Kur intimiteti kthehet në problem

Gazeta Dita January 13, 2013 16:46

Kur intimiteti kthehet në problem

Në Portugali është zhvilluar studimi i parë mbi orgazmën e parakohshme te femrat i cili ka treguar se 14 për qind e tyre kanë përvoja të shpeshta të orgazmës së parakohshme, ndërsa për 3.3 për qind të tyre ky fenomen e bën mosfunksionuese jetën seksuale   

Pak kohë më parë një studim anglez kishte arritur në përfundimin se një në pesë gra nuk e kishte provuar kurrë orgazmën, por mesa duket një shqetësim i ri është shfaqur në sferën e aktivitetit seksual. Është fjala për orgazmën e parakohshme te femrat, edhe ato që e arrijnë një të tillë, nuk mbeten gjithmonë të kënaqura. Nga ana tjetër, preteksti më i përhapur për të shmangur marrëdhëniet intime është lidhja e këtyre me dhimbjet e kokës. Një tjetër studim tregon se migrena nuk është thjesht një pretekst.

Orgazma e parakoshme te femrat

Studimi i vetëm për orgazmën e parakohshme të femrat është zhvilluar së fundmi në Portugali mbi gra të moshës 18 deri 45 vjeç.  Ndër 510 portugeze, 40 për qind e tyre u shprehën se në periudha të caktuara të jetës kanë përjetuar kulme kënaqësie të shpejta dhe të shkurtra gjatë aktit seksual dhe kjo ndodhte pikërisht në momentin kur ato e dëshironin më pak. 14 për qind pranuan se kanë përvoja më të shpeshta të orgazmës së parakohshme, ndërsa 3.3 për qind e tyre i përket asaj kategorie që i përgjigjet plotësisht kritereve të mosfunksionimit seksual të shkaktuar pikërisht nga orgazma e parakohshme. Studimi mbetet ende në nivel fillestar, duke pasur parasysh numrin e kufizuar të grave të përfshira në të, megjithatë të dhënat tregojnë se raportet intime janë dramatike për ato që e përjetojnë këtë çrregullim.
Hulumtimi i udhëhequr nga spitali “Magalhaes Lemos di Porto” në Portugali është  publikuar në revistën “Science Daily”. Profesor Serafim Karvalho mbeti i befasuar nga përfundimet të cilat treguan se ‘orgazma e shpejtë femërore është më tepër se një shqetësim i bezdisshëm. Një pjesëmarrëse në anketë ka shkruar: “Ndihem njësoj si burrat që nuk e shijojnë dot seksualitetin e tyre sepse kanë orgazmë të parakohshme, nuk shoh asnjë ndryshim midis meshkujve dhe femrave. Pasi e kam arritur orgazmën ndihem e bezdisur, madje keq po të vazhdoj. Pas kësaj edhe humori më ndryshon”.

Dhimbja e kokës dhe seksi

Shpesh herë dhimbja e kokës është konsideruar si një ndër shkaktarët e humbjes së dëshirës seksuale. Këtë fakt e mbështet edhe një studim i publikuar në “Journal of sexual medicine”. Hulumtimi është zhvilluar në SHBA në 100 gra me moshë mesatare mbi 40 vjeç të prekura nga dhimbjet e zakonshme të kokës dhe migrena. U analizua lidhja midis jetës së tyre erotike dhe nivelit të stresit të lidhur me mungesën e një aktiviteti seksual normal. Nga ky vlerësim u zbulua se 90 për qind e këtyrë grave kanë një jetë seksuale inferiore krahasuar me standardin e normalitetit, ndërsa 30 për qind e tyre e përjetojnë këtë aspekt si një moment të pakëndshëm dhe të padëshirueshëm, i cili akumulon edhe më tepër stres. Dhimbja e kokës kronike rrit mundësitë që gratë të vuajnë nga dispareunia, dhimbja kronike e organit gjenital, e cila maksimizohet gjatë marrëdhënieve seksuale. Megjithatë, janë të nevojshme studime të mëtejshme për të kuptuar se cilët janë shkaktarët kryesorë të mungesës së dëshirës seksuale te gratë./Dorina Gjuzi

Somario: 30 për qind e grave që vuajnë nga dhimbjet e kokës e përjetojnë raportin intim si një moment të pakëndshëm dhe të padëshirueshëm

Gazeta Dita January 13, 2013 16:46
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim