Kukësi e bën rrugë me Tiranën, mundet edhe Vllaznia

Dritan Ikonomi November 5, 2012 11:35

Kukësi e bën rrugë me Tiranën, mundet edhe Vllaznia

Skuadra e Cungut fiton në “Qemal Stafa”, bardheblutë ndryshojnë trajnerin por jo fatin e tyre përballë verilindorëve. Shkodranët humbin shansin t’i afrohen Skënderbeut dhe zbresin në vendin e katërt me golaverazh më të keq se Besa e Kukësi

 

Dritan Ikonomi

Barazimi i Skënderbeut në Kavajë u duk si lajm i mirë për kampionatin, por pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve të javës së nëntë duket se të fituarit kanë qenë pikërisht kampionët. Tashmë diferenca midis tyre dhe vendit të dytë është rritur në gjashtë pikë, falë atij barazimi dhe humbjes së djeshme të Vllaznisë në Durrës, kundër Teutës. Shkodranët kishin mundësinë ta shkurtonin deri në tri pikë diferencën, në rast se do të fitonin në Durrës, por ata që e bënë ishin pikërisht vendasit. Teuta mori maksimumin me një gol të vetëm, të shënuar nga Bledar Mancaku në minutën e 25-të, me një goditje të saktë me kokë. Durrsakët u treguan të saktë në mbrojtjen e rezultatit, duke i mohuar golin Vllaznisë, e cila u hodh e gjitha në sulm, sidomos në pjesën e dytë. Shkodranët dominuan në pjesën më të madhe të lojës dhe provuan me të gjitha mënyrat, por Rizvani dhe katërshja para tij ishin të pakalueshëm. Në fundin e kohës së rregullt, skuadra e Shpëtim Duros kishte një mundësi të mirë me anë te Deliç, i cili goditi traun, më pas ndërhyri menjëherë Bega që kërkoi një gol të pamundur, me roveshatë, pa pasur sukses. Në këtë mënyrë, Vllaznia mundet dhe nuk i afrohet Skënderbeut. Madje, ka humbur edhe vendin e dytë, për shkak të golaverazhit, të cilin Besa dhe Kukësi e kanë më të mirë.

 

Kukësi i pamposhtur

Kukësi i ka ulur kokën për herë të dytë Tiranës, duke e mundur 2-1 në “Qemal Stafa” në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të kampionatit, por ndërkohë i ka dhënë një paralajmërim të fortë edhe për ndeshjen e Kupës, të mërkurën. Në stolin bardheblu debutoi Alban Tafaj, por trajneri i ri i Tiranës nuk mundi të bënte më tepër se paraardhësi i tij, Artur Lekbello, ndonëse shifrat këtë herë duken më “të buta”. Skuadra verilindore zbriti në fushë e vendosur për të vërtetuar se fitorja në Kupë nuk ishte rastësi, duke iu vunë kundërvënë me forcë Tiranës. Bardheblutë kanë të tyret minutat e para dhe epërsinë territoriale, por nuk mundin të krijojnë raste, për shkak se kuksianët janë tepër të vendosur në mesfushë dhe mbyllin të gjitha hapësirat për Duron e Karabecin. Loja u nxeh në minutën e 18-të, kur një kontakt në ajër midis Pashajt dhe Popoviçit u cilësua si i mjaftueshëm për të dhënë penallti nga ana e gjyqtarit Enea Jorgji. Nga pika e bardhë gjuan Igli Allmuça, duke e çuar topin në rrjetën e Likës. Kukësi kryeson 1-0 dhe tifozët e ardhur janë në delir, ndërkohë që Tiranës i mungojnë përkrahja, pasi pjesa më e madhe e tifozëve ka vendosur ta bojkotojë. Miqtë marrin zemër dhe luajnë rrjedhshëm, ndërsa dyshja sulmuese e formuar nga Malindi e Popoviç, mbështetur edhe nga Progni, është përherë e gatshme të krijojë probleme në gjysmëfushën vendase. Tafaj hedh në lojë edhe Abilaliajn,l në vend të Çotës, dhe Tirana gradualisht rritet. E merr veten nga tronditja dhe e zhvendos lojën, por mbrojtja kuksiane nuk lejon hapësira. Mundësia më e mirë për të barazuar i vjen Abilaliajt në minutën e fundit të pjesës së parë, por vlonjati gjuan jashtë nga fare pranë, pas pasimit të Gilman Likës. E njëjta pamje, me sulme të vazhdueshme të Tiranës, shihet edhe në pjesën e dytë dhe goli vjen në minutën e 63-të, me anë të Likës, pas topit të marrë nga Duro. Tirana merr frymë lirisht dhe hidhen në kërkim të fitores. Ndërkaq edhe kuksianët, të mbështetur nga tifozë të shumtë, nuk mendojnë për barazimin, duke kërkuar maksimumin. Ia arrijnë kur Ylli Hoxha del në një kundërsulm të shpejtë nga e majta dhe me një gjuajte të fortë mposht për herë të dytë Ilion Likën. Tirana hidhet e gjitha përpara dhe kërkon golin e barazimit, por miqtë mbahen. Është përsëri Abilaliaj që ka mundësi të barazojë, pas një daljeje të gabuar të portierit Halilaj, por sulmuesi vlonjat vonohet shumë brenda zonës, duke lejuar që mbrojtësit t’i largojnë topin. Kukësi arrin një sukses të madh dhe falë tri pikëve të djeshme kapërcen Tiranën në renditje.

 

Barazon Tomori

Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Tomori nuk mundi të shkonte më larg se barazimi pa gola me Bylisin. Pika e marrë nuk i mjafton skuadrës së Kristaq Miles për t’u larguar nga vendi i fundit, duke mos shfrytëzuar mundësinë që iu dha pas barazimit të Apolonisë në Peqin. Tomori arrin barazimin e tretë radhazi, por, bashkë me fierakët, mbeten të vetmet skuadra që nuk e kanë shijuar fitoren në këtë kampionat.

 

6

Pikë është diferenca midis Skënderbeut dhe ndjekësve më të afërt: Besa, Kukësi e Vllaznia, që janë të gjithë në kuotën e 15 pikëve. Korçarët dalin të fituar nga barazimi me kavajasit.

 

0

Shifra në kolonën e humbjeve për Skënderbeun dhe Kukësin. Kampionët dhe debutuesit janë të vetmit që nuk janë mundur deri tani. E njëjta shifër është edhe në kolonën e fitoreve për Apoloninë e Tomorin.

 

2 000 000

Shifra në lekë, e vendosur si shpërblim nga presidenti i Kukësit, Safet Gjici, për fitoren me Tiranën. Skuadra e tij u motivua fort dhe bëri gjithçka për të marrë tri pikët, në fund edhe shpërblimin.

 

Mancaku

Ne kemi luajtur shumë mirë, por në dy ndeshje nuk kemi marrë pikët e plota. Na duhej kjo fitore, sepse ishte një trepikësh që na qetëson. Goli që shënova është një dedikim për të gjithë tifozët e Teutës. Ekipi ka pasur problem për pikët, ndaj lojërat nuk kanë qenë të mira. Shpresojmë të përmirësojmë dhe lojën tonë në vazhdimësi.

Dritan Ikonomi November 5, 2012 11:35
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*