Kur edhe të bardhën e sheh të zezë

August 10, 2018 12:24

Kur edhe të bardhën e sheh të zezë

Prof. Fatos Tarifa

(Polemikë me Prof. Shezai Rrokaj)

Në demokraci, kushdo është i lirë dhe ka të drejtë të kritikojë e të shprehë publikisht mendimin e vet për çdo subjekt dhe për këdo, pa dyshim edhe për politikanët dhe politikat shtetërore. Karl Popper thoshte se liria për të kritikuar autoritetet politike dhe intelektuale është një kusht esencial për një shoqëri të hapur. Përgjithësisht, publiku i mirëpret opinionet dhe kritikat e informuara të intelektualëve tanë, edhe pse vitet e fundit Shqipëria duket se ka prodhuar më shumë “opinionistë” per capita sesa çdo vend tjetër europian. Unë jam i interesuar të mësoj se çfarë mendojnë intelektualë të tjerë shqiptarë, kolegë të mi ose jo të tillë, dhe i lexoj me vëmendje analizat e komentet që shumë prej tyre botojnë në shtypin e përditshëm. Më vjen mirë kur shoh e kuptoj se pikëpamjet dhe qëndrimet e një pjese të tyre ngjasojnë me të miat, ose kur, pavarësisht dallimeve që mund të kemi, pikëpamjet e tyre janë të argumentuara.

Sidoqoftë, indinjohem me ata individë, të cilët, kritikën publike ndaj autoriteteve e shohin si një qëllim në vetvete, ose thjesht si një detyrë partiake dhe, për këto arsye, kritikojnë vend e pa vend këdo e për çdo gjë. Petrit Vasili kam vënë re se është më i spikaturi në këtë kategori njerëzish, por jo i vetmi. Tri ditë më parë, Prof. Shezai Rrokaj, kolegu im i nderuar, ish-Rektor i Universitetit të Tiranës, botoi në gazetën Panorama një kritikë ndaj një Urdhëri të Ministres së Arsimit, znj. Lindita Nikolla. Urdhëri në fjalë (Nr. 433) ndalon “përdorimin e telefonit celular gjatë procesit mësimor nga mësuesit dhe nxënësit në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar”. Urdhëri përcakton, gjithashtu, ata individë dhe organizma që ngarkohen me zbatimin e tij. Vetëm kaq. Për mua, shkurt, qartë dhe saktë. Por, për z. Rrokaj, edhe pse ai është i vetdijshëm dhe e pranon se përdorimi i telefonëve celularë në orën e mësimit përbën një shqetësim serioz, të cilit i duhet gjetur zgjidhje, zgjidhja e ofruar përmes Urdhërit në fjalë është e gabuar.

Rrokaj, si çdokush tjetër, mund të ketë pikëpamjen e tij mbi këtë çështje dhe, siç theksova në krye të kësaj polemike me të, është një e drejtë legjitime e tij që ta kritikojë zgjidhjen e gjetur nga Ministrja e Arsimit, si dhe të sugjerojë pikëpamjen e vet. Por, duke e përjashtuar (edhe pse jo krejt si të pamundur), motivin thjesht politik në kritikën e tij, më bëjnë përshtypje argumentet që ai sjell në mbështetje të kritikës së vet. I kërkoj ndjesë publikut dhe vetë z. Rrokaj që zgjedh t’i referohem përsëri Popper-it, të cilin, bashkë me Bertrand Russell-in, i çmoj si dy ndër filozofët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekullit të 20-të, por, në frymën e tyre, dëshiroj të vë në dukje se, nëse nuk jemi seriozë e të sinqertë në përpjekjen tonë intelektuale për të kërkuar të vërtetën, por vetëm bëjmë debat për hir të debatit dhe kryqëzojmë heshtat mbi njëri-tjetrin, atëherë diskutimi që bëjmë humbet rolin e tij epistemologjik dhe nuk i shërben thellimit të njohjes sonë apo verifikimit të gjykimeve tona.

Cilët janë argumentet z. Rrokaj dhe ku gabon ai?

* * *

(1) Z. Rrokaj kërkon që ndalimi i përdorimit të telefonëve celularë në procesin mësimor në shkollat tona të bëhet jo përmes një Urdhëri të Ministres së Arsimit, por përmes një ligji të veçantë, të miratuar në Parlament. Ai sjell si shembull rastin e Francës, qeveria e së cilës i propozoi parlamentit të atij vendi një projekt-ligj për këtë çështje dhe parlamenti e miratoi atë. Edhe pse ky argument nuk është krejt pa meritë, atë e komprometojnë këta fakte të thjeshtë:

Së pari, insinuata kryekëput politike e z. Rrokaj se Urdhëri i ministres Nikolla doli fill (du tic au tac) pasi Franca e ndaloi me ligj përdorimin e celularëve në shkollat e saj, si për t’i thënë qeverisë franceze se, “ja, kot nuk na i çelët negociatat, se ne gati-gati po ecim në të njëjtën mendësi dhe rrugë si ju dhe po ndjekim shembullin tuaj” (fjalët e z. Rrokaj!). Nëse ky është një argument akademik, ose intelektual, atëherë do të thoja: Vajmedet akademikët dhe intelektualët tanë! Fill pas Francës, ndalimi i përdorimit të telefonëve celularë nisi të preokupojë edhe qeveritë e shumë vendeve të tjerë: në Angli, në Irlandë, në Suedi etj. Mos vallë edhe qeveritë e këtyre vendeve po ndjekin shembullin e Francës për të njëjtën arsye si qeveria shqiptare (për të negociuar anëtarësimin e tyre në BE)?!

Së dyti, ndërsa në shumë vende të botës shkollat kanë rregullat e tyre të veçanta për kufizimin ose ndalimin e përdorimit të telefonëve celularë në orën e mësimit (fjala vjen, 33 për qind e shkollave në Britaninë e Madhe e kanë ndaluar përdorimin e tyre), Franca është një ndër vendet e parë që e ndalon me ligj tërësisht përdorimin e tyre në të gjitha shkollat parauniversitare. Përvoja franceze, sidoqoftë, nuk është e vetmja dhe mund të mos jetë më e mira. Në vitin 2005, ishte Departamenti i Arsimit në qytetin e Nju Jorkut ai që i detyroi të gjitha shkollat publike të atij qyteti të ndalonin përdorimin e telefonëve celularë. Në vitin 2007, në Itali, ishte ministri i arsimit ai që urdhëroi ndalimin e përdorimit të telefonëve celularë në shkollat e atij vendi. Në Irlandë, pak kohë më parë, ishte po ministri i arsimit të atij vendi ai, i cili, me anë të një qarkoreje, u kërkoi të gjitha shkollave që të konsultoheshin me prindërit, mësuesit dhe nxënësit sa i përket përdorimit të telefonëve celularë dhe të tabletëve në shkollë. Nuk mund ta dimë se si do të veprojnë Anglia, Hollanda ose vende të tjerë. Pra, të mos i paragjykojmë qeverinë shqiptare dhe Ministren e Arsimit.

Së treti, unë e shoh plotësisht me vend ekzistencën e një ligji që ua ndalon përdorimin e telefonëve celularë drejtuesve të automjeteve, por nuk shoh ndonjë arsye të mjaftueshme që përdorimi i tyre në shkolla të ndalohet, gjithashtu, me ligj. Një Urdhër si ky i ditëve të fundit do të mjaftonte (ose, ndoshta, një Vendim i Këshillit të Ministrave), por kjo është një çështje më shumë formale e procedurale sesa substanciale, çka do të thotë se ndalimi i përdorimit të celularëve në shkollë mund të mos kërkojë domosdo një ligj të veçantë për këtë qëllim. Në shoqëri jo çdo gjë rregullohet me ligj. Për rastin që flasim, Urdhëri në fjalë do të mjaftonte.

* * *

(2) Zoti Rrokaj mund të më kundërshtojë përsa thashë më sipër, sidomos me argumentin tjetër që ai sjell, se kjo çështje është “kaq komplekse, saqë nuk mund të shterohet me anë të një urdhri, e ca më pak, vetëm me një pikë”. Urdhër “vetëm me një pikë”! Për një çështje “kaq komplekse”! Ky fakt duket se e shqetëson shumë kolegun tim. Por, çdo të thonin amerikanët për Kushtetutën e tyre, e cila, kur u miratua, 230 vite më parë, përbëhej nga vetëm 7 artikuj? Dhe, ç’do të thonte z. Rrokaj për amendamentet që i janë bërë, nga koha në kohë, Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Dhjetë amendamentet e parë, që njihen si “The Bill of Rights”, nuk janë asnjëri më i gjatë se një fjali e vetme. Po kështu, ishte një fjali e vetme, e formuluar si Amendamenti i 13-të i Kushtetutës Amerikane, ajo që i dha fund institucionit të skllavërisë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1865: “Neither slavery nor involuntary servitude, except as a punishment for crime whereof the party shall have been duly convicted, shall exist within the United States, or any place subject to their jurisdiction”. Përse u dashka domosdo një ligj për ndalimin e përdorimit të telefonëve celularë në shkollat tona të ciklit parauniversitar, ose një Urdhër me shumë “pika”?!

* * *

(3) Z. Rrokaj e kritikon Ministren e Arsimit dhe Urdhërin e saj pasi ai urdhër nuk është mbështetur në studime, siç ka ndodhur në Francë, ose në vende të tjerë. Ky argument është krejt i dobët, së paku për dy arsye:

Së pari, sepse z. Rrokaj dhe unë e dimë fare mirë se si bëhen dhe çfarë shitet për studime të kësaj natyre në vendin tonë. Edhe të dhënat e INSTAT-it duhen marë shumë herë me rezervë e jo me “të dhënat” që mbledhin, ose “studimet” që kryejnë individë, OJQ dhe organizma tërësisht të paspecializuar te ne.

Së dyti, deri më sot, kudo në botë, janë kryer mijëra studime që provojnë bindshëm ndikimin negativ të përdorimit të telefonëve celularë në shkolla. Nuk do të ishte e domosdoshme (edhe pse jo krejt e padobishme) që ky ndikim negativ, të cilin nuk e mohon as vetë z. Rrokaj, të vërtetohej edhe nga studiuesit shqiptarë, njëlloj sikurse nuk ka nevojë të provohet nga studiuesit shqiptarë se, edhe në Shqipëri, një krizë ekonomike çon në rritjen e papunësisë, apo se mungesa e një ekonomie të zhvilluar e të qëndrueshme bëhet pengesë për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës. Përvoja e të tjerëve, si në shumë fusha e drejtime të tjera, është e dobishme edhe për ne, çka i jep një përmbajtje përherë aktuale metaforës së famshme idiomatike se nuk është e nevojshme “të rishpikësh rrotën”.

* * *

(4) Argumenti që sjell z. Rrokaj se gjoja me Urdhërin e Ministres së Arsimit cenohen “liria dhe e drejta e individit për informim dhe komunikim” si dhe “e drejta e pronës së individit si mall në pronësi të dikujt dhe ndaj të cilit nuk mund të veprosh pa asnjë legjislacion” është edhe më i dobët. Urdhëri në fjalë shprehet shumë qartë se përdorimi i telefonëve celularë ndalohet vetëm “gjatë procesit mësimor nga mësuesit dhe nxënësit”. Procesi mësimor, sidomos në ciklet e ulëta të shkollimit, është një proces shumë i rëndësishëm informimi dhe formimi për nxënësit dhe ky Urdhër i shërben pikërisht këtij procesi dhe afirmimit të lirisë e të së drejtës për informim pikërisht në atë institucion shoqëror, siç është shkolla, që këto i ka misionin e vet kryesor.

Përsa i përket shkeljes gjoja të së drejtës së pronës, nuk arrij ta kuptoj se nga e deduktoi z. Rrokaj këtë padrejtësi të Urdhërit të Ministres së Arsimit. Është ai vetë, pra z. Rrokaj, që përmend kontrolle çantash të nxënësve, konfiskime aparatesh telefonikë etj., por jo Urdhëri në fjalë. Ky Urdhër nuk i ndalon nxënësit që të mbajnë telefona celularë në çantat e tyre; ai vetëm ndalon përdorimin e tyre “gjatë procesit mësimor”—dhe jo vetëm përdorimin e tyre nga nxënësit, por edhe nga vetë mësuesit. Jashtë klasës dhe jashtë procesit mësimor, që mund të vazhdojë edhe në veprimtari jashtë klasës, nxënësit do të jenë të lirë që të informohen përmes telefonëve të tyre “smart” dhe të komunikojnë përmes tyre me prindërit dhe shokët e tyre.

* * *

Dhe, më në fund, vërejtja tjetër e z. Rrokaj: Urdhëri i Ministres së Arsimit doli më 30 korrik, “koha kur i gjithë sistemi parauniversitar është me pushime vjetore”! Kjo duket e ka habitur atë, edhe pse këtu nuk ka asgjë për t’u habitur. Kur mendon z. Rrokaj se duhej të dilte një Urdhër që hyn në fuqi në shtator? A nuk u miratua ligji francez për këtë çështje më 12 korrik dhe ai, gjithashtu, hyn në fuqi në shtator të këtij viti?

Kjo është e gjitha! Much ado about nothing. Në vend që ta përshëndesim këtë nismë të re e të dobishme të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, i vëmë brirë një veprimi pozitiv dhe përpiqemi me çdo kusht të shohim katran edhe atje ku nuk ka të tillë. Ajo që më shqetëson mua nuk është se ndalimi i përdorimit të telefonave celularë në orën e mësimit do të rregullohet me një Urdhër dikasterial dhe jo me një ligj të veçantë, por nëse do të jenë ose jo Ministria e Arsimit, drejtoritë e arsimit dhe vetë shkollat tona konsekuente në zbatimin e kësaj politike të re.

 

August 10, 2018 12:24
Komento

14 Komente

  1. Kali August 10, 13:03

    Shezaiu i ziu eshte kone Monikes.Ai eshte i tredhur bashke me Cilin.Mjere vendi nga intelektualet e trdhur.

    Reply to this comment
  2. ETHEM August 10, 14:23

    KUNDERVENJE E SAKT E PRO.S.TARIFES I BERE SHEZAIUT ZEDHENSIT TE MONIKES DHE KJO TELLALLE E LIKE FLORIRIT.
    SHPESH OPOZITARET THONE SE “…OPOZITA VETEM FJALEN KA..” E VERTET.POR VARET SE SI E THOT FJALEN,ME MJAT APO ME HELME,ME VEND APO PA VEND,I SHERBEN POPULLIT,PARTISE APO VETEM NJE INDIVIDI TE VEÇANTE QE THOT ÇDO GJE QE NUK I SHERBEN ASKUJT.
    NE KETO 28 VITE KEMI PARE E DEGJUAR ÇDO LLOI H E L M I QE VERVITET NDAJ KUNDERSHTARIT POLITIKE.ME E THEKSUAR KJO NGA SB,I CILI NE SHPIRTIN E TIJ KA NJE DEPOZITE TE STERMADHE TE MBUSHUR ME HELME QE ÇDO DITE E VERVIT MBI KUNDERSHTARIN E TIJ POLITIKE SIKUR TA KISHTE ARMIK TE BETUAR PER TE LUFTUAR ME TE PER JETE-A-VDEKJE.
    POR,KUNDERSHTIMI PER ÇDO GJE DUKE E BERE TE BARDHEN TE ZEZE NUK ESHTE ARGUMENT PER TE FITUAR PIKE NDAJ KUNDERSHTARIT.PERKUNDRAZI ESHTE NJE AUTOGOL QE I BEN VEHTES QE E SHEH NJE POPULL I TERE QE TE VE TENEQEN NE ZGHEDHHET E RADHES.
    ISHTE KJO ARSYEJA QE SB HUMBI REFERENDUMIN PER KUSHTETUREN NE 1994.DHE ME VON TE GJITHA ZGHEDHJET E TJERA PER TE CILAT PERDORI DHUNEN NDAJ OPOZITES.DHE NUK DO FITOJ ME SA TE JET AI NE PD.
    ARGUMENTET QE NXJER Z.RROKAJ PER URDHERIN E MASH PER CELULARET NE SHKOLLA JAN TIPIKE PER NJE ROJE SHKOLLE QE VARET NGA DREJTORI,I CILI MUND TA PUSHOJ NGA PUNA NESE FLE GJUM E NUK BEN DETYREN.
    PER MENDIMIN TIM,CELULARERET NUK DUHEN MARRE FARE NGA NXENSIT E STUDENTET NE SHKOLLE,DUKE I LENE NE SHTEPI.KY BESOJ DO ISHTE NJE PROPOZIM ME I DENJE NGA ZEDHENSI I MONIKES.

    Reply to this comment
  3. pensionisti August 10, 15:28

    Shkolla jone ka vdekur qe kur e helmuan socializmin. U helmua dhe shkolla e keshtu ajo vdiq.
    Vdiq respekti i nxenesve per mesuesin.
    Vdiq dashuria e nxenesve dhe studenteve per te mesuar. Numerohe me gishtat e dores ata qe shkojne te pergatitur ne seminare.
    Lulezoi :
    Droga . Lulezoi diskua e jeta e nates. Po bere jete nate nuk ke kohe te degjosh e te mbash leksione.
    Lulezoi droga . Po lulezoi droga ka luezuar seksi e abortet.
    Lulezuane kafenete ,cigarja ,alkoli.
    Lulezuan telefonat . Para se teblejne librat blejne celularin .
    Dikur Biblioteken Kombetare e gjeje te mbushur me studente , sot …. nuk e dine se ku bie Biblioteka Kombetare.
    Sa per Shezaiun , mos e vrisni mendjen. Ai kryen porosite e Monikes e Ilirit. Pajtohem me artikullshkruesin.” Mjere aakdemiket ,po qene te tille”

    Reply to this comment
  4. gjermani i fundit August 10, 15:40

    une mendoj se edhe ne parlament nuk duhen lejuar celularet, sipas kodit te punes, qe thote se kur je ne pune nuk duhet te perdoresh celularin per çeshtje personale.Keshtu evitohen edhe dialogjet erotike te deputetit me deputeten apo telekomanda e Sales kur leshon gomeret apo qente sulmues. Nqs ministria e Arsimit ka nxjerre nje urdherese qe ndalon perdorimin e celulareve prej nxenesve/mesimdhenesve, gjate ores se mesimit, me falni per mosdijen, po pse, deri tani lejoheshin celularet ne oren e mesimit?

    Reply to this comment
    • celul.ari August 10, 16:39

      mir e keni ,
      por ku do lexoj salih shpellari
      textet qe do flasi ne foltore !
      e lshon shpellari nga Dora celularin .
      pastaj mori fund .se sdi me lidh nji fjali ne Parlament

      kryebastardi i injorances

      Reply to this comment
  5. kruja August 10, 16:08

    o Rroku ,ju duhet te shqetesoheni per standartet qe kane shkollat ,disiplinen dhe laboratoret etjera

    Reply to this comment
  6. Bureto August 10, 18:53

    Kjo do te thote se opozites ne teresi dhe individeve te saj sipas fushave ku pretendojne se jane intelektuale, (specialiste, profesore apo akademike) u kane shteruar idete. Si te tille, ashtu te atrofizuar siç jane, nuk kane ç’te ofrojne me dhe mesa duket eshte vetem politika ajo ku mund te ndjehen te gjalle. Ky eshte mjerimi i tyre. Sidomos keta te LSI jane fare po fare aman. Ja mendoni sikur fatet e vendit t’i marrin ne dore, te rinjte e plakur Brahimllari, Mehmetaj, Kerpaci e pastaj me te vjetrit, ish funksionaret Vasili, Rrokaj, Malaj, e sidomos kjo e fundit, meqe jemi tek arsimi dhe ka drejtuar dikasterin e aresimit (zv. ministre) ku nuk iu ndie zeri per ndonje nisme ne te mire te arsimit.
    Jane bere per te qare hallin. I mban gjalle ndonje aleance tjeter me PD, se te vetem e ndjejne se do shkojne poshte e me poshte, ne mos u asgjesofshin si force politike. Kane mbijetuar keshtu, duke vjedhur me bllok ne dore, si pushtetare te koalicioneve per 8 vjet. Si fillim 2009-2013, per shkak te nevojes therrese te Berishes per kater deputetet e LSI, prej nga ku shtoi parate ne menyre eksponenciale, zanat qe e kish mesuar me pare. Deri ne 2009 u mbajt me parate e Metes qe nga koha kur ishte ne disa qeveri te PS dhe nga keto dy here kryeminister, nga ku mesoi edhe zanatin e mafies politike. Gjate periudhes 2009-2013 kohe kur PD dhe LSI qeverisen bashke jane bere edhe abuzimet me te medha deri dhe krime. Berisha dhe Meta ruajten dhe mbajne ende dhe sot aleance, here te fshehte e here te hapur, ku ka spikatur sjellja e tij peshtire si kryetar kuvendi ndaj doktorit si e quante ai, sepse Berishes nuk i zinte as emrin me goje, si te ishte nje vartes i tij, dhe deri qendrimi ndaj reformes ne drejtesi. Nuk duhet harruar se dhe vete Meta ne 2009 voten per deputet nga manipulimi i votave ne Ndroq me votat e PD, (kushdo i mban mend karriget kokes me militantet e PS, aty). Per arsye tashme te njohura (ku edhe ne kete rast ishin nderkombetaret qe ishin kumbare, u ngjiz koalicioni PS-LSI 2013-2017. (ishte padyshim dhe nevoja e Rames, qe sic eshte shprehur, donte te realizonte enderren per tu bere kryeminister. Çudi se edhe Haradinaj keshtu me enderr u be kryeminister herren e fundit. Semundje politikanesh shqiptare). Ku koalicion, shkoj ashtu si shkoj, por vjedhjet e abuzimet nga LSI, nuk munguan. Nevoja sidomos e nderkombetareve per reformen ne Drejtesi, e mbajten si e mbajten ate koalicion me paterica deri ne qershor 2017(PS dhe LSI me sakte Rama meta ishin dy vellezer ujqer) Tashme mesa diket loja per LSI ka mbaruar dhe keta te deshperuar po dalin bosh nga cdo pikmamje, intelektuale, morale dhe qytetare (vete udheheqesi i tyre, presidenti i sotem, dha shembullin me te keq ne zgjedhjet e 2017). Tshme nuk i do askush, sidomos bazat e PD, por edhe te PS. I mban vetem shpresa e ndonje makinacioni si ato qe vetem politika shqiptare di te prodhoje. Por ka pak gjasa. Me kollaj mund te kete ndonje koalicion PS-PD, prej nevojes se hapjes defacto te negociatave dhe zbatimit reformes ne Drejtesi, gjithsesi te dy keto nen presionin nderkombetar. LSI me siguri kesaj here do te ngele me gisht ne goje. Ata pa pushtet jane te destinuar te shuhen. Ky eshte dhe shqetesimi i tyre i madh, qe u ka nxjerre mendt prej kreje. Falini Monen, Tit Vasilin, Shezo Rroten, e rrotat e tjere te LSI. Jane ne hall te madh.

    Reply to this comment
    • Studenti August 10, 21:35

      Te lumte z.Tarifa,ke bere nje analize te shkelqyer. Me vjen keq qe egzistojne intelektuale te tille me titull “Profesor”dhe qe per titullin marrin page shtese nga taksat tona,si Shezai Rrokaj,i cili pranon te mbaje syze te errta me urdher partie.Do te ishte ne nderin e tij qe te kerkonte ndjese per analizen e shtrember qe i bente ketij urdheri,te dale nga kornizat partiake,se vetem keshtu do te ishte me i besuar per ata qe e votojne.

      Reply to this comment
  7. I tille je , sa here qe hap gojen August 10, 20:03

    Rrokaj a tu dek , me u ba pak deputet , prandaj ia lepin Mones , sa here qe i pelqen asaj . Rrokaj dhe kategoria e tij , jane llumrat e shoqerise shqiptare me vlera negative .

    Reply to this comment
  8. Niko Shpiragu August 11, 06:45

    Nje analize shume e sakte nga z. Tarifa. Ai e kap demin nga briret. Ndoshta ai ben mire qe e godet butesisht kete te ashtuquajturin Intelektual me emrin Shezai, por une mendoj se duhet folur hapur. Ai i kundervihet urdherit te Ministres se Arsimit per arsye politike dhe asgje tjeter. Ne kete menyre ai e ka njollosur vet emrine tij dhe ne skemi perse ta ruajme. Ai si shume te tjere e dine se politka opozitare eshte vetem kundershtim i gjithckaje qe ben mazhoranca, prandaj e ben se mendon se kjo eshte detyra e tij. Jam plotesisht dakort me profesor Tarifen vetem se duhet te fliste me ashper per kete dallkaukun, pastruesin e cizmeve te Mones. Shume sakte zoti Tarifa.

    Reply to this comment
    • Lili August 12, 16:15

      Ah e ka kap nga briret mendoni vertete? Intelektualet ,te mire esipas tij merren me a eshte ma mire me heq cellularin me ligj apo me nje regulore per shkollat…imagjinoni niveli… diskutohet per si te hiqet celulari..
      Per pse duhet te presim generaten tjeter te intelektualeve te formuar nga intelektualet alla rrokaj e tarifa…pfffff..

      Reply to this comment
  9. Lili August 12, 05:45

    Niveli i intelektualit shqiptar shihet me temat qe trajton
    Pra ne shqiperi ´intelektualet’ merren me a eshte mire a jo ndalimi i telefonave
    Kurse ne bote me pse telefoni demton femijet..
    Pra edhe ky vetem sa i shton much ado about nothing prape..
    Di gje me na treguar se pse e pas cfare studime ministri franceze morri kete vendim,pas cfare reziku shoqeror, per cfare reziku psikologjik….asgje…kaq per debatin e vertet mbi kete teme, merruni o ´intelektual’ lleshi me vendimet anesore…

    Reply to this comment
  10. Ani August 15, 00:45

    LESHELISTËT, JANË PERVERSËT E POLITIKËS SHQIPËTARE.
    DO TA MARRIN SHPEJT, GODITJEN E FUNDIT,
    SHUMË TË MERITUAR!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*