Kufiri i kujtesës

Falma Fshazi January 26, 2015 12:58

Është fillimi i viteve 80’të. Një nga turistët e rrallë që kishte arritur të hynte në vend, po ecte një muzg në rrugët e Shkodrës. Ky individ kishte vesin e keq të pirjes së duhanit. Ndaj dhe ndalon një zotni që i kalon pranë për t’i kërkuar t’i ndizte cigaren.

Konsumohet akti i ndezjes dhe shtetasi i huaj ndahet nga ai shqiptar, i cili përballet menjëherë më pas me operativin e Sigurimit të Shtetit që ndiqte turistin.

“Çfarë të tha? Më kërkoi çakmak. Çfarë i the? Ja dhashë. Çfarë të tha? Më kërkoi çakmak. Çfarë i the? Ja dhashë.”

Operativi i Sigurimit ripërsërit aq shumë herë duke e theksuar të njëjtën pyetje, sa i pyeturi fillon të dyshojë tek turisti, tek çakmaku dhe pastaj tek vetja.

Është një histori si e vërtetë e ilustruar nga një skeç i hershëm i humoristëve shkodranë.

Një skeç pasqyrë e realitetit thellësisht tragjikomik të paranojës që s’mund t’i shpëtonte asnjë çakmak. Përmasat e kësaj paranojë që u bënë tragjedia e mijëra familjeve gjatë dikaturës janë të jetuara nga shumë prej nesh, por vështirësisht të rrokshme nga mendja e kujtdo sot.

Ndaj dhe shumë natyrshëm mund të duket tani, e padyshim do të duket vite më pas si diçka abstrakte, kur në fakt ishte shumë reale, ishte modus operandi i sistemit.

 

Hapja e Shtëpisë së Gjetheve, qendrës kryesore të përgjimit, telefonik apo me aparatura të ndryshme, gjatë regjimit komunist në Shqipëri, do të shpërfaqë për ne dhe për brezat e ardhshëm përmasën konkrete të asaj paranoje.

Pa hapjen e nje serie stacionesh, e vecanerisht këtij stacioni të radhës të kujtesës së diktaturës komuniste në Shqipëri, do të ishte shumë e vështirë të kuptohej; Si u ndërtua? Si funksionoi, si i qendroi kohës terrori dhe izolimi? Dhe si këto, por dhe çdo shkelje e të drejtave të njeriut për arsye politike apo të sigurisë kombëtare mund të evitohen?

Pa hapur dyert e kujteses kolektive ne do të vazhdojmë të përjetojmë të sotmen mes hijeve që vijnë prej dyerve të kyçyra të së djeshmes.

Fundi i tranzicionit në vendin tonë është një transformim social, institucional e politik i cili nuk mund të jetë i plotë pa çliruar prej drynave, harresës, degradimit apo monopolit politik kujtesën kolektive.

Padyshim që kjo ka një vështirësi të posaçme për periudhën komuniste për shkak të thellësisë së terrorit të ushtruar dhe të përjetuar.

Por ne nuk jemi as të parët e as të vetmit që do të përballemi me një histori të tillë, ndërsa padyshim jemi ndër më të vonuarit në çlirimin e kujtesës prej drynave që dhe e lanë historinë peng të politikës.

Nuk ka nevojë të jesh historian për të kuptuar që historia e Ballkanit dhe vendit tonë janë pjesë e kontekstit europian të shekullit të 20’të. Ashtu si kjo histori nuk mund të kuptohet jashtë këtëj konteksti dhe ky kontekst do të mbetet i paplotë pa hedhur dritë e duhur intelektuale e shkencore kësaj historie.

Hungaria në kryeqytetin e saj ka një seri hapësirash që dëshmojnë të shkuarën komuniste, përfshi parkun Szoborpark ose Momento Park ku janë mbledhur monumentet e heronjve socialistë apo figurave kyçe të regjimit.

Polonia përveç muzeve, ka ruajtur në Krakov lagjen Nova Huta, si dëshmi e paprekur e arkitekturës komuniste.

Rumania e Çekia kanë hapur dyert e kujtesës kolektive të diktaturës.

Të gjithë këto vende kanë hyrë në Bashkimin Europian.

Burgu Hohenschoenhausen ishte qendra e përgjimeve në Gjermaninë Lindore.

Thuhet se aty survejohej gati çdokush në Gjermaninë Lindore, por dhe liderë të huaj si Margaret Thatcher, e cila të paktën s’kishte rrezik të shihte si e dënuar brendinë e atij burgu.

Ndërsa qindra Gjermanë jo vetëm që kaluan aty si të dënuar, por dhe si subjekte torturash të brutalitetit të pashembullt që provokon paranoja.

Sot Burgu Hohenschoenhausen në Berlin vizitohet nga 350.000 vizitorë në vit, gjysma e tyre studentë.

Një qendër terrori është kthyer në një hapësirë edukimi demokratik, që i tregon brezave të rinj, thellësinë e tmerrit që prodhon ekstremizmi, i cili mund të jetë komunist, ashtu si nacionalist, fetar, apo racist.

Të gjithë këto hapësira në ish-vende të bllokut sovietik janë kthyer në stacione turistike europiane shumë të rëndësishme, sepse formojnë bashkë me të ngjashme në Europën Perëndimore, kufirin ndarës mes gabimeve, dështimeve të së shkuarës dhe të ardhmes.

Përveç atij natyror, qartazi ky është kufiri tjetër i rëndësishëm që përkufizon Bashkimin Europian.

Shtëpia e Gjetheve do të jetë stacioni i radhës që e integron Shqipërinë në itinerarin Europian të kujtesës kolektive duke e çliruar shoqërinë shqiptare nga një vazhdimësi e llogjikës vetizoluese dhe ndarjes që prodhoi diktatura.

Besoj se kjo është një mënyrë e mirë për të dalë nga debatet mesvetes e përfshirë në një debat më europian, më të pasur, e në të njëjtën kohë më të specializuar mbi kujtesën kolektive.

Hapja e Shtëpisë së Gjetheve besoj i shërben dhe një debati, tjetër mjaft bashkëkohor, që ka të bëjë me përgjimin dhe përdorimet e tij për qëllime jo kushtetuese dhe jo ligjore ose për masën e reagimit me vënien në përgjim në kushtet e kërcënimit të sigurisë kombëtare.

Për të gjithë këto arësye në prezantimin e projektit kompleks të hapjes së një ndërtese kaq komplekse – që siç u tha, nuk i ka shërbyer si qendër përgjimi vetëm Sigurimit të Shtetit, por dhe ShIK’ut, ndërsa një kohë dhe Gestapos – mund te hapet një faqe të re integrimi e ndërveprimi brendavetes sonë e përtej kufijve tanë.

Falma Fshazi January 26, 2015 12:58
Komento

3 Komente

  1. Cœur January 26, 13:53

    Artikull i qete ,i kapur perciptazi .
    Por si ne cdo gje ne e fillojme nga fundi ,sepse nuk po dua te them qe e keni nostalgji
    qe po na kujtoni krenarite e baballareve .Filloi me bunkartin ,thua ishte ndonje pikture e cmuar e Leonardos .U hap pikerisht per ate daten aq kontraditore te clirimit ose te pushtimit nga shqiptari .Ju dha nje emer piktoresk , thua do fillonte nje berthamore e re do shuhej gjithe bota dhe do shpetonim ne .
    Vazhdoi me …uuuuaaaa bukuroshen e fjetur ,qe aq e fjetur nuk ka qene ,sepse aty shkuleshin thonjte me pince ,liheshin pa uje 48 ore dhe pastaj u jepej uje me kripe ,
    behej elekroshoti ,
    ruleta ruse ,pra nuk ka fjetur asnjeher …kjo bukuroshe makabre .
    U shpenzuan 970 mij euro ristrukturim ,sot si sot per shtetin ngelen shume .
    Ngelet propagande e ftohte !
    Dhe qe ti bie shkurt ,meqe keni permendur gjithe ata shembuj me siper ,ajo bota andej
    ka hapur dosje ,nuk eshte hakmarre ,por ne qeverisje nuk i ka me .
    Qeveria jote e bukuresheve e ka ILIRIAN MUSTAFARAJIN ,ende zv kryeminister .
    Dhe ne shtypjen e revoltes se Spacit ai ka qene .Hapni artikujt e kesaj gazete dhe do e shikoni se cfare eshte bere ,do shikoni sa flinin …bukuroshet .
    Ka dhene denime elzemplare per diktatoret ,aqsa askush guxon ti permendi dhe jo me te parakalojne me portrete neper duar , sigurisht as nuk i ka me te nderuar me titullin “hero i popullit” ata qe ne gjithe regjimin e tyre vecse shtypen e vrane popullin .
    Keshtu pra zonja artikullshkruese ,duke filluar cdo gje nga bishti ,ngelet thjesht propagande
    ose me keq mund te jete ,mund te ngreme dhe bustin po ne emer te kujteses
    tu kujtojme brezave sesa ….i keq ka qene .
    Faqja e integrimit brenda vetes dhe jashte kufijve behet duke filluar nga keto qe permenda me siper ,dosje dhe denim diktatoresh ,jo me emra piktoresk e restaurim krenarive te baballareve .Integrohuni me pare ju me te kaluaren tuaj kriminale , pranojeni ate .
    Ne pala tjeter ju kemi integruar me kohe , keni gjithe neverine tone !
    Asnjeher nuk do ju mungoje !

    Reply to this comment
    • zeni January 26, 14:57

      Ku jeto ky zogu zemra car eshte ky. sdi kush eshte zv kryeministri dhe flet. po ky sdi as kush i la dosjet pa hap. kush jon kto pala tjeter mer lal? saliu eee. ai qe spiunote. ai qe kish dosjet ne doresa vjet. sekretari i partise. ik mor kour a ca je ti, se do jesh noj sigurims qe po te dridhen leqet. te shpeto nga frika ca po hapet me. ju jeni pala qe late pa hap dosjet. me te neveritshem se ju sbo zoti modh mor ti cor cour coecur ca je ti. autorja po thote te hapen gjerat ky thote propagande. po ti hapte pala jote, mor … ene propagande me qene ca po te prish ty qe nuk i hape as do i me i hap… ik mor a moj ca je ti cocor

      Reply to this comment
  2. Skifteri January 26, 20:26

    *** ke goditu ne shenje Zeni-ju lumte,kjo mostra Cceur,ne anglisht ,nje C- e madhe =Ka…i madhe ne shqip;nje c- e vogel= ka…i vogel ne shqip. dhe hajde degjo denglat e ketije “miku” budalla Ka….!!!!!!!!!! nje opinjone me doza te helmuara Brenda vetes qe shumica e njerzve kenaqen me inferioritetin e ketije gjysem truri ,dhe gjysmaket jane shume injorant,por s’ durohen dobesite e ketije “mikut- ka…”.SOT ne angli,gjermani ose ndonje vende tjeter te sigurte,si shpeton syrit te policise ne menyre te hapur ose te fshehet mere si te duash,ndiqesh jo vetem direkt ne teren nga sigurimi( si ajo puna e cigars ne Kohen kur populli yne kishte SHTET), jo qerdhje mafje ,siç e duan disa !….por ndiiqesh me karma ne rruge,ne tren, ne aeroporte ,ne lulushte,ne lokale etj,etj,ka raste dhe wc…prandaj nuk ka njerez me te rrezikshem,se sa komentuesit gjysmak,fjala e lire s’duhet shfrytzuar per te nxire te verteten,por per te pasqyruar te verteten .Dashurin ne toke e krijoi nena,lume ai qe se harron!….dashuria u krijua prej diellit dhe qumshtit nenes dhe me duket se ti ke pi tjeter qu…,prandaj zemren e mban helm dhe syrin te ndezur pishe !!!,@ @ @ @ @ @ @

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*