Rikthehen hetimet për Bleona Matën, dyshime për një rrjet trafikimi

Redaksia Online April 1, 2013 10:00

Rikthehen hetimet për Bleona Matën, dyshime për një rrjet trafikimi

Familjet Isa dhe Mata në Zapod të Kukësit janë në qendër të vëmendjes së opinionit që prej mesditës së djeshme, kur u arrestua 20-vjeçari Begzim Isa, i cili akuzohet për rrëmbimin e një 8-vjeçari, për qëllime trafikimi.  Ndërsa nëna dhe vëllai i 20-vjeçarit kanë protestuar sot para policisë, duke ngulur këmbë se arrestimi është i padrejtë, familja e Bleona Matës vazhdon të jetë dyshuese për përfshirjen e tij në zhdukjen e vajzës së vogël pak vite më parë.

Ndërkohë, në polici është shoqëruar edhe kushërira e  Bleona Matës, Qamilja. Vajza ka qenë personi i fundit që ka parë Bleonën ditën që u zhduk dhe nëna e Bleonës, Bukuria, ka kërkuar gjithmonë me këmbëngulje hetimin e saj, si personi mbi të cilin binin të gjitha dyshimet. Dyshimet për Qmilen përforcohen edhe nga fakti se ajo është mbesa e Begzim Isës.

“Unë kam tre vite që po e them me zë të lartë  se Qamilja  e di të  vërtetën e vajzës sime  dhe ajo ka lidhje  në zhdukjen e Bleonës. Qamilja ka pasur lidhje intime  me Begzimin. Policia dhe Prokuroria  tani kanë në dorë  fatin e Bleonës. Ti ballafaqojnë që të dy  dhe të tregojnë se kujt ia shitën. Unë besoj se vajza ime është gjallë. Qamilja më ka borxh jetën se ma shkatërroi, thotë nëna e Bleonës.

Një ndër vajzat që kanë qenë me Bleonën ditën që u zhduk është edhe halla e saj. Gjyshi i Bleonës thotë për GSH se nëse vajza e tij ka gisht në zhdukjen e vogëlushes, do ta vrasë atë me dorën e vet. “Qamilja është e  mbesë  në shtëpinë e Besim Bizgës. Gjithçka mund të ndodhë, por  Qamilja mund të ketë  rënë pre  e ndonjë mashtrimi nga i riu Begzim Isa. Nëse vajza ime ka gisht në zhdukjen e Bleonës dhe ka dijeni, unë me dorën time do t’i jap dhjetë plumba kokës, për tre  vitet që ka humbur Bleona”- pohon gjyshi i Bleonës. Sipas policisë tashmë ka të dhëna të sakta  për ekzistencën e një rrjeti  trafikimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Greqisë. Një tjetër fakt që shton dyshimet e përfshirjes së 20-vjeçarit Isa në këtë rrjet është edhe fakti se ai ka studiuar për infermieri në Kosovë.

 

Rrëmben një fëmijë për ta trafikuar, dyshime se ka gisht në zhdukjen e Bleona Matës

31 mars – Rrëmbimi i një fëmije 8-vjeçar në Zapod të Kukësit hap dyshimet për zhdukjen e Bleona Matës. Familja e 5-vjeçares së zhdukur tri vjet më parë në këtë fshat kanë dyshime se rrëmbyesi i fëmijës 8-vjeçar mund të jetë i përfshirë në zhdukjen e Bleonës. Gjyshi i Bleonës së vogël, Zenel Mata, thotë se Begzim Isa mund të ketë gisht në rrëmbimin e mbesës së tij. Mata e bazon dyshimin e tij në ngjashmërinë fizike që ka 20-vjeçari me një person që është parë në fshat ditën kur u zhduk Bleona.

“Kemi dyshime se mund të jetë i përfshirë në rrëmbimin e Bleonës. Gruaja ime ka parë një person që i ngjan atij, ditën që humbi Bleona”, thotë Zenel Mata.

Bleona Mata u zhduk pasditen e 22 majit të vitit 2010, teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit. Policia dhe banorët e zonës kërkuan për orë të tëra nëpër mal, por nuk gjetën asnjë gjurmë të vajzës dhe që prej asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e vogëlushes. Fillimisht dyshimet ranë mbi disa vajza të reja që ishin me Bleonën në momentin e zhdukjes (mes tyre edhe halla e saj), por hetimet e policisë dhe prokurorisë nuk mundën të provonin asnjëherë se ato kishin dijeni mbi ngjarjen. Gjyshja e Bleonës tha në atë kohë se kishte parë një person që nuk ishte banor i fshatit. Nëna e Bleonës vazhdon kërkimet për të bijën edhe sot, pa i humbur për asnjë moment shpresat se do ta gjejë një ditë.

 

Kukës, një 20-vjeçar rrëmben një fëmijë për qëllime trafikimi

Fshati Zapod në Kukës rikthehet sërish në qendër të vëmendjes për një rast trafikimi fëmijësh. Një 209-vjeçar ka rrëmbyer një fëmijë 8 vjeç, me qëllim trafikimin e tij jashtë Shqipërisë. Begzim Isa ka gënjyer fëmijën me iniciale A.F në qendër të fshatit dhe më pas e ka rrëmbyer për ta nxjerrë jashtë kufijve në këmbim të parave. Të alarmuar nga zhdukja e fëmijës, prindërit kanë denoncuar ngjarjen te policia, e cila ka nisur menjëherë kërkimet. Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se fëmija në momentin e gjetjes nga uniformat blu ka paraqitur shumë probleme psikologjike, duke deklaruar se rrëmbyesi e ka kërcënuar atë me pistoletë. Rrëmbyesi është vënë në pranga, ndërsa fëmija po ndiqet nga një psikolog, për të kaluar traumën e rrëmbimit.

 

Redaksia Online April 1, 2013 10:00
Komento

2 Komente

  1. Marin March 31, 15:42

    Dihet, se krimineli kthehet nje dite ne skenen e krimit.

    Reply to this comment
  2. Babai i vertete i Dardanit April 1, 10:14

    Djali eshte 19 vjec tani. Para tre vjetesh ka qene 16 vjec. Jeni duke thene qe nje 16 vjecar eshte pjese e trafikimit te femijeve? Po mire more njerez si guxoni e i provokoni njerezit ne kete fare feje ? Policia e Mulit dhe Prokuroria e Dhalles. 😛

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*