Kume: Me KQZ-në aktuale nuk shkohet në zgjedhjet lokale

October 12, 2014 09:30

Kume: Me KQZ-në aktuale nuk shkohet në zgjedhjet lokale

Ish-Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , Kristaq Kume, është i mendimit të ndryshimit të përbërjes së këtij komisioni. Në një intervistë për “Dita”, eksperti Kume sqaron se me këtë anëtarësi të paplotësuar të KQZ-së, është e pamundur të shkohet në zgjedhjet e ardhshme për organet e pushtetit vendor. Sipas tij, ndryshimet në hartën territoriale-administrative do të kërkojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor, në veçanti në dispozitat që rregullojnë procedurat për administrimin e procesit zgjedhor. Ish-kryetari i KQZ-së thekson se plotësimi i anëtarësisë të KQZ-së, mund të bëhet në çdo kohë, nëse mazhoranca aktuale, PS e LSI, propozojnë kandidatët për anëtarë të KQZ-së dhe Kuvendi i miraton. I pyetur nëse mazhoranca aktuale mund të rimarrë shumicën në KQZ, Kume deklaron se mundësia e vetme është ndryshimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor, sipas të cilave formohet KQZ-ja. Për ekspertin Kristaq Kume, duke pasur parasysh strukturën e Kuvendit të sotëm, në të cilin mazhoranca ka mundësinë që e vetme të bëjë amendimet në Kodin Zgjedhor, një veprim i tillë është i pritshëm.

 

Nisur dhe nga zgjedhjet e kaluara vendore që u mbajtën në 8 maj, kur mund të mbahen zgjedhjet e reja vendore?

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të zhvilluara në datën 08 maj 2011, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli me vendimin e tij nr. 1229 në datën 15 shator 2011. Kodi Zgjedhor aktual në nenin 10 (2) përcakton, që për efekte të tij, mandati i të zgjedhurve lokalë aktualë, përfundon në 15 shtator të vitit të ardhshëm. Ndërkohë, në bazë të kushtëzimeve ligjore të parashikuara në Kushtetutën e Shqipërisë (neni 65) dhe në Kodin Zgjedhor (nenet 9, 10), zgjedhjet duhet të parashikohen për t`u zhvilluar jo më vonë se 30 ditë përpara mbarimit të mandatit të të zgjedhurve aktualë, në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore që paraprin përfundimin e këtij mandati. Neni 8 i Kodit Zgjedhor përcakton si periudha zgjedhore 15 marsin, deri më 30 qershor, ose nga 15 shtatori, deri më 30 nëntor. Për pasojë, zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore duhet të zhvillohen në një prej të dielave, 21, ose 28 qershor 2015.

 

Brenda cilës periudhë do të duhet që Presidenti Bujar Nishani të dekretojë datën e re zgjedhore?

Në plotësim të detyrimit të rrjedhur prej Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës duhet të dekretojë datën për zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore, 21 ose 28 qershorin e vitit të ardhshëm, jo më vonë së nëntë muaj përpara mbarimit të mandatit të organeve të zgjedhura. Mandati i këtyre organeve, siç u theksua edhe më sipër, për efekt të Kodit Zgjedhor, përfundon në 15 shtator të vitit të ardhshëm, për rrjedhojë Presidenti, ka detyrimin të dekretojë datën për zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore, në një prej të dielave, 21 ose 28 qershor 2015, jo më vonë se data 15 dhjetor 2014.

 

A mundet në këtë kohë që mazhoranca të riformatojë të gjithë KQZ-në?

Trajtimi i problemi i KQZ-se është një çështje shumë e rëndësishme, të cilës, deri sot mazhoranca nuk i ka kushtuar asnjë vëmendje dhe presioni i opozitës për zgjidhjen e tij është i munguar. Kjo sjellje, për vlerësimin tim është shprehje e qartë e faktit se për këtë institucion, megjithëse në bazë të Kodit Zgjedhor ai është institucion i përhershëm, me një administratë të tërë që shkon në punë çdo ditë dhe me buxhet që shpenzohet çdo ditë, gjatë të gjithë vitit, partitë politike kujtohen vetëm kur afrohet procesi zgjedhor i radhës. Aktualisht KQZ-ja është institucion jo i plotë, në të cilin mazhoranca aktuale nuk ka përfaqësuesit e vetë. Siç dihet, formula aktuale sipas të cilës është formatuar ky institucion, ka në themel të saj parimin e përfaqësimit dhe balancimit politik, mazhorancë-opozitë. Për zgjedhjen e Kryetarit, Kodi parashikon një procedurë që nuk fillon me propozim kandidaturash prej partive politike por, që për të përfunduar, mjafton vullneti i mazhorancës në Kuvend për të zgjedhur Kryetarin. Produkti i këtij procesi, i ndjekur edhe nga ndërhyrjet që mazhoranca e kohës bëri në prag të zgjedhjeve të kaluara për Kuvendin e Shqipërisë, bëri që opozita e atëhershme ta vlerësonte dhe konsideronte KQZ-në, si një institucion i “kapur” prej mazhorancës.

Me këtë anëtarësi të paplotësuar është e pamundur të shkohet në zgjedhjet e ardhshme për organet e pushtetit vendor. Ndryshimet në hartën territoriale-administrative do të kërkojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor, në veçanti në dispozitat që rregullojnë procedurat për administrimin e procesit zgjedhor. Kjo do të kërkojë investimin e KQZ-së për të hartuar udhëzimet përkatës, të cilat mund të marrin fuqi ekzekutive vetëm nëse miratohen me shumicën e cilësuar, 5 anëtarë. Plotësimi i anëtarësisë të KQZ-së, referuar Kodit aktual zgjedhor, mund të bëhet në çdo kohë, nëse mazhoranca aktuale, PS e LSI propozojnë kandidatët për anëtarë të KQZ dhe Kuvendi i miraton. Duke ju referuar sjelljes së partive politike ndaj këtij institucioni, sjellje kjo pothuajse e pandryshuar në të gjitha proceset zgjedhore dhe prej të gjithë partive, është e vështirë që plotësimi i anëtarësisë së KQZ-së aktuale të bëhet si rrjedhojë e plotësimit të të drejtës dhe detyrimit që kanë partitë që ju takojnë vendet vakante në KQZ.

 

Largimi i anëtarëve të zgjedhur nga opozita e atëhershme, mazhorancë e tanishme, lidhej me vendimin e PD-së në atë kohë për të marrë me forcën e kartonit postin e anëtarit që i takonte LSI-së, duke ia kaluar PR-së. A mundet që mazhoranca e tanishme, të përdorë të njëjtën praktikë dhe të rimarrë shumicën e KQZ-së? 

Dominimi i vendimmarrjes në KQZ ka qenë vazhdimisht një objektiv prioritar i të dy partive të mëdha politike, PD e PS, ose i të dy krahëve politik. Për arritjen e këtij objektivi, partitë politike i kanë përdorur të gjithë mundësitë, hapësirat dhe instrumentet. Ato nuk janë shmangur as përpara ndryshimeve të Kushtetutës. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor i kanë bërë pa vështirësi, mjafton që të arrinin marrëveshjen politike që siguronte shumicën e cilësuar, 84 vota, në Kuvend. Kanë ndryshuar parimet sipas të cilëve është ndërtuar ky institucion dhe kanë ndërprerë mandatet e anëtarëve të tij. Një sjellje e tillë ka shumë mundësi që të përsëritet. Duke ju referuar dispozitave që në Kodin Zgjedhor parashikojnë ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të tij, anëtari ka mandat gjashtë vjeçar dhe Kryetari mandat katër vjeçar, mazhoranca aktuale e ka të vështirë të ndërpresë mandatin e çdo njërit prej anëtarëve dhe kryetarit aktual të KQZ-së. Mundësi e vetme është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshim i dispozitave sipas të cilave formohet KQZ-ja. Një ndryshim i tillë do të justifikonte edhe përfshirjen në Kodin e ardhshëm zgjedhor, të një dispozite në zbatim të të cilës do të ndërpritet mandati i anëtarëve aktualë të KQZ-së. Duke pasur parasysh strukturën e Kuvendit të sotëm, në të cilin mazhoranca ka mundësinë, e vetme, të bëjë amendimet në Kodin Zgjedhor, një veprim i tillë është i pritshëm. Nëse dominimi i vendimmarrjes në KQZ është pjesë e objektivave të mazhorancës aktuale, mundësitë për ta realizuar, nëpërmjet amendimeve në Kodin Zgjedhor, janë të plota. Nëse është kështu, argumentet që mund të sillen për nevojën për të kryer reformën zgjedhore të radhës sa më shpejtë, thirrjes së përsëritur nga pjesa jo politike e vendit për të filluar këtë reformë, i shtohet një argument më shumë, që për nga rëndësia mund të renditet ndër prioritarët. KQZ-ja është institucioni kryesor përgjegjës për organizmin dhe administrimin e procesit zgjedhor. Këtij institucioni i duhet lënë koha e nevojshme për ta kryer këtë detyrë. Ndaj dhe zgjidhja e problemit të anëtarësisë së tij duhet të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur. Koha nuk pret.

 

October 12, 2014 09:30
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*