Kujt i shkuan 1.4 milionë euro të paguara nga austriakët gjatë ndërtimit të autostradës Fier – Vlorë

December 11, 2014 15:55

Kujt i shkuan 1.4 milionë euro të paguara nga austriakët gjatë ndërtimit të autostradës Fier – Vlorë

Një hetim njëvjeçar zbulon prapaskenat e zgjerimit të rrezikshëm të gjigantit të ndërtimit Alpine Bau në rajonin e Ballkanit dhe se si ky zgjerim qe faktori madhor i shkatërrimit të tij.

Herët pasdreke më 18 qershor 2013, më shumë se 100 menaxherë të lartë të gjigantit të ndërtimit “Alpine Bau” zunë vendet në tavolinat e tyre në tërë botën për një telekonferencë masive. Korporata e dytë më e madhe austriake e ndërtimit kishte realizuar disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore të kohës sonë, nga stadiume të futbollit për kampionatin botëror deri tek autostradat evropiane në Ballkan dhe arenën kontroverse të festivalit luksoz të “Evrovizionit” në Azerbajxhan.

Por megjithatë ajo nuk arriti t’i paguajë detyrimet e saj dhe u detyrua të aplikojë për falimentim një ditë më pas, falimentimi më i madh i një korporate austriake që nga viti 1945.

Urdhrat nga selia austriake ishin të qarta: mbyllni të gjitha kantieret e ndërtimit, fikni makineritë, mblidhni dokumentat dhe informoni 15 mijë punonjësit. Filialet e panumërta të “Alpine Bau-t” nuk do të merrnin pagesa të mëtejme deri në një njoftim të dytë.

Në fund, një menaxher me seli në Ballkan pyeti: “A të qëndrojmë këtu apo t’ia mbathim?”

Kjo pyetje përmbante të tërë dramën e projekteve të Alpine Bau GmbH jashtë vendit:   3.2 miliardë euro borxhe, 15,000 kreditorë dhe një seri kantieresh ndërtimi të papërfunduara në të gjithë botën.

Gjatë vitit të fundit, revista austriake “DATUM” dhe gazetarët nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN), kërkuan të dhëna mbi kolapsin e papritur të “Alpine Bau-t”, duke marrë dokumente konfidenciale dhe duke zhvilluar më shumë  se 100 intervista dhe takime anonime me ish-zyrtarë të lartë në gjashtë shtete.

Të dhënat zyrtare dhe dëshmitë e ish punonjësve japin një panoramë të zymtë dështimesh sistematike të menaxhmentit, kredive dhe kontratave dhe kredi të dyshimta si dhe transfeta financiare drejt parajsave fiskale.

Në qendër të kolapsit ishte Ballkani – zona që shkaktoi gjysmën e humbjeve të kompanisë, ndërkohë që përbënte vetëm një pjesë shumë më të vogël të biznesit global të saj.  – si dheDietmar Aluta-Oltyan, njeriu që akuzohet se drejtoi zgjerimin shkatërrimtar të “Alpine Bau-t”, në Ballkan, pushteti i të cilit qe pothuajse jashtë çdo kontrolli, megjithëse ai nuk kishte pozicion menaxhues.

Një bombardim veprimesh ligjore pasoi falimentimin me akuza për përvetësime, manipulime bilancesh, shkelje të rregullave të falimentit dhe mosaplikim për faliment në kohën e duhur. Të gjitha këto po hetohen nga prokurorët. Megjithatë, nuk ka të dhëna që tregojnë se z. Aluta-Oltyan është njëri ndër të hetuarit.

Deri më sot, vetëm disa lajme të rralla janë publikuar nga seancat dëgjimore të falimentit në Vienë, procedura që pritet të vijojnë për së paku një vit para se të fillojë shpërndarja e fondeve te kontraktorët e papaguar.

Humbje të larta në Ballkan

Ndryshe nga operacionet e saj jashtë vendit, “Alpine Bau” realizonte fitime në shtëpinë e vet në Austri.

Ndërsa falimentimi ishte i papritur, gati 80 për qind e fuqisë punëtore të Austrisë gjetën punë disa javë më pas, pasi projektet e papërfunduara u morën menjëherë përsipër nga konkurrentët.

“Alpine Bau-n” i rrëzuan borxhet e huaja, pavarësisht se kishte pompuar  mbi 1.3 miliardë euro në filialet dhe degët e saj jashtë vendit për më shumë se një dekadë, thuhet në një raport të shtatorit 2014 të Kompanisë së Kontabilitetit dhe Konsulencës Tatimore BDO.

Viti më fitimprurës i kompanisë për veprimtaritë e saj jashtë vendit qe viti 2005, por fitimet rezultuan vetëm 36 milionë euro, bëhet e ditur nga raporti vjetor i kompanisë i vitit 2011.

Jashtë Austrisë, “Alpine Bau” la pas kantiere ndërtimi të, rrugë të papërfunduara apo të ndërtuara keq, qindra vende pune të humbura dhe një listë të gjatë borxhesh.

Likuiduesit e “Alpine Bau-t” ngarkuan BDO për të zbuluar dhe raportuar se çfarë shkoi keq.

Raporti thotë që Alpine Bau veproi jashtë Austrisë pa kontrolle të mjaftueshme dhe thekson se zgjerimi i shpejtë në Ballkan, krahas zgjerimit në Gjermani dhe Poloni, qe pika kyçe erënies së saj. Nga 1.3 miliardë euro investime të humbura në projekte jashtë vendit, gati gjysma e tyre qe hedhur në Serbi, Kroaci, Rumani, Shqipëri dhe Maqedoni. Kjo ishte shumë disproporcionalisht e madhe, duke pasur parasysh punimet ndërtimore në këto vende.

Nga personat e jashtëm Ballkani konsiderohej si xhevahiri në kurorën e korporatës. “Alpine Bau” kishte nisur projekte të mëdha në rajon që nga viti 2001 – duke u bërë pa dyshim ndërtuesi më i madh i rajonit, por milionat e investuara gradualisht u zhdukën.

Kostot gjithnjë në rritje të autostradës në Serbi

Në vitin 2006, “Alpine Bau” fitoi në Serbi një tender për ndërtimin e një ure mbi lumin Danub në Beska, 20 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit serb, Beograd, me vlerë prej 34 milionë eurosh. Por njerëzit me njohuri nga çështja i treguan BIRN-it se projekti u përball me probleme teknike dhe kostot u shtuan duke arritur në mbi 100 milionë euro.

“Alpine Bau” u detyrua që të pranojë një pagesë prej 54 milionë eurosh pas procedurës së arbitrazhit dhe debateve të tejzgjatura me qeverinë e Serbisë dhe kompaninë rrugore shtetërore “Putevi Srbija”, siç konfirmojnë dokumentet e siguruara sipas Ligjeve të Lirisë së Informimit.

“Putevi Srbija” tani ka dorëzuar kërkesëpadi kundër “Alpine Bau-t”, e cila, rastësisht, kërkon shumën prej 54 milionë eurosh për punimet e pakryera dhe të dobëta në urë dhe projekte të tjera.

“Alpine Bau” është kontraktuar edhe në vitin 2010 për ndërtimin e autostradës pan-evropiane ndërmjet qytetit serb të Nishit dhe kufirit bullgar, por ky projekt nuk u zhvillua.

Një raport i brendshëm i analizuar nga “DATUM-i” dhe “BIRN-i” parashikonte humbje prej 45 milionë eurosh në vitin 2012 vetëm për këtë projekt.

Gjithashtu, sipas dokumenteve të prokurorisë serbe, një pjesë e autostradës është ndërtuar me materiale ndërtimore të siguruara në mënyrë të paligjshme nga Zvonko Veselinoviq, një ndërmarrës dhe udhëheqës kontrovers protestash nga pjesa e trazuar e veriut të Kosovës.

Miliona “mungojnë” në Maqedoni

Edhe në Maqedoni ndodhi e njëjta gjë. Jo vetëm që kontratat e mëdha të ndërtimit nuk arritën të sjellin fitime, por miliona euro u shpenzuan në kredi dhe kontrata të dyshimta, sipas një raporti të inspektimit të KPMG-së të qershorit 2012 dhe një raporti të auditimit të brendshëm të qershorit 2013, të siguruar nga gazetarët.

Dokumentet shpalosin një rrjet kompanish, kryesisht në pronësi apo me lidhje të ngushta me punonjësit, të cilat morën “kredi dhe kontrata të dyshimta”. Auditorët veçojnë Gjoko Dinev-in, menaxherin e përgjithshëm të “Alpine Bau GmbH Skopje” nga viti 2009, me kritika të shumta.

Kontrata të këshillimit në vlerë prej mbi 3 milionë eurosh i janë dhënë në periudhën 2010 dhe 2012 kompanisë në pronësi të disa punëtorëve maqedonas të Alpine-s. Kjo është bërë përkundër faktit që kompania nuk kishte asnjë punonjës dhe nuk kishte prodhuar asnjë dëshmi të punëve të kryera, bazuar në raportin e brendshëm.

Më shumë se 6 milionë euro të pagesa të dyshimta janë nënvijëzuar në raport, që përbëjnë gati një të tretën e të gjitha të ardhurave të degës së “Alpine Bau GmBH” në Shkup për vitin 2012.

“Prapa çdo kontrate të vetme dhe çdo pagese ishte një shërbim [legjitim], së paku gjatë kohës sime si menaxher i përgjithshëm”, ngul këmbë Dinev.

Pyetjes se kush i ka autorizuar pagesat, Dinev-i i përgjigjet duke përmendur kroatin Ivica Borosak, i cili ishte listuar si menaxheri i dytë i përgjithshëm në Maqedoni dhe kreu i degës në Kroaci.  Borosak nuk iu përgjigj telefonatave dhe emaileve tona. Pasi Alpine u shkatërrua, Borosak dhe Dinev u punësuan nga kompanitë në pronësi të znj. Helena Aluta-Oltyan, gruas së Dietmar Aluta-Oltyan, ish aksionar dhe drejtor i “Alpine Bau-t”.

Znj. Aluta-Oltyan kishte rol aktiv në aktivitetet e ‘Alpine’ në Ballkan – madje duke e përshkruar veten si ‘Përfaqësuesja e Alpine për Ballkanin’ – ndonëse informatorët theksuan se pozita e saj e vërtetë në kompani ishte larg nga të qenët e qartë. Ajo gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesave tona për intervistë apo për përgjigje me shkrim.  [Kliko për te “Familja Ballkanase”]

Shqipëri: paratë e transferuara në parajsa tatimore

Në Shqipëri, 1.4 milionë euro janë transferuar gjatë vitit 2012 te një kompani misterioze nga Qiproja e quajtur “Windforce Estate Limited”, e cila ishte në pronësi të një kompanie tjetër guackë, e regjistruar në Ishujt Marshall. Pronësia më vonë është bartur te punonjësit e një zyre ligjore qipriote.

Transfertat u vunë në pikëpyetje në një raport të “Deloitte”, e cila qe ende e punësuar si auditor në degën e Alpine Bau në Tiranë më 2013 dhe që u sigurua nga DATUM dhe BIRN.

Pagesat për “Windforce” gjatë tërë vitit 2012 ishin për punë të tilla si “përfaqësimin dhe këshillimin, asistencën materiale në të gjitha takimet, diskutimet dhe informimet”, sipas faturave të të siguruara nga reporterët.

Faturat i drejtoheshin menaxherëve tëTiranës, Manfred Deppe dhe Amadeo Garcia, mirëpo auditorët nuk ishin në gjendje të gjejnë dokumente të tjera që kishin të bënin me marrëveshjen, duke përfshirë një kontratë ndërmjet “Alpine Bau-t” dhe “Windforce-s” sipas specifikimeve të dhëna në fatura.

Puna konsultuese e “Windforce-s” lidhej me dy autostrada që po ndërtonin dega e Tiranës e “Alpine Bau” dhe partneri i saj grek “AEGEK”, pasi “Alpine” fitoi kontratën më 2008.  Këto projekte janë paguar nga fondet e BE-së dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Por projektet për rrugët në mes Vlorës, Tepelenës dhe Levanit filluan të kushtonin gjithnjë e më shumë, duke e detyruar qeverinë që t’u drejtohet donatorëve për më shumë para. Por edhe pas kësaj, projektet vuajtënnga probleme teknike dhe shkaktuan protesta të dhunshme nga fshatarët, të cilët ishin pronarë të tokës ku po ndërtohej.

Një segment vazhdon të jetë i papërfunduar gati pesë vjet pas datës së pritur të përfundimit më 2010.

“Deloitte” u ankua se kompania e konsulencës “Windforce” nuk ka ka dhënë ndonjë provë të punës së kryer bëri që “Alpine Bau” të mos kalonte auditimin financiar për Shqipërinë për vitin financiar 2012.

Auditorët vërejtën që përfituesi i pagesave dhe aksionari i vetëm i “Windforce” kishte vdekur në një spital grek në prill të vitit 2013 dhe si rrjedhojë nuk ishte në gjendje të ofronte hollësi të mëtejme të shërbimeve që i kishte ofruar.

Nuk dihet se kush ishte pronari i vërtetë i “Windforce Estate”, meqë ata që aktualisht janë në listë të punonjësve si sekretarë, drejtorë dhe aksionarë janë punonjës të një zyre juridike në Qipro – taktikë e rëndomtë ligjore për të siguruar anonimitet në parajsat famëkeqe fiskale.

Një ish-anëtare e lartë e degës së “Alpine Bau-t” në Tiranë, e cila tha se kishte parë çdo kontratë që qe nënshkruar, tregoi: “Kam punuar për vite me radhë për ‘Alpine’ dhe jam e tronditur për shumën e parave që i kemi paguar kompanisë ‘Windforce Estate Limited’, për shkak se nuk pashë kurrë një kontratë apo dokument relevant të lidhur me këtë kompani”.

Ndërsa paratë e thata derdheshin jashtë kompanisë drejt parajsave fiskale, nënkontraktuesit u lanë me borxhe shumëmilionëshe.

Kompanisë së ndërtimit “Alban Tirana” i detyrohet 2.5 milionë euro, pasi ajo fitoi një çështje në gjykatë ndaj Degës së Tiranës të “Alpine Bau” me pretendimin që kompania austriake padrejtësisht i kishte hequr atë në favor të “AEGEK-ut”. Kjo kompani nuk ka marrë ende as edhe një cent dhe ka frikë që nuk do të marrë kurrë asgjë.

E-mailet e shkëmbyera ndërmjet menaxherit të degës së “Alpine Bau” në Tiranë dhe likuiduesve shqiptarë gjatë muajit maj 2014 të siguruar nga “DATUM-i” dhe BIRN-i tregojnë që “Alpine” në Shqipëri nuk ishte në gjendje të aplikojë për falimentim edhe disa muaj pas falikmentimit të filialeve të saj më 2013.

Në fund, “Alpine” në Shqipëri nuk kishte fonde të mjaftueshme për t’i paguar tarifat e duhura për të aplikuar për falimentim.

Dështime fatale të menaxhimit

Në raportin e BDO-së të komisionar nga likuiduesit e “Alpine Bau-t”, autorët thonë se zgjerimi i shpejtë i kompanisë jashtë vendit ishte “i orientuar drejt shitjeve dhe jo drejt fitimit” dhe se kjo është shtyrë nga “bashkëpronari afatgjatë dhe fytyra më e fortë e ‘Alpine Bau-t’, z. Aluta-Oltyan, dhe pronari i aksioneve shumicë spanjolle FCC”.

“Strategjia për të zgjeruar pjesën e tregut dhe hyrjen në tregjet e reja kishte pasoja shkatërrimtare në fitimet e Grupit Alpine,” thotë raporti.

Dietmar Aluta-Oltyan konsiderohet të jetë truri dhe vizionari i “Alpine Bau-t”.

Shtatëdhjetëvjeçari iu bashkua kompanisë në vitin 1968 dhe punoi me zell për t’u bërë aksioner dhe drejtor.

Në prag të ndërrimit të mijëvjeçarit, nën udhëheqjen e tij, “Alpine” filloi të zgjerohet jashtë vendit. Por bashkëaksionerët e tij Georg Pappas, themelues i “Alpine” dhe inxhinieri Otto Mierl, mbanin nën kontroll të ngushtë kolegët e tyre më aventurierë.

Fati dukej se u kthye në dëm të ambiciozit Aluta-Oltyanit, kur ai u dënua për korrupsion në Gjermani në shkurt të vitit 2006, lidhur me një pagesë që i kishte bërë një zyrtari të “Bayern Munich-ut” për të marrë kontratën e ndërtimit të stadiumit të famshëm “Allianz Arena” të Bayern Mynihut.

Atij i ishte shqiptuar dënim me kusht prej dy vjetësh dhe një gjobë prej 1.8 milionë eurosh, ndërkohë që qe tërhequr si drejtor menaxhues te “Alpine Bau”, krahut ndërtimor të kompanisë.

Aluta-Oltyan pastaj u punësua si drejtor ekzekutiv i Alpine Holding kompania ombrellë e cila menaxhonte “Alpine Bau”, kompania e saj më e madhe,  por u urdhërua që të mos përzihej në punët e ndërmarrjes ndërtimore.

Por këtë kohë, kompania spanjolle e ndërtimit “FCC” bleu aksionet nga më të kujdesshmit Pappas dhe Mierl në tremujorin e fundit të vitit 2006, duke u bërë pronar maxhoritar. Kjo i hapi rrugë Aluta-Oltyanit që të niste një zgjerim të rrufeshëm në Ballkan dhe më gjerë, pavarësisht faktit që më nuk kishte rol ekzekutiv, theksojnë ish punonjësit e kompanisë.

Auditimi i BDO-së forcon më tej këtë mendim, duke e përshkruar Aluta-Oltyan-in si personin “më të fortë” të “Alpine Bau-t”, i cili ishte “aktiv në nivel ekzekutiv pa asnjë kontroll dhe balancë që vlen të përmendet”.

“Niveli i menaxhmentit përgjegjës për zbatimin e kontrolleve të duhura ishte dominuar nga z. Aluta-Oltyan deri në fillim të vitit 2012”, thekson raporti.

“Situata ishte e tillë përkundër faktit që ai nuk funksiononte formalisht si menaxher i përgjithshëm dhe as nuk ishte në organin mbikëqyrës të “Alpine Bau GmbH”.“Ky stil i udhëheqjes, i krijuar posaçërisht për një individ, si dhe kultura e korporatës që e shoqëronte këtë, ndihmuan në mënyrë vendimtare në deficencat e identifikuara në kuptimin e strukturave, kontrolleve dhe transparencës”.

Avokati i z. Aluta-Oltyan tha në deklaratë se klienti i tij ishte i detyruar nga sekreti tregtar dhe nuk mund t’i përgjigjej pyetjeve tona të detajuara mbi pozicionin e tij si “i forti” dhe rolin e tij udhëheqës të zgjerimit të Alpine Bau në tregjet e huaja.

Avokati shtoi: “në emër të klientit tim dua të theksoj se një numër komentesh dhe supozimesh mbi cilat janë bazuar pyetjet janë pjesërisht dukshëm jokorrekte. Për këtë shkak imazhi i krijuar për klientin tim është po ashtu jokorrekte.”

FCC, si aksioner i vetëm në kohën kur “Alpine Bau” falimentoi, nuk iu përgjigj kërkesave tona për komente.

Paralajmërimet për “Kaosit të Ballkanit”

Nga vitit 2008 pati një numër në rritje ankesash Salzburg për kolegët në jug, i thanë BIRN dhe DATUM njerëz brenda kompanisë.

“Ishte kaos në Ballkan,” thekson një ish-punonjës në pozitë të lartë në “Alpine Bau” në Salzburg.

“Për shembull, i kishim 16 sisteme të ndryshme të listës së pagave, askush nuk e dinte saktë se kush punonte ku dhe si ishin kontratat e tyre”.Një gjysmë dyzine menaxherësh të “Alpine Bau-t” konfirmuan veçmas nga njëri-tjetri se filialet e Ballkanit gëzonin liri më të madhe dhe se Aluta-Oltyan mori një interes personal në bizneset jashtë vendit të kësaj kompanie.

Menaxherët e lartë në Salzburg ishin në dijeni për disa nga problemet me projektet e mëdha jashtë vendit, meqë ato raportoheshin në hierarki, por nuk është e qartë se kush ishte në dijeni të nivelit të humbjeve. Përfaqësuesit e aksionarit shumicë “FCC” vazhdimisht janë informuar për probleme të komunikimit me filialet e Ballkanit, sipas burimeve të afërta me ngjarjet. “Ne u thamë spanjollëve se kjo nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë”, tha një ish-menaxher.

Sipas BDO-së, “Alpine Bau” në fakt ishte praktikisht e paaftë për të paguar borxhet në tetor të vitit 2010.Fakti që askush nuk e kishte vërejtur këtë më herët, mbetet një nga misteret e mëdha të falimentimit, ndonëse auditorët kritikojnë homologët e tyre ndërkombëtarë të “Deloitte”, të cilët nuk i kishin identifikuar problemet kur firmosën bilancet për vitet 2009, 2010 dhe 2011.

Një zëdhënëse për Deloitte Austria tha se ajo kishte besim se ka kryer “punë të zellshme dhe të përshtatshme auditimi”. Ky raport i BDO-së është bërë në emër të, dhe është paguar nga likuiduesi i Alpine dhe për këtë shkak nuk është opinion objektiv nga ekspert i pavarur,” shtoi ajo.

Bankat i patën dhënë kredi “Alpine Bau-t” me vlerë prej qindra miliona eurosh nga viti 2010 e tutje, 180 milionë të të cilave qenë garantuar nga taksapaguesit austriakë. Publiku gjithashtu ka marrë përsipër deri në 290 milionë euro në obligacione më 2011 dhe 2012, në përpjekjet e kompanisë për të injektuar kapital të rinë biznes.

Aluta-Oltyan la “Alpine Bau-n” në pranverën e vitit 2012, duke i shitur aksionerit maxhoritar “FCC” 19.3 për qind të aksioneve të tij për 52.6 milionë euro.

Humbjet e zbuluara nga auditorët e rinj

Shefi i ri Johannes Dotter, i cilimori drejtimin nga marsi i vitit 2012, është ish-drejtues i “Porr AG”, njërit nga konkurrentët austriakë të “Alpine Bau-t”. Ai kërkoi auditime të reja të veprimtarisë së “Alpine” dhe mbylljen e zyrave në dështim e sipër të kësaj kompanie jashtë vendit.

Gjetjet e KPMG-së të qarkulluar për informim të brendshëm në verën e vitit 2012 ishin tronditëse: kompania kishte fatura të konsumatorëve në vlerë prej 300 deri 400 euro të cilat nuk do të paguheshin kurrë, duke krijuar një gropë marramendëse bilancit të kompanisë.

Këto ishin kosto që “Alpine” kishte shpresuar t’i merrte nga klientët pas rritjes së kostove për projekte mbi çmimin fillestar të kontraktuar.

Në tetor 2012, lajmi i raportit të KPMG-së doli në shtyp. Kjo ishte “puthja e parë e vdekjes” për “Alpine Bau” që përfundimisht falimentoi në qershor të vitit vijues.

Por, për znj. Aluta-Oltyan, gruaja e ish-drejtorit të “Alpine Bau-t”, biznesi në Ballkan vazhdon të lulëzojë.

Në mars të këtij viti ajo nisi një biznes të ri materjalesh ndërtimi, duke blerë gurthyes në vlerë prej 12 milionë eurosh. Ajo bleu mes gurthyesve tjerë edhe një kompani të zhavorrit me seli në Serbi, “Alpine Kamen” – të shitur nga likuiduesit e kompanisë së saj amë, “Alpine Bau”.

Mos i humbisni zbulimet e jashtëzakonshme që do të publikohen nesër, të cilat tregojnë  se si një grup i ngushtë i të punësuarve  të Alpine Bau-t , të njohur si “Familja” drejtoi veprimtarinë e gjigandit Austriak në Ballkan.

Ky artikull është produkt i programit të titulluar ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’, i financuar nga Austrian Development Cooperation (ADC) dhe implementuar nga BIRN Kosovo dhe BIRN Hub. Përmbajtja nuk reflekton qendrimet dhe opinionet e ADC.

Marrë nga BIRN

December 11, 2014 15:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*