Po vetë serbët çfarë thonë për… serbët? (Tri intervista nga Beogradi)

Ben Andoni, JAVA October 25, 2014 23:09

Po vetë serbët çfarë thonë për… serbët? (Tri intervista nga Beogradi)

Serbia dhe Shqipëria nuk do të jenë mike me njëra-tjetrën edhe për shumë kohë. Kjo është pak a shumë thelbi i mendimit të tre figurave beogradase. Sonja Biserko, një nga aktivistet më të njohura të të drejtave të njeriut në Serbi dhe aktualisht presidente e Helsinkit mendon se në Serbi ka ende forca që mendojnë për ndarjen e Kosovës, por edhe që e kanë të rrënjosur thellësisht urrejtjen. Kurse Igor Novakoviç, një nga studiuesit që përgatiti një raport interesant pak vite më parë për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe që nisi dhe një dialog produktiv për përmirësimin, ia vendos fajin medias, që është e etur për sensacione. Megjithatë, faktet kanë qenë kokëforta, dhe një nga gazetarët e njohur vendas, Trajkoviç thotë se problemi më i madh nuk është vetëm se luhej ndaj shqiptarëve, por huliganët që Serbia nuk i menaxhon dot dhe që po bëhen gangrenë për shoqërinë serbe në përgjithësi. Dhe, e keqja nuk mbaron këtu, sipas tij, pasi shteti nuk ka ndërmend të bëjë një ligj që t’i penalizojë ata.

Megjithatë, sa i përket Shqipërisë,  urrejtja është më e thellë për shqiptarët e Kosovës dhe në shtresa të ndryshme ka një armiqësi të thellë në drejtim të tyre. Shumë stereotipe negative dominojnë qysh prej fillimit të shekullit të XX, thotë Biserko, që shton sesa të normalizohen marrëdhëniet me Kosovën, me Shqipërinë do jetë shumë më e lehtë. Por, mbase deri më atëherë do duhen dhe disa dekada të tjera. Këtë herë urat u trazuan vërtet keq. Dhe, të dy vendet do e kenë të vështirë t’i zgjatin dorën e miqësisë njëra-tjetrës.

 

 

Në Serbi ende mendohet për ndarjen e Kosovës

Presidentja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko tregon si e shikon ajo histerinë anti-shqiptare dhe pozicionimin e politikës së vendit të saj në lidhje me këtë fenomen…

 

Sonja Biserko

Sonja Biserko

Sonja Biserko ka qenë ambasadoresha e Federatës së Jugosllavisë në Londër dhe në disa vende evropiane. Prej vitit 1990, kur dha dorëheqjen nga diplomacia prej regjimit të asaj kohe, u përfshi në Shoqërinë Civile dhe themeloi Komitetin e Helsinkit për Serbinë. Janë të njohur qëndrimet e saj anti-Millosheviç, por më shumë reagimet e saj për Luftën në Kosovë, si edhe rolin e kishës dhe politikës serbe për nxitjen e ekstremizmit. Ka qenë vazhdimisht e kërcënuar dhe madje i kanë shkatërruar shtëpinë dy herë, kur ka mbrojtur çështjen e shqiptarëve në Kosovë, por edhe popujt e tjerë të ish-Federatës. Ka lektoruar vazhdimisht për rolin negativ të Serbisë në luftëra, ndërsa mban disa nderime ndërkombëtare, ku i fundit daton në vitin 2010 në Oslo për të Drejtat e Njeriut. Ka një CV impresionuese, si aktiviste e të drejtave të njeriut

A reaguat Ju në mënyrë institucionale për koret kundër shqiptarëve para, në kohën dhe pas ndeshjes mes dy përfaqësueseve?

“Një numër i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë dhe Komitetin e Helsinkit, reaguan me deklarata të ndryshme kundër sulmeve mbi shqiptarët dhe pronave të tyre, pas incidenteve të ndeshjes së futbollit në Beograd. Ne, po ashtu, kemi kërkuar shpesh përmirësimin e gjendjes të shqiptarëve në Jug të Serbisë. Ata kanë shumë probleme që u rrinë pezull, si ato që kanë të bëjnë me tekstet e shkollës, situatën tmerrësisht të keqe ekonomike dhe në përgjithësi, qëndrimet shumë diskriminuese ndaj tyre. Për fat të keq, incidenti zgjoi reaksione shumë të dhunshme dhe zbuloi gjendjen e vërtetë të punëve që janë në mes të dy vendeve tona. Serbët kanë pasur tradicionalisht qëndrim armiqësor ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe diçka më pak ndaj atyre në Shqipëri.

Incidenti në Beograd paraqiti sërish temën e projekteve të shteteve të mëdha në rajon, që thjesht mund ta destabilizojnë edhe më këtë gjendje aktuale fragile të shteteve tona në Ballkan. Do të ketë gjithmonë të tillë ëndërrimtarë në çdo shoqëri por elitat politike duhet t’ua bëjnë të qartë qytetarëve të tyre se të tilla projeksione në Ballkan s’janë më të mundura. Kufijtë shtetërorë janë të njohura dhe elitat e sotme politike duhet të punojnë për afrimin duke promovuar bashkëpunime dhe tolerancë mes kombeve ballkanike”.

 

Si e shikoi reaksionin e popullatës serbe dhe autoriteteve ndaj shqiptarëve?

“Ka një armiqësi të thellë në drejtim të popullsisë shqiptare. Shumë stereotipe negative dominojnë qysh prej fillimit të shekullit të XX. Me sa duket, pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane lëvizjet çlirimtare në Ballkan, filluan të konfliktohen shumë për trashëgiminë e saj. Autoriteteve në Serbi u mungon politika që duhet t’i angazhojë me një qëndrim më përfshirës mbi të gjitha minoritetet, veçanërisht shqiptarëve. Shqiptarët njësoj si Serbët, në veri të Kosovës, ishin armiqësor për dekada të tëra para statusit të pazgjidhur të Kosovës. Për fat të keq, shumë forca në Serbi janë akoma duke shpresuar në ndarjen e Kosovës. Beogradi i ka instrumentalizuar kaq shumë Kosovarët serbë saqë tani ata janë krejt të paaftë të sillen në mënyrë të pavarur. Beogradi nuk lejon daljen e  liderve të tyre të pavarur, që mund të jenë edhe partnerë seriozë të palës shqiptare”.

 

Çfarë instrumentesh parashikoni se janë të nevojshëm për të frenuar këtë urrejtje mes të dy vendeve?

“Është një proces i gjatë përpara që kërkon maturi dhe përgjegjësi nga elitat politike. Po ashtu edhe nga elitat kulturore dhe ato religjioze. Që kur të dy vendet kanë zgjedhur të jenë për integrimin evropian duhet të kenë një forcë të mobilizuar enkas për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe. Një nga prioritetet e para të Bashkimit Evropian është bashkëpunimi rajonal. Fokusi i marrëveshjes së Brukselit qëndron në normalizimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Do të jetë sigurisht një mjet i rëndësishëm për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Sapo Serbia do të normalizojë marrëdhëniet e veta me Kosovën, marrëdhëniet me Shqipërinë do të jenë më të lehta”.

 

Por a nuk mendoni se e gjithë ajo punë e madhe e bërë nga institucione si juaja për normalizimin e marrëdhënieve në mes nesh janë shkatërruar dhe ikën pas njësoj si më parë?

“Komiteti i Helsinkit është duke punuar me shqiptarët qysh prej njëzetë vjetësh. Neve jemi të angazhuar në të gjitha llojet e dialogut me shqiptarët. Shoqëria Civile është një urë e rëndësishme veçanërisht në kohët kur s’ka komunikim mes zyrtarëve të Beogradit dhe Prishtinës. Mendoj se Bashkimi Evropian duhet t’i njohë potencialet e shoqërisë civile nga të dy vendet sepse integrimi i Kosovës nuk është vetëm në nivelin e institucioneve.  Shoqëria civile mund të kontribuojë jashtëzakonisht edhe për integrimin në nivelin e duhur në sferën e kulturës, medias dhe edukimit etj. Gratë dhe të rinjtë janë më të hapurit veçanërisht për të tilla bashkëpunime. Ndaj, duhet të ketë shkëmbime intensive të të rinjve përmes projekteve të ndryshme. Është e vetmja mënyrë për të krijuar elitat rajonale, që do të jenë të afta të mendojnë për të ardhmen e Ballkanit”.

 

 ***

“Serbët kanë frikë nga Shqipëria e Madhe”

Igor Novakoviç, studiues i ISAC në Serbi (Qendra e Çështjeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë), institucionit që ka promovuar marrëdhëniet mes dy vendeve, me një material tepër interesant shprehet për “JAVA”, në lidhje me të gjitha realitetet e reja…

 

Igor Novakoviç

Igor Novakoviç

Institucionet tuaja kanë bashkëpunuar shumë me NGO shqiptare. A mendoni se të dy vendet kanë shkuar pas në marrëdhëniet e tyre me episodet pas ndeshjes?

“Të jem i sinqertë nuk jam i sigurt për nivelin e marrëdhënieve në këto katër vitet e fundit. Për shkak të krizës së brendshme të Shqipërisë dhe të ndryshimit të elitave politike respektivisht në të dy vendet Serbisë dhe Shqipërisë, por gjithashtu edhe me fillimin e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës, marrëdhëniet në mes nesh nuk kanë qenë në fokusin e vëmendjes. Gjithsesi në media, veçmas bisedave për të ardhmen e Shqipërisë së Madhe dhe disa trendeve negative (niveli i varfërisë, GDP etj) marrëdhëniet mes dy vendeve tona gati s’paraqesin ndonjë gjë.

Dhe përveç dëmeve që erdhën pas ndeshjes mes të dy vendeve përfundimisht ka një ngritje të vetëdijes rreth marrëdhënieve dy palëshe. Media është e interesuar për temën dhe tani po e vlerësojnë punën tonë të mëparshme për të dy vendet dhe e konsiderojnë si interesante. Për shembull, Novi Magazin, një e përjavshme me influencë në Beograd ka ribotuar analizat tona që nga 2010 ( e njëjta që u botua edhe nga gazeta juaj pak vite më parë) dhe madje ka përdorur Coverin e saj për ballinën e vet”.

 

Si ka qenë reagimi i Shoqërisë Civile serbe, me syrin tuaj?

“Reaksioni i Shoqërisë Civile serbe ka qenë pak a shumë i qetë. Aktualisht shumë nga ata po përpiqen ta qetësojnë situatën dhe po shfaqen si zë i arsyeshëm, duke e vendosur gishtin në mesazhet populiste që vinin nga Beogradi dhe Tirana. Megjithatë problemi më i rëndësishëm mbetet media-ata mund ta përdorin situatën për të përmirësuar situatën, por ata në fakt ‘po i hedhin benzinë zjarrit’.”

 

A është e vërtetë që ka frikë për “Velika Albanija” në Serbi apo është thjesht një justifikim për t’i mbajtur relatat e ngrira?

“Frika për Shqipërinë e Madhe është shumë prezente në publikun serb dhe media është shumë e ndjeshme rreth këtij fakti. Ata bëjnë lajm gati çdo iniciativë që vjen nga Maqedonia, Shqipëria apo Kosova, që fokusohet në të ardhmen e unifikimit të territoreve të populluara nga shqiptarët. Iniciativa e Koço Danajt, qysh prej vitesh të shkuara, retorika e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe shpallja e pak mëparshme e republikës së Iliriadës janë disa nga rastet, që i kanë hedhur karburant medias serbe dhe elitës politike për ta konsideruar Shqipërinë e Madhe, si një projekt real që ka të ngjarë të përgatitet për të ardhmen. Duke konsideruar edhe disa linja që kanë ardhur prej një iniciative të Daçiç, dy vjet të shkuara rreth ‘përcaktimit të një kufiri mes Shqipërisë dhe Serbisë’ etj., ku thuhet se nëse Shqiptarët do kenë mundësi të bashkohen, e njëjta gjë duhet të jetë realiste edhe për bashkitë me shumicë serbe në Kosovë. Summa sumarum, Shqipëria e Madhe është një çështje shumë prezente”.

 

Si e parashikoni Sigurinë mes dy vendeve në të ardhmen? A mendoni se do të vazhdojë bashkëpunimi në mes tyre?

“Unë besoj se politikanët nga Beogradi dhe Tirana mund të kontribuojnë për përmirësimin e Sigurisë për të gjithë rajonin me një afrim të vërtetë pro-aktiv. Dhe, ka një bazë të vërtetë institucionale për këtë. Aktualisht, Serbia është në Partnership-in për Paqe, ndërsa Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e NATO-së. Të dy shtetet janë vende kandidate për Bashkimin Evropian. Kështuqë, jemi gati partnerë megjithëse nuk tentojmë të mendojmë mbi këto terma. Nuk mendoj se Perëndimi do të lejoj futjen e vendeve tona në Evropë, me këtë nivel marrëdhëniesh. BE-ja është një projekt paqe dhe në këtë logjikë normaliteti ynë duhet të shërbejë për të përmirësuar marrëdhëniet në Ballkan.  Unë vetë besoj shumë në përmirësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, se po ashtu, Serbët do të vazhdojnë ta rizbulojnë Shqipërinë, dhe se ka shumë gjëra mes nesh që ia vlejnë në një sens pozitiv. Mendoj se ka një të ardhme në marrëdhëniet reciproke por neve na duhet më shumë përpjekje nga elitat”.

 

 ***

“Qeveria serbe ka probleme me huliganët e saj”

Boban Trajković, gazetar i Tv Mreza, stacionit që bëri shumë investigime për ndeshjen dhe një nga reporterët më të mirë televizivë, shprehet në lidhje me episodet e dhunës, që lindën pas ndeshjes, por edhe atmosferën e përgjithshme të

Boban Trajković

Boban Trajković

saj…

A është e vërtetë që qysh ditë më para ekzistonte një klimë urrejtje kundër Shqiptarëve?

“Nuk mendoj se ditë më përpara ekzistonte një klimë urrejtje e veçantë kundër shqiptarëve, pasi se kam hasur as nëpër gazeta apo në Tv. Tensione ishin sigurisht një çikë më të mëdha sesa në disa ndeshje të tjera, por të thuhet se kishte klimë urrejtje është shumë e fortë, nga ana jote. Sigurisht që ishte një ndeshje me nivel rreziku të lartë në të njëjtin rang, si ato që janë bërë me Kroacinë dhe Bosnjën. Tensioni për mua lidhej me opinionin sportiv, pasi një ndeshje më para përfaqësuesja serbe nuk pati rezultat pozitiv (1-1 me Armeninë), kështuqë çdokush priste të fitonte dhe se mendoja kurrë se do të shikonim luftë në vend të futbollit”.

 

A mendoni se shteti serb nuk mund të bënte asgjë për të menaxhuar ndeshjen?

“Që të jem i ndershëm s’jam shumë i dhënë pas futbollit dhe nuk shkoj zakonisht në ndeshje. Një nga arsyet është se nuk e ndjej veten të sigurt dhe kurrë nuk do ta çoja familjen time në një ndeshje futbolli në Beograd sepse ajo që ndjej dhe di është se asnjëherë nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Në përgjithësi, Beogradi është një qytet i sigurt, por që të jesh afër stadiumit gjatë ndonjë ndeshje dhe jo vetëm kur luan Shqipëria apo Kroacia, por sidomos kur luan Partizani kundër Crvena Zvezdës, nuk është asfare e rekomandueshme. Serbia ka probleme me huliganizmin në futboll prej shumë kohësh dhe deri më sot është bërë shumë pak për ta ndaluar huliganizmin, që vjen në stadium. Ne po presim një ligj të ri që do të ndihë ndalimin dhe do të sjellë sanksione për këta huliganë, por me sa duket ky lloj ligji kurrë nuk do vijë. Të njëjtët njerëz që ishin në Xhenova të Italisë (Bogdanov) pak vite më parë, ishin sërish në stadium me Shqipërinë. Është një problem me sistemin dhe qeveria është duke bërë shumë pak në këtë hapësirë”.

 

Federata serbe krijoi një alibi sikur shqiptarët ishin përgjegjësit kryesorë për ndeshjen. Si po ndodh që ata të jenë kaq agresivë dhe not fair përballë kolegëve të tyre shqiptarë?

“Unë mendoj se në këto ditë të fundit, të dy anët kanë krijuar alibi sepse presin nga UEFA që të vendosë se kush është fajtor për ndeshjen. Në Serbi kjo po ndodh për të parapërgatitur publikun, dhe unë vetë jam duke pritur që meqë Serbia ishte organizatore e ndeshjes, ajo duhet të marrë përgjegjësitë kryesore dhe ndoshta duhet të dënohet sepse ne i pamë huliganët në fushë që godisnin lojtarët. Por kjo ishte ajo që pamë në Tv, më shumë, por nuk dimë sesi UEFA do të reagojë me dronin me flamur, që është diçka që ne duam ta shikojmë, sepse është një gjë e re dhe një mënyrë shumë kreative për turbullimin e ndeshjeve dhe do të ndodhë gati në të gjithë botën”.

 

Ne kemi dëgjuar se Ivanoviç, Kolarov në fushë ishin shumë të mirë me shqiptarët. Gjithashtu Shoqëria Civile reagoi mirë. Mund të na thoni disa raste?

“Unë mendoj se në ditët pas ndeshjes futbollistët nga të dy anët kanë përcjellë mesazhe pozitive dhe kanë bërë fotografi të përbashkëta në klubet ku luajnë. Mendoj se kanë reaguar mirë dhe në mënyrë të përgjegjshme pasi mendoj se janë të vetmit që mund ta qetësojnë situatën”.

Ben Andoni, JAVA October 25, 2014 23:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank