Kur Ismail Qemali i kërkonte ministrit të Jashtëm italian të njihte Pavarësinë e Shqipërisë

August 5, 2017 12:55

Kur Ismail Qemali i kërkonte ministrit të Jashtëm italian të njihte Pavarësinë e Shqipërisë

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta prestigjioze franceze, “Le Figaro”, ka botuar të shtunën e 30 nëntorit 1912, në faqen n°2, shkresën diplomatike të Ismail Qemalit drejtuar asokohe Antonino Paternò – Castello-s (1852 – 1914), Markez i San – Giulianos dhe ministër i jashtëm i Italisë.

Çfarë kërkonte udhëheqësi shqiptar ndaj zyrtarit italian ? Në vijim do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Romë, 29 Nëntor

Kryeministri i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, Ismail Bej Qemali, i ka dërguar Markezit të San Guiliano-s, shkresën në vijim:

“Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë të të gjitha trojeve shqiptare, pa dallim feje, e mbledhur sot në qytetin e Vlorës, sapo shpalli pavarësinë politike të Shqipërisë dhe formoi një qeveri të përkohshme përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave dhe ekzistencës së popullit shqiptar – i kërcënuar me shfarosje nga ushtria serbe – si dhe përgjegjëse për çlirimin e tokës kombëtare të pushtuar nga ushtritë e shteteve aleate.

Duke i sjellë në vëmendje Shkëlqesisë Tuaj rrëfimin e sipërm, kam nderin t’i lutem Qeverisë së Madhërisë së Tij Mbretërore që të njohë këtë ndryshim politik jetësor të Kombit Shqiptar.

Shqiptarët, duke u bërë pjesë e familjes së popujve të Evropës Lindore për të cilën janë krenarë si paraardhës të saj dhe duke ndjekur vetëm një qëllim, të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet ballkanike e të jenë element stabiliteti, janë të bindur se qeveria e Madhërisë së Tij Mbretërore dhe e gjithë bota e qytetëruar do t‘u rezervojnë atyre një mikpritje të ngrohtë duke i mbrojtur kundër çdo sulmi të ekzistencës së tyre kombëtare dhe kundër çdo copëtimi të territorit të tyre.”

* Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

August 5, 2017 12:55
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*