Ku ndodhen Treportet?

January 11, 2019 03:37

Ku ndodhen Treportet?

Treportet janë një rrip kodrinor toke në trajtën e një istmi të ngushtë në veriperëndim të Vlorës, midis lagunës së Nartës në lindje dhe detit në perëndim, me gjatësi 8 km dhe gjerësi 150 m-3.2 km.

Kodrat përbëhen nga shkëmbinj.

Dikur ato kanë qenë ishuj, por janë bashkuar me tokën nëpërmjet rripave ranorë të krijuar prej veprimtarisë depozituese të detit.

Në të kaluarën lidhja e lagunës së Nartës me detin bëhej nëpërmjet tre hyrjeve.

Sot ruhet vetëm njëra (ngushtica e Peshkimit në veri), ndërsa dy të tjerat janë mbyllur nga veprimtaria depozituese e detit.

Në pjesën më të gjerë dhe më të lartë të Treporteve (kodra e Pllakës) gjendet fshati Zvërnec.

Zgjatja drejt jugut e kësaj kodre formon kepin e Treportit.

Aty janë zbuluar rrënojat e një porti të vjetër ilir.

b.m. / dita

January 11, 2019 03:37
Komento

1 Koment

  1. Nartioti January 11, 11:45

    Kodrat e Treporteve përbëhen nga kodrat e Pllakës, të Zvërnecit dhe të Dajlanit. Sipas fenomenit natyror që quhet tombolo (lat. tumulus= grumbull, kodër, dunë), kur dy ishuj ndodhen pranë njëri -tjetrit ose pranë bregur, bashkohen nëpërmjet nje rripi ranor, për shkak të veprimtarisë së rrymave detare. Kesisoj, në të kaluarën e largët kodrat e treporteve kanë qenë ishuj.
    Emri “Treport” lindi për arsye të tre bukave ose të tre kanaleve komunikuese, që lidhnin lagunën e Nartës (në kohët mesjetare ajo quhej Balta de Avalona) me detin Adriatik. Në gjuhën italishte fjala porto ka kuptimin e portit detar, por edhe të kanalit komunikues (it. il Porto = port, kanal komunikues)
    Kodrat e Trepotreve janë të lidhura me bregun përball nëpërmjet rripave ranor të Dajlanit dhe të Kavalonës. Kjo i dedikohet prurjeve aluvionale të lumit Vjosa dhe veprimtarisë së rrymave detare. Sipas gjeografëve shqiptarë, dhe jo vetëm, rripat ranorë të Dajlanit dhe të Kavalonës u krijuan në shek . 15-16-të, duke bërë të mundur që një pjesë e ujit të detit në gjirin e Vlorës të bllokohej në thellësi dhe të krijohej kështu laguna e Nartës. Sipas Eqrem bej Vlorës, rripi bregdetar i Dajlanit është krijuar më përpara ( në shek. 10-11-të). Kjo e dhënë përputhet me një fakt historik: në këto kodra në shek. e11-të zbarkoi mbreti i Normanëve, Voimunda, së bashku me kontë të shumtë dhe me kavalerinë e tij. Pastaj, kaloi në luginën e e Vjosës.
    Sot laguna e Nartës komunikon me detin Adriatik nëpërmjet dy kanaleve (bukave) artificiale. Në to janë ndërtuar dy dajlane: Dajlani i Vogël dhe Dajlani i Madh. Kanalet e komunikimit bllokohen pothuajse çdo vit, por peshkatarët nartiotë i pastrojnë me ekskavator. Në të kaluarën i pastronin me krahë. Sic e tregon edhe emri “Treporte”, në të kaluarën duhet të ketë pasur tre kanale ( porta, buka), nga të cilat lindi edhe emri i toponimit “kepi i Treporteve” Ky është versioni i parë që tregon se si mund të ketë lindur toponimi “Treporte”
    Vlen të theksohet se në Itali, laguna e Venecies ndahet me detin Adriatik nëpërmjet rripit bregdetar të Kavalino-Treport-it. Si rrjedhim, na jepet e drejta të arsyetojmë se toponimin “Treporti” mund ta kenë pagëzuar detarët venedikas, në shek X-XI. Ata, duke parë se në hyrje të gjirit të Vlorës kishte një rrip ranor të ngjashëm me atë në Atdheun e tyre (Kavalino-Treportin), e pagëzuan me të njëjtin emër (Kavalona dhe Treporti). Ky është versioni i dytë, me të cilin mund të spiegohet si ka lindur toponimi “Treporte”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*