Kupa rikthehet me emocione të forta

April 19, 2016 11:41

Kupa rikthehet me emocione të forta

Emocionet e forta të kampionatit do ti lënë vendin sfidave të kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.

Të mërkurën do të mësohen skuadrat finalistë të këtij edicioni, që me gjasa mund të jenë po ato të sezonit të shkuar.

Kukësi do të presë në shtëpi Flamurtarin, dhe ka një avantazh të madh pas fitores 0-2 në Vlorë. Pavarësisht se kuqezinjtë nuk janë dorëzuar, shanset për një përmbysje janë të vogla duke u nisur nga statistikat.

Së pari janë shifrat e javëve të fundit që favorizojnë verilindorët të triumfojnë edhe në këtë 90 minutësh. Së dyti forma që po kalojnë skuadrat është e ndryshme, me skuadrën e Klodian Duros që ka një ritëm më të mirë sesa të gjitha skuadrat e tjera të kampionatit.

Por mbi të gjitha janë përballjet direkte në Zeqir Ymeri që flasin në favor të vendasve. Në 8 ndeshjet e fundit brenda dhe jashtë ka vetëm fitore për Kukësin, ndërsa në 7 takimet e luajtura në shtëpi janë po kaq fitore me golavarazh 24-5. Në Korçë vendasit kanë për detyrë të kthejnë rezultatin 0-1 të ndeshjes së parë ndaj Laçit.

Pavarësisht se kurbinasit kanë humbur forcën në sulm, mbeten një kundërshtarë i vështirë për tu thyer në mbrojtje, por mbi të gjitha janë cilësuar edhe ekspertët e këtij kompeticioni.

Skënderbeu po kalon një moment të vështirë pasi vjen pas 3 humbjeve radhazi, ku më e rënda ishte ajo në shtëpi me Tërbunin e vendit të fundit.

Mbi të gjitha sfida ndaj Laçit është përgatitur pa praninë e trajnerit Mirel Josa, i cili gjendet pranë familjes në kryeqytet pas ndarjes nga jeta e babait të tij. Edhe bardhezinjtë vijnë nga dy humbje radhazi, me Tiranën dhe Flamurtarin, por kupa mbetet objektivi kryesor.

Të dyja skuadrat janë ndeshur së bashku në sfidën hapëse të sezonit, me superkupën e Shqipërisë të fituar nga Laçi me penallti.

Avantazhi i skuadrës së drejtuar nga Ramzan Ndreu është fakti që kampionët janë të fokusuar në kampionat, dhe mbi të gjitha tek dueli i javës së ardhshme me Tiranën.

April 19, 2016 11:41
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*