Kualifikimi, Butragenjo beson

Dritan Ikonomi April 29, 2013 08:28

Kualifikimi, Butragenjo beson

Nëse ka ndonjë njeri që e di se Real Madrid mund të përmbysë edhe humbjet më të thella, ai është Emilio Butragenjo. Drejtori i marrëdhënieve të klubit me publikun është një nga heronjtë e mëdhenj të skuadrës së viteve ’80, aq e famshme në botë për përmbysjet e mëdha dhe pikërisht ai ka qenë protagonist i sulmit, së bashku me argjentinasin Horge Valdano, meksikanin Hugo Sançez e veteranin e atëhershëm Santiljana, mbret i lojës së ajrit. Anderleht, Inter, Borusia Mënshengladbah, Crvena Zvezda janë skuadrat e shpartalluara nga sulmi madrilen në ato vite, pasi kishin arritur më parë fitore të thella e shpresëdhënëse në shtëpi. Butragenjo beson se ndeshja e nesërme kundër Borusias është “më e madhja në dhjetë vitet e fundit”. Katër golat e shënuar nga Robert Levandovski të mërkurën e kaluar krijojnë një mal të vështirë për t’u ngjitur për Realin, por, pas fitores 2-1 në derbin me Atletikon, Butragenjo mbetet optimist se të bardhët mund ta përmbysin humbjen 1-4. “Ndeshja e së martës është ndoshta nga më të mëdhatë e Realit në dhjetë vitet e fundit. Me afrimin e saj, edhe besimi i njerëzve për përmbysje do të rritet”, thotë Butragenjo për gazetën “AS”. “Le të shohim se çfarë do të bëjmë. Këta lojtarë mund t’ia dalin, kjo është e sigurt”. Skuadra madrilene u është drejtuar tifozëve me një fushatë sensibilizimi dhe 49-vjeçari, një nga idhujt e tifozerisë së bardhë shprehet: “Tifozët tanë janë të zgjuar. E dinë kur skuadrës i nevojitet përkrahje, e dinë rëndësinë e ndeshjes, natyrën e saj, dhe ajo që shpresojmë është që edhe skuadra të bëjë të sajën”. Butragenjo nuk i kursen fjalët e mira pas fitores në derbi. “Skuadra luajti mirë, edhe pasi pësoi golin e parë. Mbrojtja funksionoi dhe sulmi i shfrytëzoi mirë rastet”, komenton ish-sulmuesi i Spanjës. Ironikisht, ishte një tjetër skuadër gjermane ajo që theu mitin e përmbysjeve të Realit në vitet ’80, me të njëjtat shifra si Borusia tani. Bajern i Munihut fitoi 4-1 në gjysmëfinalen e parë më 1987 dhe lejoi vetëm një gol në ndeshjen e kthimit, duke dalë në finalen e Vjenës, për t’u mundur nga Porto.

 

Dritan Ikonomi April 29, 2013 08:28
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*