Kupa e Shqipërisë, zbardhen edhe çiftet çerekfinaliste

November 5, 2015 11:26

Kupa e Shqipërisë, zbardhen edhe çiftet çerekfinaliste

U luajtën 7 nga tetë ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Njëra prej tyre, Skënderbeu-Sopoti, është shtyrë disa ditë në kohë, për shkak se kuqebardhët do të sfidojnë nesër mbrëma, në “Elbasan Arena”, Sportingun e Lisbonës, ndeshje kjo e vlefshme për Grupin H të Ligës së Europës.

Gjithsesi, duke ditur rezultatin e ndeshjes së parë mes kampionëve dhe librazhdasve, 1-1, si dhe pretendimet e të dyja palëve, nuk do mend për të thënë se Skënderbeu do të jetë në çerekfinale.

Për ta zyrtarizuar këtë, megjithatë, duhet pritur data 11 nëntor. Në ballafaqimet e tjera ka pasur pak histori, sepse gjithçka ishte vendosur në ndeshjet e para.

Vetëm në Krujë e Shkodër adrenalina ka qenë në shkallën sipërore. Kjo për faktin se Laçi dhe Vllaznia, respektivisht, kishin barazuar pa gola në Ballsh dhe Fier. Së këndejmi, gjithçka niste nga “zero” ditën e sotme. Në këto dy stadiume (Vllaznia ka luajtur në “Reshit Rusi”) ka pasur luftë të fortë sportive, si dhe rezultate të ngushta.

Mes drithërimash është kualifikuar fituesi në fuqi i Kupës së Shqipërisë, Laçi, duke mundur 3-2 Bylisin. Heroi i kurbinasve ka qenë nigeriani Xhejms, me tripletën e tij personale.

Vllaznia ka vuajtur jo pak me fierakët e Kategorisë së Parë. Rezultati 2-1 ka ardhur me “zemër në dorë” për kuqeblutë, sepse Apolonia nuk ka toleruar, por ka dëshmuar potencialin e saj të vërtetë.

Fitore pa sforcim kanë arritur edhe skuadrat e tjera të Superiores në fushat e tyre, edhe pse kanë aktivizuar mjaft lojtarë stoli. Tirana, Kukësi, Flamurtari, Teuta dhe Partizani janë çerekfinalistët e tjerë të këtij kompeticioni, veç shkodranëve dhe kurbinasve.

Sikurse dihet, skema e përplasjeve është e paracaktuar, ndërsa short do të ketë vetëm në përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste, ndërmjet 4 ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Finalja e këtij kompeticioni do të luhet më 25 maj 2016, në një stadium që do të përcaktohet nga FSHF-ja dhe varet nga skuadrat finaliste. Turi i tretë eliminator, ose çerekfinalet, do të luhet në datat 3 dhe 17 shkurt të vitit të ardhshëm. Edhe këtu, skuadrat e kualifikuara do të luajnë ndeshje me sistemin vajtje-ardhje.

Kupa e Shqipërisë

Turi i dytë, ndeshjet e kthimit

 

Grupi A

PARTIZANI-LUSHNJA 2-0

Golat: Ismailaj 4’, Morini 42’

LAÇI-BYLISI 3-2

Golat: Xhejms 8’, 47’ (pen), 61’ / Buljan 39’ (aut), Asani 42’

VLLAZNIA-APOLONIA 2-1

Golat: Kalaja 28′, Martinez 36’ / Nako 55’

SKËNDERBEU- SOPOTI (e shtyrë)

Grupi B

KUKËSI-ILIRIA 2-1

Golat: Musolli 18’, Lima 58’/ Myrtaj 88’

TIRANA-KASTRIOTI 2-1

Golat: G.Lika 11’, Halili 53′ (pen) / Leka 79’

FLAMURTARI-TËRBUNI 5-0

Golat: Shehaj 37’, 40’, 60’, Morina 76’, Bregu 88’

TEUTA-KAMZA 3-0

Golat: Lukiç 36’, Hoxha 67’, Hodo 78’

 

 

Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë

(3 dhe 17 shkurt 2016)

 

Grupi A

VLLAZNIA – SKËNDERBEU (SOPOTI)

LAÇI – PARTIZANI

Grupi B

TEUTA-KUKËSI

FLAMURTARI-TIRANA

November 5, 2015 11:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*