Kulla dhe dritëhijet e Prek Calit

September 19, 2017 09:42

Kulla dhe dritëhijet e Prek Calit

 Nga Auron Tare

Deri më tani shkrimi më korrekt mbi debatin e fundit në lidhje me Kullën e Prek Calit është shkrimi i Arben Çokajt, i botuar dje në DITA.

Fatkeqësisht në këtë katundin tonë të vogël, zëri i sherrxhinjve që bërtasin është më i lartë.
Këto dy-tre ditë kam lexuar zërat e patriotëve të zakonshëm mediatikë që për kapital politik apo arsye të tjera, me një shpejtësi të habitshme, vrapojnë t’i hedhin benzinë në zjarrin e një debati totalisht të pakuptimtë.

Duke vrapuar të nxjerrin gjoksin në vijën e parë të paradës patriotike, shumë nga këta personazhe kur kishin mundësi apo ishin në pozita shtetërore, as që e kishin dëgjuar ndonjëherë emrin e Prekë Calit. Sot lexova një nga këta patriotë (të leshit) që vikaste nga “kulla” e tij mediatike se Prekës së shkretë ia prishën shtëpinë se ishte katolik.

Një marrëzi sigurisht, por edhe një ligësi e cila është mjaft e rrezikshme në kontekstin e kohëve të fundit ku ka një tendencë të dukshme të disa personazheve për një përçarje fetare mes shqiptarësh. Dhe imagjinoni se ky patrioti i (leshit) ka qenë një ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Kulturës, i cili kishte në dorë çdo gjë për ta rregulluar Kullën e Prekës nëse me të vërtetë i dhimbsej shpirti për këtë malësor të shquar në krahinën e tij.

Vikatjes së përçarjes politike dhe krahinore sigurisht i shtohen edhe zërat e zakonshëm nga Parlamenti, të cilët kanë kontribuar prej vitesh që shoqëria shqiptare të jetë e fragmentarizuar për ta pasur më lehtë në kontroll.

Ku ishin këta vikatës këto 27 vjet që ja lanë Kullën Prekës që t’i rrëzohej nga koha dhe harresa? Nëse me të vërtetë ju ka pas dhimbsur ky burrë i malësisë, t’ia kishin rregulluar Kullën para se të rregullonin Kullën e tyre pasi Kulla e Prekës ka qenë një simbol i mbrojtjes së kufijve të veriut dhe jo simbol i bashkëpunimit me armiqtë e Prekës.

Personalisht nuk kisha dëgjuar asnjëherë për Prek Calin deri kur në vitin 2008 shkova në Vermosh. Kam kujtimet më të mira nga banorët e asaj zone për mikpritjen e tyre tradicionale.

Mësova mjaft gjëra në atë vizitë të shkurtër dhe kam kënaqësi të rikthehem shpesh në atë zonë të bukur dhe madhështore. Për Prek Calin dëgjova më vonë nga bashkëmalësorët e tij të emigruar në shtetin e Michiganit, ku të grumbulluar rreth Kishës së Shën Palit në Rochester, ruajnë ende me fanatizëm zakonet e tyre.
Kam dëgjuar disa histori për Prek Calin nga këta malësorë dhe jam bindur se ai burrë ka lënë gjurmë të thella në ato vise, në veçanti për rezistencën që ju bëri malazezëve për çështjen e kufijve. Të gjithë malësorët binin dakord se kishte qenë Prek Cali, ai që kishte mundur (me aq sa i kishin lejuar rrethanat) ti ruante kufijtë aty ku janë sot.

Por historia e Prekës, ndalonte pak a shumë në këtë kohë. Kam mendimin se Preka si lider i kohës për ato krahina është përpjekur të mbijetojë në rrethanat politike dhe historike të kohës duke bërë paqe me Zogun dhe duke pranuar miklimet e italianëve të cilët shpërndanin para për blerjen e bajraktarëve të veriut.

Status quo me gjermanët është mjaft e kuptueshme në kontekstin historik të kohës nëse do të kemi parasysh faktin se për malësorët e veriut, armiku i tyre nuk ishte ushtria gjermane e cila nuk kishte asnjë qëllim pushtimi mbi Malësinë, por armiku tradicional shkjau. Pra, pranimi i ushtrive gjermane nga bajraktarët veriorë, përfshirë edhe Prekën, ishte e keqja më e vogël në rrethanat historike ku ata ishin të detyruar të mbijetonin.

Malësorët e tij megjithatë ndaheshin në një pikë mbi figurën e Prekës. Beteja e Tamarës atje ku (sipas disave) partizanët u goditën gjatë pushimit duke besuar se ishin në besë të malësorëve të zonës apo se kishin ardhur të digjnin zonën.

Ky moment i rëndësishëm për figurën e Prekës ha debat dhe do ishte mirë që të kishte një përqasje sa më të paanshme bazuar në deshmitë dhe dokumentet e kohës. Fakti që disa bajraktarë nuk morën pjesë në pritën e Tamarës dhe nuk ju përgjigjën kushtrimit për goditjen e partizanëve hedh dyshime mbi qëllimin e atyre që ngritën pritën.
Por të gjitha këto janë pjesë e historisë dhe duhen trajtuar si të tilla, aq më shumë për ata që kanë dëshirë të ngrenë figurën e Prekës.

Ndërkohë, debati për Kullën është një debat ligjor dhe administrativ i cili duhet trajtuar si i tillë dhe kurrsesi si një ringjallje rivendikimesh krahinore, apo aq më keq fetare.
Nëse Kulla ka pasur statusin e Monumentit të Kulturës, përgjegjëse për restaurimin e saj është vetëm Ministria e Kulturës, e cila me anë të IMK ndërhyn në bazë të një projekti të miratuar në Këshillin e Restaurimeve.

Nëse Kulla nuk ka pasur statusin Monument, atëherë hapi i parë në të gjithë këtë zallamahi duhej të kishte qenë marrja e Statusit dhe detyrimi ligjor që sjell ky status për rimëkëmbjen e Kullës.

Fati i mirë i kësaj Kulle dhe i Preng Calit është fakti se malësorët e tij nuk e kanë harruar dhe kanë dëshirë të rimëkëmbin Kullën dhe figurën e tij. Nëse Kulla do të merrte statusin dhe fondi ishte në dispozicion, Kulla e vjetër duhej të kishte shpëtuar dhe çdo gjë do të zhvillohej në logjikën normale pa ju dhënë dorën e lirë benzinhedhësve mediatik.

P.S si njeri që jam marrë me trashëgiminë kulturore për një kohë të gjatë, jam kategorikisht kundër prishjes së Kullës së vjetër me idenë e ndërtimit të një Kulle të re moderne dhe aq më shumë 3 kate. Kjo e bën Kullën e Prekës të pavlefshme duke e nxjerrë jashtë kontekstit historik dhe jashtë çdo lidhje me figurën e Prekës. Kulla duhej të restaurohej në mënyrën sa më profesionale të mundshme, duke e rikthyer atë në identitetin e saj dhe duke i dhënë frymën dhe lavdinë e dikurshme të një njeriu i cili edhe me dritëhijet e jetës së tij, ia vlen të kujtohet.

 

September 19, 2017 09:42
Komento

8 Komente

  1. Arber I September 19, 10:10

    Autori eshte marre vertet me trashegimine kulturore, si i tille duhej ta verifikonte faktin nese kulla e kolaboracionistit me pushtuesit e Shqiperise (cetnike sllave fashiste italiane e naziste gjermane, Prek Cali, ishte konument kulture apo jo, pastaj te hidhte ne botim nostalgjine e tij nga mishi i pjekur dhe uji i lehte i Tamares.

    Reply to this comment
  2. Dasho September 19, 10:52

    Artikull tamam profesional dhe i ekujlibruar per te mos cenuar vlerat.

    Reply to this comment
  3. Roda September 19, 10:55

    Artikull profesional e mire informuar. Keshtu eshte kur flasin specialistet.

    Reply to this comment
  4. Nero September 19, 14:17

    Mendoj se Auron Tare ka bere nje analize te paaneshme ne lidhje me Prek Calin si dhe ceshtjen e kulles.

    Sic e thote edhe autori, historia eshte histori, dhe ne shipetaret duhet te mesojme te analizojme si periudhat historike ashtu edhe figurat qe kane dhene kontribut ne keto periudha me te mirat dhe te keijat e tyre, se kemi tendencen te jemi te njeanshem per cdo gje si te majtet ashtu edhe te djathet

    Reply to this comment
  5. lili September 19, 15:40

    edhe mire informuar ,thoni ju?
    a eshte aq e veshtire me pyet ne ministrine e kultures a ishte a jo monument kulture kjo kulle, para se me be kete artikel, sidomos per nje specialist qe nuk kishte degjuar kur per Prek Calin, cka tregon se cfare specialist eshte!?

    Reply to this comment
    • auron September 20, 08:59

      Kulla nuk ka qene monument kulture. kjo e verifikuar. e dyta prona eshte ende prone shteterore pra nuk ka asnje status pervec se prone shteterore.

      Reply to this comment
  6. K.V. September 19, 16:07

    Me poshte statusi i plote i mikut tim virtual ne Fb Roland Luçi dhe pyetjet qe duan pergjigje dhe kane ngallur diskutime te ashpra.
    Statusi i plote:

    “Meqenese hovi “prekcal” ra, pasionet u fashiten disi, shqiptaret e bindjeve te kunderta fetare e ideologjike po vazhdojne bashkjetesen mes tyre te sprovuar ne shekuj, puna e kulles ne Vermosh sipas kryetarit te bashkise perkatese u sqarua se ka qene nje spekullim me mbrapaskene biznesi ne kurriz te prestigjit te heroit te dashur te te gjithe shqiptareve (kryetari e ka fjalen per Prek Calin), meqe nje miku im historian dhe politikan nuk mu pergjigj per disa pyetje qe i bera dhe meqe mua nuk me rrihet pa e ngacmuar deri ne fund temen e hapur, po pyes miqte e mi reale e virtuale se çfare mendojne dhe a mund t`ju pergjigjen me fakte historike pyetjeve te meposhtme.
    Por duke ju falenderuar paraprakisht, ju lutem jo te bejme hartim me figura letrare, metafora e epitete manjifikuese a denigruese qofshin per personazhin a personazhet qe permenden me poshte, por thjesht po pati kush njohurite e duhura te komentojne me argumentet perkatese.

    Atehere per Prek Calin:

    1- Perveçse qendrimit te tij te njohur ne mbrojtje te tokave te bajraqeve te Kelmendit ndaj serbo-malazezeve ne periudhen e mosekzistences se nje shteti a autoriteti kombetar shqiptar (fillimshekulli XX), per nje qartesim te figures legjendare te Prek Calit, po patet mundesi disa pergjigje te shkurtera per pyetjet dhe momentet e paqarta me poshte.

    2- A ka marre pjese Prek Cali si luftetar anti-serbomalazes, si bajraktar dhe njeri me influence ne Kelmend e me gjere ne procesin faktik te shpalljes se Pavaresise se Shqiperise, sidomos po te kihet parasysh se shpallja e Pavaresis me teper se gjithshka, me teper se nje akt anti-turk ishte nje akt anti-serbomalazez dhe i nxitur nga rreziku i copetimit greko-serbo-malazes te Shqiperise?

    3- Po patet informacion me te detajuar, do te kisha interes te di dhe per qendrimin e tij gjate rrethimit serbo-malazes te Shkodres me 1912 – 1913 dhe luften e Deçanit.

    4- A e nderon zotin Prek vajtja ne Rome qe ti dorezoj Viktor Emanuelit te Savojes dmth kryetarit te shtetit pushtues, kuroren mbreterore shqiptare?

    5- Per sa kohe qe gjermanet ne L2B konsiderohen nga gjithe bota demokratike si agresore dhe pushtues, si e komentoni pritjen qe z.Cali e perkrahesit e tij u beri forcave gjermane ne Kelmend duke ju uruar mirseardhjen me pershendetjen naziste “Heil Hitler”, te cilen duhet pranuar se e bene koreografikisht shume mire (shif foton me poshte).

    6- A ka pasur kontakte, marveshje bashkpunimi dhe bashkpunim konkret Prek Cali me çetniket e Drazha Mihailoviçit?

    7- Mbas rezistences dhe pengimit te hyrjes ne Kelmend te forcave te rendit te shtetit shqiptar te kohes (1945), a ju dorezua z.Cali atyre diku ne shpellen e Vuklit, apo kjo nuk eshte e vertete dhe ka nje histori tjeter kapja e tij, mbasi dorezimi nuk eshte ndonje akt heroik e nuk pershtatet me natyren dhe famen e tij?

    8- Me rezistencen e armatosur, vrasjen e dhjetra ushtareve e oficereve te Shtetit Shqiptar dhe mosnjohjen e atij Shteti me 1945, perveçse vetvrasje fizike per ate vete, vrasje te tjera qe do te pasonin ne menyre te pashmangshme, dhune e rrenim edhe ndaj ndjekesve te tij, sepse dhe shteti shqiptar i atehershem dihet qe nuk ishte engjell, a ishte i logjikshem dhe çfare mund te arrinte realisht Preka me mosnjohjen e autoritetit shteteror ne nje kohe qe Shqiperia ishte çliruar dhe Lufta II Boterore kishte mbaruar ne ato troje?
    Çfare mund te arrinte ai dhe ndjekesit e tij realisht me rezistencen dhe mosbindjen e armatosur?

    9- A mund te kete nje lidhje logjike ne absurditetin prekcalian te mosnjohjes se autoritetit te shtetit shqiptar ne menyre permanente, pra jo vetem te shtetit komunist, por edhe atij zogist ne nje kohe qe pranonte zemergjeresisht autoritetin e shteteve pushtuese, Italise musoliniane dhe Gjermanise hitleriane?

    PS: Edhe njehere, kush deshiron te diskutoje, ju lutem vetem me fakte e pa pasione gjithfareshe.”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim