Kur bie lisi, gjithë fshati bën dru…

Nga Habjon Hasani September 12, 2014 10:42

Kur bie lisi, gjithë fshati bën dru…

Dje dukej se frynte një erë e mbarë institucionale.

Komisioni i Ekonomisë në Kuvend nuk ja përtoi vendimit që vë në lëvizje parlamentin për shkarkimin e Guvernatorit Fullani.

Erjon Braçe, i vetmi deputet i Kuvendit që denoncoi pa dorashka atë që ndodhte në Bankën e Shqipërisë, dje në cilësinë e kreut të Komisionit të Ekonomisë bëri të ditur vendimin. Tani pritet që kërkesa e Komisionit të Ekonomisë të futet në kalendarin e punimeve dhe deputetët ta votojnë shkarkimin.

Por përtej hullisë institucionale të administrimit të skandalit në Bankën e Shqipërisë, duket se trajektorja administrative që vuri në lëvizje Kuvendin shfaq disa paradokse, që lidhen sidomos me Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Dy ditë pas arrestimit nga prokuroria të Ardian Fullanit, këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u mblodh urgjentisht dhe vendosi t’i propozonte Komisionit të Ekonomisë në Kuvend shkarkimin e Fullanit më 6 Shtator.

Por deri sa mbërriti në vendimin e datës 6 Shtator, për rreth një muaj Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë duket se ka bërë disa kthesa dhe zig-zage të forta. Fiks një muaj përpara se të kërkonte shkarkimin e Guvernatorit, më datën 6 Gusht, ky Këshill, nëpërmjte një njoftimi për shtyp, përgënjeshtronte me forcë një informacion të dhënë nga televizioni “V+” ku aludohej shkarkimi i Fullanit në mbledhjen e 6 Gushtit.

Lexoni me vëmendje se sa qartë refuzonte Këshilli çdo informacion mbi shkarkimin e Fullanit në media:

“Në vijim të lajmit të publikuar sot në televizionin Vizion Plus, “Fullani, propozohet shkarkimi”, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë informon publikun se ky lajm nuk është i vërtetë. Në diskutimet e zhvilluara gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Mbikëqyrës ju bëjmë me dije se nuk ka pasur asnjë propozim nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë”, shkruante njoftimi i këshillit Mbikëqyrës më datën 6 Gusht.

Një javë më vonë, më datën 14 Gusht, në mbledhjen tjetër të të njëjtit Këshill, anëtarja e Këshillit Ermelinda Meksi propozoi nisjen e procedurave për shkarkimin e Guvernatorit Fullani. Por Këshilli e hodhi poshtë këtë propozim duke bërë dhe një deklaratë të gjatë për shtyp ku ndër të tjera shkruhej:

“Në këtë mbledhje, anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës, zonja Meksi, në përputhje me nenin 47, pika 2, germa (c) të Ligjit “Për Bankën e Shqipërisë, propozoi shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (5 anëtarët e tjerë të pranishëm) nuk e pranoi propozimin e saj”.

Në të njëjtën deklaratë të kësaj dite, ky Këshill bënte dhe arsyetimin spektakolar ku pas analizimit tësituatës, kishte dalë në konkluzionin se është elementi njerëzor ai që kishte luajtur rol në vjedhjen që kishte ndodhur. Kjo është ndoshta deklarata më spektakolare e bërë ndonjëherë nga një institucion kyç shtetëror, ku, Këshilli sqaronte publikun duke përdorur si argumentin kryesor mungesën e veseve tek sendet dhe prezencën e veseve tek njerëzit.

Por i njëjti Këshill u mblodh sërish, më datën 6 Shtator, vetëm tri ditë pas arrestimit nga prokuroria të Guvernatorit dhe vendosi diametralisht kundër nga sa kishte bërë një muaj rresht.

Vendosi të propozonte në Kuvend shkarkimin e Fullanit. Për të gjetur motivin e kësaj kthese të fortë, Këshilli i ra shkurt, vendosi të përdorë si motiv, akuzat që prokuroria kishte ngritur ndaj Fullanit për shpërdorim detyre.

E gjithë kjo trajektore me këto oshilacione të forta e këtij këshilli, e bën qesharak atë, por një vëzhgim i vëmendshëm i akuzave të prokurorisë zbulon se Këshilli është i barabartë në faje dhe përgjegjësi me Fullanin.

 

Zëvendës/Guvernatori i fundos të gjithë

Pasi prokurorët i hodhën prangat Fullanit, organi i akuzës dërgoi një material për mediat ku rendiste dhe 5 shkeljet që i konsideronte si shpërdorim detyre nga ana e Guvernatorit.

Shkelja e parë dhe më e rëndësishme sipas Prokurorisë ishte si më poshtë vijon:

“Guvernatori i arrestuar nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, Mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare”, – njoftonte prokuroria.

Vini re, prokuroria thekson në akuzën e saj kryesore se mungesa e zëvendës/guvernatorit ishte një mangësi kyçe që lidhej drejtëpërdrejtë me zinxhirin e hallkave nga Guvernatori e deri tek magazina ku u zhvatën 7.13 milionë USD.

Zinxhiri i përgjegjësisëështë i tillë: Bitraj punonte tek Magazinat e Vlerës dhe kontrollohej nga Drejtoria e Emisionit. Drejtoria e Emisionit kontrollohej nga Kryeinspektorja që duhej t’i bënte në mënyrë periodike kontrollet dhe inventarët. Nga ana tjetër, Kryeinspektorja duhej që të raportonte këto kontrolle tek Zëvendës/Guvernatori dhe më pas ky të bënte prezantimet e rezultateve përpara Këshillit Mbikëqyrës të paktën çdo tre muaj.

Por Zëvendës/guvernatori kishte 5 vite që ishte një vend i mbetur vakant, bosh.

Për këtë prokuroria akuzoi posaçërisht si përgjegjës Guvernatorin Ardian Fullani, pasi sipas organit të akuzës ai kishte detyrimin që të propozonte kandidaturën për emërim.

Por nëse konsulton ligjin e Bankës së Shqipërisë, në lidhje me këtë emërim të munguar, Guvernatori nuk rezulton i vetmi përgjegjës, aq më pak përgjegjës ekskluziv. Ligji në nenet 42 dhe 44 përcakton si më poshtë mënyrën e emërimit të zëvendës/Guvernatorit:

 

42-Këshilli Mbikëqyrës është organi më i lartë vendimarrës dhe mbikëqyrës i politikave,

i administrimit dhe i operacioneve të Bankës se Shqipërisë….

Mbikëqyrës për çështjet kryesore që lidhen me:

  1. a) administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë

 

44-“Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron

zëvëndësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori”.

Qartësisht këto dispozita ngarkojnë Këshillin Mbikëqyrës për administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë dhe zgjedhjen e zëvendës/Guvernatorit po aq sa dhe Fullani, ndërsa guvernatori ka pasur dhe detyrën shtesë që ta propozonte një emër. Por nëse Fullani nuk e kishte bërë propozimin, në Bankë ishte pikërisht Këshilli, që kishte detyrim ekskluziv ligjor që të urdhëronte Guvernatorin për të bërë propozimin . Pra dispoizita qartësisht sanksionon se përgjegjës për mungesën e zgjedhjes së një zëvendës/guvernatori është sa Fullani aq dhe Këshilli Mbikëqyrës, i gjithi, për 5 vite ky Këshill e ka lënë vakant atë post, por sot pas hekurave gjendet vetëm Ardian Fullani.

Për ironi, Këshilli Mbikëqyrës ka propozuar në Kuvend shkarkimin si Guvernator të Ardian Fullanit, bazuar mbi një argument që bën qartesisht fajtor sa Këshillin aq dhe Guvernatorin. Ky është dhe paradoksi i kësaj situate, prokuroria ka vënë pas hekurave Guvernatorin bazuar mbi një shkelje që e ka bërë se bashku me “ca të tjerë” .

Por, Guvernatori bën burg, ndërsa “ata të tjerët” propozojnë shkarkimin e Tij (?!)

 

Një përpjekje për të kuptuar…

Ka pasur dilema të forta mbi atë që po ndodh në prapaskenën e skandalit të Bankës së Shqipërisë. Pas skandalit të padëgjuar të vjedhjes së Bankës, për dy muaj rresht Fullani nuk tutej, dukej sikur dorëheqja ishte e pakonceptueshme për të, një TABU. Nga ana tjetër në atmosferë ndihej një konsensus i gjerë për mbrojtjen e tij, majtas, djathtas, në prokurori në shoqërinë civile, askush nuk ndihej. Me një përjashtim, Erjon Braçen, i vetmi deputet që ecte me të njëjtin temp të opinionit publik në raport më këtëçështje.

Por krejt papritur prokuroria i befasoi të tërë kur i hodhi prangat Guvernatorit. Çfarë kishte ndodhur? Mbi këtë ndryshim të papritur kursi, të gjithë kanë dilemat dhe opsionet e tyre shpjeguese, por mund të mos jetë kjo më e rëndësishmja.

Rezulton se arrestimi i Guvernatorit i çliroi të gjithë nga pak, jo vetëm Këshillin Mbikëqyrës, por edhe shumë analistë apo politikanë që krejt papritur po shfaqen në panelet televizive duke komentuar, ndonëse me dy muaj vonesë.

Tipik ishte rasti rasti i Selami Xhepës, i cili hapi një debat pak ditë më parë kur deklaroi se duhej të shihej dhe opsioni që Guvernatori i Bankës mund të zgjidhej një ekspert i huaj. Ky ishte një propozim shumë interesant, nëse mbajmë parasysh se zoti Xhepa në vitin 2012, në Kuvendin e Shqipërisë, mbronte me forcë veprimet e zotit Fullani me rastin e paprecedentë të blerjes së Hotel Dajtit nga ana e Bankës së Shqipërisë kundrejt 30 milionë eurove.

Duket sikur të gjithë morën komandën “Zjarr” dhe tashmë kanë leje të plotë për ta përmendur dhe komentuar këtëçështje. “Kur bie lisi, gjithë fshati bën dru”, thotë një shprehje popullore.

Fullani ra,duke dëmtuar rëndë sa më ska dhe institucionin e Bankës së Shqipërisë.

Por drutë e siguruara nga rënia e lisit, nuk janë kolateral i evidentimit apo zgjidhjes së problemit.

Nga Habjon Hasani September 12, 2014 10:42
Komento

4 Komente

  1. Dike Mullai thote- September 12, 22:56

    RESPEKTE per Artikull-shkruesin Habjon Hasani! Me ARGUMENTA, jo me shume fjale, jep KONCENTRATIN e gjithe ngjarjeve te ketyre dy muajve! Shpresoj te mos dali ndonje ngjarje tjeter (“Pete byreku”) dhe t’i shtohet “BYREKUT”, e te anashkalohet kjo ngjarje!!!

    Reply to this comment
  2. TOMORRI September 13, 06:32

    Renia e Fullanit tregon qe lisi ishte i kalbur e pavaresisht kesaj fshati kurv ben dru me ashkla te njoma e te kalbura . Zjarr s’kemi vetem tym.
    Moral Shqiptar shkerdhatokracie.
    Shkrim i goditur.

    Reply to this comment
  3. labinot September 13, 07:38

    Fullani ra,duke demtuar sa me ska dhe instituconin e Bankes se Shqiperise!.Ku e bazon autori kete pohim te tij!!!Arrestimi Fullanit nuk ka demtuar kerrkend,pervec Fullanit dhe duvaxhinjve te tij.Edhe arresti i keshillit drejtues nuk do ta demtonte banken,perkundrazi.

    Reply to this comment
  4. SEKRETARJA ..me floke te palara September 13, 07:50

    1} Erjon Bracja te marri ca pushime ,ok guvernatorin e hoqi tani te qetesohet se partia e Braqes historikisht ka ngrene me pare kelyshat e vet .
    2}Akuza per shperdorim detyre qendron per gjithe keshillin mbikqyres ,perfshire ketu dhe E.Meksin …ate qe terthorazi po na i paraqet si heroine {Habjon ti je djale i squt}
    perfshire deri dhe te ato drejtoreshat e pastrimit te korridoreve ,qe ky populli i quan ,…pastruese …nuk lejohet ,ne BSH nuk lejohej kjo gje ….te gjithe ishin drejtore .
    3}Akuza per Fullhajnin ,duhet te ishte :
    VJEDHJE ME ANE TE SHPERDORIMIT TE DETYRES
    ..kjo akuze do ishte ai kolaterali i evidentimit te problemit ..pra ato drute qe do na “ngrohnin”
    sepse zgjidhja e problemit eshte ca me e veshtire ..duhet te gjejme ku jane parate …
    qe ta zgjidhim .
    Vetem kjo akuze nuk do lejonte Alaudin Gerdecin ta linte jashte ,sepse ai mund te konsiderohet i lire qysh tani .Jo ,se po qe per shperdorim detyre ,duhet te fusim brenda gjithe ata qe kane pasur perkohsisht nje detyre shteterore qofte dhe per 3 muaj .

    Mos te degjoj me edukim masash me “drejtesi te korruptuar” ,lidheni dhe shokun Mero
    i thoni si keshilltar i kryeministrit per protestat qytetare ,me pare duhet te edukoje Qytetare
    sepse ketu kemi shume qyqare dhe sidomos kujdesohuni qe ky show mediatiko qeveritar mos tu haje Rilindjen .
    Ramadan Troci te marri sa kohe qe i duhet ,por ama dikush te rrije mbas hekurave .
    Sepse nqs nuk rri mbas hekurave ,nuk e ka fajin …Saliu .
    E KANE FAJIN TE GJITHE ATA QE MASHTRUAN DUKE NA THENE QE JU DUHESHIN VOTAT SE DREJTESI DO BENIN !

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*