Kur heshtja vret !

February 27, 2017 14:32

Kur heshtja vret !

Berlin. 27 shkurt 1943. Kishin nisur bastisjet për të arrestuar çifutët e fundit në qytet. Ata, që nuk kishin mundur dot t’i arrestonin më parë. Kjo, për shkak se ishin të martuar me bashkëshorte gjermane. Ligjet e Nurembergut (1935) të miratuara nga Rajhstagu, përfshinin tre tekste, ku një prej tyre kishte të bënte me “Mbrojtjen e gjakut dhe të nderit gjerman”. Në të parashikohej përjashtimi i çifutëve nga shoqëria gjermane. I strukturuar në 7 nene, njëri prej tyre ndalonte kryerjen e martesave dhe pasjen e marrëdhënieve jashtë martesore, mes çifutëve dhe qytetarëve me gjak gjerman. Shkelja e këtij neni, konsiderohej “tradhti ndaj racës së pastër gjermane”. Për martesat që ishin në fuqi, regjimi kishte filluar të ushtronte presion mbi bashkëshortet që të divorcoheshin në mënyrë që ta kishte më të lehtë arrestimin e bashkëshortëve të tyre. Por, shumë pak prej tyre do të binin pre e presioneve, duke rezistuar.

Ndërkohë humbja në betejën e Stalingradit, kishte çuar në një mobilizim të ri, për të avancuar me “zgjidhjen finale” dhe “pastrimin e racës ariane”. Pak ditë pas fjalimit të Gëbelsit (18.02.1943) për mobilizim dhe rritjen e entuziazmit popullor për luftë, Gestapo fillon më 27 shkurt, arrestimet e çifutëve të fundit, në shtëpitë dhe në vendet e tyre të punës. Të arrestuarit i shpërndajnë në pesë qendra izolimi, në mes të Berlinit. Njëra prej tyre, gjendej në Rrugën e Trëndafilave (Rosenstrasse), afër selisë së përgjithshme të Gestapos, për çështjet e çifutëve. Në pritje, për t’u depërtuar në kampet e shfarosjes.

Por, regjimi nuk do ta kishte kaq të lehtë të kryente masakrën e radhës. Gratë gjermane, tek mësojnë arrestimin e bashkëshortëve të tyre çifutë, grumbullohen në Rrugën e Trëndafilave dhe fillojnë të protestojnë. Ditë dhe natë. Rezistojnë. Në të ftohtin e akullt. Së bashku me fëmijët e vegjël. Kërkojnë lirimin e tyre. Thërrasin “Na ktheni bashkëshortët! “Lironi burrat tanë!” Nuk zmbrapsen. As kur policia kërkon t’i shpërndajë me forcë. As, kur brigada SS, vjen në përforcim të trupave policore. As kur kërcënohen, se do të pushkatohen dhe mitralozat, që i kishin rrethuar i shënjestrojnë, në pritje të komandës. Përkundrazi gjejnë forcë. Janë gati të sakrifikojnë jetët e tyre. Ngrenë më lartë zërin duke i akuzuar: “Vrasës,vrasës, vrasës !”

Edhe pse regjimi nazist i kishte të ndaluar me ligj grumbullimet dhe manifestimet publike, guximi dhe kurajo e një rezistence pa armë, imponoi reflektim. Të gjendur në vështirësi përballë një opozicioni, që nuk e dëshironin aspak në ato momente, sa nga frika e një thyerje të unitetit të brendshëm, por edhe nga përkrahja që mund të rritej ndaj çifutëve, regjimi tërhiqet. Tërhiqet nga kryerja e masakrës së radhës. Më 6 mars, urdhërohet lirimi i të gjithë të burgosurve. Nga ditari i Gëbelsit, historiani francez Zhak Semelin, në librin e tij “Pa armë përballë Hitlerit 1939-1945 Rezistenca civile në Evropë” do të theksonte arsyen e tërheqjes së regjimit se: “Për shkak të protestave publike, aksioni ishte ndërprerë përkohësisht.” (fq.402)

Ngjarja e 27 shkurtit e Rrugës së Trëndafilave, edhe pse një episod i veçuar i rezistencës civile gjermane, gjatë regjimit nazist, është e një rëndësie të veçantë, pasi tregon jo vetëm forcën e ndjenjës së dashurisë, si gjeneruese e bërthamës jetësore, që arrin në momente të caktuara të thyejë edhe regjimet më të egra, duke sfiduar ideologjitë vrastare, por mbi të gjitha rëndësia e saj qëndron ndaj faktit se, si tragjeditë, krimet dhe Mendjet Kriminale, mund të frenohen në rast se, rezistojmë përballë tyre. E keqja kërkon gjithmonë rezistencë. Nuk ka rëndësi forma, për sa kohë veprimi është i nevojshëm. As madhësia, kur ekziston vendosmëria. Forca e një morali historik, tashmë ka konfirmuar se, heshtja, sidomos e shumicës, ka pasur gjithnjë fuqinë t’i shndërrojë popujt, në mënyrë të pavetëdijshme në bashkëpunëtorë dhe indiferenca e tyre në fajtorë.

Im.Ta.

DITA

February 27, 2017 14:32