Kundër gjykimit të njëanshëm për figurat historike

August 9, 2017 12:06

Kundër gjykimit të njëanshëm për figurat historike

Nga Niko Suli*

Më vjen mirë që është hapur një debat interesant nga gazeta ‘DITA’ për heqjen e statujës së Ahmet Zogut dhe bërjen e një referendumi për rehabilitimin e Enver Hoxhës. Por nga komentet që lexoj, më vjen keq për cektësinë e disave dhe njëanshmërinë e gjykimit. Nuk jam dakord me këtë perceptim të këtyre dy figurave historike, ndaj dhe po shfaq mendimin tim në këtë debat.

E para. Për Ahmet Zogun është folur vetëm zi gjatë regjimit komunist. Aq zi sa shpesh nuk e kemi besuar. Prisnim që pas viti 1990 të shihnim anën e ndritur të mbretit, por atë anë nuk e pamë asnjëherë. Gjatë kësaj periudhe kanë dalë dokumente dhe fakte që e fusin edhe më thellë ish-mbretin. Ka në biografinë e tij fakte të pakontestueshme të tradhtisë kombëtare, të shitjes së atdheut dhe të grabitjes së tij. Dhe ata që i kanë treguar këto të vërteta, janë autoritete shkencore dhe politike, që flasin me gjuhën e fakteve dhe të dokumenteve… Jam çuditur shumë kur mora vesh se këtij njeriu që i janë vërtetuar katërcipërisht tradhtitë kombëtare iu ngrit para pesë vjetësh një statujë në Tiranë, që me të drejtë i revolton dhe i fyen shqiptarët e ndershëm dhe atdhetarë. Prandaj dhe bashkohem me mendimin e atyre nismëtarëve që kërkojnë heqjen e monumentit të tij në Tiranë.

E dyta. Lidhur me referendumin për Enverin. Mirë apo keq, Enver Hoxha është pjesë e Historisë së Shqipërisë. Kushdo që do të përpiqet ta shkruajë atë pa vitet e Enver Hoxhës, ajo histori do t’i dalë e cunguar. Po tregoj me këtë rast një anekdotë që unë e besoj si tërësisht të vërtetë.

Dikur, një kamerieri i tregojnë një gotë dhe e pyesin:

– Ç’është kjo?

– Kjo është një gotë! – përgjigjet ai pa mëdyshje.

Pastaj i bëjnë një kimisti të njëjtën pyetje. Ai përgjigjet:

– Rëra në kushte temperature dhe trysnie të caktuar është qelq.

Së fundi, të njëjtën pyetje ja bëjnë një ideologu të Partisë Komuniste.

Ai përgjigjet:

– Kjo që po më tregoni është mundi dhe djersa e klasës punëtore.

Që të tre, gjithsecili nga këndvështrimi i tij, kishin të drejtë.

E them këtë se sot dhe ata që e shajnë dhe ata që krenohen me Enverin, gjithsecili nga këndvështrimi i tij ka të drejtë. Historia kur shkruhet për t’i çuar gjërat aty ku duhet, është e domosdoshme t’i lërë mënjanë pasionet egoizmin, antipatitë. I vetmi që nuk gabon është ai që s’bën asgjë.

Lidhur me figurën e Enverit iu rekomandoj atyre që mund të më kontestojnë, të lexojnë librin e mrekullueshëm të Peter Lucas-it “Misioni amerikan në Shqipëri”. Në gazetën ‘DITA’ janë botuar disa fragmente nga ky libër, por unë e kam lexuar më shumë se një herë atë libër dhe bindem për vërtetësinë e tij. Janë amerikanë ata që flasin në atë libër për Enverin. Dhe është fakt se Enveri udhëhoqi një luftë çlirimtare antifashiste dhe e fitoi atë, iu vjen apo nuk u vjen mirë disave. Historia nuk zhbëhet. Dhe ajo luftë mbetet një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare që na radhiti në anën e fitimtarëve dhe aleatëve më të mëdhenj të kohës.

Do gjejmë padyshim plot fletë të zeza në historinë e viteve të Enver Hoxhës. (Mos u përpiqni të më mbushni mendjen se fletët e historisë që nga viti ‘90 e deri sot janë të bardha, se do ta ha stilolapsin). Jo vetëm kaq, por po t’i shohim gjerat kaq hollësisht sa shohim vitet e Enverit, kam frikë se në historinë shqiptare të pas 90-s do predominojë e zeza.

Nejse, kjo është çështje këndvështrimi, sikurse thashë më lart. Mua personalisht nuk do të më shqetësonte aspak rehabilitimi i Enver Hoxhës, biles do të më pëlqente se pas kësaj historia e shkruar e vendit tim do ishte më e plotë dhe arsenali i liderëve të vendit më i kompletuar.

*Emigrant në Greqi

August 9, 2017 12:06
Komento

2 Komente

  1. MH August 9, 18:50

    Ne mbeshtetje te keti shkrimit Enveri duhet te rivendoset aty ku e hoqen.E hoqen pa referendum.Meriton te vendoset urgjentisht se u ba gabim heqja.Ose ne respekt te njohjes se institucioneve te shtetit shtet te vendoset me referendum.Asht pjese e historise nga ma pozitivet e historise kombit.

    Reply to this comment
  2. Arben August 9, 22:57

    KU KA ME GJYKIM TE NJEANSHEM TE HISTORISE SE

    45 VITET E SUNDIMIT KRIMINAL SERBO-KOMUNIST

    NE SHQIPERI.

    PA U HEDHUR POSHTE ATO ,NUK KA SHANCE

    TE KEMI HISTORINE TONE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*