Kumte kundër krimbërimit

Nga Kosta Barjaba July 15, 2014 10:13

Kumte kundër krimbërimit

1. Lazarati si kumt

Ndërhyrja në Lazarat shënoi një faqe të re në administrimin e punëve të këtij vendi. Plaga e mahisur për rreth njëzetë vjet, më në fund shpërtheu. Por jo vetë. Shpërtheu pas ndërhyrjes goditëse të shtetit. Por Lazarati nuk ishte simboli i vetëm i dorëzimit të shtetit, madje të një pjese të madhe të shoqërisë, para të keqes. Shoqëria dukej të ishte pajtuar përkohësisht me shumë të këqija në trupin e saj. Politikat dhe qeverisjet njëzetë vjeçare, përveç kontributeve në transformimin ekonomik, politik dhe kulturor të shoqërisë, kanë toleruar mjaft deformime politike, ligjore dhe morale. Tolerimi për një kohë të gjatë i tyre dhe krijimi i kulturës së mosndërhyrjes në mjaft zona të jetës, ka krijuar një dukuri që mund ta karakterizojmë si krimbërimi i shoqërisë. Për shkak të të cilave shoqëria shqiptare këto njëzetë vjet ka ecur me stilin e gaforres. Disa veprime të fundit të qeverisjes kanë treguar vullnetin e saj për ta nxjerrë shoqërinë nga gaforrizimi njëzetë vjeçar, thënë ndryshe, për ta shkrimbëruar atë. Nga këto situata, të cilat përfshijnë një spektër të gjerë, po ndaj me lexuesin dy prej tyre, njërën nga sistemi i drejtësisë dhe tjetrën nga arsimi.

 

2. Të burgosurit më të informuar se drejtësia?!

Para disa ditësh gazeta Dita raportoi një intervistë të gjatë me një personazh të njohur, i cili vuan dënimin e përjetshëm. Dëshmitë e tij nga jeta pa liri shkojnë përtej kuriozitetit. Midis të tjerash ai përmendi fare shkoqur se mjaft pikëpyetje për institucionet, publikun dhe ne që jetojmë në liri, për ata që jetojnë në mungesën e saj nuk janë të tilla. Teorikisht, institucionet totale, siç janë burgjet, karakterizohen nga mungesa e depërtimit të informacionit. Të paktën, si rregull, ata që janë brenda tyre, kanë më pak informacione se ata që ndodhen jashtë. Por në Shqipëri ndodh e kundërta. Të paktën nga intervista e përmendur më sipër, mësojmë se mjaft çështje që për drejtësinë janë të panjohura ose shiten si të tilla, aty njihen në detaje. Çfarë e pengon drejtësinë që t’i grumbullojë dhe verifikojë këto informacione, të cilat mund të ndihmojnë në zbulimin e të vërtetave të pazbuluara? Asgjë, veç faktit që drejtësia, dhe pas saj shoqëria, ndodhen në një fazë krimbërimi. Pas kësaj interviste, cilido mund të gjejë një argument më shumë përse reforma e drejtësisë është emergjente dhe përse atë nuk mund ta kryeje vetë sistemi. Në fund të fundit, asnjë sistem nuk është në gjendje të vetëreformohet, pa ndikimin e forcave të jashtme. Pa këtë ndikim, sistemi rrezikon të mbetet në një gjendje të përhershme krimbërimi.

 

3. Si 25 përqindëshi ngelës i maturës, ngeli në klasë sistemin

Në një shkrimin tim për reformën arsimore, kam venë në dyshim jo vetëm mënyrën inefiçiente të administrimit të shkollave dhe universiteteve, por edhe natyrën e dijes që jepet në shkollat tona. Kam thënë që, në rastin më të mirë, jepet një dije e paplotë dhe, në rastin më të keq, jepet një dije e gabuar. Rezultatet e fundit të maturës shtetërore, ku 25 përqind e nxënësve ngelën në matematikë, tronditën opinionin publik dhe institucionet. Por unë nuk e mirëkuptoj këtë tronditje. Sepse sinjalet që në shkollat tona jepen dije të cunguara, unë insistoj edhe të gabuara, nuk kanë munguar. Sipas rezultateve të Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Studentëve, PISA 2012, i cili krahasonte rezultatet e studentëve nga 64 vende, anëtare dhe partnere të OECD-së, nxënësit shqiptarë kishin rezultatet më të këqija të mundshme: i) për rezultatet mesatare në matematikë ishim në vendin e 56 nga 64 ose 394 pikë nga 494 që ishte mesatarja në vendet e OECD-së; ii) për rezultatet në lexim ishim në vendin e 61 nga 64 ose 394 pikë nga 496 që ishte mesatarja në vendet e OECD-së; iii) për rezultatet në shkenca ishim në vendin e 61 nga 64 ose 397 pikë nga 501 që ishte mesatarja në vendet e OECD-së. Kur lexonim rezultatet e PISA-s nuk na e bënte syri “tërr”. Nxënësit na duheshin për mitingje elektorale dhe kjo na mjaftonte. Pse u çuditëm nga rezultati i maturës shtetërore? Por ky lajm i keq ka brenda një lajm të mirë: që këtej e tutje qeverisja nuk do të ngopet me lugë të zbrazur. Natyrisht, luga tjetër nuk do të jetë as e florinjtë, por e rëndësishme është që nuk do të jetë e zbrazur, si deri tani. Kjo kurajo e qeverisjes për të shpërthyer plagën e sistemit arsimor është një tjetër goditje kundër krimbërimit të shoqërisë. Qeveria duket se e sheh të vërtetën në sy dhe nuk dëshiron të gënjejë as veten, as qytetarët.

Nga Kosta Barjaba July 15, 2014 10:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*