Balla zbulon skemën e lobimit të Bashës në SHBA nëpërmjet rusëve

March 12, 2018 10:50

Balla zbulon skemën e lobimit të Bashës në SHBA nëpërmjet rusëve

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë mbledhjes së grupit socialist ka vijuar akuzat ndaj Partisë Demokratike lidhur me skandalin e lobimit të PD-së nëpërmjet rusëve në SHBA.

Balla gjatë fjalës së tij,  deklaroi se ka shumë dyshime edhe për mënyrën si u financua protesta 3 mujore kundër Reformës në Drejtësi dhe përpjekja për të futur vendin në një spirale dhe krizë të thellë.

“Siç të gjithë e dimë, më 18 Shkurt 2017 PD vendosi të bojkotojë Kuvendin, me qëllim bllokimin e miratimit të ligjeve dhe të implementimit të Reformës në Drejtësi. Ka shumë dyshime edhe për mënyrën si u financua protesta 3 mujore kundër Reformës në Drejtësi dhe përpjekja për të futur vendin në një spirale dhe krizë të thellë përmes bojkotimit të Zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare”, deklaroi Balla.

Fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla:

Dy investigime të pavarura, i pari nga rrjeti BIRN (22 Nëntor 2017) dhe i dyti nga Revista Investigative Amerikane Mother Jones (6 Mars 2017) kanë hedhur dritë tashmë pothuajse tërësisht mbi përfshirjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë në një skemë financimi dhe pagesash jotransparente:

Së pari, me burime të dyshimta që përfshijnë edhe biznesmenë me shtetësi dhe rezidencë në Rusi,

Së dyti, me transaksione të paligjshme që përfshijnë kompani guacka off-shore në ishujt Belize në Amerikën Qëndrore dhe Edinburgh Skoci.

Së treti, me mosdeklarime sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri dhe Ligjit për Financimin e Partive Politike në Shqipëri.

Që pas rezultateve të para të investigimit nga ana e BIRN, ne i kemi kërkuar së pari Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike dhe së dyti Prokurorisë fillimin e një hetimi të plotë e të pavarur mbi dyshimet për disa vepra penale:

  1. Fshehja e të ardhurave të parashikuar nga neni 180/3 i Kodit Penal;
  2. Falsifikimi i dokumenteve të parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal;
  3. Shpërdorimi i detyrës të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
  4. Pastrimi i produkteve të veprës penale të parashikuar nga neni 287 paragrafi I tretë i Kodit Penal;
  5. Çelja e llogarive anonime të parashikuar nga neni 287/a i Kodit Penal;
  6. Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale të parashikuar nga neni 287/b i Kodit Penal.

Tashmë kanë dalë në dritë prova të reja, tejet të rënda, e tejet shqetësuese.

Aq sa sinqerisht do t’i uroja Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, jo të gjitha këto qofshin të vërteta.

Më poshtë një përmbledhje e shkurtër e gjithçka është zbuluar deri më tani:

Siç të gjithë e dimë, më 18 Shkurt 2017 PD vendosi të bojkotojë Kuvendin, me qëllim bllokimin e miratimit të ligjeve dhe të implementimit të Reformës në Drejtësi.

Ka dyshime edhe për mënyrën si u financua protesta 3 mujore kundër Reformës në Drejtësi dhe përpjekja për të futur vendin në një krizë të thellë përmes bojkotimit të Zgjedhjeve të Përgjithshme Parlamentare.

Në pranverë të vitit të kaluar, në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, Partia Demokratike dhe Lulzim Basha lidhën dy kontrata me lobistin Nick Muzzin në Uashington, ‘Stonington Strategies’, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump.

Pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet:

  • dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga vetë Partia Demokratike
  • dhe një kompani guackë e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”;

të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës si dhe pagesat për shpenzimet e saj.

Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP’ është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar më 14 nëntor 2017, pothuajse ditën e fundit të afatit ligjor amerikan.

Nëpërmjet këtyre pagesave të majme, “Stonington Strategies” ka kërkur dhe realizuar takime me zyrtarë të stafit të presidentit amerikan, Donald Trump, anëtarë të Kongresit si dhe ka ndërmarrë kontakte në median amerikane – përfshirë një intervistë të Lulzim Bashës me portalin e “Breitbart News”.

Në emër të Partisë Demokratike, “Muzin Capitol Partners” deklaron se ka realizuar takime me tre anëtarë të kongresit, Ed Royce, Pete Sessions dhe Michael Mcaul, gjatë vizitës së Bashës në Mars në Uashington. Takimet e Bashës me tre kongresmenët konfirmohen dhe nga një artikull i botuar në portalin “Breitbart News,” i cili sipas të dhënave është mundësuar gjithashtu nga kompania lobuese.

Sipas të dhënat të deklaruara, ‘Muzin Capital Partners’ ka tentuar t’i sigurojë Bashës dhe disa takime të tjera me kongresmenë dhe pjesëtarë të ekzekutivit në SHBA, përfshirë një takim me Steve Bannon – ish këshilltari strategjik i presidentit Donald Trump dhe drejtor ekzekutiv i ‘Breitbart News.’

Pagesat e Partisë Demokratike për ‘Muzin Capitol Partners’ nuk përfshihen në raportin e saj të shpenzimeve elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit të dorëzuar në KQZ.

Në këtë raport, Partia Demokratike ka deklaruar vetëm pagesat për dy kontrata lobimi me kompaninë “Barnes and Thornburg LLP” në vlerën e 12 585 000 lekëve.

Një javë e gjysmë para zgjedhjeve të 25 qershorit, Basha ndërpreu fushatën dhe shkoi në Shtetet e Bashkuara – dhe lobuesi Nick Muzin futi Bashën në një Takim për Mbledhje Fondesh në Milwaukee të Guvernatorit republikan, Scott Walker, takim në të cilin merrte pjesë edhe Presidenti Trump. Në këtë takim – ku me një pagesë-kontribut prej 20,000$ për Walker mund të fitoje një vend VIP dhe një fotografi me Trump – Basha arriti të merrte fotografinë e tij me presidentin Trump.

Me dokumentat që kemi tashmë në dizpozicion, më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” ka raportuar në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë:

  • dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD (një pagesë 25,000 $ më 27 mars dhe një pagesë 500,000 $ më 9 qershor nga Partia Demokratike);
  • dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD (më 24 mars 2017).

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë ‘Biniatta Trade LP,’ e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.

Misteri i parë, misteri prej 500,000 dollarësh? Sipas FARA, lobistët amerikanë që punojnë për qeveritë e huaja, parti ose subjekte të tjera jashtë SHBA duhet të identifikojnë në raportet e tyre në Departamentin e Drejtësisë klientët e tyre të huaj dhe tarifat që paguhen, dhe ata duhet të përshkruajnë, të paktën minimalisht, punën që po bëjnë për këta klientë.

Por Muzin nuk i kishte raportuar të gjitha detajet kur ai u regjistrua për herë të parë si një agjent i huaj për Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Në dosjen e tij të plotësuar më 14 Nëntor 2017, Muzin vuri në dukje se ai ishte paguar 675,000 $ për tre muajt e tij të punës për PD-në. Kjo përfshinte një pagesë 25,000 $ më 27 mars dhe një pagesë 500,000 $ më 9 qershor nga Partia Demokratike.

Muzin e tërhoqi këtë shumë të madhe prej 500,000 $ vetëm disa ditë para se të organizonte mundësinë që Basha të kishte atë foto të rëndësishme me Trump në Milwaukee.

Po sipas dokumenteve të reja që Nick Muzin depozitoi në Departamentin Amerikan të Drejtësisë më 14 Nëntor 2017, një burim tjetër pagoi Muzin-in për punën e tij me PD-në.

Nga dokumentet e depozituara nga Muzin, ai vetë-deklaron se më 24 mars 2017, Biniatta Trade, një kompani me seli në Edinburg, e ka “kompensuar” Muzin “për aktivitetet e ndërmarra në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë” me një pagesë shtesë 150,000 dollarë.

Ky depozitim përfshinte një kontratë të pa-nënshkruar datës 20 mars 2017 midis Biniatta Trade dhe një kompanisë në pronësi të Muzin të quajtur Stonington Strategies.

Kontrata përfshinte që Muzin të promovonte “Rolin e Komunitetit të Biznesit Shqiptaro-Amerikan në ekonominë amerikane” dhe “Muajin e historisë shqiptare në SHBA”. Kontrata e pa-nënshkruar nuk përmendte PD-në apo Bashën dhe deklaronte se “ky konsultim nuk është në emër të asnjë qeverie apo partie politike”.

Sipas kësaj kontrate, Biniatta duhej të paguante Muzin tre këste prej 150,000 $  secili – dhe një pagesë “një-herëshe” prej 500,000 $ për ngritjen e një sërë eventesh dhe takimesh në Uashington në muajin e parë të projektit.

Por Muzin nuk e ka përfshirë Biniatta Trade në regjistrim fillestar.

Sipas Mother Jones, e cila ka pyetur zëdhënësin e Muzin, shpjegohet se: “më vonë u bë e qartë” për Muzin se puna e tij nën kontratën me Biniatta Trade në të vërtetë “përfitoi PD-ja” dhe kjo çoi Muzin në përfundimin se ai duhej të regjistrohej në Departamentin e Drejtësisë si agjent i huaj për Biniatta.

Për ta qartësuar:

Muzin njoftoi se kishte marrë 675,000 dollarë për punën e tij ndaj PD-së – shumë më tepër se 75,000 dollarët në kontratën fillestare me PD-në.

Por një pjesë e regjistrimit të ndryshuar të Muzin ishte në kundërshtim me kontratën e bashkangjitur midis firmës së tij dhe Biniatta Trade.

Dokumentet e depozituara më 14 Nëntor 2017, konfirmojnë se Partia Demokratike e Shqipërisë (jo Biniatta Trade) ishte entiteti që kishte bërë pagesën prej 500,000 $ për Muzin.

Megjithatë, ishte kontrata me Biniatta Trade (jo kontrata me PD-në) që përfshinte një tarifë prej 500,000 dollarësh.

Dhe për t’i bërë gjërat më të zymta, pak pasi Muzin paraqiti dosjen e tij të ndryshuar,

PD-ja i deklaronte BIRN më 23 Nëntor 2017 se nuk kishte “marrëdhënie financiare” me Biniatta Trade dhe kishte paguar Muzin me vetëm  25,000 $ – domethënë që 500,000 $ nuk kishin ardhur nga partia.

Por Nick Muzin e hedh poshtë deklaratën e PD, përmes zëdhënësit të tij dhe shprehet qartë se lobisti ka raportuar pagesën me saktësi, pra i ka marrë ato para nga PD.

Zëdhënësi i Muzin thotë gjithashtu se Muzin besonte se Biniatta Trade ishte një kompani private në pronësi të disa njerëzve që mbështesnin të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Pra lobisti amerikan beson se Biniatta Trade i përket mbështetësve të Partisë Demokratike, ndërsa Luzim Basha më 8 Mars thotë se nuk e njeh këtë kompani edhe pse kjo kompani ka paguar në interes të tij dhe Partisë Demokratike.

Cilin të besojmë?

Ndërkohë që po Lulzim Basha më 21 Dhjetor 2017 jep detaje se paratë e paguara nga Biniatta janë mbledhur nga mbi 100 shqiptaro-amerikanë. Pra më 21 Dhjetor 2017 ai e njihte Biniatten.

Misteri i dytë: Kush e zotëron në fakt kompaninë Biniatta Trade, nga e cila janë bërë pagesa për lobistin Nick Muzin për PD-në?

Nëse BIRN nuk arriti të gjente informacionin për pronarët e vërtetë të Biniatta Trade, që sipas Muzzin ishin mbështetës të Partisë Demokratike, investigimi i Mother Jones duket se ka shkuar në zemër skemës.

Kontrata mes kompanisë së Muzin ‘Stonington Strategies’ dhe ‘Biniatta Trade LP” ekspozon faktin se kjo e fundit është e regjistruar në Edinburg të Skocisë. Të dhënat e siguruara nga BIRN dhe Mother Jones në regjistrin britanik të biznesit “Company House,” tregon se ajo ka një kapital prej 100 paundësh britanikë dhe është në pronësi të dy kompanive, Asverro Corporation dhe Liminez Commerce Inc- të dyja të regjistruara në Belizë.

Në të njëjtën adresë me “Biniatta Trade LP” në Edinburg (Suite 2 5, St Vincent Street) janë të regjistruara edhe të paktën 727 kompani të tjera. Numri britanik i telefonit i listuar në faqen e internetit të kompanisë nuk funksionon. Por ky numër telefoni është gjithashtu i shënuar si numri i kontaktit për një faqe interneti të quajtur 2Love.Club, një “shërbim takimesh online ndërkombëtar” që ofron “gra të bukura ukrainase”. Edhe faqja e internetit nuk ekziston.

Investigimi i “Mother Jones” nxjerr si zotërues të aksioneve të Asverro Corporation dhe Liminez Commerce, dy kompanive pronare të“Biniatta Trade” katër shtetas rusë:

  1. Evgeni Sheremetijev, njëri prej ortakëve, ka të regjistruar në Rusi një kompani shërbimesh ligjore dhe një numër kompanish të tjera shërbimesh.
  2. Konstandin Ferulev, gjithashtu pronar i një numri kompanish në Rusi.
  3. Leriam Dvorkin, shtetas rus me banim në San Françisko, por që në jetëshkrimin e tij të pasur përfshin edhe shumë vite punë në pozicione drejtuese të kompanisë së gazit dhe naftës “Gazprom”.
  4. Juri Ivanov, me banim në Shën Pjetërburg, një personazh i lidhur me politikën në Rusi.

Konkluzioni i Mother Jones:

“Pagesa e Biniatta Trade për Muzin ngre një dyshim të dukshëm: një burim i lidhur me Rusinë siguroi para përmes një kompanie skematike për të ndihmuar Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe për të ushqyer mosmarrëveshjet e vazhdueshme politike në Shqipëri”.

o.j/dita

March 12, 2018 10:50
Komento

4 Komente

  1. Ora news e ndroqit March 12, 11:20

    Pd i gjeti parate tek ylli pasmaciu qe ju e hoqet shkrimin nga frika ose ju ka mbyllur gojen me ndonje shum te madhe.

    Reply to this comment
  2. Eduarti March 12, 13:09

    Bla bla bla nga shoku Bllaja. Cojeni ne prokurori, ky eshte testi i te vertetes. Tani Kryeprokurore eshte Marku i zgjedh nga Rilindja. Aty pastaj te shkoje ceshtja ne gjygj dhe te shohim te verteten.
    Sa kohe qe Bla bla bla Bllaja vetem kuis neper qoshe gazetash, kjo eshte vetem nje rrene me bisht e paguar nga Rama.
    Ketu do vertetohet, padite Bashen ne Prokurori te Marku juaj. Po nuk e bete, ka kuptuar kushdo se eshte shpifje. Vetem per Bla bla bla gazetash te Bllase se Librazhdit.

    Reply to this comment
  3. Granit Boni March 12, 14:04

    Eduart(jo Halimi) ato bal blah blate e Balles jane cka deklaruar ne Dept American te Drejtesise Nick Muzin, lobuesi i Bashes dhe PeDes tende o Eduart Topja. Lexo pa me shume ne Anglisht se FBI ka nisur nje investigim per kete ceshtje. Edhe Marku duhet te hetoje ndaj burimit te ketyre parave te pista te padeklaruara nga Lulash Bythfishkuri ne KQZ konform Ligjit.

    Reply to this comment
  4. intelektuali March 12, 17:28

    QERRATA I MADH KY TAULANTI PREJ LIBRAZHDI

    E zbuloi fet e fet ARMIKUN e brendeshem qe pengon antarsimin ne BE dhe ky eshte POLIAGJENTI Lulzim Basha, njesoj si Mehmet Shehu do kohe me pare, Taulant Qerratai ka mbledhur edhe Byrone Politike me katunaret e tij socialiste per te demaskuar ARMIKUN dhe agjentin e rrezikshem te KGB-se qe paguan lekat dhe te CIA-s qe merr lekat per te pozuar ky agjent para gjithe Botes me ke thoni ju o shqyptare te paditur dru me pre?

    Me Presidentin Trump more katunare, me BOSIN e SHBA dhe te Botes o shqyptare te paditur dru me pre

    PO HE THONI A KA POLIAGJENT ME TE FAMSHEM SE LULZIM BASHA?

    sepse:

    Me beniaminin e Saliut keshtu do te krenohej edhe Xhejms Bondi Legjendar

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*