Ku shkojnë studentët nga Shqipëria që studiojnë jashtë?

December 2, 2017 21:13

Ku shkojnë studentët nga Shqipëria që studiojnë jashtë?

Në kontinentin europian ka rreth 700 mijë studentë të regjistruar në universitete jashtë vendeve të tyre të origjinës. Shumë lëvizin sipas specializimit të fakulteteve, renditjes në klasifikimin botëror, apo shkojnë atje ku ka dhe më tepër vende pune.

Por për zonën e Europës Juglindore, ku bën pjesë dhe Shqipëria, shpeshherë është e vështirë të dalësh nga sistemi i mbyllur i rajonit dhe lëvizjet janë të forcuara. Zgjedhjet e tyre janë të kushtëzuara nga numri i limituar i universiteteve cilësore në rajon, ndërsa në ekuacion hyjnë edhe faktorët kulturorë dhe ekonomikë.

Pavarësisht kësaj, studentët nga këto vende kanë tendencën të lëvizin shumë më tepër jashtë vendit për studime se sa mesatarja europiane. Studentët që dëshirojnë të shkojnë jashtë shtetit në BE përbëjnë vetëm 23%, ndërsa në EJL kjo shifër dyfishohet në 45%.

Përpunimi i statistikave të Eurostat, UNESCO dhe OSCE jep një vështrim të shpërndarjes së studentëve nga i gjithë rajoni.

Shqipëria paraqet edhe një nga numrat më të mëdhenj të studentëve që “emigrojnë”, 23.345, shifër më e lartë se Bullgaria, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina apo Kroacia me më tepër banorë.

Një shifër më të lartë në raport me popullsisë ka vetëm Qipro, i cili justifikohet me numrin e kufizuar të universiteteve në ishull.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve zgjedhin të largohen nga Europa Juglindore, duke zgjedhur shkolla në pjesë të tjera të Europës. Italia është destinacioni dominues, por të preferuar janë edhe Gjermania dhe Franca.

Megjithatë, për një numër të madh, 9763, rajoni mbetet e vetmja zgjidhje. Nga këta, 8355 zgjedhin të shkojnë në universitetet greke, 775 studentë shkojnë në Turqi, 272 në Rumani, 224 në Bullgari dhe pjesa tjetër në shtetet e mbetura.

Nga ana tjetër, universitetet shqiptare thithin shumë pak studentë të huaj. Nga 1431 studentë europianë të ardhur në vitin 2015, 902 vinin nga rajoni. Turqia ka prurjen më të lartë me 308 studentë, ndjekur nga Maqedonia (202), Mali i Zi (200) dhe Serbia 166, raporton Scan.

Pas Kroacisë dhe Moldavisë, si edhe Malit të Zi e Kosovës për të cilën nuk ka të dhëna, Shqipëria duket se ka sistemin e lartë arsimor më pak tërheqës në rajon.

December 2, 2017 21:13
Komento

1 Koment

  1. Plaku Xhuxhumaku December 2, 22:18

    Nuk kuptohet mire, se si nje popull i varfer si shqiptaret, ku i gjene parate? Mesa duket nuk jane kaq te varfer sa hiqen.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*