KULISA PUSHTETI / Breshka e Ramës refuzon propozimin për ministre Arsimi

December 26, 2018 23:59

KULISA PUSHTETI / Breshka e Ramës refuzon propozimin për ministre Arsimi

TIRANË – Edhe pse në sipërfaqe gjithçka dukej sikur nuk lëvizte, disa kulisa të nëndheshëm pushteti kanë karakterizuar gjithë këto ditë qeverinë socialiste, njoftojnë burime tejet të shpejta. Mësohet se javën e fundit kryeministri Rama ka kërkuar në të gjitha drejtimet, kandidatë për të zëvendësuar ministren e Arsimit Lindita Nikolla, por gjithandej ka marrë veç refuzime.

Refuzimi i fundit erdhi nga breshka Kaliopi, e llojit Testudo hermanni që Rama mban në zyrë si këshilltare speciale shëndetësore anti-astmë.

Orët e fundit breshka në fjalë njoftoi përmes një deklarate për shtyp, se do të largohet nga posti i saj zyrtar për t’iu kushtuar më shumë familjes dhe çështjeve private.

“Breshka Kaliopi ka qenë e nderuar që i ka shërbyer kryeministrit Rama dhe popullit shqiptar për këto vite. Ajo i uron gjithë të mirat kreut të qeverisë, dhe njofton se do të largohet nga posti i saj pranë kryeministrit për t’u rikthyer në jetën private,” shkruan njoftimi për shtyp, mesa duket, i shkruar nga kolegu i Kaliopit, breshku Latif që punon edhe ai në zyrën kryeministrore.

Është me vend të kujtojmë se Kaliopi është një nga krijesat që kanë mbijetuar më gjatë politikisht pranë Edi Ramës, duke nisur karrierën e saj shumë vite më parë në bashkinë e Tiranës. Në profile të mëhershme mediatike, është nënvizuar se çelësi i jetëgjatësisë së saj politike kanë qenë lëvizjet e kursyera, të qenit fjalëpakë dhe kalimi i orëve pafund pranë eprorit, pa u ankuar.

Njoftimi vazhdon duke sqaruar se “zërat se breshka Kaliopi nuk po largohet me vullnetin e saj, por është pushuar nga puna pas një sherri të ashpër me Damian Gjiknurin, nuk janë të vërteta.”

  Këto çaste, mësohet se nga qeveria do të largohet edhe breshku Latif, i cili ka refuzuar postin e ministrit të Bujqësisë, duke i thënë Ramës: “Jo more! E bëri ministrinë mullar Niqi Peleshka dhe tani do ma ngecësh mua?”

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pro kafshëve shtëpiake

December 26, 2018 23:59
Komento

2 Komente

  1. Dashi December 26, 21:53

    Mos, ka ikur breshka e lemerisur. Deri ne shkurt besoj se del nga zyra e Ramallahut, pastaj fillon zbret shkallet

    Reply to this comment
  2. intelektuali December 27, 01:12

    Une per vete them se Breshkes Kaliopi do t’ja zeje vendin si Keshilltar prane Kryeministrit per mbarevajtjen e droges dhe kanabistit, per pastrim parash dhe fallsifikim dokumentash e vulash dhe vjedhje identiteti firmash per te kollofitur tendera qeveritare dhe ky eshte Zhapiku Zvarranik, Basho Ulaj

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*