Dr. Adem Harxhi
Botuar në DITA
Divorcet janë bërë fenomen shqetësues për shoqërinë tonë. Shifrat që lexojmë në gazetat janë alarmuese. Ka më shumë divorce, nga martesa. Që në fillim dua të them se edhe kur dikush mendon, se vendimi që ka marrë për t’u divorcuar është i drejtë, duhet të dijë, se prishja e martesës, në çdo rast, është një nga përvojat emocionalisht më traumatike.
Ju e keni provuar se si divorci ka ndryshuar gjithçka në jetën tuaj. Ai ka ndryshuar marrëdhëniet e tua me fëmijët dhe me gjithë anëtarë e tjerë të familjes. Ai ka ndryshuar marrëdhëniet me miqtë dhe mikeshat e tua. Më me rëndësi akoma, ai ka ndryshuar vetë veten tuaj. Ju po vuani prishjen e marrëdhënies dhe keni humbur gjithë ato shpresa që i kishit mbështetur tek martesa.
Kushdo që është divorcuar, ose mendon të divorcohet, duhet të kuptojë se divorci është një zgjidhje e papëlqyer, për një problem, po ashtu, të papëlqyer. Divorci hap probleme, me të cilat do të ndesheni realisht gjatë gjithë jetës.
E ke vënë re se kur dikujt i vdes bashkëshorti ose bashkëshortja, njerëzve u vjen keq dhe shprehin simpatinë për këtë fatkeqësi. Madje, ata ofrojnë ndihmën e tyre, siç thuhet, ata vinë me tenxhere. Por, ndodh krejt ndryshe kur divorcohesh. Edhe pse divorcin, emocionalisht, e ke përjetuar si “vdekje”, përballja me surprizat dhe heshtja e njerëzve që të rrethojnë, e bën jetën tënde edhe më të vështirë.
1-Kujdes nga një dashuri e re.
Shumë të sapo divorcuar i fillojnë menjëherë takimet. Kjo mund të duket vërtet, një mënyrë e mirë për të shpëtuar emocionalisht. Por më përpara se të fillosh takimet, duhet të jesh e sigurtë dhe të kesh krijuar besimin tek vetia. Mos u tërhiq nga mendimet romantike dhe të fillosh qorrazi një marrëdhënie të re. Hiq dorë nga takimet, për aq kohë sa emocionet dhe mendimet nuk i keni akoma të qarta; për aq kohë sa plaga e divorcit, akoma, nuk është shëruar. Shumë të divorcuar bëjnë një gabim të madh, ata nuk i japin vetes kohën e duhur që të shëndoshen nga divorci. Nxitimi për t’u futur në një shtrat tjetër, është vendim i shpejtuar. Po veprove kështu, do të përsëritësh të njëjtat gabime.
Mbani mend: Për të tërhequr dikë tjetër në mënyrë të shëndetshme, duhet vetë të jesh e shëndetshme. Prit deri sa plaga e divorcit të jetë shëruar
2- Njih emocionet e tua
Pas çdo divorci, siç thonë të divorcuarit, mbetet një boshllëk emocional, që unë mendoj se ka mbetur edhe tek ty. Ky boshllëk mbushet me vetmi, me zemërim dhe me depresion. Ti nuk thua gjë për këto çrregullime psiko-emocionale. Por këto ndodhin tek të gjithë të divorcuarit. Këto emocione, në qoftë se nuk i ke ndjerë deri tani, duhet t’i presësh se do të ndodhin edhe tek ti. Mundohu të dallosh dhe të pranosh gjithçka që do të ndjesh emocionalisht. Përpiquni të lexosh literaturë, që do të të ndihmojë të reflektosh mbi ndjenjat dhe që do ta zbusë shpirtin tënd. Mos lejo që këto ndjenja të bëhen shkak që të izolohesh. Afrohu me familjen dhe miqtë, sepse vetëm ata mund të ndihmojnë.
Druaj se edhe ty, ashtu si disa të divorcuar të tjerë, mendon se do ta lehtësosh gjendjen e vetmisë duke u martuar. Shpesh, nga nguti kjo bëhet me një partner jo të përshtatshëm. Mba mend: nuk ka vetmi më të madhe, se sa kur të ndjehesh e vetmuar në martesë. Të jesh beqare pas divorcit, nuk do të thotë që ta ndëshkosh veten me vetmi. Lidhu me beqarë të tjerë. Shko me ta në shëtitje, në kinema. Hani së bashku një drekë, ose një darkë. Dilni jashtë, por mos e prishni qetësinë tuaj.
3-Kujdes fëmijët.
Për ty që ke dy fëmijë dhe je divorcuar, pasojat emocionale negative janë më të mëdha. Fëmijët duan stabilitet familjar dhe divorci është e kundërta e stabilitetit.
Çfarë do të këshilloja në këto kushte?
Përpiqu ta pakësosh stresin e fëmijëve, duke mos e mbajtur në gojë për keq ish bashkëshortin tënd. Bëje këtë, pavarësisht, sa zemërim dhe dhimbje ka brenda teje. Mos i fut fëmijët në mosmarrëveshjet tuaja martesore dhe në problemet personale që keni ju të dy. Në vend që të bësh këtë, afrohu me miqtë, me shokët, me familjen. Është mirë të bisedosh me një psikolog. Lëri fëmijët të mbeten fëmijë. Të gjithë prindërve të divorcuar, me gjithë zemër do t’u thosha këto fjalë: Për mua, nuk ka rëndësi në se ju të dy nuk e doni njeri tjetrin prej vitesh. Ju jeni të rritur. Ngrihuni mbi këtë situatë dhe luani të dy bashkë rolin e prindit, për hatër të fëmijëve tuaj. Kush vepron kështu do të shpërblehet. Ai do t’i shikojë fëmijët e tij të rriten të shëndetshëm, pavarësisht, divorcit.
Kupto, se marrëdhëniet e pashëndetshme me njeri-tjetrin pas divorcit, ndikojë për keq tek fëmijët. Siç e dini, fëmijët janë kopjues të mëdhenj. Në qoftë se burri dhe gruaja nuk tregojnë dashuri, afeksion dhe vlerësim për njeri-tjetrin edhe fëmijët, do të mësohen ta shikojnë mizerjen familjare si një mënyrë normale të jetuari në martesë.
Kur fëmijët do të shohin se ju të dy bëni jetë të shëndetshme, ata do ndjehen më me besim dhe më të sigurtë. Ata do t’u besojnë juve më shumë, edhe tani që ju jeni divorcuar. Ata do ta jetojnë jetën më mirë.
4- Bashkohu me shoqe dhe shokë të divorcuar.
Bashkohu me njerëz të tjerë që sapo janë divorcuar. Kjo do t’u ndihmojë të flakni turpin qe ndjeni nga ky dështim publik. Do të çuditeni edhe vetë, nga mënyra se si të tjerët sillen. Të gjithë të divorcuarit, ashtu si edhe ti, mendojnë se vetëm ata janë divorcuar. Duke u bashkuar, ju të gjithë do të ndjeheni më mirë.
Psikologët japin ndihmë të çmuar dhe ata duhet të mendojnë më shumë si t’i ndihmojnë të divorcuarit, veçanërisht, tani që të divorcuarit janë shtuar shumë.
5-Përpiqu të falësh
Prindërit e divorcuar që kanë fëmijë, ashtu si dhe ju, është me shumë rëndësi të dini të falni. Kjo do ta bëjë rrugën e fëmijëve nëpër procesin e divorcit tuaj më të lehtë. Madje, edhe ata që nuk kanë fëmijë, duhet të falin për të mirën e vetes. Falja për ish bashkëshortin dhe kapërcimi i situatës sa më butë, janë çelësi për të ndërtuar një jetë emocionale të shëndetshme.
Unë e kuptoj, falja, natyrisht, është një nga detyrat më të vështira qe mund të bëhen, veçanërisht, kur njëri nga ish bashkëshortët kërkon revansh. Hidheni pas krahëve zemërimin bashkëshortor. Po nuk e fale atë tjetrin, ti do të mbetesh robinë e ish bashkëshortit tënd. Zemërimi u mban të lidhur ditë e natë, madje, ai kontrollon dhe vendimet tuaja. Përpiqu t’i largohesh zemërimit.
Po qe se gjithë jetën do të mbartësh mbi vete dhimbjen e ndarjes, ti do të dëmtosh veten, do të dëmtosh fëmijët e tu dhe kurrë nuk do të jetosh jetën që ke menduar të jetosh.
Edhe kur nuk dëshiron ta falësh ish bashkëshortin, fale atë për hatër të vetes tënde. Ti duhet të kuptosh se revanshi më i mirë ndaj atij, është kur ti vetë jeton më mirë.
Nga rubrika e Dr.Harxhit në DITA