Kujtime për Dritëroin

February 5, 2019 11:29

Kujtime për Dritëroin

MOIKOM ZEQO

Unë e kam njohur Dritëroin që në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. E kam njohur edhe si gazetar. Por miqësia jonë u forcua vetëm nga viti 1991, kur në mënyrë paralele pa biseduar me njëri-tjetrin mbajtëm të njëjtin qëndrim kritik në Kongresin e 10- të, Kongresi i fundit i PPSH-së, për të bërë një transformim, i cili ishte pozitiv dhe jetik për atë kohë të shkuarjes drejt një programi socialdemokrat dhe të një Partie që u quajt PSSH.

Diskutimi i parë ishte i Dritëroit. Ai ishte emër shumë i njohur . Dhe pesha e fjalës së tij ishte  e madhe.  Pas tij kam diskutuar edhe unë. Ato ishin dy diskutimet kryesore, që ndryshuan gati gjithçka në momentin historik.

Situata në opozitë, mbas vitit 1992-1996 e zhvilloi mendimin politik brenda PS-së.

Ne rrinim shpesh bashkë si deputetë  të opozitës dhe përballeshim me shumë elementë të autoritarizmit të pushtetit të atëhershëm.

Madje, ndonjëherë kur Kuvendi mbaronte vonë dhe unë nuk e arrija trenin për t’u kthyer në Durrës,-unë si deputet udhëtoja me trena, nuk kishim makina luksoze ,- siç kanë sot deputetët pasanikë,- por dhe anonimë të Kuvendit,- kam fjetur ndonjëherë të rrallë edhe te shtëpia e Dritëroit.

Si vlerësohej Dritëroi në PS në atë kohë?

Pesha e Dritëroit në Partinë Socialiste ishte referenciale. Edhe Fatos Nano që bëri padrejtesisht  burg,- gati katërvjeçar,- e ka çmuar Dritëroin. Madje në listat tona për deputet, emri i tij ishte i pari. Përpara edhe emrit të Kryetarit të PS-së. Dritëroi pati një jetë më të gjatë si deputet i PS-së.  Ka pasur një vlerësim të madh në elektorat.

Për gati 20 vjet (1992-2002)- edhe kur isha unë Drejtor i Muzeut Kombëtar, kemi bërë një lëvizje të pashembullta nëpër të gjithë vendin,- në çdo cep dhe në çdo fshat. Në Jug dhe në Veri. Kur shkonte në ndonjë fshat, Dritëroi mbushte xhepat me karamele dhe çokollata. Dhe ua shpërndante fëmijëve të shtëpisë që na priste, saqë më të vjetrit çuditeshin me këtë ritual të tij.

Një herë ishim në Bogovë dhe në rrugë kalon një varg dasmorësh. Driteroi ndalon makinën e çiftit dhe daroviti nusen pa e njohur fare. Nusja dhe dhendri u çuditën një moment. Po pastaj e njohën.  Kur u nisëm për Tiranë na vjen një makinë e dasmorëve nga pas. Ndalet dhe na jep dy damixhanë, me verë dhe me raki. Dhuratë nga nusja dhe dhëndrri.

***

Një herë në fshatin Gjerbës shkuam sepse fëmijët e këngëtarit të madh të Skraparit, Demir Zykës, kishin rregulluar varrin e të atit. Ata donin që ta përuronte varrin patjetër Dritëroi. Dritëroi aty ia mori edhe këngës. Ai dinte mbi 100 këngë popullore të të gjitha trevave, kishte një marrëdhënie të veçantë me popullin.

***

Kur më bënë “Qytetar Nderi” në Libohovë, erdhi edhe Dritëroi me mua. Rrugës për në Tiranë, Dritëroi më thotë do të kthehemi në Lazarat. Lazarati ishte shumë problematik.  Kishin qëlluar me automatik kur  deputetja e PS, Makbule Çeço kishte shkuar atje. Shkuam në qendrën e fshatit.  E njohën Dritëroin dhe na bënë një pritje të jashtëzakonshme.  Sepse te Dritëroi, pavarësisht bindjeve politike, shikonin një njeri të popullit që i donte njerëzit. Ka shumë raste të tilla spontane me Dritëroin.

***

Si ka qenë udhëtimi jone në Moskë dhe ne Sant Peterburg?

Ka qenë një udhëtim i çuditshëm. Kemi shkuar në 2004 për të bërë një film për Dritëroin në Moskë dhe Sant Petërburg me regjisorin e njohur Esat Ibro.

Kishte qenë ëndrra e tij  rikthimi në Sant Petërburg?

Po, ashtu ka qenë.

Unë isha shumë i interesuar edhe për të përjetuar se si do të ishte takimi i tij me njerëzit që kishte lënë në Sant Petërburg.

Nga Moska në Sant Petërburg shkruam me tren, i cili ishte i ndarë në kompartimente dhe dhoma gjumi njëkohësisht, sepse ishte udhëtim i gjatë. Në një dhomë kompartimenti të trenit ishte Dritëroi me Sadijen.  Në një tjetër regjisori Esat Ibro dhe operatori. Mua më qëlloi në një dhomë tjetër kompartimenti. Tek kjo dhomë hyri një vajzë e re ruse, shumë e bukur, gati një mrekulli si në përrallat ruse, për të fjetur.

Dritëroi me humor, vjen duke buzëqeshur dhe i thotë asaj në rusisht: “Moikomi është shkrimtar, jo bandit! (Moikom  pisatjel, net bandit !). Prandaj mos ki frikë që do flini në një dhomë!”.

Ajo nuk e kishte problem këtë gjë. Ajo u çudit dhe buzëqeshi pa folur.  Ishte mëse e zakonshme në trena të udhëtoje me të huaj dhe me të panjohur në kompartinentet  me shtretër fjetjeje në udhëtime.

***

Në Universitetin e Sant Petërburgut shkuam në sallën ku Driteroi ka marrë leksionet.

Një nga pedagogët,- që ishte dhe studiues i njohur rus i folklorit,- e takoi edhe me 2-3 studentë te dikurshem , të cilët tani ishin shkrimtarë të njohur dhe sëbashku  bënë një mbrëmje poetike për nder të Dritëroit, që ishte rikthyer. U lexuan poezi në rusisht dhe në shqip të Dritëroit. Por ai u prek shumë dhe rrinte i heshtur. Pinte duhan me shtëllunga të mëdha. Si i ngujuar si nëpër mjegulla arktike.

Dritëroi në Sant Peterburg u takua edhe me djalin e tij Arjanin,- që e kishte nga gruaja e parë. Dritëroi e takoi pas shumë vitesh djalin e tij. Ai erdhi me bashkëshorten e vet. Unë nuk e kam parë  kurrë kaq të tronditur Dritëroin.

Djali,  Arjani, kishte një ngjashmëri shumë të madhe me Dritëroin, ishte  si një Dritëro i rinisë, gati nje sozi, dvojnik, apo një kipc.

Nga emocionet Dritëroi u bllokua dhe për gati gjysmë ore nuk foli fare. Arjani e kishte harruar shqipen se kishte ikur 7 vjeç nga Shqipëria.  Unë e pyeta: a di ndonjë fjalë shqip?  Ai mbante mend nënën e Dritëroit, Xhixhenë.  “Ku iku macja?”, ishte shprehja , që Arjani mbante mend nga gjuha shqipe. Sapo zbritëm në Sant Peterburg, gjëja e parë që bleu ishte një konjak gjeorgjian, “Ararak”. “Ky ka qenë- më tha -konjaku që ka prodhuar gjithë Rusia në atë kohë dhe këtë pinim ne si studentë”.  Kur ishim në Sant Petërburg i thashë “Pse rri në hotel, dil se mos takon dhe ato vajzat,- që ke njohur kur ishe student.

– Çfarë vajzash- më tha- unë të parën vajzë që njoha,- me të u martova”.

 

***

Libri i tij i fundit, “Prit edhe pak”…-E shoh nga ana filozofike këtë raport të Poezisë që Dritëroi kishte me Vdekjen. Poezitë për Vdekjen Dritëroi i ka trajtuar edhe më parë, jo vetëm në vëllimin e fundit. Ai e shikonte poetikisht Vdekjen. Është një mendim i Dritëroit për të provuar se ç’koncept ka ai për Jetën. Nuk besoj se ai kishte ndonjë frikë nga Vdekja. Përkundrazi, ai e ka jetuar afersine dhe intimitetit me Vdekjen dhe për hir të së vërtetës ka qenë i  shtruar disa herë në spitale, ku unë kam qenë  shpesh bashkë me të. E shikoja që ai bënte shumë shaka me mjekët. Poezitë e fundit kanë një mendim filozofik për gjërat Kalimtare që ikin, kalojnë, ndërsa ato të Përjetshmet mbeten.

***

Mua më vjen mirë që Dritëroi nuk i mohonte bindjet e veta. Madje, edhe në ato që ai i quan  poezi-epitafe, e thotë se aty do të dergjet “ një ish-komunist.”  Ai nuk bëri redaktim të jetës dhe bindjeve të tij.  Nuk kam dëgjuar që të krijonte alibi e pranonte që kishte kënduar ato poezi dhe poema, i bindur për ato që kishte shkruar.

***

Ai mbetet një shkrimtar që ka jetuar dy epokat e socrealizmit dhe kapitalizmit kaotik të sotëm. Dhe vepra e tij letrare është një fotografim real, apo skanim mendor i kohës kur ka shkruar si  dëshmi e jetës. Fakti që Dritëro Agolli u vlerësua si para edhe pas  viteve ’90 tregon se ai ka qenë i vërtetë në ato që thoshte dhe shkruante.  Sipas  bindjes dhe stilit të tij popullor. Dritëroi nuk bëri konvertim ,-in extremis,- të pikëpamjeve të tij. Pikëpamjet e tij ishin një evoluim drejt një të majte demokratike, por nuk kaloi në një mohimin,- in extremis- që do të ishte më pas i pabesueshëm.  Ai ka qenë dhe mbeti  i besueshëm me qëndrimet e tij. Ai nuk bëri Apologji të jetës dhe krijimtarisë së tij. Dritëroi e jetoi jetën e tij,- siç donte. Dhe bëri shumë mirë, që bëri gjithçka siç deshi. Kam takuar njerëz klientelistë. Ose dhe  shumë shkrimtarë, që hiqen si elitarë. Por i kanë transfiguruar tërësisht dhe në mënyrë të pabesueshme dhe alibike bindjet. Evoluimi i bindjeve është normal. Por jo tjetërsimi klientelist i bindjeve. Shumë njerëzve,  ndryshe nga Dritëroi, u ka munguar ana njerëzore.

Dritëroi e jetoi dhe e shijoi Jetën.

***

Përsa i përket bashkëkohësve unë dua të tregohem pak skeptik. Disa prej tyre, kryesisht politikanë medioker,  kanë pasur nevojë për emrin dhe figurën e Dritëroit. Politikanët kanë mandat të përkohshëm. Ndërsa Dritëroi, si shkrimtar, ka mandat të përjetshëm. Nuk është e vërtetë dhe reale se politikanët e kanë vlerësuar me këtë rast Dritëroin.  E kundërta ka ndodhur. Ata kanë dashur të shfrytëzojnë emrin e Dritëroit, qoftë edhe në ditën e Funeralit të tij. Brenda vetes së tij, Dritëroi nuk ka pasur ndonjë besim të madh për politikanët tanë, të majtë dhe të djathtë. Këtë unë e di shumë mirë. Nga bisedat që kemi bërë. Ai kishte pengje të mëdha për politikën tonë dhe politikanët. Politikanë kanë dashur ta shfrytëzonin për interesa të tyre figurën e Dritëroit. Por nuk kanë fituar asgjë, në thelb !

***

Dritëroi kishte një dobësi të veçantë për mbesën e tij, vajzën e Elonës, Annën. Anna sot është studente në Paris. Dritëroi e donte shumë. E kishte pikë të dobët. Bënte gjithçka për Annën. Sepse e kishte rritur ai me Sadijen.  Sadija, më duhet të them,- që e ka ndihmuar shumë Agollin. Dhe jo vetëm e ka ndihmuar,- por nëse ai jetoi kaq gjatë, -ishte prej kujdesit të saj,- dhe përkushtimit të saj proverbial.

***

Vdekja e Dritëroit, humbja e tij  qe një dhimbje e thellë,-  duket  një çast, sikur fjalët paralizohen.

Si mik i tij, – si autori i një libri për të,- e prita lajmin mortor me dhimbje  dhe i  shqetësuar.

Njerëzit janë vdekatarë.

Të gjithë do vdesim.

Kjo dihet.

Lajmi i  shuarjes se Dritëroit pati një lloj parapërgatitje.-

U fol për gjendjen e rënduar të tij edhe në media,- por tani u bë fakt i patjetërsueshëm.

***

Por Vdekja në të vërtetë për Dritëroin është thjesht konvencionale.

 

February 5, 2019 11:29
Komento

4 Komente

  1. Plaku Xhuxhumaku February 5, 18:51

    Po ç’na çani menderen akoma me kete katunar Devolli, Ai shyqyr qe u pordh nga kjo dynja, ju akoma s’ju ndahet dot shpirti nga ky lyrash gjoja poet i madh, apo nuk mbushni dot më paçavuren tuaj me llogje Kavaje dhe e mbushni me llogje Moikomi.

    Reply to this comment
  2. Buzuku February 6, 14:04

    Hy!MASKARA! Pa tieter duhej te publikohej opinioni I mesiperm) Keta njerez te tejneveritshem te bejne me dhimbje koke. Driteroi do mbetet Enciklopedia e jetes sone!

    Reply to this comment
    • Plaku Xhuxhumaku February 6, 17:42

      Cfare ke qe leshon shkume nga goja or ti Buzuqi? Secili ka te drejte te kete mendimin e vet per njerezit dhe per ngjarjet, madje t’i thote me ze te larte. A nuk thoshte keshtu edhe Enver Bythoja, ustai i Driteroit. Po qe per MASKARA, ti kushedi je me shume se une. Driteroi mund te mbetet enciklopedia e nevojtores tende, se enciklopedia ime eshte tjeter gje.

      Reply to this comment
      • Dasti February 11, 08:40

        Postimi juaj nuk ka asnje vlere…..Duket qarte nga fjalori…
        Be se do te shpesh kontribut, Duhet te sjellesh argumenta.
        Edhe une pata fatin ta njoh Driteroin…He kujtoj vetem nje rast. ” Po kthehesha nga Shkodra – ishte kohe me shi- Nje Grua ne rruge me femije te Vogel ne djep ngriti doren – i thashe shoferit ndaloi- So tha ku ta veme me deep? E kaluam dhe u rregulluam me te new….” My ishte Driteroi E sa raste te tjera…..

        Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin