Ku “shkeli” Komisari?!…

Bashkim Koçi April 3, 2016 15:34 Updated

Ku “shkeli” Komisari?!…

Këto radhë që po shkruaj për komisarin Zenel Beqir Shehu, dëshiroj t’i konsideroj si një protestë, si një zemëratë të vonuar, jo vetëm ndaj atyre që i morën jetën për “tradhti”  të pa vërtetuara  kurrë, por edhe ndaj vetes time, ndaj kolegëve gazetarë, të drejtuesve dhe partizanëve të thjeshtë, të cilët janë ende gjallë. Na qenkëshin tharë duart ne të gjithëve për të hedhur pakëz dritë rreth kësaj figurë të ndritur të Tepelenës. Sepse ai na paskësh qenë gur i çmuar i Luftës Nacionalçlirimtare.

Kemi shkruar e përshkruar figura të rëndësishme, të shquara, me kontribute të mëdha për atë epope të lavdishme. Të gjithë, pa përjashtim, i kanë merituar, në mos duhet shkruar edhe më, sepse, do apo nuk do kush për ta përjetësuar Luftën, ajo dhe ata që e bënë,  ishin dhe do të mbeten të shenjtë, krenaria jonë kombëtare. Por jo pak të tjerë, siç është komisar Zenel Shehu, e lamë me kokë mënjanë, e vranë dhe e varrosën për së gjalli e nuk u kujtua kush të thoshte të vërtetën, madje të ulërinte përse ia morën jetën këtij engjëlli të pafajshëm. E vranë dy herë, të parën kur atij i’ u mor jeta tradhtisht nga “shokët e partisë” dhe të dytën tani, duke mos e thënë të vërtetën në sy, me guxim e çiltërsi, ashtu si ka ngjarë. Atë të vërtetë që e di “i zi e i bardhë”, drejtuesit kryesorë të formacioneve luftarake e deri tek partizanët e thjeshtë, të cilët gjatë viteve të Luftës krenoheshin e betoheshin për komisarin e tyre.

Është faj ekstrem, i pafalshëm, një borxh i vjetër, i cili në një mënyrë apo në një tjetër i duhet kthyer “cent për cent” trashëgimtarëve,  atyre që i vuajtën  pafundësisht, disa dhjetëra vjeçare “gabimet” e këtij njeriu të ditur. Zenel Shehu i kishte rrënjët të thella, gjyshi, babai e i gjithë soji i tij ishte në breza njerëzish të lidhur e të betuar për fatet e Shqipërisë. Nëse dikush do të mundte të lexonte librin e familjes të këtij luftëtari të paepur, do të gjente aty të gjitha përpjekjet, rebelimet, kryengritjet, shpalljen e Pavarësisë e deri tek Çlirimtarja e që kjo e fundit, i solli fisit të Shehajve rrokullimën e pakthyeshme.

Zenel Shehu ishte kryengritës qysh në moshën e rinisë së hershme. Për çështje që kishin të bënin më flamurin, me kombin, me shqiptarizmin, ai hidhej në zjarr, nuk kursente as “cipën e faqes”. Le të na sjellë kush, qoftë dhe një rast të vetëm, si ai që bëri djali nga Toçi i Tepelenës në një çast kur “i fyen flamurin kombëtar”.  Ai dhe vetëm një sedërli si Zenel Shehu mund t’ia hiqte me shuplakë në fytyrë mësuesit italian të lëndës së edukimit fashist kur ai studionte në Shkollën Tregtare të Vlorës. Pra zemra e tij  me çika paskësh qenë e tillë, që kur ishte në barkun e nënës Hysnijes, gen i trashëguar brez pas brezi tek fisi i Shehajve. Të tillë, si vetja e tij, i kishte edhe miqtë, rrethin shoqëror; djem që të merrnin gjak në vetull.

Është fakt i njohur në jetë shkrimin e këtij revolucionari të madh që ai ishte mik, madje ishte bërë vëlla  me të famshmin e Vlorës e të Labërisë, Hysni Kapon. Lidhjet që kishin midis tyre, miqësi që u pre në mes, i tregojnë edhe sot e kësaj dite duke shtuar dhe një “por” nga prapa, që do të thotë se, “Shqiponja e Vlorës dhe e Labërisë” nuk mundi ta shpëtonte  dot nga ajo që i ndodhi,  eliminimi misterioz. Tani, pas kaq vitesh, pjesëtarët e familjes Shehaj kanë vajtur në banesën ku jeton bashkëshortja e Hysniut, Vitoja, e kanë takuar dhe ajo grua fisnike i ka pritur me lot në sy, duke arsyetuar rreth dënimit kapital të Zenel Shehut.

Kur morëm lajmin, ka rrëfyer Vitoja, ishim në Beograd. Hysniu u ndje keq dhe e pati shumë të vështirë për t’ ia dhënë mandatën dajës së fëmijëve, Gjylani Shehut, i cili në atë kohë shërbente si diplomat. Sipas një logjike të ftohtë, ajo arsyeton se Komisarin e dogji fakti,  që ai shkeli “vijën e kuqe” në marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë.

Po këtë arsyetim ka shpalosur edhe ish- luftëtari Sabri Godo, i cili luftoi krah për krah tij në batalionin “Baba Abas”. Sabriu në gjallje të tij u ka thënë fëmijëve që të jenë me ballin lart për babain që kanë pasur, duke folur me fjalë të larta për bukurinë trupore e shpirtërore të Komisarit. Sikurse thonë edhe muratorët, gurët e mëdhenj nuk mund të qëndrojnë mirë pa më të vegjlit. Zeneli Shehu udhëhiqej nga kjo filozofi ndaj edhe u ngrit, u rebelua ndaj pushtuesit, bashkë me popullin e asaj krahine me shpirt patriotik, siç është zona e Krahësit. U vu në krye të tyre për t’i udhëhequr, ashtu si mund të bënte ky djalosh me plot ide për atë kohë lufte të trazuar.

Çeta e parë partizane “Selam Musai”, e cila më pas, më 10 gusht të vitit 1943, do të përbënte bërthamën e batalionit “Baba Abas”, ishte krijesë e Zenel Shehut. Urdhri, sigurisht që erdhi nga lart, por më tej u ideua dhe u krijua nga ai që do të ndizte zjarrin shpërthyes në tërë atë zonë, komisar i të cilit do të zgjidhej vetë ai. Në luftimet dhe betejat që ishin zhvilluar deri atëherë, si ajo e Mogilës  të Vasiarit, Qafës së Miricës, Mezhgoran, Kiçok, Buz e të tjera, e kishin ngritur lart moralin partizan, e ca më tepër kur krijohej një njësi tjetër luftarake shumë më e madhe, batalioni “Baba Abas”. Zenel Komisari në çka u mor përsipër nuk ishte vetëm. Batalioni do të drejtohej e komandohej nga luftëtarë të tjerë me emër, siç ishte komandant Baba Fejzo Xhindoli nga Therepeli i Skraparit, tepelenasi trim Abas Shehu, gjirokastriti Adil Çarçani, Hasaf  Dragoti, Fejzo Ismaili e shumë kapedanë të tjerë, që të gjithë  të sprovuar  në përpjekje e luftë me armikun pushtues.

Gabimi më i madh është t’i japësh zemrën dikujt që nuk e meriton atë privilegj. Kjo ngjau edhe me Zenel Shehun, i cili ishte njeri i shkolluar, shumë i ditur, i kthjellët për veprimet që kryente. Ai e kishte bindje të brendshme, që i buronte nga shpirti se për Atdheun nuk kursehet asnjë sakrificë, madje as jeta. Thuhet se la Italinë në vitin 1939, ku kishte vajtur për t’ u shkolluar dhe erdhi në Shqipëri. Jo për të bërë karrierë, jo për t’u dukur i bukur me uniformën e ushtarakut, por për të luftuar. E thirri ndërgjegjja, i thirri gjaku i të parëve, i gjysh Bektash Haxhiut, e Sheh Beqirit e të tjerëve me radhë, të cilët kishin dhënë prova të panumërta se, “e prisnin vdekjen me armë në dorë”. Sa madhështor është ai njeri, i cili di të vendosë për atë çka i kërkohet, por edhe di të gjejë rrugët për të kryer me dinjitet detyra të rëndësishme, që lidhen me fatin e operacioneve të madha. Komisari i batalionit “Baba Abas”, djali sedërli i Shehajve, bëri atë “që s’bëhet”, dha shembullin më unikal, të papërsëritshëm, gati-gati mitik të epopesë të Luftës Nacionalçlirimtare.

Unë, autori i këtyre radhëve, e kam njohur këtë vajzë. Liria ishte mësuese dhe fati e solli të punonte në Skrapar, por që ne të gjithë, kuadro e komunistë të atyre viteve,  i qëndronim ftohtë, larg, sepse ishte e bija e “armikut të popullit” të pushkatuar nga Partia, Zenel Shehut. A nuk është rasti të ulim kokën dhe të përulemi në nderim të Komisarit? Unë ndjehem fajtor edhe pse nuk kam faj për atë që ka ngjarë. Të presësh nga njerëzit të sillen mirë me ty, sepse ti sillesh mirë me ta, është njësoj sikur të presësh nga një luan mos të të hajë, sepse ti nuk e ha dot atë. Komisari ynë nuk e mori dot vesh se “do ta hanin”, do ta torturonin dhe më në fund do ta linin edhe pa varr.

Përse ndodhi kështu, ku shkeli “në dërrasë të kalbur” ky njeri i idealeve të mëdha e që ra në kurthin e ngritur për ta mbyllur të gjithë atë epope sakrificash si të kishte qenë një ëndërr e keqe? Djali i tij, Eqeremi, mbush sytë me lot kur tregon për vuajtjet, për peripecitë pambarim si fëmijë të “tradhtarit” Zenel Shehu. Ai e mban mend mirë arrestimin e të atit, mban mend mirë dhe ecejaket e nënës së tij hallemadhe, asaj që pati për sallë lindjeje, si maternitet, Shpellën e Kashishtit.

Ishte muaji shtator i vitit 1946. Kërkuan, nuk lanë kusur për të mësuar “gabimin fatal”, që paskësh bërë djali i tyre, ai që e kishin ndjekur pas gjatë gjithë atyre viteve të Luftës, por kurrë, asnjëherë nuk morën vesh për krimet e tij. Ata si fis, si  Shehaj, ngulën këmbë t’ u thoshin edhe tjetrën, nëse kishte diçka të vërtetë për akuzat që ngriheshin kundër tij: “Ikni, këpusni qafën, djali juaj ka qenë një kriminel!” Nuk e thoshin dhe nuk guxuan ta bënin këtë kurrë, sepse ai nuk ishte i tillë. Ai që është në gjendje të dëshpëruar duhet të përpiqet që të gjejë një dalje të lehtë. Ndoshta i duhet të sforcohet shpirtërisht, por duhet ta bëjë. I biri i Komisar Zenelit, Eqeremi ka mundur të realizojë diçka dhe e ndjen veten disi të lehtësuar për aq sa ka mësuar rreth  skenarit ogurzi që i mori jetën të atin, por edhe për rivlerësimin e figurës së tij.

Tashmë Zenel Shehu është  “Qytetar Nderi” i komunave Qesarat, Krahës, bashkisë së Tepelenës dhe Qarkut të Gjirokastrës. Por, Zeneli është rehabilituar dhe nga luftëtarë, bashkëkohës të tij. Eqeremi  tregon për një takim miqësor në vitin 1994 me një nga drejtuesit e lartë të Luftës Nacionalçlirimtare, “Heroin e Popullit” Shefqet Peçin. Gjenerali e kishte pritur në shtëpi, e kishte nderuar dhe e kishte trajtuar si të ishte i ati, miku i tij i kohës së Luftës, Zenel Shehu. Sipas tij, Shefqet Peçi kishte qenë burrë i lartë, i nderuar, sepse në atë bisedë miqësore ai ishte përulur përpara gjëmës që i ishte shkaktuar fisit të Shehajve.

Të lindësh në betejë, të quhesh Liri dhe të mos e gëzosh lirinë!

Po mbushen plot 70 e ca vjet nga ajo Luftë, por po gjendet rasti tani, pas kaq dekadash të sillet një fakt, i cili e ngre shumë lartë figurën e Heroit të këtyre radhëve, Zenel Shehut. Le ta mësojnë ata që nuk e dinë, që ky luftëtar tepelenas, atje në front ku “luhej me kokën”, kishte në krah edhe një luftëtare, bashkëshorten, Ervehenë. Por jo vetëm kaq, çudia që të çudit është gjë tjetër, që nusja e Komisarit kishte ardhur në front shtatzënë, me një fëmijë në bark dhe fëmija lindi atje, në frontin, ku luftohej me pushtuesin, diku në Shpellat e fshatit Kashisht të Tepelenës. Emrin ia vunë partizanët e batalionit “Baba Abas”, duke e pagëzuar me atë, me emrin e asaj për të cilën kishin rrëmbyer armët: Liri.

ZENEL SHEHU

Zenel Shehu lindi në vitin 1918 në fshati Toç të Tepelenës në një familje fetare. Ai ishte djali i madh i Sheh Beqirit, Babai i teqesë së Toçit, patriot, pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë më 1912, në Kongresin e Lushnjes dhe në Luftën Vlorës 1920. Shkollën fillore Zeneli e zhvilloi në Krahës dhe atë unike në Tepelenë. Pas Tregtares së Vlorës shkon në Itali, ku vazhdon Universitetin e Romës në degën e financës. Në vitin 1939, ndërpret studimet në vitin e tretë dhe të kthehet në Shqipëri. Hidhet në ilegalitet, në radhët e çetave partizane. Në vitin 1942 emërohet komandant i çetës së Verzivollit. Me formimin e batalionit “Baba Abaz“ në Donie të Kalivaçit, emërohet komisar i tij. Me këtë detyrë luan një rol kryesor në tërë zonën e Tepelenës. Pas mbarimit të luftës emërohet nënprefekt i Tepelenës. Arrestohet në shtatorin e atij viti. Me akuza false sikur ishte kundër ligjeve reformave të dhe pushtetit të kohës, dënohet me pushkatim. Ekzekutohet më 14 janar 1948. Përndjekja dhe terrori do shoqëronin familjen e Zenel Shehut pas pushkatimit të tij. Vëllezërit iu dënuan me burg. E shoqja me tre fëmijë, dy djem e një vajzë, e kaluan jetën nën një persekutim të rëndë.

Bashkim Koçi April 3, 2016 15:34 Updated
Komento

12 Komente

  1. feniks April 3, 16:21

    Qe Zenel Shehu ka qene NJERI I MIRE,PATRIOT,TRIM etj mjaftojne vetem 2 rreshta,ndersa te rrefesh te verteten se perse u akuzua dhe u denua,kjo duhej thene ne kete shkrim gjeresisht !
    Ne qe nuk e njihnim duam te dime DETAJE nga dosja gjyqesore,permbajtjen e akuzes,deshmitaret,mbrojtjen e te ndjerit dhe dokumentet e tjera te arkives!
    Keshtu mbrohet e verteta e jo me HARTIME filloreje!

    Reply to this comment
  2. alphade April 3, 16:55

    Bashkim nuk u muar vesht pse u denua ky njeri ???
    Ashtu kot ?! Nuk thuhet asgje mbi akuzat e ngritura ??,!

    Reply to this comment
    • antonio April 3, 19:03

      Ky Bashkimi nuk ka dashur te shkruaje per Zenel Shehun,por per vete!
      E ka bere si….BELUL GJERAQINA!
      Keto 26 vjet kane dale shume sharlatane qe gjoja nisen te shkruajne per nje njeri te njohur,por ne fakt me shume shkruajne per …vete!
      U SHOFSHI TE GJITHE o horra kalemxhinj te ndyre!

      Reply to this comment
  3. miredashesi April 3, 19:55

    Ne qoftese nuk gaboj ne vitin 1994 Shefqet Peçi rronte apo kishte vdekur ne burgun e Sali Berishes se beri nje muaj greve urie? Nuk e mbaj mend mire vitin, por edhe komentuesit me larte kane te drejte se nuk kuptohet asgje pse u denua dhe si u denua…

    Reply to this comment
  4. cubeli April 3, 21:39

    Po ta vini re ne kete shkri eshte nje gabim i madh nje budallallek,dhe kjo tregon se Bashkimi mbasi e ka shkruar kete shkrim nuk e ka lexuar????e cuditshme!!!!!.Aty nga mezi thote se Zeneli me 1939 la shkollen ushtarake ne Itali ,kurse ne fund te shkrimit i behet nje permbledhje jetes se tij dhe thuhet e me 1939 vazhdonte studimet ne Itali per finance ke te besojme???!!!!!!!!!!

    Reply to this comment
  5. cubeli April 3, 21:47

    Ik o Bashkim o i rrjedhur sepse mbas kaq vitesh nuk i plasi b… njeriu se c’fare shkruan ti. Edhe vete njerezit e Zenelit miren me hallet e veta e se dine fare s’e c’shkruan ti.Le te dale nje Tepelenas i vetem dhe te thote qe ka vuajtur Eqeremi i vetem dhe une do te jape te drejte per ato qe shkruan.

    Reply to this comment
  6. pg April 3, 23:45

    Po

    Reply to this comment
  7. pog April 3, 23:50

    Lexuam hartim te dobet si ata qe jane me nr fjaleah dhe perfundimisht nuk e kuptova pse e kane pushkatuar mjafton foto me nje shkrimtar dhe tu duk vetja si ai u frymezove

    Reply to this comment
  8. Shahisti April 4, 00:59

    Cilet jane keta dy zombit ne fotografi?, Kush eshte Zeneli? Ay ne te majte, apo ay ne te djathte?

    Reply to this comment
  9. demo April 4, 09:54

    Dha shembullin me unikal,te paperseritshem,gati-gati mitik te epopese se lncl etj….90% te shkrimit e zene keto fraza patetike pa lidhje me titullin e shkrimit:Ku shkeli komisari?Po ku shkeli?-po te pyesim ne ty o Bashe.Sikur ta kishe botuar kete shkrim tek “Zeri i Popullit” deri ne 1989,mund te kishe shprese per nje vendim falje nga kryesia e kuvendit te firmosur nga sh.Sihat Tozaj.Keni shkuar tek shoqja Vito dhe shoku Shefqet Peci pas eres sone,dmth,ne kohen e Vucidolit,por ne kete kohe edhe per Hamit Matjanin,shoqja Vito do te thoshte:-e kane pushkatuar kot.Sa te kerkosh drejtesi nga kriminelet,me mire akuzo per krime kriminelet o Bashe,se nuk je me ne redaksine e Bashkimit’ ne vitin 1980.Jane vrare,vetevrare,burgosur,internuar 72 komandante,komisare, brigadash,kuadro te larte te ushtrise nac-cl.,mos te gjithe duke filluar nga komandanti dhe komisari i brigades I Mehmet Shehu dhe Tuk Jakova.Ka shpetuar vetem komandanti i brigades V-,Shefqet Peci.Ky eshte vrasesi direkt i Ramize Gjebrese,autor i masakres se Lumes,
    bashkeautor me Alexander Rankovic ne masakren e Tivarit.Zgjohu nga Koma,o Bashe!

    Reply to this comment
    • raimond vlonjati April 5, 04:44

      J afut kot ti

      Shefqet Peci nuk ishte kunder Ramize Gjebrese po Ramizeja u tradhetua nga Zaho Koka, ndaj dhe Shefqeti nuk mundi ta mbronte dot ..Sepse Zaho Koka e vertetoi ate qe akuzonin partizanet e thjeshte Ramizene —Dhe ne keto kushte Shefqeti nuk e mbronte dot se nuk mund te dilte kunder te gjitheve

      Dhe Shefqeti i thoshte atehere Zahos, Zaho Kaka , se u Zaho u tregua mut burre

      Ndersa ne Lidhje me masakren e Tivarit, Shefqeti nuk ka lidhje fare
      Keto qe thua ti jane propagande e piste qe bene e djathta per te justifikuar bashkepunimine saj me gjermanet dhe italianet

      Shefqetin nuk e vrau Enveri, sepse Shefqeti nuk merrej fare me politke pas luftes, por ishte si dava pensionisti dhe nuk kishte poste drejtuese ne Uhstri apo ekonomi
      Ndaj edhe shpetoi –Shto pastaj qe ai ishte edhe njecike kokekrisur me shume se te tjeret dhe Enveri e dinte kete gje ….
      Ndaj po ti bente gje do kisthe reagim direkt nga Shefqeti, se Shefqeti ishte tamam trim,
      nuk ishte si Mehmeti me shoke qe i serviloseshin Dulles

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*