Kufiri moral i lobimit?

Genc Kojdheli November 4, 2012 22:47

Deri ku është kufiri moral i lobimit.  

Apo mjafton të paguash për gjithçka  dhe merr atë që do? Në kohët ku jetojmë, realisht janë të pakta gjërat që  paraja nuk mund të blejë. Kufiri moral i lobimit vështirë se ekziston, duke konsideruar që përmes lobimit tentohet influencimi i individit, dhe jo i institucionit. Individët, qofshin këta senatorë, kongresmenë, përfaqësues të BE-së e kështu me radhë, janë të “prekshëm e të aksesueshëm”, dhe rrjedhoja negative e lobimit është se ata ‘manipulohen’ personalisht por pasoja e manipulimit është institucionale. Pra, lobimi i drejtohet individit, por rezultati i lobimit është institucional. Kjo është arsyeja pse sot, edhe në vende si SHBA-të, ku lobimi është i njohur e i garantuar me ligj, po bëhet një betejë e madhe ligjore për të limituar aksesin dhe nivelin e aksesit të firmave lobuese tek individët vendimmarrës.

 

A është e mundur që një vend si Shqipëria, me nivel të lartë korrupsioni, pandëshkueshmëri te zyrtarët e lartë, një kompani prestigjioze nga Brukseli ose SHBA ta paraqesin Berishën ndryshe nga ai që është? Sigurisht që është e mundur! Përmes kontaktit individual me vendimmarrësit në SHBA apo në Bruksel, firmat lobuese përpiqen të ndryshojnë një perceptim ndoshta sipërfaqësor që autoritetet respektive kanë për Berishën apo qeverinë në Shqipëri. Një kongresmen ose një zyrtar i lartë i BE-së mund të jetë i informuar dhe i interesuar në mënyrë periferike për ngjarjet dhe situatat në Shqipëri; dhe kompanitë prestigjoze të lobimit e kanë aftësinë reale që të influencojnë tek mendimi që këta zyrtarë kanë. Të mos harrojmë që zyrtarët amerikanë apo të BE-së nuk fokusohen vetëm tek Shqipëria; ata kanë prioritete lokale e ndërkombëtare, kanë fushata elektorale, kanë angazhime të shumëfishta, dhe sigurisht që vëmendja që ata i dedikojnë Shqipërisë mund të ‘zhvendoset’ lehtësisht përmes një procesi lobimi.

 

A mund të ketë një mekanizëm hetimi dhe gjykimi të pavarur, duke qenë se bëhet fjalë për lobistë nga BE e SHBA? Besoj se këtë çështje e zgjidhin legjislacionet respektive. Firmat lobuese, si në SHBA ashtu dhe në Bruksel, janë të detyruara me ligj të bëjnë transparencë financiare, për të treguar se kundrejt kujt lobojnë dhe sa shpenzojnë për këtë limit. Legjislacionet kanë vendosur edhe kufijtë maksimal të “dhuratave” që zyrtarët mund të marrin nga firmat lobuese, dhe besoj se është e mundur të kërkohet e të merret informacioni për sa më lart.

Genc Kojdheli

Genc Kojdheli November 4, 2012 22:47
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*