy,
pesëdhjetë vite jetova,
s’njoha dot engjëll si ty.

Dhe një vit të rri këtu,
dhe një vit mallin s’e shuaj,
të gjithë jemi të shtëpisë,
nuk kemi asnjë të huaj.

Vazhdoj rrugën-shkoj përpara,
në avlli Zonja më pret,
si gjithmonë Foto Xhavarra,
s’dëgjon mirë-ndaj dhe bërtet.

Zëri i tij si bubullima,
tund e shkund gjithë Luarinë:
“Pika-more Berto Duka,
o Berto që le rakinë.

O Berto që le rakinë,
koqja e syrit të daltë,
Zonjë-mua bjemë qilloshen,
dhe Bertos një lugë mjaltë!”

Zbres ngadalë nga Luaria,
në një rrugë që më s’e njihja,
zbres të shoh shtëpitë e mia,
po më mirë të mos i shihja.

Gërmadhë-e shkreta-gërmadhë,
vajton jeta në çdo tra,
dhe i zoti-ah-i zoti,
ndërton vila në Mistra!

Dhe i zoti-Vangjel Duka,
ndërton vila në Mistra,
se këtu-ku na ra koka,
jeta si gjethe u tha.

Brezi im i gjithë u shua,
mbeti veç Illo Koleta,
s’mbeti gjë nga ai zgjua,
iku-iku gjithë bleta.

S’do ta besoja-Labovë,
një tjetër po të ma thosh,
ke qenë pite me mjaltë,
ke mbetur koshere bosh.

Kthehem prapë nga kisha ardhur,
lotët më mblidhen në grykë,
psherëtij si zog i mardhur:
“Ku humbi ajo muzikë?!”

Edhe ti-o mik i dashur,
si një zog do psherëtish:
“Ku humbi ajo muzikë,
që Labovë emrin e kish?!

06.06.2004

Arben Duka February 25, 2016 14:32
Komento

5 Komente

  1. ZZZZZZZZZZZZZ...... February 25, 17:00

    E NDIERE……..!!!!!

    Reply to this comment
  2. Astrit February 25, 23:04

    O Berto që le rakinë,
    koqja e syrit të daltë,
    Zonjë-mua bjemë qilloshen,
    dhe Bertos një lugë mjaltë!”

    Reply to this comment
    • TOTILA NUMERO UNO,,NUMBER ONE !! - i vertete February 26, 02:39

      Eh moj Labove e Kryqit .
      Kur ishja femije e beja shpesh ate rruge ,qe nga Shkalle e zeze merja te perpjeten e dilja ne Hormove
      Pasi rrija nja 2-3 dite atje ku haja dhe mish keci te eger ,ikja neper ate rruge te qete qe te zhuriste dielli i gushtit dhe ruheshim se mos na pellcisnin bombat e pa-plasura e me nge kalonim per ne Hundekuq ,terbuq dhe me ne fund ne Laboven hijerende .
      Kenaqeshim me mishin ne hell dhe me pas vareshim me te poshte deri ne Subash ,por ama pinim uje tek kroi i Kallogrese e pushonim .
      Eh more Arben qe na kujtove vitet e femijerise .
      Sa mall kam per ato vise qe ti gjezdisja edhe njehere sot ,por jam larg .

      Reply to this comment
  3. NETI VJOSA February 26, 08:37

    Rrofsh o Berto Poeti,
    Na kujtove Fëmijrinë
    Me mall kujtoj shtepine time
    Dhe ma ndeze Fantazinë:

    Lart nje Kodër me Trendelinë,
    Posht shtepit e mbetur shkretë,
    Më tej varret ne Lëndinë,
    Si një Legjendë e Vertetë…

    Kishë e vjeter si jetime,
    Si Dëshmi apostolike
    Më posht kalon Vjosa ime,
    A nuk eshtë Pamje Biblike?…

    Reply to this comment
  4. keno kotorri February 26, 09:14

    Totila je gabim! nuk eshte Labova e Kryqit Labova per te cilen flet laboviti Arben Duka por Labova e rrezes . jane atje dy: Labova e Madhe dhe e Vogla, fshatra qe permenden me keto emra qysh ne regjistrin turk te vitit 1431-2..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*