Kuqezinjtë, mision i dyfishtë në Islandë

September 10, 2013 15:17 Updated

Kuqezinjtë, mision i dyfishtë në Islandë

Shqipëria do të ndeshet sot në mbrëmje me Islandën me pretendimin për të rimarrë vendin e dytë, duke shpresuar edhe në ndonjë dhuratë nga Zvicra, e cila duhet të ndalë Norvegjinë në Oslo. Grupi E është plotësisht i hapur pas rezultateve të së premtes, ku Norvegjia e Sllovenia fituan, ndërsa Zvicra dhe Islanda barazuan midis tyre. Morali mund të jetë i kundërt në dy kampet, pasi islandezët vijnë nga një rezultat i madh, i barabartë me fitoren, duke pasur parasysh që humbisnin 4-1 përballë skuadrës më të fortë të grupit. Shqipëria ka në lojë ëndrrën dhe prestigjin e saj si skuadër. Ëndërron botërorin, qoftë edhe me play-off, por edhe synon të mos bjerë edhe më poshtë, në vendin e katërt, aty ku ua kalon vetëm Qipros. Me kualifikim ose jo, paraqitja e kuqezinjve në këtë edicion ka qenë tepër e mirë për t’u renditur në zonën tradicionale, në një nga dy vendet e fundit. Për këtë arsye, motivet janë që lojtarët e De Biazit ta harrojnë Slloveninë dhe të përqendrohet fort në takimin e sotëm, përballë vendasve të entuziazmuar. Krahasuar me formacionin që luajti në Lubjanë një ndryshim është i garantuar, pasi Ansi Agolli mori kartonin e dytë të verdhë kundër Sllovenisë. Rikthehet nga pezullimi Dallku, i cili pritet të marrë vendin në të djathtë të mbrojtjes. Për krahun e majtë janë disa alternativa, duke filluar që nga Elseid Hysaj, Odise Roshi dhe Andi Lila. Po ashtu, pritet që në sulm të luajë Hamdi Salihi, së bashku me Edgar Çanin, çka do të thotë një mesfushor më pak, dhe sëpata pritet të bjerë mbi Ervin Bulkun, për të mbajtur dyshen qendrore me Kaçen dhe Bashën.

 

Grupi E

 Islandë-Shqipëri

Reikjavik

Direkt në TVSH dhe

Supersport në 21:00

 

Në skajin e Evropës

Kombëtarja shqiptare mbërriti dje në Reikjavik pasi një fluturimi që zgjati katër orë e gjysmë. Skuadra u nis dje në orën 9:30 nga Lubjana e Sllovenisë. Bashkë me grupin e lojtarëve ishin edhe rreth 150 tifozë shqiptarë.

 

400 tifozë kuqezi

Shqipëria asnjëherë në këto eliminatore nuk e ka vuajtur mungesën e tifozerisë në transfertë, kështu pritet të ndodhë edhe sot në mbrëmje. Megjithatë, në Reikjavik do të jetë një numër simbolik në krahasim me transfertat e tjera. Në shkallët e stadiumit “Laugardalsvollur” i cili ka kapacitet prej 15 mijë vendesh pritet të jenë rreth 400 tifozë shqiptarë.

 

Grupi E

Slloveni-Zvicër      0-2

Shqipëri-Qipro       3–1

Islandë-Norvegji          2-0

Qipro-Islandë        1-0

Norvegji-Slloveni    2-1

Zvicër-Shqipëri      2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Zvicër-Norvegji      1-1

Slloveni-Qipro       2-1

Qipro-Norvegji       1-3

Islandë-Zvicër       0-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

Slloveni-Islandë           1-2

Norvegji-Shqipëri    0-1

Qipro-Zvicër         0-0

Shqipëri-Norvegji    1-1 

Islandë-Slloveni           2-4

Zvicër-Qipro         1-0

Zvicër-Islandë

Norvegji-Qipro

Slloveni-Shqipëri

Islandë-Shqipëri

Norvegji-Zvicër

Qipro-Slloveni

Slloveni-Norvegji

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

Norvegji-Islandë

Qipro-Shqipëri

Zvicër-Slloveni

 

N.   Skuadra    N    F    B    H    Gol. Pikë

1.   Zvicra     6    4    2    0    8:1  14

2.   Shqipëria  6    3    1    2    7:6  10

3.   Islanda    6    3    0    3    8:9  9

4.   Norvegjia  6    2    2    2    7:7  8

5.   Sllovenia  6    2    0    4    8:10 6

6.   Qipro      6    1    1    4    4:9  4

 

 

Shqipëria, ndeshja e jetës për Islandën

 Lars Lagerbak, trajneri i Islandës, është i bindur se skuadra e tij do të bëjë të pamundurën për të fituar kundër Shqipërisë. Numri një i ekipit islandez pohon për Fotbolti.net se takimi me kuqezinjtë është pika më e rëndësishme e këtyre eliminatoreve. Sipas tij, nëse Islanda do Botërorin, duhet të fitojë kundër Shqipërisë. Barazimi 4-4 të premten, tashmë është harruar dhe sytë janë hedhur tek sfida me Shqipërinë. “Duhet të harrojmë atë që bëmë në Zvicër. Duhet të shohim Shqipërinë. Nëse dështojmë në këtë takim, atëherë kemi dështuar gjatë gjithë eliminatoreve. Djemtë nuk kanë probleme karakteri. Shumë prej tyre janë duke u rehabilituar. Sot kemi diskutuar se si do të luajmë në ndeshjen e radhës me Shqipërinë. Për këtë ndeshje është gjithçka e hapur, prandaj e kam vendosur që do të hedh në fushën e lojës ata lojtarë që janë vetëm 100 për qind. Sigurisht disa lojtarë janë të pandryshueshëm”, është shprehur suedezi. Trajneri i Islandës, karikoi skuadrën pas pikës së marrë në Zvicër. Kundër Shqipërisë, sipas tij, do të jetë ndeshja e jetës, ndonëse barazimin 4-4 në Zvicër e konsideron si ndeshjen më të pabesueshme të karrierës së tij sportive. “Djemtë janë treguar të mrekullueshëm. Treguan karakter dhe nuk u dorëzuan. Edhe djemtë nuk e besojnë atë që bënë. Të gjithë duam të kemi sa më shumë mbështetje kundër takimit me Shqipërinë, sepse me një fitore kemi shans të madh për të qenë të dytët në grup. U kërkoj të gjithë tifozëve për të qenë në stadium”, është shprehur Lagerbak.

Gudjonsen

Eidur Gudjhonsen, ish-sulmuesi i Chelsea-t dhe i Barcelonës, është futbollisti më i famshëm i kombëtares së Islandës, që do të kërkojë fitoren ndaj Shqipërisë në Reikjavik, për të ëndërruar për herë të parë në histori kualifikimin në Botëror. 34-vjeçari ndryshoi rrjedhën e lojës në pjesën e dytë ndaj Zvicrës. Edhe ndaj Shqipërisë, Gudjonsen do ta nisë nga stoli, por ky fakt nuk e shqetëson veteranin që aktualisht luan me Bryzhin. “Mosaktivizimi titullar nuk është problem për mua. Jam aq i zgjuar sa t’i kuptoj zgjedhjet e trajnerit. Unë jam shumë i lumtur që jam pjesë e kombëtares që po arrin rezultate të shkëlqyera. Janë të tjerë ata që vendosin nëse duhet të luaj ose jo titullar”.

Ndërsa mesfushori Ari Freyr Skulason kujton se Shqipëria është një kundërshtare shumë më e fortë nga çfarë mendojnë njerëzit në Islandë. “Ndaj Zvicrës treguam karakter duke shënuar katër gola në një fushë shumë të vështirë. Takimi me Shqipërinë është krejt ndryshe. Ata kanë bërë ndryshime të shumta kohët e fundit dhe janë shumë më të mirë nga sa mendojnë njerëzit”.

 

 

 

September 10, 2013 15:17 Updated
Komento

1 Koment

  1. antishkelzeni September 10, 15:38

    i urojme ekipit tone suksese,me pasion dhe me deshire mund t’ja dalin,

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*