Kundër çdo censure, liria – emancipim i shqiptarëve

August 22, 2018 12:31

Kundër çdo censure, liria – emancipim i shqiptarëve

Moikom Zeqo

Librat më të mirë në botë, librat më vizionarë janë ata, që mbrojnë Lirinë e pakufizuar të librave.

Projekt-ligji i paraqitur ne Kuvendin e Shqipërisë  për të ndaluar veprat letrare dhe artistike të autorëve kryesorë shqiptarë të shekullit XX, në emër të antikomunizmit makartist, banal, arkaik, formuluar nga mendje provinciale dhe mediokre, tregon karakterin prokustian të Lirisë dhe të demokracisë autentike dhe të vërtetë dhe një absurditet diletantësh, që nuk kuptojnë se “çdo ndalim, apo censurë” në epokën e internetit, komunikimit digjital, universal është praktikisht e pamundur dhe asnjëherë e realizueshme, qoftë dhe pjesërisht.

Censorët inkuizicionistë, gebelsianë, zhdanovistë, makartistë, apo dhe antikomunistë shqiptarë të sotëm, në thelb janë e njëjta gjë, shprehje fobike e një urrejtjeje të verbër ndaj Lirisë së Vërtetë.

Mendoni, ju lutem në mënyrë  in absurdus,- nëse një projektligj merr forme juridike, aherë do të ketë një institucion që të realizuar ndalimin ligjor te librave dhe ky institucion nuk është gjë tjetër veçse  Zyra e CENSURËS SHQIPTARE.

Aleluja, o censorë sizifianë shqiptarë të absurdit!

Si qenie njerëzore, si një  mendimtar i lirë, si shqiptar, që beson, se vetëm Dija dhe e  Vërteta na bëjnë të lirë, unë jam përherë dhe vetëm  për Lirinë!

E kam fjalën për Lirinë Konceptuale, të mendimeve kundërthënëse, por dhe pohuese dhe mohuese, që reflektojnë një dialektikë dhe një fuqi polivalente dhe të patjetërsueshme të intelektit njerëzor.

Jam kundër   “xhandarëve të Mendjes”-sipas një ekspresioni të Faik Konicës.

Prandaj projekt-ligji drejtuar Kuvendit të Shqipërisë është bërë nga xhandarët e Mendjes, për të stimuluar me subkulture vulgare, preventive tek secili klonimin e xhandarëve të Mendjes.

Këta mediokër nuk e dinë se Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane thotë shprehimisht se askush nuk mund të dënohet për bindjet dhe mendimet e tij politike, fetare  etj-ndaj është një Amendament Madhështor, që sfidon dhe përpiluesit tanë provincialë  e projekt-ligjeve për dënimet hipotetike, absurde, në thelb të shkatërrimit të Lirisë!

***

Pikërisht një libër  madheshtor, si  i tillë, pa një të dytë në letrat angleze dhe në botë, është libri i quajtur: “AREOPAGJITIKA”, shkruar nga John Milton, “Për lirinë e plotë të shtypit”, Drejtuar Parlamentit të Anglisë, Londër, Shtypur në vitin 1644.

Mendoni se edhe  Parlamentit anglez ishin drejtuar projekt-ligje për censurime drastike!

Ky libër i Miltonit paraprihet nga vargjet, në origjinalin në greqisht të shkrimtarit të madh të Antikitetit, Euripidit.

Vargjet janë marrë nga tragjedia “Lutëset” e Euripidit, dhe janë vendosur nga Miltoni në frontespicin e botimit të parë “Areopagjetikës”:

“Toύλεύθερον δ’έκείνο εί τις θέλει πόλει

Χρηστόν τι βούλευμ’ είς μέσον φέρειν.

Καί ταύθ’ ό χρήζων λαμπρός έσθ’, ό μή θέλων

Σιγά, τί τούτων έστ’ ίσαίτερον πόλει;”

Miltoni e bën vetë përkthimin në anglisht të vargjeve të Euripidit, si më poshtë:

“This is true Liberty when free born men

Having to advise the public may speak free,

Which he who can, and will, deserv’s high praise,

Who neither can nor will, may hold his peace;

What can be juster in a State then this?”

                                    Këto vargje në shqip kanë këtë kuptim:

 “Ja, Liria e vërtetë: kur njeriu i lindur i lirë,

Duke iu dashur të këshillojë publikun, të mund të flasë lirisht,

Thotë, si ai, që mundet dhe dëshiron, të meritojë lëvdata,

 Por dhe askush  tjeter,që nuk mundet dot,të mos e cenojë dot paqen.-

 Cfarë mund të ketë më të drejtë se kjo në një Shtet?”

 Titulli “Areopagjetika” rimerr titullin e oratorisë së shtatë të Izokratit, bashkëkohës e kundërshtar i Platonit. I lindur në Athinë në vitin 436 para Krishtit, 9 vjet para lindjes së Platonit, Izokrati jetoi dhe 10 vjet më shumë se ai si moshë, duke e mbyllur jetën e tij të gjatë në vitin 338 para Krishtit.

\           Në vitin 390 para Krishtit, pak vite para themelimit të akademisë së Platonit, Izokrati themeloi shkollën e tij të retorikës, që fitoi famë shumë të madhe.

Për Izokratin na mbeten 21 oratori, mes të cilave spikat Areopagjetika, shkrimi i tij kryesor mbi politikën e brendshme, që ia paraqet popullit, për të mirën publike dhe lirinë e të menduarit. Izokrati qe athinas. Izokrati ka mbetur i famshëm për oratorinë e ti, të cilën e përdori si metaforë të titullit edhe vetë Miltoni.

Por teksti i Miltonit në 1644 që nis me një titull referues antik, ka një domethënie shumë më të thellë se ajo formale për lirinë e shtypit.

Miltoni përbën një simbol të konceptualitetit, për nj qytetërim themelor të të shkruarit, për pafundësinë e praktikës shkrimore, të lirisë, në kundërvënie me teorinë e Autoritetit Absolut, imazh i të cilit ishte Platoni, prandaj Miltoni e kritikon ashpër Platonin për porositë e tij censuruese.

Në fakt jo të gjithë studiuesit e Miltonit e pranojnë ndikimin dhe ftillëzimin e titullit nga Izokrati.

Disa kanë parapëlqyer t’i drejtohen fjalës Aeropagjetike të Shën Palit të Tarsit, përfshirë në Veprat e Apostujve (17, 19).

Por burimi i titullit që lidhet me emërtimin ka një shtjellim të pashembullt tek Miltoni. Zgjedhja e vargjeve të Euripidit si emblemë e shkrimit miltonian, është plot konotacione dhe semantika të domosdoshme.

Miltoni ishte njohës i thellë i greqishtes së teksteve të Euripidit. Kështu në Bibliotekën bodleiane të Oxfordit, ende sot ruhen tekste që kish zotëruar dhe studiuar Miltoni të Euripidit.

Ajo që të bën përshtypje goditëse dhe të pashlyeshme në psikikë është fakti që një poet shumë i madh si Miltoni, autor i kryeveprës së eposit të krishterë “Parajsa e Humbur”, admiruesit dhe pasuesit të Lordit Protektor të Anglisë, Oliver Kromuellit që solli me revoltën e tij fuqinë autonome të Parlamentit mbi Fronin Mbretëror dhe që i preu kokën mbretit Karl I Stuart, nuk ngurron, por me një shqetësim qytetar, do të thoja jo vetëm anglez, por dhe botëror, i drejton librin e tij të vitit 1644 pikërisht Parlamentit, që tashmë ishte i mbifuqishëm, për të ruajtur lirinë e të shprehurit, për të kundërshtuar pa asnjë hezitim, pa asnjë përshtatje klienteliste, lirinë e të shkruarit, edhe nëse idetë e shprehura mund të binin në kundërshtim me pushtetin, me autoritetin e njerëzve të fuqishëm të Anglisë etj.

John Milton, arriti dhe u bë sekretar i Oliver Kromuellit. Oliver Kromuelli mbetet figura më madhështore, por dhe gati hamletiane, sipas një paradigm metaforike të Shekspirit për Anglinë.

Ai e përmbysi Mbretërinë për hir të Republikës.

I afruan të bëhej vet mbret.

I bindur dhe sfidues nuk pranoi deri në fund.

Mbas vdekjes së Oliver Kromuellit u kthye Karli II Stuart, i biri i mbretit të ndjerë dhe kokëprerë Karli I Stuart.

U hakmorr me Kromuellin.

Ja nxorrën eshtrat nga varri dhe kufomën e tij të varur në litar e gjykuan, e mallkuan, për t’i humbur përfundimisht emrin.

Ndjekësit e Kromuellit u vranë dhe u persekutuan.

Kur Karlit të II Stuart i dërguan listën e republikanëve që ishin më të rrezikshmit, për të firmosur për ekzekutimin e tyre, befas pa midis atyre emrave dhe emrin e John Miltonit.

John Miltoni kishte një famë marramendëse si poet.

Ai qe lavdia e madhe e Anglisë. Atëherë Karli II Stuart tha fjalët e paharrueshme dhe të kuptimshme: “Seç ka dora ime e djathtë, që nuk pranon, ta nënshkruajë dënimin me vdekje të Poetit!”

 Kështu Miltoni shpëtoi nga vdekja, por u syrgjynos, nuk mbijetoi shumë gjatë, u verbua gati tërësisht dhe vdiq në mjerim.

Natyrisht në historitë e letërsisë angleze Miltoni përmendet per  “Parajsën e Humbur”.

Më është dukur e habitshme që në vitet ’60 të shek.XX ky epos i madh në vargje i Miltonit, domethënë “Parajsa e Humbur” është përkthyer dhe botuar në shqip dhe e ruaj ende kopjen e këtij libri në bibliotekën time, me shënime të çuditshme, ku kam shënuar dhe shumë pikëpyetje për gjëra që nuk i kuptoja.

Eposi i famshëm i Miltonit u përkthye nga një njeri i ditur dhe nga një përkthyes i paharruar, por që sot nuk e përmend askush për fat të keq.

Ai quhet Alqi Kristo.

Ai nuk ka përkthyer vetëm Miltonin.

Ai ka përkthyer shkëlqyeshëm dhe Shekspirin.

Për brezat e ri të lexuesve emri i Alqi Kristos duket si i humbur në humbëtirë.

Por nuk është aspak kështu. Në të vërtetë fama e Miltonit nuk qëndron aq në apologjitë e shkruara për “Parajsën e Humbur”.

Ky libër është një rishkrim poetik i Historisë së Shenjtë të Biblës, që nga koha e Adamit dhe të rrëzimit të Luçiferrit, Kryeengjëllit ,shumë të dashur dhe të ditur të Zotit, por që u bë renegat dhe Zoti e rrëzoi nga qielli në thellësirat e Ferrit për të përfaqësuar mbretin e Djajve.

Ajo që të bën befasim modern të fjalëve dhe të koncepteve është se për Luçiferrin Miltoni flet me një simpati të madhe, nuk e shikon bardh e zi, por përkundrazi, e shndëron në një personazh të habitshëm faustian.

***

Ndikimi i librit për lirinë e të shprehurit të Miltonit ka qenë subjekti i studimeve të pafundme të filozofëve.

Ky libër ka qenë në optikën e filozofëve që mëtonin lirinë e pafund.

Libri i shkruar me një kulturë dhe erudicion të madh përbën një traktat intelektual të klasit të parë. Miltoni citon kulturën klasike, por dhe kulturën humaniste të krishterë, kulturën dhe artin italian që nga Dantja gjer në kohën e tij.

Ai adhuron dy figura kryesore të shek.XVII, Paulo Sarpin dhe Galileo Galilein.

Në lidhje me Paulo Sarpin nga Venediku “çmitizuesin e madh të Koncilit të Trentit”, është vendi të nënvizojmë se shumë komentues të Miltonit ende nuk janë ndërgjegjësuar për ndikimin e madh të Sarpit mbi “Areopagjetikën”.

Libri “Historia e Koncilit të Trentit”, botim i parë italian i të cilës doli në Londër në vitin 1619, i ndjekur më pas nga një përkthim në anglisht, ka qenë në strukturën e debatit të të gjithë mendimit protestant anglez dhe të formimit kryesor të rinisë së Miltonit.

Sarpi ishte kundër Inkuizicionit Kishtar dhe me trimëri të pashoqe e kundërshtoi këtë gjë.

Por Miltoni i referohet dhe Galileo Galileit të cilin e kishte në një nga udhëtimet e tij në Itali.

Dhe ja ç’shkruan Miltoni: “Kur u ula mes burrave të mençur, – e pata këtë nder, – dhe më mbajtën si të rëndësishëm, që kisha lindur në një vend me liri të madhe mendimi, siç hamendësonin ata se ishte Anglia, ndërsa në të vërtetë anglezët ahere vetëm ankoheshin ,se si ishte katandisur dija në gjirin e tyre.

 Por edhe në Itali gati ishte shuar lavdia e mendjes së lirë dhe prej shumë kohësh shkohej veç me lajkatime dhe banalitete.

 Po atje në Itali gjeta dhe vizitova të famshmin Galileo, të mplakur në burgim nga Inkuizicioni, sepse në fushën e astronomisë mendonte ndryshe nga censuruesit franceskanë dhe domenikanë.”

E habitshme është se emri i Galileo Galileit si emblemë do të shfaqej gati tre shekuj më pas tek librat e djegur në turrën e druve në zjarr nga nazistët.

Një nga këta libra qe dhe “Galileu” i Bertold Brecht.

                                                            ***

Për John Miltonin forma e censurës është vdekje për Lirinë e Mendimit. Sikurse Liria është e domosdoshme për progresin e njohjes së individit, e tillë është dhe për progresin e një kombi, ndaj Miltoni ripohon vendosmërisht bindjen se edhe për një popull të tërë, pa Lirinë e domosdoshme për progresion e njohjes, nuk mund të ketë zhvillim kulturor e shoqëror, por vetëm një “pellg të llumtë konformizmi dhe tradite të qelbur”.

Për Miltonin  Liria është një imperativ i njohjes, forca lëvizëse parësore e progresit të kombeve dhe të njerëzimit.

Libri i Miltonit për Lirinë e shkrimit qe një ide madhore,  shumë më përpara se Iluminizmi Francez.

***

A ka vlerë, a është e domosdoshme të përmendet libri i Miltonit në ditët e sotme të demonizuara nga politika në Shqipëri?

  Për herë të parë e përmenda si referencë librin e Miltonit në debatin shkumëzues dhe gati fantazmagorik për ndalimin e filmit shqiptar të kohës së socializmit totalitar dhe tani per te ndluar veprat letrre dhe artistike te krijuesve  shqipater te shekullit XX.

Është hera e parë që, madje, shkrimtarë të njohur propozonin në mënyrë apokaliptike ndalimin e filmave shqiptarë para viteve ’90 të shek.XX.

Rileximi i librit të Miltonit m’i bëri më të qarta idetë.

Ndërkohë lexova shumë histori dhe libra për censurën e institucionalizuar në Europë dhe në botë. Shembujt ishin të pabesueshëm. Shpesh marramendës.

Fjala vjen, në shek.XIII në Universitetin e Parisit ndodhi një ngjarje: teologët e ditur universitarë vëzhguan librin e një prifti me emrin Stefanus dhe zbuluan te ky libër “Dhjetë iluzione teologjike”, të dëmshme për fenë.

Kështu që përgjegjësi gjeneral i rendit dominikan të Parisit në vitin 1243 urdhëroi që të gjithë domenikanët që posedonin këtë libër, duhet ta zhduknin.

Ndërkaq një murg i njohur bizantin, Maxim Planudes (1255-1305) i njohur si adhurues i madh i librave antikë, me zell dhe dashuri mblodhi veprat e epigrafistëve grekë.

Ky Maxim Planudes, njësoj si Euseb Jeronimi u gjet para dilemës, se çfarë të bënte me shprehjet dhe fjalët e pasjellshme dhe erotike kaq të shpeshta nëpër këto epigrame.

Planudesi i devotshëm vlerësoi se lexuesit e ardhshëm duhet të kursehen nga ndyrësitë që i kishin shkruar shkrimtarët antikë, kështu që epigramet i shkurtoi duke dhunuar dhe tjetërsuar një traditë të tërë shkrimore.

Libri i quajtur në latinisht “Index Expurgatorius Librorum” u botua nga mbreti spanjoll Filip II Katoliku në 1571 në Andvertem.

Në këtë Index Inkuizitori i Përgjithshëm i Spanjës Gaspare Quiroges, në një parashtrim në 32 faqe shënon se çfarë duhet hequr dhe çfarë duhet lexuar në veprat e Erazmit të Roterdamit, padyshim një nga emrat më të mëdhenj të të gjithë kohërave, të kulturës dhe mendimit të lirë.

***

Por censura ka qenë e pranishme në të gjitha shtetet që ka reflektuar diktaturë dhe autoritarizëm mbretëror, por dhe republikan.

Shtetet socialiste qenë republikane, por në to funksiononte censura.

Fjala vjen, në Shqipëri, dhe kjo nuk duhet harruar asnjëherë, se është një e vërtetë shkencore, e parrëzueshme dot, nuk ekzistonte institucioni shtetëror i censurës, por ishin pikërisht redaktorët, të ashtuquajturit “gardianë ideologjike”, që vendosnin nëse duhej botuar apo jo një libër.

***

Censura i ka nxjerrë telashe dhe shkrimtarëve të mëdhenj botërorë.

Është përqeshur dhe sulmuar shkrimtari francez Flober për romanin e tij për Bovarinë.

Romani modern botuar në 1922, “Uliksi” i Xhejms Xhojsit u ndalua për t’u përhapur dhe shitur në Amerikë.

U desh të bëhej një proces gjyqësor që të lejohej botimi i këtij romani.

***

Më e tmerrshmja në shek.XX që djegia e librave nga nazistët, duke i hedhur në turrat e zjarrit të ndezur.

Nga një kronikë e kohës ka mbetur ky përshkrim:

“ Mbas fjalimit të Jozef Gebelsit,  9 përfaqësues nazistë ,hodhën njëri pas tjetrit në zjarr librat ,duke bërtitur:

Thirrësi 1: “Kundër luftës klasore dhe materializmit, por për bashkim dhe jetë idealiste!

Po hedh në zjarr shkrimet e Marksit dhe Kautskit.”

Thirrësi 2: “Kundër dekadencës dhe shkatërrimit moral! Për edukim të fortë e rregullo në familje dhe shtet!

Po hedh në zjarr shkrimet e Heinrich Mainit, Ernest Glaeserit dhe Erich Kastnerit.”

Thirrësi 3: “Kundër mjerimit dhe botëkuptimet politike dh tradhtisë politike, por për dashuri ndaj kombit dhe shtetit!

Po hedh në zjarr shkrimet e Fridrih Wilhelm Fosterit.”

Thirrësi 4: “Kundër nënçmimit shkatërrues të ndjenjave njerëzore, por për fisnikëri të shpirtit të njeriut! Po hedh në zjarr shkrimet e Sigmund Freudit.”

Thirrësi 5: “Kundër falsifikimit të historisë sonë dhe nënçmimit të personaliteteve të mëdha gjermane, por për ndërtimin e të kaluarës tonë.

Po hedh në zjarr shkrimet e Emil Ludwigut dhe Warner Hegemannit.”

Thirrësi 6: “Kundër gazetarisë jokombëtare, botëkuptimit demokratik – hebraiki, por për bashkëpunim me përgjegjësi për përtërirjen e kombit!

Po hedh në zjarr shkrimet e Theodor Wolfit dhe Georg Bernhardit.:

Thirrësi 7: “Kundër tradhtisë letrare ndaj ushtarëve të luftës botërorem por për edukim të [popullit në frymën e së vërtetës!

Po hedh në zjarr shkrimet e Erich Marie Remarkut.”

Thirrësi 8: “Kundër shkatërrimit të paramenduar të gjuhës gjermane, por për zhvillimin e së mirës më të vlefshme të kombit tonë!

Po hedh në zjarr shkrimet e Alfred Kerrit.”

Thirrësi 9: “Kundër paturpësisë dhe përvetësimit, por për respektimin dhe nderim të frymës së pavdekshme gjermane!

Po hedh në zjarr edhe shkrimet e Tucholskit dhe Ossietzkit.”

Shqipëria kulturore gjatë kohës se   vetequajtur mbret Ahmet Zogollit ( zyra e tij e Censures ndaloi botimin e librit te Migjenit,-jo nje liber dosido-por nje liber kryeveper te shekujve letrare te Shqiperise, qe  eshte substanca e Modernitetit Letrar Shqiptar ) por edhe ne kohen e socializmit totalitar ka vuajtur nga censura, ndonëse jo e ligjëruar formalisht si institucion juridik.

Ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Zef Skiroit dhe emrave të tjerë substancialë të kulturës, ka qenë vërtet një marrëzie kushtueshme dhe paradoksale.

Jemi tani në dekadën e dytë të shek.XXI. e pabesueshme!

27 vjet mbas rrëzimit të shtetit totalitar dhe monist në këtë të ashtuquajtur katrahurë demokratike, ideja e Censurës është gjallëruar fuqishëm.

Imagjinoni që një ligj i Kuvendit për ndalimin e librave te quajtur te Realizmit socialist e filmave shqiptarë do të ishte de facto krijimi i një zyre Censure, por shembulli i filmit nuk ka se si të ishte dhe të jetë i vetëm.

E njëjtja logjikë do të përdorej për romanet dhe poemat e shkrimtarëve  sic eshte parashtruar ne nje lloj projekt-ligji propozuar per Kuvendin dhe ligjvendesit..

E njëjta gjë do të vepronte për muzikën dhe pikturën shqiptare, madje dhe për dramaturgjinë si dhe vlerat autoriale në përgjithësi.

Kjo do të ishte një marrëzi erazmike,, gati e pafalshme nëse do ndodhte diçka e tillë.

***

Nga ana tjetër e them me trishtim por edhe i bindur se ndryshimet e dhunshme kushtetuese të vitit 2008 ,që krijuan listat e vullnetit monarkik te kryetarëve të partive janë forma më e frikshme e Censurës së Institucionalizuar, ose në doni ,që ta kuptoni më mirë, të Manipulimit Kushtetues, ose të Shformimit Kushtetues, pikerisht keshtu eshte formuluar nje lloj Censure Reale,  sui generis, kunder Lirise se Votimit dhe te thelbit te Kushtetutshmerise dhe te Demokracise.

Shikoni listat e kandidatëve për deputetë nga partitë e mëdha PS dhe PD.

Të tërë figurat janë të perzgjedhura  klientelisht nga kryetarët, duke përjashtuar në thelb, ose duke e bërë formal Lirinë e të Votuarit, pra të Paradigmës Kryesore Kushtetuese të Votës së Lirë dhe të Fshehtë.

Nga ana tjetër dhe klientelizmi i mediave ,qoftë në print ,qoftë online, qoftë dhe të mediave elektronike në përgjithësi, ka krijuar një Situatë Censorizuese të panjohur më parë në Shqipëri , por te kthyer ne Istitucion Politik, per fat te keq dhe Juridik, që kërcënon mendimet e lira, duke bërë të mundur, që i ashtuquajturi opinion publik të shndërrohet në një kategori klienteliste, përshtatëse , servile dhe dekorative.

***

Nëse e duam lirinë e vërtetë duhet ta kundërshtojmë çdo sulm kundër kësaj lirie, qoftë kundër librave, filmave, artit në përgjithësi, por dhe ndaj veprimit publik dhe atij politik.

                                                ***

  Nëse nuk e kuptojmë kështu lirinë e madhe, do të mbetemi përherë provincialë të të vegjël të lirisë mediokre.

                                                ***

Emancipimi i shqiptarëve është kalimi i Rubikonit, për të kuptuar dhe krijuar historinë e tyre autentike të Lirisë.

                                                ***

Pa këtë Liri  jemi të gjithë të rrezikuar, të pavërtetë dhe gati për t’u zhbërë.

August 22, 2018 12:31
Komento

21 Komente

  1. BLACK SWAN August 22, 12:44

    dhe kur predikimin per lirine e bejne anetaret e listes Mezini, kur e bejne ata qe gjysem shekulli hengren bar sa i pati zili çdo gomar, te vjen te gajasesh.

    Hesht Zeqo, hesht !!

    Reply to this comment
    • Abdyli August 23, 22:43

      Zeqo, nuk ka perse te heshti, sepse nuk ka heshtur kurre. Ne te gjitha sistemet me guxim te plote ka thene mendimin e tij per lirine e mendimit

      Reply to this comment
  2. info analitike August 22, 13:04

    Si vijne kohet, Moikomi i censures se eger te partise sot eshte bere paladin i anticensures. Cfare HIPOKRIZIE!

    Reply to this comment
    • Lexuesi ideal August 22, 23:18

      Njerzit si puna jote jane pasoja me e rend e komunizmit. Moikomi shkruan per mendje te shendosha dhe jo per te semuret psiqik si puna jote. Shendet

      Reply to this comment
    • "Info analitike" ka nevoj per Psikolog August 22, 23:35

      Komunistofobet nuk e kuptojne problemin e tyre.Te keshilloj te lexosh shkrimin dhe jo shkrimtarin.

      Reply to this comment
      • Ylli August 23, 22:49

        Moikomi si shkrimtar, si politikan, si filozof ka arritur sot aty ku nuk ka arritur asnje shqiptar tjeter. E pergezojme kete njeri te jashtzakonshem per te gjitha kontributet dhe per mendimet e tij te guximshme e te pavarura, larg ose shume larg servilizmave dhe konjukturave partiake.

        Reply to this comment
    • Latifi August 23, 22:45

      Moikom Zeqo i censures se partise? Kete shpifje te turpshme mund ta beje vetem ndonje pinjoll i komunistit te eger antikomunist me emrin Sali Berisha.

      Reply to this comment
  3. Ylli August 22, 18:01

    Sa dua te permbahem por nuk mundem dhe sa perpiqem te jem me edukate por per ke ?? dhe per cfare ?? Per nje hipokrit komunist apo per lejimin e helmatisjes te opinionit me “helm” komunisto-enverist.
    Por c’fare bete 45 vjet o shoku Zeqo qe flet si maje te thanes.Ate skenen naziste ku 9 pjestaret djegin librat a nuk eshte tipike shqiptaro-komuniste.A nuk ndaluat Konicen Fishten Koliqin Merliken Ermenjin Skiroin Kutelin e qindra te tjere tamam si nazistet kundersharet e tyre ??? Vini re ….kete “e ema e Zeqos maje hipokrizise” e pershkruan si marrezi socialiste ???
    Projektligji i propozuar na qenka krim ???
    Po kush ndalon sot te lexoje ,shikoje apo shkruaj e komentoje cfare te doje dhe cfare pelqen apo nuk pelqen.Ja pyeti o Zeqo rilindno-enveristet e Dites ,do ndalojne se lexuari adhuruari e komentuari “veprat e pavdekshme te shokut Enver” .U rrezikohet qimja e flokut per kete gje ??? Absolutisht .Helmin e thithur te cica e Nenes Parti do ta shperndajne deri ne vdekje.
    Pa piken e turpit permend censuren e Zogut.
    Po si mundet nje njeri si ty ,qe ka jetuar kohen e Diktatures te citoj mosbotimin e nje poezie te Migjenit si hata e madhe kunder Lirise se Mendimit dhe te mos permend burgosjen apo varjen dhe pushkatimin per nje poezi te poeteve shqiptare.Kjo nuk hyn te shtypja e Lirise se Mendimit ??? A ke turp apo cipe se moral dhe karakter komunisti nuk mund te kete.
    Tregon historine e Mbretit te Anglise me poetin John Milton ??? Sa prekese ,na mallengjeve.Por si u soll Enveri o Zeqo jo vetem me shkrimtaret dhe poetet qe i urrente por dhe me nipat dhe mbesat e tyre.Sigurisht me kulture ,jo si Mbreti injorant i Anglise.
    C’ta zgjas kot ,ky vend ka ik per lesh po mhere ne qe jetojme per duruar dhe lexuar hipokritet Zeqollare qe deri dje Lirine e Mendimit me urdher te Partise e kishin varur ne LITAR.
    Sot ??? Sot shkojne deri te Greqia e Lashte te justifikojne hipokrizine e tyre dhe bejne sikur harrojne Burgun e Mendimit te Lire qe ndertuan 45 vjet ne Shqiperi.
    Shoku Moikom Zeqo….ti.ishe nje nga ata qe denuat jo armiqte ,por SHOKET edhe MIQTE !

    Reply to this comment
    • Kujdes!!! August 22, 23:42

      Ylli Moikom Zeqo eshte nje intelektual qe kalon pertej sistemeve. Lexo te pakten nje veper te Moikomit(e veshtir ta kuptosh) dhe gjyko mbajtjen, jo formen.

      Reply to this comment
    • Albi August 23, 22:52

      O Illy mos ja fut kot plako. Qenke injorant i papare, se perndryshe nuk do shkruaje keshtu pa pergjegjesi. Ke ngaterruar adrese, plako. Moikomi nuk ka lidhje me asgje nga keto qe shkruan ti.

      Reply to this comment
  4. artur b. August 22, 18:56

    Rendesi ka jo cfare ka qene Moikomi por cfare shkruan ketu.
    Jeni gje kunder?
    Ju qe i suleni Moikomit jeni po aq primitive e trushplare sa injoranti butaforik Alibeaj.

    Reply to this comment
    • info analitike August 22, 19:39

      o shoku artur b. a po genjejme ne apo jo? Ti qenke po aq hipokrit e maskara sa moikomet e partise qe perpiqen te lajne faqen e tyre te zeze me keto qendrime hipokrite. Trushpelarja ka qene profesioni i preferuar i moikomit e me sa duket ti qenke nxenes i zellshem i kesaj shkolle.

      Reply to this comment
      • artur b. August 22, 20:52

        Info, ti je psikopat pervecse idiot, dmth eshte pamundesi absolute te kuptosh . ti punon me instikt si psh te lepish si qen.
        Turqeta

        Reply to this comment
        • info analitike August 23, 09:19

          E ke lexuar veten ti? Me cito nje gje te mencur qe ke shkruar! Hajde te fala mendjes se keta te seres tende janne edhe budallenj edhe arrogante.

          Reply to this comment
  5. Mehmet Metaj August 22, 21:04

    Dakord sa citon apo risjell në vemendje në ditët tona nga përvojat e botës i dashur Moikom, por..këto janë epoka të tjera dhe nuk krahasohen fare me eopkën e censures komuniste dhe sidomos me atë të Enver Hoxhës ku në çdo film del fotografia e Enverit..paçka se ka shumë filma dhe produkte artistike shumë të mira që sot s’prodhohen dot më,…por kjo është tjetër gjë..nuk ka lidhje fare me “AREOPAGJITIKA’n” e John Milton’it, bile kjo që sjell ti për Miltonn e vyer, mua më kujton Migjenin tonë, se Migjeni i ngjan Miltonit,..që ngaqë s’i bënte hosana’ Ahmet Zogut, ky e çemsuroi dhe e injoroi kur bëri promovimin e tre shkrimtarëve më të shquar shqiptar me rastin e festës e Republikeë, ne v. ’30 (Naim Frashërin, Ndre Mjedeë dhe Gjergj Fishtën) dhe jo Migjenin që ishte më i madhi i të mëdhenjëve, por sidomos kjo më kujton mot à mot çensurën, persekutimin dhe burgosjen pa asnjë arsye të Zef Malës që u burgos disa here dhe direkt nga Enver Hoxha, bile ti duhet ta dish qe njehere kur Zef Mala ishte i lirë ne v. ’70 dhe bënte xhiro ne bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i veshur shik siç vishej ai, një intelektual i përkorë dhe filozofi i vetëm shqiptar.., e pa Enveri nga dritarja e zyrës dhe menjëhere telefonoi Kadri Hazbitë, “po ky Zef Mala shëtit ende’ i lirë..!” dhe kaq u desh dhe ai u fut prapë në burg dhe ai si Miltoni, u qerrua në burgun e Zvërnecit, dhe s’kujtohej njeri ta nxirte nga burgu… Dhe siç e përmend dhe ti Karlit të II Stuart nuk i bëri dora të firmoste ekzekutimin e Miltonit, ndërsa Enverit i bëri dora dhe zemra të firmoste shfarosjen e tërë intelektualëve dhe mendjeve shqiptare, duke filluar me Sejfulla Melëshovën, Nako Spirun etj.. Tuk Jakovën, Sabiha Kasimatin, Liri Gegën, Liri Belishovën etj etj,..Dhe më në fund Enver monstra, që pushkatoi dhe dajën e vetë, Bari Omarin dhe futi në burg edhe shokun e vetë të dhomës-klasës në Pontpelje, Syrja Selfo’n (bile kam dëgjuar një histori për ta se kur Syrja Selfo, që ishte shok dhome me Enverin në Montpelje, lexonte deri vonë, një natë Enveri pasi erdhi vonë nga verdallosjet që bënte perdite e gjeti Syrjain duke lexuar i tha, fike dritën se do flemë,..mos studjo kaq shumë i tha,,dhe me pas e pyeti, more Syrja po qe se bëhesh ti i pari i Shqipërise çfarë do më bësh mua, Syrjai i tha lëri mo këto shaka tani..,,..jo jo i tha Enveri më thuaj çfarë do më bësh,..po ja i tha Syrjai evlija’ do të bëj zëvëndës do të vë ne pozicionin më të rëndësishëm pas meje, …po mqse ti më pyete po të pyes edhe unë po u bëre ti i tha Syrjai, çfarë do më bësh mua,..une do të të fut në burg me ujë deri këtu i tha Enveri dhe vuri dorën në fyt.., dhe vërtetë Syrjai u fut në burgun e Gjirokastrës me ujë deri në fyt..kot së koti dhe vdiq pa nam e pa nishan ,..), dhe ky Enver bastardi më pas zhduku tërë njerëzit me mend dhe intelektualët në këtë vend..dhe vrau apo çoi në vetëvrasje dhe të fundit që kishte mbetut Mehmet Shehun vetë.

    Reply to this comment
  6. PANO HALLKO August 22, 21:27

    KUR FLET MOIKOMI, HESHTIM TË GJITHË. SEPSE MOIKOMI, NUK ËSHTË PERSON, NUK ËSHTË THJESHT NJË INTELEKTUAL DHE AQ. MOIKOMI, ËSHTË INSTITUCION KOMBËTAR I MENDIMIT DHE I ATDHETARIZMËS. NUK KA PATUR, E NUK KA KOSTUM PARTIAK, QË T`I RRIJË PAS TRUPIT MOIKOMIT. ËSHTË MBI TË GJITHA PARTITË… ËSHTË AI QË NA ËSHTË DASHUR DHE NA DUHET, PËRGJITHNJË, SIDOMOS PËR TË SOTMEN DHE PËR TË ARDHMEN…

    Reply to this comment
    • Iliri August 23, 22:56

      Te lumte o Pano Hallko. Moikomi eshte fiks sic e pershkruan: ËSHTË INSTITUCION KOMBËTAR I MENDIMIT DHE I ATDHETARIZMËS.

      Reply to this comment
  7. Lindi August 22, 23:07

    Moikom Zeqo eshte intelektuali me i rendesishen dhe koha do e vertetoj. Te gjithe keto persona qe hedin balt do te zhduket dhe do harrohen, ndersa ai do te jetoj nepermejt mozaikut te studimeve, zbulimeve, shkrimeve, analizave, librave dhe pafundesine e universit te tij.

    Reply to this comment
  8. Onkezmi August 23, 04:51

    Ju o balliste “modern”ngrini varrete te pareve.Kjo eshtw detyra juaj.Pa per Miokomin pjedestali i Diturise eshte ngritur ne zemrat tona,pra te atyre qe e kuptojne…

    Reply to this comment
  9. Robert August 23, 13:20

    Respekt per Moikomin, shqiptarin e larte te dijes dhe te se vertetes, ballkanasin me te mencur, patriotin e madh. Fat qe na jepet mundesia te lexojme shkrimet e tij brilante.

    Reply to this comment
  10. Astriti August 23, 22:59

    T’u befte jeta njemije, o Moikom Zeqo, mendimtar i madh dhe i pathyeshem. Sa bukur i thua mendimet e tua dhe ne te gjithe te duam, te vleresojme e te mbeshtesim pafund per gjithshka mendon, shkruan e boton.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*