Kujtimet e ish ministrit të Bujqësisë (II)

September 21, 2017 11:55

Kujtimet e ish ministrit të Bujqësisë (II)

 

Rrëfimi i Mehmet Shehut mbi fatin e rreth 300 robërve italianë të ekzekutuar në Mallakastër dhe pushkatimin e shokut të tij të klasës dhe pushkatimin e shokut të tij të klasës. Vizita pas 30 vjetësh në Çorrush dhe në shtëpinë e tij të lindjes. Një takim i paharruar me Hysni Kapon në Dukat…

 (Vijon nga numri i kaluar)

Në atë takim Mehmet Shehu foli shumë ashpër për italianët dhe deklaroi me gojë të tij që “ju e dini se në shpellë të Lakuriqit në Kremenar, unë kam therur me dorën time 300 italianë”. Mu ngjeth mishtë, me këtë deklaratë. Megjithëse, mua më kishte treguar këtë Selam Karemani nga lagjja Bregas i Çorrushit, që fliste hapur me mua kur ishim vetëm dhe nuk gënjente kurrë.

Në vitin 1942, kur u bë lufta në Selenicë, italianët u dorëzuan dhe një italian kishte kërkuar ta çonin tek shtëpia e Mehmet Shehut. Ky e kishte shokë të akademisë dhe familja e tij e kishte mbajtur Mehmetin me muaj në mos me vite në shtëpi. Partizanët e marrin oficerin me një skuadër ushtarësh dhe e çojnë në Çorrush tek Shehu, që e dinte rolin e familjes së këtij italiani. Shehu e priti si djalin e tij deri sa erdhi Mehmeti, me të cilin u puthën e qafosën si u takon dhe atij i lindi shpresa se do ta shpëtonte shoku. Pas dy tre ditësh, vjen një letër nga Ballshi. Mehmeti urdhëron skuadrën të marrë italianët në një përrua pranë shtëpisë i vë në rresht dhe jep urdhër për zjarr. Partizanët, duke e ditur raportin e tij me oficerin, të gjithë i vrasin, oficerin, jo. Atëherë Mehmet merr pistoletën dhe e qëllon në ballë shokun e klasës dhe pastaj ulet në një gurë e vë duart në kokë. Vajti i ati, Shehu, e i thotë: ç’bëre more djalë, do të zërë buka që u ke ngrënë këtyre njerëzve, si e vrave shokun?! Ai, në lot e sipër i thotë të atit: i kam dhënë besën Yllit. Dhe ashtu si e parashikoi Shehu, në vitin 1981, Mehmet Shehu kryeministri i Shqipërisë për gati 30 vjet gjendet i vrarë dhe minimalisht as autopsia nuk ju bë po u varros si njeri pa identitet.

Këtë tregim të xha Selamit e dëgjova pas vitit 1990, kur Selami nuk jetonte më, nga të tjerë Corrushiot me të njëjtën përmbajtje.

Pasi u mbyll mitingu, që të jem i sinqertë, qe shumë entuziast, Mehmeti takoi shumë moshatarë, me të cilët këmbente shaka e kujtime nga periudha e luftës, pastaj vajtëm për drekë në një klasë të shkollës, në të cilën morën pjesë rreth 30 veta, të ulur këmbëkryq në shilte, që i kishim marrë nga familjet e Kutës. Dreka qe me shumë dashamirësi dhe në një moment Qani Myslymi, nga Kuta ja mori këngës: Mehmet Shehu, të na rrojë/ Popullit i tha me gojë/ Operacioni do shkojë …

Kënga vajti “gjym” dhe ai u kënaq shumë, saqë e hodhi kapelen republike në mes të sofrës dhe këndoi edhe vet. Në Mallakastër secili duhet të marrë mirësi me një gotë raki, kështu që edhe unë megjithëse isha nga fundi i shtëpisë, duhet të merrja, po të merrja me nivelin tim jo, me autoritete. Gjej me gotë shoqëruesin e Mehmetit, Ali Çenon, me origjinë nga Gjirokastra dhe rritur në Krujë. Ai rastësisht e kishte gotën bosh dhe këtë e pa shefi i tij që i tha: “Të gjeti jo në gatishmëri!”

Qeshëm!…

Vazhdoi dreka pa ndonjë gjë të veçantë, veç përsëri diskutuam një temë bujqësore dhe unë si i ri e kundërshtova nga ana teknike e përsëri më thotë: ik ore, se ju për dhi dini. Pas drekës ai iku në Çorrush ndërsa Pirro Gusho pushoi tek dhoma ime. Unë çuditesha me Pirron se para kryeministrit rrinte si ato nuset në kohë të Turqisë para vjehrrit dhe këtë ia thashë Xhevatit, me të cilin bisedoja pa droje. Xhevati më thotë që e ka nga periudha e luftës këtë respekt, po koha tregoi se të tjera arsye e detyronin të rrinte ashtu.

Në Çorrush filloi takimi me banorët, që kishin mbushur lëndinën pranë shkollës, me burra, gra fëmijë, të rinj e të reja, të pa organizuar për të ardhur, po kishin ardhur vet. Në Çorrush në këtë kohë përgjegjës sektori ishte Tafil Velikaj, nga një lagje e fshatit me emërin Shullënjas, i cili nga partia shikohej si me dyshim se i ati nuk e kishte përkrahur luftën, bile dashakeqësit thoshin që e ka luftuar atë.

Në presidium ishte Naimi, si kryetar dhe Xhevati e të tjerë kuadro. Mbledhjen duhej ta drejtonte Naimi. Po ai vazhdoi të ishte i bllokuar nga të folurit dhe përsëri krijohet një situate që askush nuk mund të ndërhynte. Mehmeti i thotë dy herë Naimit të drejtonte mbledhjen, po ai heshte. Mehmeti u revoltua dhe thotë: “ka një djalë nga Çorrushi të drejtoj mbledhjen apo jo?” Xhevati ndërhyri menjëherë, që ishte dashamirës për Tafilin dhe i thotë: “kemi përgjegjësin e sektorit, – dhe thirri Tafilin, që erdhi në presidium e Naimi iku e rrinte më këmbë mbrapa.

– I kujt je ti? – i tha, kryeministri?

– I filanit, – i tha Tafi li.

Atëherë Mehmeti thotë: – Babai i këtij nuk ka qenë me armë në dorë në luftë, po ne jo vetëm nuk na ka penguar, por edhe na ka ndihmuar. Po si janë punët në fshat, krijohen situata të pa qenë, kështu që, më bëhet qejfi, që ky djali është përgjegjës sektori.

Tafili filloi të drejtoj mbledhjen me shumë kompetencë, duke dhënë e ndërruar fjalën folësve. Në fund e mori fjalën edhe kryeministri, që u kujtoi bashkëfshatarëve vuajtjet e luftës, përpjekjet për ngritjen e ekonomisë, foli gjatë kundër Bektash Haxhiut, personit që sipas xha Selamit e kishte çuar në shkollën teknike Mehmetin.

Para darkë unë u them dajove të Mehmetit, që ishin për darkë, që të gjejnë mënyrën të më ndihmonin të transferohesha nga Kuta. Ata, si mjeshtra të zakonit, në një moment marrin një mirësi për mua dhe thonë: “po e marrim këtë mirësi për këtë djalin nga krahina jonë, që të vazhdoj të ketë suksese, po edhe këta Mallakastriot, të mendojnë se na duhet edhe ne, se shtëpia nuk mbahet me miell hua”.

Mehmeti mori gotën, u mendua ta pijë apo jo, për arsyet që dihen dhe pastaj vendosi ta pijë, edhe t’u përgjigjej edhe dajove dhe thotë: “Ta gëzojë Hasani, pa për atë tjetrën ne mallakastriotët jemi mësuar me miell hua”.

Kjo i vu kapak punës së transferimit tim edhe dy vjet të tjera.

***

Në vitin 1973, kalon për në Gjirokastër Hysni Kapoja dhe njofton kuadrot e takohen në Fratar, qendër e lokalitetit. Mua nuk më njoftoi njeri e nuk kisha si të vija. Kur u kthyen ata, na njoftuan se kishin marrë miratimin e Hysni Kapos, për ngritjen e shtëpisë së Mehmet Shehut, në vendin ku kishte qenë e ishte rrënuar. Pirro Gushoja, sa mori miratimin, autorizoi ndërmarrjen e ndërtimit të Uzinës së Ballshit, që nga fondet e saj të viheshin në dispozicion të kësaj shtëpie dhe të gjitha kooperativat e zonës morën përsipër detyra të veçanta, po detyra kryesore, na u la neve.

Në takimet e punës në Fier, Pirua thërriste edhe mua së bashku me kryetarin e sekretarin. Ne përballuam nxjerrjen dhe transportin e gurit të zi nga vendi i quajtur Përroi i Zi, në fshatin Ninësh, në një vend të pjerrët, me transport në krahë deri në qendër të fshatit. Kooperativistët tanë e dinë ç’kanë hequr, sidomos kur u transportua guri i portës oborrit, rreth 4 m i gjatë. Skalitësit e gurit ishin nga Opari, mjeshtër të përpunimit të tij. Në momentin e vizitës së Mehmetit punimet ishin në fazën e xokolaturës.

Më datën 1 shtator 1974 ne u ngritëm shumë herët së bashku me Fiqreten, ndërsa Mehmeti fl inte në shkollë dhe, sipas gruas së tij çuditërisht jashtë orareve, që ai ngrihej në mëngjes. Duke ndenjur para shkollës, Fiqretja më pyeti mua për kufijtë e kooperativës. Ja tregova: fillon nga Poçemi, vete në Kremenar, në Fratar, në Bejar, në Krahës dhe pastaj në Kalivaç.

– Qenka goxha e madhe, – thotë Fiqretja. Unë shfrytëzova rastin dhe i them: “Kini të drejt, ekonomia është e hapët shumë, por më e keqja është që ne na thërresin në mbledhje në Fier dhe ne, një ditë e humbasim që vemi, se një autobus ka Fratar – Fier, një ditë, që rrimë në mbledhje po nuk kthehemi dot se autobusi niset vetëm në mëngjes. Kështu që për një mbledhje harxhojmë tre ditë, kur ushqimorja në Fier shtrihet na katër ha dhe ka në përdorim dy makina të vogla”.

Heshti, por kuptoi që ekonomive, për punën u duheshin makina e jo për luks. Kështu në muajin tetor të 1974, doli vendimi i qeverisë, që kooperativat mund të blejnë makina të vogla për punën e drejtuesve. Pra me një ndërhyrje, u zgjidh një problem për gjithë vendin. Duke bërë këtë diskutim, përsëri Fiqretja më pyet:

– Je i martuar?

– Po, – i them.

– Po ku e ke familjen?

– Në Dukat, – i them.

Myrteza Sinoimeri më thotë: – Po mirë pse nuk e merr familjen këtu?

Menjëherë hidhet Xhevat Merkaj e i jep përgjigje: “Nuk e ka bërë ndonjë tjetër që ta bëjë edhe Hasani këtë”.

Xhevati e pati me ironi për Myrtezain, që edhe ti e ke familjen në Tiranë, pse nuk e sjell në Fier. Myrtezai e kuptoi edhe heshti.

Kur Mehmeti u ngrit nga gjumi vajtëm tek shtëpia e tij, e ai bëri të paditurin e pyet:

– Kush po e bën shtëpinë time?

-Ne, – i tha Xhevati, po i kemi marrë leje shokut Hysni vjet.

– Aaa… i kini marrë leje shokut Hysni?

– Po, – i thanë të gjithë. – E po mirë vazhdojeni, po këtë po e bëni si kala, unë shtëpinë e kam pasur si gjithë çorrushiotët me gurë të zakonshëm.

Xhevati i afrohet Fiqretes dhe i thotë me zë të ulët: – Thuaj ndonjë fjalë ti, se po na urdhëroi ta prishim nuk e bëjmë dot më.

Gratë kur duan, të nxjerrin në “selamet”.

Fiqreti thotë: – Shoku Mehmet, kjo me të vërtetë është shtëpia e jote, po ky muze do të bëhet i Mallakastrës së sipërme, prandaj të bëhet kështu që t’i rezistojë kohës.

– Kështu thua ti Fiqret?

-Po, – i tha prapë ajo.

Në këtë çast thirri projektuesin e fi lloi t’i tregonte detaje nga shtëpia, që i di vetëm ai që ka banuar më mirë se çdo arkitekt. Projektuesi mbante shënime, që u zbatuan qind për qind. Pas kësaj më drejtohet mua e më thotë: “Në këto ullishte Shehu mbillte patate, perime, tërshërë, grurë, elb, thekër”.

E unë prapë, kokë mushkë, i them: “Për perime jam dakord, ndërsa për drithëra nuk shkon se kanë kërkesën në një kohë për ujë me ullirin”.

– Ik more, më thotë, – se ju për dhi dini!

E unë prapë: – Shoku Mehmet është hera e tretë, që më thoni për dhi di ti, po mua do të më krijohet një telash, se do të vete në brigadë të jap porosi teknike e do të më thonë fshatarët, ikë ore se për dhi di ti, se kështu tha edhe kryeministri.

Ai, jashtë natyrës së tij dhe në sy të të gjithëve më mori për qafe e më shtrëngoi fort. Kjo ishte dhe përgjigja për gjithçka kishte thënë e i mbylli gojën e kujtdo, që mund të më thoshte ndonjë gjë.

Vajti për mëngjes tek një kushëri i tij, ndërsa ne ikëm dhe pritëm ta përcillnim në vendin e quajtur bregu i Shehut. Atje u përshëndoshëm me të gjithë, po kur vajta tek makina BC, me të cilën udhëtonin djemtë, tek këmbët e pasagjerëve pashë dy automatikë Kallashnikovë dhe shumë municion tek dyshemeja e makinës. U habita, po nuk i thashë kujt. Pasi u larguan ata, shikojmë që na dolën tre zisa me ushtarë të gardës, që kishin ndenjur gjithë natën kodrave të fshatit. Edhe kjo përsëri qe një habi për mua.

***

Me Xhevatin ikëm në dhomë e unë të nesërmen, do të ikja në Vlorë, se më datën 28 gusht më kishte lindur djali i madh, po unë nuk mund të ikja në atë situatë që isha. Ika më datën 2 shtator. Kryeministri sa iku nga ne vajti në Fier dha alarmin për ushtrinë dhe rezervistët, që t’i shikonte Beqir Balluku që ishte i internuar në Roskovec. Komandant i stërvitjes ishte Mehmet Shehu, komisar Hysni Kapua.

Më datën 14 shtator 1974 kunati im, Qemal Mëhilli, bëri drekë, me që kishte lindur djali i parë imi, që emrin ja kishim vënë Ismail, në emër të babait. Veç meje dhe gruas kishte ftuar edhe babanë tim edhe vëllain e Vlorës, Arizin, ndërsa nga njerëzit e tij kishte plotë. Me që unë kisha motorin, sa të vinte ora e drekës vajtëm në fshat me Qemalin, se kishte vdekur Mehmet Bodua, e na duhej të bënim një ngushëllim. Vajtëm, mbaruam punë, po kur kthehemi shikojmë tek Dervish Metja, kushëriri i parë i Qemalit, vëllai i dëshmorit Hasan Mëhilli, vrarë në përpjekje me gjermanët në hyrje të Pogradecit, nga Qaf Thanë, një tufë me makina.

– Ou uu, – tha Qemali, – do të jetë Hysni Kapua.

Pritëm aty dhe kur Hysniu erdhi drejt shtëpisë pyeti, e kujt ishte kjo shtëpi e, kur i thanë e djalit të Sinan Aliut, me të cilin njihej dhe e lidhte edhe një lidhje e largët nga Bolena, tha do të kthehem të pi një kafe këtu. U kthye me gjithë eskortë dhe i shoqëruar nga Vito Kapoja e shoqja, Gaqo Nesho, sekretari i parë i Vlorës me të shoqen, që ishin baxhanak me Hysniun. Arizi mbrapa grupit, po pranë shumë Hysniut, i cili po ngjitej lartë, kur, në krye të shkallëve doli babai ynë. Shoqëruesi i degës së Vlorës i thotë Hysniut dajua i Halim Xhelos. Hysniu e pa me bisht të syrit dhe kur vajti tek im atë i thotë:

– Ismail, si je?

Pra la të kuptonin shoqëruesit që këtë e njoh vet nuk ka nevojë për paralajmërim. U futëm brenda dhe Qemali filloi prezantimin. Unë isha nga fundi, se isha më i vogëli nga pjesëmarrësit dhe më prezanton mua: “Kunati im agronom në Kutë -Çorrush”.

– Ouuuu, thotë Hysniu, tek ju ka qenë shoku Mehmet dhe ka mbetur shumë i kënaqur nga arritjet tuaja dhe erdhi në stërvitjen, që bëmë shumë optimist.

Unë iu përgjigja me formulën standard, që nën udhëheqjen e partisë kemi arritur disa rezultate..

Më ndërpreu. – Çfarë partie më thua, pse s’ka qenë partia atje përpara? Po është puna dhe sakrifi ca juaj, që e ka çuar ekonominë në këto nivele dhe për këtë edhe unë ju falënderoj.

Baballarët si të gjithë baballarët, shfrytëzoi rastin e i thotë, që qenka i mirë për botë, po jo për mua.

– Pse ti Ismail do që të vijë në Vlorë?

Hidhet Vitua: “Të vijë në Dukat, shoku Hysni”

– Rri moj Vito se nuk i di mirë punët ti, po ky të qëndroi kudo se kudo do t’i vlerësohet puna më mirë nga këtu.

Unë shfrytëzova rastin se kisha dëgjuar që Gaqo Neshua nuk e donte Mënon dhe u them: shoku Hysni, keni plotësisht të drejt, se unë jam i 13-ti agronom nga Dukati, po ky që është këtu, është më i miri ndërmjet nesh. Ka njerëz, që për arsye banale, nuk e pëlqejnë.

– E shikon moj Vito, – i thotë Hysniu.

Kalemja (ime motër) u nis të bënte kafen dhe shoqëruesi u nis prapa për kontroll, por kur Hysniu e pa, i tha Kalemes:

– Bëje pa sheqer, ndërsa ti mos ec atje, se nuk më gjen gjë mua këtu, të jesh i sigurt.

Piu kafen dhe megjithëse ju lutën për të qëndruar me që edhe dreka ishte e ngrehur, por nuk qëndroi.

Natyrisht pas kësaj vizite, dreka u bë me më qejf nga pjesëtarët dhe sidomos nga njeriu me humor fantastik Dervish Metja, kushëriri i parë i Qemalit, që me babanë, megjithëse të kundërt në bindje, shakanë nuk e ngatërronin kurrë me bindjet që kishte secili dhe asnjëherë nuk e rëndonin njeri tjetrin për këtë. Kur çova babai me motor në shtëpi më thotë: “kur dalin këta në miqësitë e vjetra, diçka u “shfrynë” në Tiranë, se çfarë do të kenë, nuk e marr vesh”. Ato u morën vesh shumë shpejt kur dolën grupet “armiqësore” njëri pas tjetrit. Kështu që edhe babai e kuptoi që diçka nuk shkonte.

***

Në fillim të vitit 1975, u godit grupi “armiqësor” i naftës. Kur Pirro Gushoja, kuptoi që do të përjashtohej nga partia, do të burgosej, e do të telendisej nga njerëz pa moral, që deri dje i kishin fshirë këpucët. Do të dilnin tani t’i jepnin mend. Prandaj me dinjitetin, që kishte, vajti në shtëpi dhe vrau veten.

Menjëherë pas këtij akti u ndëshkuan ata që mendoheshin se ishin “beniamin” e tij, në një kohë që ai vetëm servilët nuk mbante afër. Intrigantët iu futën kësaj pune dhe në bujqësi, u shkarkua nga kryetar kooperative në Hekal Gani Kapaj, kryetarë që e kishte çuar kooperativën ndër më të mirat në rreth. Me që ishte anëtarë i byrosë së rrethit e shkarkuan. Të njëjtën gjë desh të bënin me Teki Aliajn, kryetar i kooperativës bujqësore të Cakranit me 17.000 banor. Ai e gjeti kooperativën në vitin 1971 me 50 lekë për ditë pune dhe e çoi në 140 lek. Por ishte edhe ky anëtarë i byrosë me Pirron, prandaj duhej hequr dhe duhej të vazhdonin masat më tej. Në aktivin e partisë së Cakranit ngrihet nga të parët Luan Muhameti, kryeagronom i kooperativës me origjinë nga Vlora dhe diskuton një orë e gjysmë e rrëzon të gjithë opinionin negative për Tekiun. U mjaftua vetëm me shkarkimin dhe kthimin kandidat partie, po nuk e çuan në burg. E përkrahu Siku Prifti – drejtori i fermës së Levanit. Si i mençëm që ishte, kur të tjerët e refuzonin Tekiun për kuadro në ekonomitë e tyre sepse do të “ruanin” partinë nga “armiqtë” Siku e bëri përgjegjës sektori të perimeve, sektor që mbyllte të gjitha defi citet e fermës në aktivitete të tjera.

(Fund)

September 21, 2017 11:55
Komento

7 Komente

  1. Dashamiresi D. September 21, 15:17

    Me te verteta- krijohet bindia !
    Keto realitete na duhen qe te veme gishtin ne “I”.
    Autori gjithnje simpatik ka qene…
    Te lumte sh Hasan Halili !
    Dashamiresi.D.

    Reply to this comment
  2. ELIOT September 21, 18:49

    E akoma MEHMETI BOLSHEVIKET KRIMET QE BENE ……. AKOMA DHE AKOMA … …HARROJINI KETO BARBARE ……ISHIN DISA COBANE KRIMINELA QE VRANE TE PAFAJSSHEM …..MEHMETI NE FSHATAR QE JU BE MENDJA LLALLE …. MJERE SHQIPTARET NGA KUSH I KOMANDUAN ….MJERE …TRIM HA HA HA HA HA NJE MIJE QE EDHE ENVERI SE VRAU DOT ….

    Reply to this comment
  3. demo September 21, 23:14

    Te paska duruar shume Mehmeti!

    Reply to this comment
  4. demo September 23, 16:41

    Paske shpetuar mire o Hasan,.Ta kishe kruajtur keshtu me Enverin,sot nuk do shkruanje kujtime..Do ishe ne greve urie per parate e burgut.

    Reply to this comment
  5. realisti September 23, 22:44

    Arroganca e pushtetarit duket qarte. Drejtimi i shtetit jo ne baze te aftesive dhe cilesive personale, por te lidhjeve farefisnore ku tegjithe pushtetaret kishin lidhje krushqie apo gjaku midis tyre. Ku daja i filanit vellai i fistekut, kusheriri i ketije apo i atije dhendrri apo kunati ishin gjithmone ne drejtim dhe ne vendimarrje edhe kjo shprehet qarte, Artikull shume i mire per te kuptuar se ai mentalitetet i atehershsem ka mbetur i pa ndryshuar edhe sot qe flasim. Si dje edhe sot pushtetari shqiptar i di te gjitha dhe nuk ka nevoje per bashkepunetore te zot dhe te afte por i duhen njerez besnik te lidhur me kryetarin me nyjet e pa zgjidheshme te kodeve fisnore para te cilave ligji dhe shteit nuk kane asnje vlere

    Reply to this comment
  6. Arian Sinoimeri October 2, 18:42

    Përshëndetje Z. Hasan Halili.

    Unë jam Arian Sinoimeri, i biri i z. Myrteza Sinoimeri të cilin ju e cilësoni në kujtimet tuaja të botuara në gazetën “Dita”, në datat 20 dhe 21 Shtator 2017, nga të cilat po veçoj sa më poshtë:
    …..
    Duke bërë këtë diskutim, përsëri Fiqretja më pyet:
    – Je i martuar?
    – Po, – i them.
    – Po ku e ke familjen?
    – Në Dukat, – i them.
    Myrteza Sinoimeri më thotë: – Po mirë pse nuk e merr familjen këtu?
    Menjëherë hidhet Xhevat Merkaj e i jep përgjigje: “Nuk e ka bërë ndonjë tjetër që ta bëjë edhe Hasani këtë”.
    Xhevati e pati me ironi për Myrtezain, që edhe ti e ke familjen në Tiranë, pse nuk e sjell në Fier. Myrtezai e kuptoi edhe heshti.

    Im atë ka nderuar jetë në muajin Qershor të vitit 2016. Në këto kushte, une kam detyrimin moral që t’ju bëj me dije juve, dhe të gjithë lexuesve të mundshëm të kujtimeve tuaja, që interpretimi që ju keni bërë në tekst për fjalët e Xhevat Merkaj ndaj babait tim, gjatë vizitës së Mehmet Shehut në Çorrush është tërësisht i gënjeshtërt. Uroj të jetë gabim, dhe jo qëllim. Dhe nuk ka asgjë më të keqe se gënjeshtra, veçanërisht ndaj atyre të cilët e kanë të pamundur t’ju japin përgjigje.
    Në këto kujtime të botuara, ju cilësoni që kjo bisedë është zhvilluar në datën 1 Shtator 1974. Ndërkohe, familja ime (babai, nëna, unë dhe ime motër), menjëherë pas transferimit të babait nga Tirana në Fier, duke filluar nga gjysma e parë e vitit 1971, deri në vjeshtën e vitit 1977, kemi jetuar familjarisht në këtë qytet. Në Shtator të vitit 1971, unë jam rregjistruar dhe kam filluar studimet në vitin e dytë të gjimnazit “Janaq Kilica”, të cilin e kam përfunduar në Qershor 1974, për të vijuar më tej studimet universitare (1974-1978). Dhe ky nuk është një argument i vetmuar. Ka shumë të tillë, të cilët ju duhet detyrimisht ti kishit identifikuar dhe vlerësuar, dhe të mos i kishit lënë në dorë vetëm të kujtesës suaj. Kështu nuk do të kishit lejuar shkrimin dhe publikimin e të pa vërtetave, të cilat tërësisht i bëjnë dëm shkruesit të tyre.

    Reply to this comment
  7. Arian Sinoimeri October 2, 18:48

    Përshëndetje Z. Hasan Halili.

    Unë jam Arian Sinoimeri, i biri i z. Myrteza Sinoimeri të cilin ju e cilësoni në kujtimet tuaja të botuara në gazetën “Dita”, në datat 20 dhe 21 Shtator 2017, nga të cilat po veçoj sa më poshtë:
    …..
    Duke bërë këtë diskutim, përsëri Fiqretja më pyet:
    – Je i martuar?
    – Po, – i them.
    – Po ku e ke familjen?
    – Në Dukat, – i them.
    Myrteza Sinoimeri më thotë: – Po mirë pse nuk e merr familjen këtu?
    Menjëherë hidhet Xhevat Merkaj e i jep përgjigje: “Nuk e ka bërë ndonjë tjetër që ta bëjë edhe Hasani këtë”.
    Xhevati e pati me ironi për Myrtezain, që edhe ti e ke familjen në Tiranë, pse nuk e sjell në Fier. Myrtezai e kuptoi edhe heshti.

    Im atë ka nderuar jetë në muajin Qershor të vitit 2006. Në këto kushte, une kam detyrimin moral që t’ju bëj me dije juve, dhe të gjithë lexuesve të mundshëm të kujtimeve tuaja, që interpretimi që ju keni bërë në tekst për fjalët e Xhevat Merkaj ndaj babait tim, gjatë vizitës së Mehmet Shehut në Çorrush është tërësisht i gënjeshtërt. Uroj të jetë gabim, dhe jo qëllim. Dhe nuk ka asgjë më të keqe se gënjeshtra, veçanërisht ndaj atyre të cilët e kanë të pamundur t’ju japin përgjigje.
    Në këto kujtime të botuara, ju cilësoni që kjo bisedë është zhvilluar në datën 1 Shtator 1974. Ndërkohe, familja ime (babai, nëna, unë dhe ime motër), menjëherë pas transferimit të babait nga Tirana në Fier, duke filluar nga gjysma e parë e vitit 1971, deri në vjeshtën e vitit 1977, kemi jetuar familjarisht në këtë qytet. Në Shtator të vitit 1971, unë jam rregjistruar dhe kam filluar studimet në vitin e dytë të gjimnazit “Janaq Kilica”, të cilin e kam përfunduar në Qershor 1974, për të vijuar më tej studimet universitare (1974-1978). Dhe ky nuk është një argument i vetmuar. Ka shumë të tillë, të cilët ju duhet detyrimisht ti kishit identifikuar dhe vlerësuar, dhe të mos i kishit lënë në dorë vetëm të kujtesës suaj. Kështu nuk do të kishit lejuar shkrimin dhe publikimin e të pa vërtetave, të cilat tërësisht i bëjnë dëm shkruesit të tyre.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*