Ku lindi “Kënga e sprasme e Balës”

April 8, 2018 10:26

Ku lindi “Kënga e sprasme e Balës”

 

Faqe nga historia dhe jeta e diasporës shqiptare

 Prof. Nasho Jorgaqi

Më në fund, po shkonim për në Palac Adriano. Vërtet kryeqendra e arbëreshëve të Sicilisë është Hora, po historia dhe kultura e tyre nuk mund të merren me mend pa Palacin. Ky katund ka dhënë sa e sa burra të zotë e të ditur e, mbi të gjithë, Darenjtë, nga të cilët shkëlqen emri i poetit Gavril Dara (I Riu). Prandaj ia vlente të udhëtonim deri atje, sado që Palaci gjendet më larg nga tërë ngulimet  arbëreshe të ishullit. Shokët tanë që kishin ardhur në Sicili, nuk kishin pasur, me sa duket, mundësi të zbrisnin gjer në vendlindjen e Darenjve.  Do të ishte një nderim për poetin tonë të madh, po dhe një privilegj për ne që do të shkelnim të parët në Palac.  U nisëm nga Hora së bashku me tre poetë arbëreshë, Zef Skiro di Maxhion, Xhuzepe del Gaudion e Zef Skiro di Modikën, dhe kjo i jepte edhe më shumë kuptim udhëtimit tonë.

– Mirë po shkoni atje, – na thanë në Horë para se të niseshim , – po atje arbërishtja nuk flitet më. Palaciotët ruajnë vetëm kujtimin se janë të gjakut tonë.

Ne këtë gjë e dinim, ndaj për këtë bisedonim dhe atë ditë që venim për në Palac. Ishte një bisedë e vështirë, kishte diçka shumë të trishtuar. Shkonim në një katund arbëresh “pa gojë”, që koha dhe stuhitë e jetës në dhe të huaj ia kishin këputur gjuhën. Një zezim i vërtetë.

Nuk ishte hera e parë që ndeshnim një katund arbëresh “me gjuhë të prerë”. Kishim qenë, bie fjala, dhe në Marceduzë ishte një katund krejt i zakonshëm, pa ndonjë emër në historinë dhe kulturën arbëreshe. Po Palaci është tjetër gjë. Mjafton të sillje ndër mend  traditat e tij dhe burrat në zë që ka nxjerrë. Kurse tani as figuronte në hartën e gjeografisë arbëreshe.  “Si është e mundur?” mendoja, ndërsa rrugëtonim, nëpër ca udhë fushore e kodrinore. Peizazhi ishte i valëzuar, me toka më shumë djerrë, monoton dhe ndoshta kjo ishte një arsye tjetër, që të mos na ndahej nga mendja fati i Palacit. Vetvetiu na vinte ndër mend historia e tij dhe na u kujtua një letër tronditëse që G. Dara i Ri, më 1884, i dërgonte De Radës. Poeti e ndiente kudo katastrofën e pashmangshme të vendlindjes së vet, e cila, nga dyndjet e popullsisë vendase, bënte që arbëreshët të “pakësoheshin nga dita në ditë” dhe Palaci të mbetej si “një ishull në det”. Edhe më e zymtë përshkruhet gjendja e këtij katundi afro njëzet e pesë vjet më vonë, më 1908, nga poeti i F.K. Glaviano në një letër dërguar S. Pecit dhe botuar në gazetën “Kombi”: Ç’është ruajtur deri në ditët tona, më duket se shpejt do të zhduket”. Ai bën thirrje që “të kërkohet me të gjitha mjetet mbrojtje” dhe “mbrojtja duhet të vijë nga qeveria, e cila duhet të hapë shkolla shqipe…”

Po zëri i poetit të Palacit mbeti si një zë në shkretëtirë, ashtu si zëri i De Radës në Kalabri. Askush nuk ua vuri veshin. Palacit, si dhe atyre ngulimeve arbëreshe që ishin në agoni, s’u erdhi njeri në ndihmë. Nata e dheut të huaj dalëngadalë e pa u ndier pllakoste mbi to.

Ne po shkonim në Palac plot  njëqind vjet pas atyre fjalëve paralajmëruese që Dara i shkruante De Radës. Palaci arbëresh tani nuk ekziston më. Ai gjendej vetëm në këngë e, para së gjithash, në poemën “Kënga e sprasme e Balës”, në këtë monument që poeti ynë i madh i ka ngritur vendlindjes.

 

Mali i Trundafilave

– Ja dhe Palaci, – tha Zef Skiro di Modika.  Pamja e tij na u shfaq papritur menjëherë pas kodrës, përtej një lugine të gjelbëruar, në një rrafshnaltë gjysmë të pjerrët. Në shpinë të tij çohet Mali i Trundafilave, ndërsa poshtë gjarpëron lumi Sosio. Qyteza e dikurshme arbëreshe na befason me bukurinë e saj që në vështrimin e parë.

Makina jonë kalon nëpër luginën e Maxarës. Të merren sytë nga dritat dhe ngjyrat, nga blerimi dhe lulet, nga ajri i pastër dhe ujërat që vetëtijnë nën diell. Pa hyrë ende në Palac, do të shohësh lëndina, vreshta, ullishta, pemishte, toka të shtrira e të thyera nën këmbët e katundit. Të bën për vete begatia e këtyre viseve. Dara e adhuronte vendlindjen edhe për nga bukuria e peizazhit dhe i jepte të drejtë P. Rodotait, që e kishte quajtur këtë vend “një parajsë në tokë”.

Arbëreshët e parë, siç dëshmojnë dy dokumente të Xhovani Aragonës, të vitit 1467, u dukën në këto anë aty nga viti 1450. Ata, thonë burimet e drejtpërdrejta, erdhën nga Bisiri dhe u vendosën në faqet e sipërme të Malit të Trundafilave. Me siguri kanë qenë nga ushtarët e gjeneral Dhimitër Reresit e të bijve, që u shpërndanë nëpër Sicili dhe krijuan të parat ngulime arbëreshe në formën e kolonive ushtarake. Po në të vërtetë Palac-Adriani hyri në historinë arbëreshe më 1482, kur erdhi këtu vala e dytë e të mërguarve nga Shqipëria. Vetë G. Dara (I Riu) në letrën dërguar De Radës na tregon për historinë e Palacit, “ të dëgjuar prej prindërve tanë…” Sipas tyre, “banorët e hershëm…erdhën drejt e nga Kruja dhe viset afër Krujës pas betejave të fundit që bënë me turqit”. Këta “palosën flamurët e helmuar por jo të mundur”, u hipën anijeve në Lezhë dhe zbritën në Katanja më 1480.  Ishin përmbi dy mijë veta, burra e gra, familje të tëra luftëtarësh e bujarësh. Madje, disa prej tyre dhe gjini nga rrethi i Skënderbeut, Nobiles albaneses consanguinet magni Principis, Georgi Castrioti  ( Fisnikë shqiptarë të një gjaku me të madhin princ Gjergj Kastriotin). Në viset e Katanjës ata “mbetën dy vjet nëpër tenda dhe kasolle pa vend e pa tokë”, të shpërfillur e të zhgënjyer, deri sa më në fund u gjet nje rrugëdalje. Gjon Kastrioti, i biri i Skënderbeut, u përpoq tok me disa bujarë të shquar e në mes tyre dhe Gjin Darën, dhe ndërhyn te të parët e vendit për t’i vendosur e rregulluar bashkatdhetarët e tyre fatkeq.

Kështu, arbëreshët, që kishin zbritur në Katanja, u nisën për në perëndim të ishullit dhe zunë vend në tokat e Manastirit të Gropës. Edhe sot ruhet marrëveshja që u nënshkrua më 18 maj 1482 në mes të zotit të tokave Xhovani Vilarau dhe përfaqësuesit të të ardhurave Gjergj Mirëshpia. Viti 1482 mbahet dhe koha e themelimit të Palacit arbëresh. Qe një gjë e bukur që pas 500 vjetësh, më 1982, u festua ky përvjetor , po në këtë përkujtim kishte diçka shumë të trishtuar: Palaci, megjithëse e ruante ndërgjegjen e prejardhjes, nuk e fliste më gjuhën e vet.

Të ardhurit gjetën këtu një fshat të vogël, që, siç thonë dëshmitë e kohës, i ngjante më shumë “një foleje shpendësh e kafshësh të egra”. Pyjet, drizat e shkurret mbulonin bregoret, sheshet e gropat në faqet e Malit të  Trundafilave dhe luginën e Maxarës. Arbëreshët brenda një kohe të shkurtë i shpyllëzuan, i pastruan dhe i lulëzuan këto vende.

Njëqind vjet më vonë Palaci u rrit e u fuqizua edhe më shumë, kur arriti aty një valë e re arbëreshësh nga Korona e Greqisë.  Me ardhjen e tyre  Palaci u bë, siç thonë gojëdhënat dhe dokumentet, një qendër e lulëzuar, me bujqësi e tregti , me një jetë të gjallë e të zhvilluar. Në vështrim të parë kjo duket se ngjan me një legjendë romantike por, kur përpiqesh t’i hysh brenda historisë së Palacit, ndien edhe aty dramën arbëreshe. Ata u gjendën para dhunës së egër, presioneve dhe demagogjisë. Kjo perde e historisë së tyre sapo është  ngritur nga ndonjë historian. Dokumentet flenë në arkivat e ishullit.

G. Dara na e pohon këtë të vërtetë kur thotë se arbëreshët, edhe pse u vendosën në dhe të huaj, “mbetën po me kordhën në grusht”. Me këtë kordhë ata luftonin jo vetëm kundër pushtuesve osmanë, po kundër feudalëve gjakpirës.

Mund të themi se Palac Adriani është një nga katundet arbëreshe ku lufta e klerit katolik për ta nënshtruar hasi në një qëndresë të fortë, herë-herë më pasoja tragjike. Këtij qëllimi i shërbeu edhe vendosja aty e një popullsie katolike, për të prishur e përçarë unitetin shpirtëror arbëresh. Për këtë ka plot dëshmi, të cilat s’është rasti t’i përmendim, por mjafton të themi se studiuesi arbëresh nga Palac Adriani, Xhuzepe Krispi në librin “Kujtesë mbi origjinën  dhe themelimin e Palac Adrianos” (1827) flet për këto konflikte dhe që arbëreshët nuk u bindeshin peshkopëve italianë; në këto grindje shekullore papët e Romës e vinin veten në rolin e arbitrave djallëzorë e të rremë.

Ne vetë do të dëgjonim nga palaciotët që kishim takuar përpara se të vinim këtu, ngjarje e histori tronditëse, që ishin pasojë e rivalitetit në mes dy riteve. Kështu, na treguan për gjakderdhjet që kishin ndodhur, duke qëlluar nga kambanaret e kishave mbi njëri-tjetrin. Ekziston mendimi që, në qofte se Palaci , ky ngulim arbëresh me tradita të forta, humbi shpejt gjuhën, arsyeja kryesore duhet kërkuar në këtë atmosferë frymëshuarëse që kishin krijuar njerëzit e Vatikanit. Ndryshe nuk ka si shpjegohet edhe emigrimi në masë i palaciotëve, ajo rënie graduale e vlerave të tyre etnike, mbarimi i Palacit arbëresh në shekullin tonë.

Në dherat e Darenjve

Për të shkuar në Palac, makina ngjitej e dredhonte në një rrugë të përpjetë. Era e ngrohtë e pranverës kishte bërë të lulëzonte gjithçka përqark.

– I shikoni ato? – pyet Zef di Maxhio, duke na treguar tokat që humbasin në horizont. – Këto quhen dherat e Darenjve. Dherat e tyre shkojnë deri në kufi me katundet e tjera.

I shikonim këto toka dhe na tërhiqte punimi i tyre, sidomos në faqet e kodrave dhe të bregoreve. Tani gjendeshim në vendet e Darenjve.

– Mos u çuditni, – vazhdon të flasë Zefi. – Darenjtë  kanë qenë shumë të pasur, por jo ata që bënë emër në kulturën tonë. Ishin aq të pasur, sa te arbëreshët e këtyre anëve ekziston një shprehje e njohur: “Kur vajzat nuk vendosin kollaj për t’u martuar, thonë: “Hë, pse s’martohesh, ç’do të marrësh ti, baron Darën?”

Arrijmë në Palac. Qendra e tij dhe sot quhet Sheshi i Madh. Te ky shesh kryqëzohen rrugët e Palacit, është tregu, po këtu rrinë përballë njëra-tjetrës hijerënda kisha ortodokse dhe ajo katolike. Të duket sikur i bëjnë karshillëk shoqja-shoqes, sidomos kur mendon për historinë e katundit.

Ka dalë të na presë zoti I. Parrino, një burrë i moshuar, pak i shkurtër, fis i Darenjve. Ai është prekur nga ardhja jonë dhe s’di si të na gjendet me mikpritjen e tij të përzemërt. Tregohet i gatshëm për të na njohur me gjurmët e Darenjve, po më parë na fton të ulemi në një kafe te Sheshi i Madh. Atje Parrinoja na njeh me ca pleq palaciotë, të cilët na përqafojnë me mallëngjim, diçka duan të thonë, lëvizin buzët, po s;janë në gjendje të flasin arbërisht. Njërit prej tyre i rrëshqet një pikë lot në faqet e rreshkura, kur nis të flasë italisht. Është një çast tepër i dhimbshëm ky. Që në takimin e parë ndeshemi me dramën e Palacit. S’është gjë e vogël për këta pleq që t’u vijnë vëllezërit dhe të mos jenë në gjendje të flasin me ta gjuhën e mëmës. Përpiqemi ta kapërcejmë këtë çast të rëndë, po prapë njëlloj, trishtimi mbetet.

– Po deshët ta dëgjoni gjuhën e Palacit, shkoni në Amerikë, , – thotë një nga pleqtë.

Në fillim nuk kuptojmë gjë, madje mendojmë për ndonjë shaka, po pastaj marrim vesh se në SHBA, ku ka mërguar pjesa më e madhe e palaciotëve, gjendet një bashkësi e tyre që e ruan të folmen e katundit. Në Palac  sot vetëm rastësisht mund të ndeshësh njeri, që mund të dijë disa fjalë a të kuptojë ndonjë frazë arbërisht. E vetmja këngë arbërisht është “Kënga e Llazarit” që mund ta dëgjosh në kishë në ritualin e së kremtes, por, për , ironi, edhe ata që e këndojnë, nuk e marrin vesh kuptimin e fjalëve! Arbërishtja rron kryesisht në emra vendesh brenda dhe rreth katundit: Sheshi i Madh, Rruga e Madhe, Lumi i Madh, Honi, Brinja, Shkëmbi…

– Për fatin tonë të mirë, – na tregon Parrinoja, – gjuha e Palacit është e gjallë në këngët e katundit që mblodhën në kohën e tyre Darenjtë, Gavrili, plaku, dhe Ndriza, Andrea. Po mbi të gjitha rron te  “Kënga e sprasme e Balës”,  që këndoi i paharruari dhe i shumëndrituri Gavrili i Ri. Ata, sikur ta dinin që Palaci i gjakut tonë do të zbirej nga faqja e dheut, i mblodhën me kohë. Mendoni se  ç’peng të rëndë do të mbanin zemrat tona.

Palaci është më i madh se një katund i zakonshëm. Megjithëse ka shumë ndërtesa të reja, janë të vjetrat ato që i japin fytyrën e vërtetë. Dallohet menjëherë urbanistika e një ngulimi të moçëm.

Edhe këtu rrugët dhe rrugicat janë të shtruara me kalldrëm, të lëmuara e të pastra. Vende-vende rrugicat ngjajnë si mozaikë, madje në pjesën më të vjetër të fshatit ato kanë në mes një vijë që zbret shkallë-shkallë.

Në të dyja anët e rrugëve e të rrugicave ngrihen shtëpitë karakteristike, të errësuara nga koha, që bien në sy jo vetëm nga muret e vjetra, po dhe nga mënyra si janë ndërtuar. Të tërheqin vëmendjen dyert dhe portat plot zbukurime, qemerët, dritaret e ballkonet, muret e trasha. Këtu janë sidomos shtëpitë më të vjetra, siç janë ato të Darenjve, Kjarajve, Biderave, Krispëve, Bastave… Bie në sy ajo gjë e veçantë e arkitekturës arbëreshe që me kohë i ka tërhequr studiuesit e artistët. Piktori i njohur francez Zhan Huel, kur erdhi në Palac më 1782, i la përshtypje aq të thella, sa vizatoi disa nga shtëpitë, pamjet dhe njerëzit e këtij katundi të bukur. Punimet e veta ai i botoi pastaj në librin “Udhëtim piktoresk në ishujt e Sicilisë, të Maltës dhe Liparit”, ku një kapitull të veçantë ua kushtoi kostumeve të grave shqiptare të Palac Adrianos.

Shkojmë te Kroi i Madh, një nga reliktet e katundit, i cili, sipas Darës, si “një lumë ujëmirë” e ndan Palacin më dysh. Uji rrjedh i bollshëm nëpër lëfyte që dalin nga gojët e dy kokave luanësh, të skalitur në mermer. Mbishkrimi në murin e tij tregon se kroi është ndërtuar më 1608.  Ai është kthyer tanimë në një simbol të bukur të katundit.

Ngado që të vërtitesh nëpër Palac, Mali i Trundafilave të del përpara syve madhështor dhe i hijshëm. Është pranverë, trëndafilat kanë lulëzuar dhe aroma e tyre ndihet në çdo cep të Palacit. Rrallë mund të gjendet një katund, nën faqen e një mali si ky, me një emër kaq poetik, që të kundërmojë kaq shumë nga era e luleve!

Mali i Trundafilave është pjesë e historisë së arbëreshëve të Palacit, ai ka hyrë në jetën e tyre, në këngët e zakonet, herë si motiv, herë si sfond, po gjithnjë i pranishëm me madhështinë e hijeshinë e vet.  Në prehrin e tij lindën poetët e Palacit, Darenjtë e P. Kjara, Xh. Bidera e F. K. Glaviano e, mbi të gjithë, Gavril Dara (I Riu). Mali i Trundafilave u bë një nga burimet e nxehta të poezisë së tyre. Madje, poeti i fundit, Francesko Krispi Glaviano (1852-1933) i kushtoi edhe një vepër të tërë, poemën “Mbi Malin e Trundafilave”. Për të këndohet dhe këngë popullore. Prekëse dhe plot kuptim janë dhe legjendat e ritet e palaciotëve, që lidhen ne malin e tyre.

   Këngët e pleqërisë

Na treguan se dikur këtu e kishin zakon, që në një ditë të caktuar korriku të linin drapërinjtë në fushë dhe të  ngjiteshin në Malin e Trundafilave.  Ngriheshin në mëngjes herët burra e gra, pleq e të rinj dhe, të bashkuar si një herë e një kohë venin lart në mal. Aty, të gjithë me fytyrë nga lindja, këndonin këngë malli dhe evokonin kujtimin e atdheut të largët. Pastaj merrnin nga një grusht dhe në duar dhe me sy të përlotur, gjithnjë duke kënduar këngë prekëse, e hidhnin andej nga binte Arbëria. Mendimi se era do ta çonte dheun në vendin e tyre, i ngushëllonte e i lehtësonte.

Në një këngë luten të vijë sa më shpejt ajo ditë që të kthehen rishtas në Arbëri e të luftojnë kundër osmanëve. Në një tjetër dëshira e tyre është aq e fortë, sa ëndërrojnë që mali i tyre të bëhet kalë dhe t’i çojë në viset arbërore.

Atë ditë në Palac folëm shumë për këngët. Ato kanë mbetur ashtu siç i mblodhi Andrea Dara në “Këngët e pleqërisë”. Në to është shpirti i këtij katundi të rroposur. Dikush kujton këngën që tregon se si një luftëtar arbëresh e fton shokun e tij të zbresë në zall të detit, të zhvishet dhe, me llërat e fuqishme të çajë ujin drejt tokës amtare.  “Këtu, – thotë kënga, – jam i vdekur e i varrosur e shok kam dheun e zi”. Kënga shton se “flamuri rri i sëmurë e i helmuar, i rrjepur e i shqyer”, po nuk ka humbur shpresa se një ditë Skënderbeu do të ngrihet nga varri, do ta marrë në duar dhe do t’u prijë në luftë kundër armiqve të atdheut.

Deri në dhjetë vjetët e parë të këtij shekulli Palaci vazhdonte t’i shprehte dëshirat e veta krenare në këngë. Zëdhënës i tyre do të bëhej poeti F. Krispi Glaviano, që do të këndonte këngët e mjellmës për katundin. Nga Palaci i largët ai do t’i dërgonte vjershat e tij në Amerikë dhe do t’i botonte në gazetën “Kombi”. E kujtojmë atë ditë këtë fakt. Gati si një thirrje dëshpëruese tingëllojnë fjalët që i shkruan poeti Sotir Pecit prej këtej, më 20 mars 1908:

“Nuk besoj të kem shpirtin e një poeti, po të një vjershëtori të përvuajtur, që, i lënë në plogështi e harresë në një vend të vogël, mundohet t’i nxitë shqiptarët e flaktë e të dashur, që të kujtojnë doket, zakonet dhe shpirtin e stërgjyshërve tanë bujarë, të cilët të emigruar në dhe të huaj, ditën t’i ruajnë me qëndresë të rrallë për pesë shekuj, pa u përzier me asgjë. Por megjithatë rreziku është i afërm…”

Poeti thoshte një të vërtetë tepër të hidhur. Palacit arbëresh po i vinte fundi dhe, këtë e shpallte në faqet e njërës prej gazetave të Rilindjes sonë kombëtare. Ne kishim ardhur këtu pas shtatëdhjetë e ca vjetësh, kur katastrofa kishte ndodhur. Një katastrofë e heshtur, e brendshme. Ishin rroposur gjuha, këngët, zakonet. Në ditët e verës nuk ngjitej kush në Malin e Trundafilave, vallja e Skënderbeut, nuk kërcehej më te Sheshi i Madh. As qahej më si dikur. Katundi arbëresh ishte kthyer në kujtim. Atë tani vetëm mund ta kujtosh dhe në këtë furi emocionesh të vjen në ndihmë “Kënga e sprasme e Balës”. Ajo të rizgjohet me një forcë përtëritëse të çuditshme.

Mezi gjej rast të shkëputem nga njerëzit dhe të shëtit i vetëm nëpër rrugë. Ne xhep kam poemën e Darës dhe në kokë më sillen vargjet e tij. Hyj në një rrugicë, kaloj nën qemerin e gurtë të një shtëpie, dal në një shesh të rrethuar nga gurë të rrëzuar… Padashur më faniten ngjarje të shkuara dhe më bëhet se do të më dalë përpara plaku Balë. Çapitem pastaj nëpër një rrugicë të moçme, që ngjitet përpjetë dhe këmbët më shpien në një breg që sheh nga lindja. Aty më duket sikur rrëfimi i poetit më tingëllon në vesh. Përballë ngrihet Mali i Gropës, që është i kthjellët këtë pasdite prilli, pa atë mjegullën që rrokulliset.  Shoh përtej Honit dhe Brinjës “tek ra dyzet herë krahu i dimrit” shoh Ugarëzit e Fushës dhe  Luginën e Llazit, ku u vendosën të parët arbëreshë në Palac. Tërë këta emra i sollën nga Arbëria dhe me to pagëzuan këto vende, siç deshën vetë. Ishin emra të dashur, që u kujtonin trojet që kishin lënë në viset e Krujës e të malësisë së Tiranës…

Harrohem pas rrëfimit të poetit për këto vende, që tani i kam të gjalla para syve të mi. A thua se prej diku këtej do të zbresë plaku Balë ashtu siç na e përshkruan Dara? “Një plak i shëndoshë e i vrazhdë, që nuk përzihej me njerëzit, që kalonte ditë e muaj duke u ngjitur çukave të maleve, për t’u falur Arbërisë e herë-herë shkonte në thellësinë e shpateve, duke ligjëruar me vete dhe duke vuajtur për shokët e rinisë, si dhe për gjakun e derdhur e të blatuar për lirinë e tij”.

Asnjëherë s’e kisha ndier në shpirt, sa atë ditë, dramën e plakut Balë dhe rrëfimin e tij plot nostalgji e frymë heroike. S’më hiqej nga mendja ky luftëtar i Skënderbeut, të cilin, pasi kishte kaluar me lavdi nëpër aq beteja, fati i rëndë e kishte hedhur në këto brigje e gërxhe të huaja. Këtu ai kishte jetuar me kujtimet e Arbërisë dhe me zulmet e Motit të Madh. Çdo gjë përqark i qe dukur shkretëtirë dhe “ditët të helmëta porsi vdekja”.

Mjaftonte një çast përjetimi që të më zgjohej ajo atmosferë e largët e dramës së Balës, atmosfera e dramës heroike shqiptare të shekullit të pesëmbëdhjetë. Në gjoks më buçitnin vargjet e poetit:

 

O ju bijë të Motit të Madh,

hapët një udhë të ndritur

në thellësi të vitrave;

Zulma juaj ishte dielli

përmbi botën e përmbysur

 

Ditë pranvere si sot ka qenë dhe atëherë, kur e bija e Lalës e nxiti Balën të niste rrëfimin e përmallshëm. Ishin ndezur zjarret e pranverës dhe vajzat e djemtë e katundit e kishin thirrur plakun Balë në valle… Ja, diku në këto sheshe, në këto livadhe, në këto pyje plot lirishta kishte kënduar e vallëzuar rinia e Palacit, dhe luftëtarit plak i qenë ndezur kujtimet e pamort.  I qe zgjuar një shpirt epopeje skënderbejane e i qenë ngjallur shokët e rënë. Nik Peta e Pal Golemi. Kishte sjellë ndër mend betejën e Vajkalit dhe rrethimin e pabesë të Beratit. Kështu ishte thurur kjo poemë heroike, e kënduar nga një rapsod i kohës së Skënderbeut, kështu kishte fituar pavdekësinë plaku Balë, ja këtu në këto vise të Palacit: “ku mjegulla e errët/ rrokulliset mal më mal/ sa lind dielli Malit t’Gropës/ tund e qesh i thelli shpat…”

   Si është e mundur të ringjallet aq bukur e fuqishëm, me një madhështi epike, në këtë cep të ishullit, një epokë e tërë pa përfillur kohën dhe largësinë, dheun e huaj dhe harrimin?

Sigurisht “Këngës së sprasme të Balës” i dha jetë dhe pavdekësi talenti i madh i Gavril Darës, po, kur vjen në Palac, kupton se rrënjët e poemës janë në jetën dhe historinë e këtij ngulimi të lashtë. Gjithë atdhedashurinë dhe krenarinë e brezave të vendlindjes, dufet e tyre shpirtërore poeti i mishëroi te Bala. Dhe nga kjo pikëpamje ai ka vërtetësi, është i besueshëm, pavarësisht nga mistifikimet romantike të autorit. Bala është balli i burrave të Palacit, përfaqësuesi i tij që vjen nga shekujt e mërgimit dhe u rrëfen brezave të rinj.

Zbres tatëpjetë kalldrëmeve dhe kthehem në mes vëllezërve palaciotë. Plaku Balë s’më ndahet. Poeti thotë se ai ka ekzistuar vërtet dhe, për të na bindur, tregon se fytyra e plakut është vizatuar në një nga pikturat e ruajtura në Kishën e Shën-Mërisë së Hireve.  Ajo qenkësh fytyrë e çelur me hundë të ngritur, me shapkë të kuqe, siç mbanin ushtarët e Skënderbeut, me një karkallë të artë (figurë simbolike) përmbi përkrenare.

Ua them këtë vëllezërve vendës dhe shkojmë te kisha e Shën-Mërisë së Hireve, një kishë e vjetër nga më të vjetrat e katundit. Hymë brenda, po nuk dinim të orientoheshim. S’ishte e lehtë të gjeje portretin e Balës në tërë atë mori fytyra shenjtorësh. Askush s’ishte në gjendje të na thoshte gjë të saktë, po të gjithë donin t’i besonin dëshmisë së poetit.

Fisi i Darenjve

Duke shëtitur nëpër Sheshin e Madh, bisedojmë për poetin, për Darenjtë… Na thanë se Darenjtë janë fisi më i shquar e më i njohur i Palacit, nga themeluesit e katundit. Vetë ata i kanë kushtuar kujdes dhe kanë zbuluar rrënjët e hershme të prejardhjes së tyre. Darenjtë e parë kishin zbritur nga Dara, një fshat në Shqipërinë e Mesme. Qenë shtëpi bujare dhe kishin farefisni me derën e Kastriotëve. Vojsava, nëna e Skënderbeut, ishte motër me të shoqen e Gjonit të Darenjve. Gjin Dara ishte në rrethin e bujarëve arbëreshë që dolën përkëtej Adriatikut me Gjon Kastriotin, pas dymbëdhjetë vjet lufte. Ai do të jetë i pari i Darenjve që do të vijë të vendoset këtu dhe prej tij do të vazhdojë brez pas brezi deri në ditët tona ky fis i moçëm.

I. Parrinoja e palaciotë të tjerë na thanë se fisi i Darenjve ka qenë i madh dhe ka njohur dy degëzime: Darenjtë e Sipërm dhe Darenjtë e Poshtëm. Poeti u takontë këtyre të fundit. Darenjtë e Sipërm kanë qenë shumë të kamur, pronarë të mëdhenj tokash dhe arritën të kenë pozita të larta shoqërore, aq sa morën titullin aristokrat të baronit, me sa duket, nga mbreti i Dy Sicilive.

Dega tjetër, së cilës i takonte dhe poeti ynë i madh, nuk ndoqi rrugën e pasurimit, por atë të diturisë. Këta qenë  patriotë e kulturëdashës dhe gëzuan gjithë dashurinë e nderimin e bashkëfshatarëve. Gjyshi i poetit, Gavrili, plaku, ishte mjek dhe i pari që mblodhi këngët e vjetra të Palacit.  Këtë punë e vazhdoi pastaj i biri, Andrea, jurist i njohur, i cili veç të tjerash, la pas përmbledhjen “Këngët e pleqërisë”. Po ai që e ngriti  më lart emrin e Darenjve, ishte Gavrili i Ri,  edhe ky jurist, poet i madh dhe patriot demokrat i shquar.

Na treguan pastaj shtëpitë e tyre. Ajo e Darenjve aristokratë binte në sy menjëherë, ishte ndoshta shtëpia më e lartë, një pallat trekatësh në krah të Kishës së Madhe. Vetë pamja e saj fliste për pozitën shoqërore të të zotërve, dhe njëri nga pleqtë na tregon se këta, për fat të keq, nuk kanë lënë kujtime të mira. Qëndronin larg popullit dhe, si pronarë tokash, i shtypnin arbëreshët e thjeshtë. Tani në shtëpitë e tyre ishin zyrat e administratës lokale.

Po neve nuk na interesonin këta dhe, miqtë na çuan te shtëpia e Darenjve të shquar.

– Ja, kjo është, – tha Parrinoja duke na e treguar me dorë. – Këtu ka lindur Gavrili i madh.

Shtëpia gjendet në qendër të Palacit, në anë të Sheshit të Madh.

Para saj kalon rruga më e vjetër e katundit, që mban emrin e Skënderbeut. Shtëpia është e lashtë, qindravjeçare, thonë e vitit 1520. Me dy kate, me dritare që shohin nga sheshi, me tri ballkone. Është e vjetër, e ronitur, e dalë boje, sa ngjan si shtëpi e braktisur.

Hyjmë brenda në heshtje, me nderimin e thellë për këtë strehë ku panë dritë Darenjtë. Ngjitim shkallët e shtëpisë, hyjmë nëpër dhoma… Diçka na mblidhet në gjoks. Muret e zhveshura, diku të plasaritura, dyert e dritaret gati të shtrembëruara, tregojnë se koha ka bërë të vetën.

Parrinoja na thotë se në këtë shtëpi banon herë pas here një familje, gjiri i Darës, se një stërnip i tij jeton në Palermo… Gavrili ka ikur shumë herët prej këndej, tregon pastaj plaku. Bëri një jetë të vrullshme, atje ku ishte lufta për liri e drejtësi do të qe patjetër ai. Ishte patriot i gjakut nga rridhte, po dhe revolucionar. Kishte karakter shumë të fortë, nuk e duronte zgjedhën e skllavërisë në çfarëdo forme…

Pjesëmarrjen në Revolucionin e 1848-ës, këngët kryengritëse që këndoi me aq zjarr, lufta që bëri me armë në dorë deri në çlirimin e bashkimin e Italisë dhe besimi e nderimi që pati Garibaldi tek ai, janë momente kulmore të jetës së tij. Garibaldi e dekoroi dhe i ngarkoi detyra të larta në Xhirxhenti e Palermo, në Katanxaro e Trapani. Në Romë drejtoi gazetën “La riforma”, po aty u nda nga Xh. Krispi, ra në konflikt me të, sepse, duke mbetur deri në fund demokrat e patriot i besës, nuk desh të tradhtonte idealet e luftës dhe të vihej në shërbim të borgjezisë së madhe italiane, siç ndodhi me disa të tjerë. Vitet e fundit i kaloi në Xhirxhenti, i zhgënjyer nga realiteti i Italisë së bashkuar e nga njerëz si Krispi, dhe këtë gjendje shpirtërore e shprehu në poemën “Të zezat tona”, që botoi nga fundi i jetës.

Kujtimi i Darenjve

– Është për të ardhur keq, – thotë njëri nga ne, – që nuk ekziston as edhe një fotografi e poetit. Madje, ne sapo marrim vesh që nuk dihet as varri, gjendet në Xhirxhenti apo në Trapani?

– Për të vdekur – thotë Parrinoja – vdiq në Xhirxhenti. Dimë që një nip i tij, i quajtur edhe ai Gavril Dara, botoi poemën “Kënga e sprasme e Balës” në Katanxaro më 1906.

Mua m’u kujtua dëshmia e trishtuar që sjell një miku i Darës për ditën e vdekjes së tij.

“Dita ishte e butë dhe pa erë, – kujton ai, –  Më thanë se avokat Dara ishte duke dhënë shpirt, dhe unë, pa u menduar gjatë, u drejtova nga fusha, për në molo, në shtëpinë e vogël ku jetonte ai. Ndoshta e kish zgjedhur atë vend për të kërkuar paqen dhe qetësinë që në qytet nuk kish arritur ta gjente asnjëherë. E shoqja, pak e ndërgjegjshme, dhe fëmijët akoma tepër të rinj për të kuptuar se çka i priste dhe çfarë do t’u mungonte, qëndronin rreth shtratit të tij, ndërsa ai, kish zgjatur njërin krah në qafën e Irenës, vajzës së vogël, që ishte i vetmi ngushëllim i tij.

   Pas krahëve të fëmijëve zotëronte mjerimi, dyshemeja e zhveshur, mobiliet e rrënuara e të vjetra, zjarri i shuar në vatër. Nga dritarja e hapur hynte një dritë e përhimët dhe e mekur dhe, megjithatë, nga ajo dritare kthente sytë shpesh poeti i dëshpëruar për dritë. Merrte frymë me vështirësi dhe nuk fliste… Vështronte, po nuk kish kaq dhembje në këtë vështrim. Shikonte fëmijët, viktimat e tij.

   Zhurmat e potershme që vinin nga larg dhe lehjet e zgjatura e të shurdhëta të qenve të rrugës, të bënin që të dridheshin dhe kockat. Një frymëmarrje e thellë, një shtrëngim i pavullnetshëm në qafën e vajzës së vogël… dhe asgjë më… Kish ikur!

   Nga dera e ngushtë huadhënësit, kishin pritur këtë çast dhe po hynin për të kërkuar borxhet!

   Tani ai prehet në varrezën e vogël të Porto Emedoklti, – në një varr të varfër, të hijeshuar nga një selvi shumë e madhe, por e vetmuar, thua se ai desh t’u fshihej atyre njerëzve që s’e kishin njohur për së gjalli.  Kurse përpara tij qëndron si një paraskenë qyteti… dhe buzëqeshin përjetë ullinjtë e argjendtë…”

Duke zbritur shkallët, në të dalë, dikush thotë se nderi i poetit e kërkon që të vendoset në murin e kësaj shtëpie një pllakë përkujtimore…

– Ashtu është… e drejtë…

Pas një heshtjeje të papritur biseda për Darën vazhdoi. Flasim për gjurmët e reliktet e fisit të tij. Në shesh gjindja është shtuar dhe lëvizja është bërë më e madhe.

– Vemi në kishën Fjetja e Shën – Mërisë, – na propozon Parrinoja.

Ajo gjendet ballë për ballë me shtëpinë e Darës. Është skiç me kishën katolike, sepse atje ku arbëreshët ngrinin kishën ortodokse, Vatikani menjëherë ndërtonte kishën e vet.

Te dera e kishës takojmë papa Françesko Plakun, arbëresh nga Kalabria, që shërben këtu. Ai e flet shumë mirë arbërishten dhe gëzohet për ardhjen tonë. Fjala e parë është për Darenjtë dhe prifti, pa e zgjatur, hap derën dhe na prin në sallën e madhe. Është një kishë tipike bizantine, me ikona interesante, me shtylla të larta e me vlera të artit mesjetar. Ndihet era e temjanit në qetësinë e rëndë që sundon përreth.

– Vëllezërit nga Shqipëria – dëgjojmë Parrinon t’i thotë priftit,  – duan të shohin varret e Darenjve.

Ai shkon përpara dhe ne pas tij. Qëndrojmë në mes të sallës. Ai na e bën me dorë:

– Ja, këtu janë varrosur gjyshi dhe nëna e Gavrilit.  Të tjerët janë jashtë kishës. Këndoni këto, i keni arbërisht.

Për habinë tonë, përpara kishim dy pllaka mermeri, njëra vendosur në një nga shtyllat qendrore të sallës, tjetra nën këmbët tona.

Afrohemi dhe lexojmë:

Këtu prehen eshtrat e Gabrielit Dara, jatrua i urtë, burrë i dishëm mi të dishëmit, buljar i prëinderm, sa emëri i vetmë ish një ljevdi (lavdi). Sosi ditnë e sprasme të XIX mait MDCCCX (1810).”

“Këtu eshtrat vetmë, shpirti në qiell, lipisia të gjithë zemrat, zulma e mirë gjithasajtna të Frënqishkës Dara, i shoqi Ndric Dara e të biltë Gavrili, Kola, Maruga, Ana e Rina të përlotëm e të helmuam i vun këtë kujtim te dita të vëdekjes e sahje XXII të kalendorit MDCCCLXVI (1866)”

Sytë tanë mbetën një çast  të mbërthyer mbi këto mbishkrime. Në pllakën e Gavril Plakut pamë dhe një libër dhe një tufë lulesh, skalitur në mermer. Nderuam kujtimin e Darenjve.

Jashtë ka filluar të ngryset. Po bien hijet e para të mbrëmjes që nga Mali i Trundafilave.

Jemi vonuar dhe miqtë na presin në Horë. Ndahemi përzemërsisht me palaciotët. Makina zbret me shpejtësi, duke lënë prapa malin e mbuluar me lule. Dalëngadalë hijet e natës errësojnë degët e praruara të ullinjve. Lëndinat e blerta humbasin në luginë.

Kur ngjitemi në kodër dhe Palacin e kemi përballë, dëgjohet zëri i Zef di Maxhios:

– Kjo natë që po bie jashtë, nuk është natë e zakonshme. Është errësira që ka mbuluar përjetë Palacin. Ja një katastrofë që mund të na presë dhe ne, në qoftë se nuk do të dimë të qëndrojmë. Larg kësaj nate!

Ne tundim kokën në heshtje. Në gjoks diçka na rëndon. Prapa po linim një katund arbëresh që kishte rroposur koha. Po përpara kishim Horën, Kundisën, Sendastinën. Gjindja e tyre mbahet fort. Ajo flet arbërisht, qesh e qan në gjuhën e mëmës, ajo lexon “Këngën e sprasme të Balës”. Dhe kjo na ngazëllon zemrën.                      

April 8, 2018 10:26
Komento

1 Koment

  1. Bukur ... April 8, 13:41

    Eshte vertete mrekulli te lexosh shkrimet e te Madhit Nasho Jorgaqi .
    Nder te vetmit ,qe me menyren e stilin e tij te pershkruarit
    e treguarit pasionant ,ben qe lexuesin ta rrembej Brenda Historise e ndihet per nji Moment pjes e atij udhetimi pse jo patriotik …Respekt .

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*