Kujt i duhet mjegulla (Kujtoni 14 shtatorin 1998)

Guri Shyti March 12, 2015 10:13

Kujt i duhet mjegulla (Kujtoni 14 shtatorin 1998)

Në proverbin e njohur, populli ia ka dhënë të saktë përgjigjen kësaj pyetjeje: Ujkut.

Por ujku krahasuar me njeriun-ujk është një shtazë e asgjë më shumë. Ai di të shfrytëzojë mjegullën për qëllimet e veta. Kurse njeriu-ujk ka cilësinë që edhe ta krijojë vetë mjegullën, që pastaj të orvatet të gjuajë përmes saj.

Politika shqiptare, për fatin e saj të keq, në inkubatorin e vet unikal, e ka krijuar një përbindësh të tillë. Edhe ai vetë është pjellë mjerane e mjegullës, prandaj edhe cilësia kryesore e tij nuk është tjetër, veç të krijojë mjegull në politikën shqiptare dhe, po mundi, të dalë të gjuajë për qejf të vet.

Në këto pak radhë është e pamundur të numërohen, le më të analizohen, të gjitha turbullirat që ka krijuar ky njeri-ujk, sepse për këtë do të duhej shumë kohë dhe vend. Le ta bëjnë historianët dhe sa më parë të jetë e mundur në mënyrë që të shpëtojë shoqëria jonë prej tij. Unë do ta filloj nga mjegulla që krijoi më 12 shtator 1998 me qëllim që të përfitonte prej saj, për veprimet e tij banditeske të mëvonshme.

Siç dihet, atë ditë u vra një njeri. U krye një krim. Një njeriu iu hoq e drejta e të jetuarit dhe e të gëzuarit të fëmijëve të tij, një familjeje iu hoq e drejta të ketë pranë njeriun e vet të dashur. Për mendimin tim, mjaftojnë këto që ajo vrasje të quhet krim i shëmtuar.

Por, kujt i duhej vrasja e 12 shtatorit? Njeriu i mjegullave “i zbuloi” menjëherë vrasësit. Dhe e bëri këtë, paradoksalisht fill disa minuta pas krimit, sepse mjegulla e krijuar vetëm gjysmë ore më parë, pa këtë “zbulim”, nuk do të ishte aq e dendur sa t’i krijonte mundësinë të manipulonte lirshëm me opinionin e atyre që u pëlqen mjegulla. Le të kujtojmë këtu shkarazi mjegullën që krijoi ai me “zbulimin” që i bëri një organizate, pjellë e fantazisë së tij të sëmurë “Hakmarrja për Drejtësi”, disa vjet më parë.

Një proverb latin thotë: De mortus aut bene aut nihil (Për të vdekurin ose flitet mirë, ose nuk flitet fare). Prandaj edhe unë parapëlqej të hesht për Azem Hajdarin, të vrarin e 12 shtatorit. Do të hesht për heqjen e imunitetit që i bëri partia e tij, do të hesht për rrahjen me shkopinj gome që i bëri policia e partisë së tij kur e nxori nga greva e urisë së të përndjekurve politikë, nuk do të radhit as epitetet denigruese që i vunë gjatë fushatës së ndërmarrë kundër tij nga gazetat e partisë së tij. Të gjitha këto janë të njohura mirë nga i gjithë opinioni shqiptar e më gjerë.

Njeriu mjegull-krijues, gjithmonë duke vënë në veprim “dhuntitë” e tij mjeshtërore në këtë fushë, papritur filloi t’i lëpinte të gjitha çfarë kishte pështyrë mbi të vrarin dhe e ngriti atë deri në hero kombëtar, krahasuar me vetë Skënderbeun.

Ky rivlerësim befasues të bën të mendohesh lidhur me pyetjen që shtruam më lart se kujt i duhej rasja e 12 shtatorit? Përgjigja lakonike e kësaj pyetje nuk na duket dhe kaq e vështirë, sepse ajo shkon paralel me përgjigjen e pyetjes: Kujt i duhet mjegulla?

Vrasja e një deputeti opozitar në atë kohë donte të thoshte shkak për destabilizim. Nisur që këtej, pushtetarëve të kohës u vlente më shumë pushteti sesa jeta e një opozitari, kushdo që të ishte ai, u duhej më shumë stabiliteti i vendit, që ta kishin sa më të lehtë qeverisjen. Po të pyesësh çdo shofer , do të thotë se, natyrshëm, e ka më të lehtë të lëvizë në një rrugë të shtruar, sesa në një rrugë me gropa. Që pushtetarët e kohës të bënin vrasje të tilla donte të thoshte t’i hapnin vetes “gropa” në rrugën e tyre të qeverisjes.

Nisur që këtej, logjika ta thotë se vrasja e 12 shtatorit, më tepër se kujtdo tjetër i duhej atij që kërkonte të krijonte mjegull destabilizuese në vend, atij që donte t’i hapte “gropa” e “kanale” qeverisë në rrugën e saj me qëllim që ta bënte makinën qeverisëse të ngadalësonte lëvizjen, ose, më mirë akoma për atë, të ndalej. Përveç faktit se vdekja e ndodhur më 12 shtator ishte e paralajmëruar, duhet thënë edhe se, po të mos ishte preteksti i asaj vrasjeje, si do ta krijonte njeriu-ujk rrëmujën me grushtin e shtetit që bëri më 14 shtator, pra dy dit më pas? Ku do ta gjente ai pretekstin që t’i jepte qeverisë ultimatumin e dorëheqjes dhe ta kërcënonte se po të mos i bindej urdhërit, do të bënte atë që bëri, pra grushtin e shtetit? Si do ta përligjte ndryshe qeverinë që krijoi në hije, madje duke ndarë edhe portofolet ministrore? Dështimi i grushtit të shtetit nuk e shkurajoi njeriun-ujk. Ai do ta shfrytëzojë atë mjegull të krijuar më12 shtator gjatë gjithë veprimtarisë së tij të ardhme. Madje, me cinizmin që e karakterizon, për këtë nuk do të kursejë as foshnjën e sapolindur dhe as gruan e veshur me të zeza të A. Hajdarit. E tillë është logjika perverse e tij.

Le të kujtojmë disa nga parrullat e mitingjeve gjatë karrierës së tij politike, parrulla që u provuan katërcipërisht se ishin të dështuara: “Ta kthejmë ekonominë komuniste në nivelin zero”, “Ne qeverisim, bota na ndihmon”, “Me ne fitojnë të gjithë” (!!!) etj. etj. Këto parulla e treguan veten se ishin shkatërrimtare për ekonominë dhe, për pasojë, për mirëqenien e njerëzve, gjë që e vërtetuan ngjarjet tragjike të vitit 1997, kurse në nivel ndërkombëtar çuan në një izolim të ri të Shqipërisë. Njeriu-mjegull provoi shumë manovra, siç ishte bojkotimi i gjatë i kuvendit, mosnjohja e institucioneve ligjore të shtetit, urdhëroi pushtetin vendor që drejtohej nga partia e tij, të mos i bindej pushtetit qendror, u bëri thirrje shqiptarëve të mos dorëzonin armët që u shpërndau vetë duke hapur depot në fillimvitin 1997 etj. Të gjitha këto parrudha të mbrapshta u ezauruan dhe nuk i dhanë rezultatet që dëshironte. Me fjalë të tjera mjegulla e krijuar nuk ishte aq e dendur sa ta ndihmonte njeriun-ujk të arrinte qëllimet e tij për të hipur në fronin kryeministror me çdo kusht.

“Një njeri do të vdesë për t’ju liruar juve nga burgu” u tha ai më 24 gusht 1998 liderëve të burgosur të partisë së tij. Por kush mund dhe duhej të ishte ai? Më e besueshme do të ishte po të zgjidhej një lider, ndaj të cilit ishte bërë një herë atentat dhe që kishte dhënë ndihmesa për vendosjen e pluralizmit në Shqipëri. Ai do të ishte viktima që do ta dendësonte mjegullën deri në atë shkallë sa ta “përligjte” marrjen me armë të pushtetit të humbur me votë të lirë. Dhe gishti fatal u drejtua.

Me atë vrasje ai do të “hidhte një gur dhe do të vriste dy zogj”: Do të eliminonte një njeri të bezdisshëm për karrierën e tij politike dhe do të krijonte një casus belli për të bërë grushtin e shtetit që bëri. Ajo vrasje jo vetëm i shërbeu, por edhe do t’i shërbejë njeriut-ujk edhe për aq kohë sa drejtësia shqiptare nuk do t’ia heqë petët lakrorit. Do t’i shërbejë si një lloj paterice për t’u çapitur më tej në rrugën e tij të mitingjeve me mitingashë të paguar dhe të mbledhur nga gjithë Shqipëria. Ajo do t’i shërbejë të krijojë kriza të paqena, të kërkojë nga bota të mos e ndihmojnë popullin shqiptar dhe të kërkojë zgjedhje të reja për krijimin e një qeverie “me bazë të gjerë”(!). Atij do t’i shërbejë ajo vrasje, sa i shërben një lypësi të rrugës këmba e fshehur poshtë vetes për të dhënë përshtypjen se është i gjymtuar dhe t’i falin ndonjë kacidhe. Ai po e shfrytëzon vrasjen si lypësi këmbën për t’i lypur popullit ndonjë votë në zgjedhjet e ardhshme.

Njeriu-ujk po ulërin se pse nuk po zbulohen vrasësit, por ai nuk e do vërtet zbulimin e tyre, sepse, e para, kjo do të çonte në davaritjen e mjegullës, pra edhe në prishjen e mjedisit të përshtatshëm “për të gjuajtur” dhe e dyta, po të zbulohen vrasësit e vërtetë, do të zbulohet që “lypësi” e ka këmbën poshtë vetes dhe nuk është vërtet i gjymtuar, gjë që atij nuk do t’i sillte përfitimet e dëshiruara.

Njeriu-ujk, kur nuk gjen të hajë jashtë, ha edhe brenda llojit të vet. A ka njeri t’i kujtojë të gjithë emrat e atyre “që ka ngrënë” nga vatha e PD-së? Me siguri jo. Por le të na kujtohen ata që “hëngri” me dhëmbët e tij çatall në kuvendin e fundit. Edhe diktatori Hoxha do t’ia kishte zili zellit të tij për “të ngrënë” shokët.

Njerëz, mos harroni! Ai që arrin të hajë brenda llojit të vet, merret me mend se çfarë batërdie mund të bëjë me llojet e tjera.

Guri Shyti March 12, 2015 10:13
Komento

4 Komente

  1. demo March 12, 10:56

    Zeri yt u degjofte atje ku duhet!

    Reply to this comment
  2. kastriot March 12, 13:22

    ju flisni per njerez normal.Idegjueshem eshte ai qe flet per nje shumice qe eshte e goditur nga traumat sociale te ketyre 30 vjeteve qe ose jane mercenarizuar. ose topitur
    shqiptaret jane popull I vogel por pozicioni social I ka topitur te rriturit droguar te rinjte sipas nje skeme ekonomiko-shoqerore e djallezuar dhe pa te ardhme

    Reply to this comment
  3. cakalli March 12, 21:44

    argumentim me shume se kuptimplote dhe te shprehur ne menyre brilante !

    Reply to this comment
  4. sabo March 13, 14:50

    Artikull shume aktual per kohen dhe ngjarjet qe perjetojm ,Keshtu mendojn te gjithe njerzit qe e duan dhe respektojn drejtesin .Eshte koha qe shpellarit ti tregohet se ku e ka vendin.Urime autorit per guximin qe tregon.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*