Kur ka nisur rivaliteti Enver-Mehmet

February 14, 2020 13:47

Kur ka nisur rivaliteti Enver-Mehmet

Fitim Çaushi

Në gazetën “Panorama” 7 shkurt 2020, lexuam shkrimin e ish shefit të Zbulimit, Perlat Çaushit. Me keqardhje konstatuam se autori merret me probleme anësore, sikurse janë kujtimet personale të Nexhmije Hoxhës: “Nexhmija si rastësisht në librin e saj “Miqësi e tradhtuar” na nxjerr që në këtë dosje të “mbyllur”, dhe ajo e di se të gjithë do ta besojnë dosjen të mbyllur nga Hysni Kapo, – u gjetën edhe dokumente të tjera të shkruara nga Shehu. Ndër të tjera gjendeshin edhe tri letra, ku Mehmeti ankohet për Hoxhën… i drejtoheshin ambasadorit sovjetik Ivanov… E ritheksoj, se për të gjitha këto dokumente, i pari i Partisë ka pasur dijeni prej vitesh. Pra, s’ka asnjë arsye që ai të ndihej i habitur përpara këtyre të “papriturave”. Deri këtu logjika të thotë se Enveri i dinte këto dokumente dhe me paramendim i nxori atëherë kur i duheshin. Enveri nuk ia kishe falur apo harrur. Këto janë hallka të një zinxhiri kontradiktash.”

Autori Çaushi, të cilin e përfytyrojmë si ekspert që është marrë me veprimtari dhe agjentura konkrete,  çuditërisht mbetet në vogëlsira dhe dilema të panevojshme: e dinte apo nuk e dinte Enveri përmbajtjen e letrave që ndodheshin në dosjen e Hysni Kapos, në vend që të shtrojë sentencën e punës së tij shumëvjeçare: kishte apo nuk kishte në Shqipëri agjentë të shërbimeve të ndryshme në Byronë Politike dhe kush ishin?!

Në dëshminë e Gaqo Neshos: “Me to ishte edhe letra drejtuar Ivanovit, të dyja këto ia pata dërguar shokut Hysni…” autori përkundër “zbulimit“ të tij, na përforcon mendimin se dëshmon se brendia e problemit që shtron Nexhmije Hoxha, është i saktë, pa qenë nevoja që autori të sajojë “kontradikta”.  Autori nuk merret me  përmbajtjen, ekzistencën e letrave të Shehut, që sfidojnë Enver Hoxhën qysh gjatë luftës së Dytë Botërore, por analizon formën, se si e shprehu problemin një veterane 95 dhe 99 vjeçare!

Kemi bindjen se autori ka punuar me besnikëri dhe përkushtim ndaj detyrës së tij madhore dhe po me atë përgjegjësi qytetare, i shtron edhe sot problemet mbi Shehun, por mjerisht logjika e tij është e përciptë, jo konform detyrës, që kërkon analiza të thelluara dhe motivime të besueshme.

Çuditërisht autori përdor lidhëzat kushtore, “nëqoftëse”, “poqese” ç’ka nuk i lejohen një specialisti të inteligjencës shqiptare, i cili duhet të sjellë dokumente dhe argumente profesionale, që burojnë nga shkalla e njohjes si ekspert i atij specialiteti, dhe jo të kapet nga hamendësime mbi kujtimet personale të Nexhmije Hoxhës.

Autori hedh idenë se Enver Hoxha e kishte dyshimin se Mehmet Shehu ishte agjent i shërbimeve të huaja, mendim të cilin e kemi edhe ne, por me ngjyresa të kundërta. Në vitin 1953, kur Sokrat Bufi e denonconte Shehun nga Moska si “rrezik për Partinë”, me tendencë “likuidimin e komandantit”.  Letra e Sokrat Bufit, dy autokritikat e tij në Byronë Politike dhe analizat e tij në Sekretariat dhe Byronë Politike, ruhen në AQ të RSH në fondin 14/APOU, dosjet, 3, 5, 28, 29. 32, 34.

Nga këto analiza protokollohet, se gjatë vizitës së Enver Hoxhës në Moskë, sekretaria e organizatës, Liri Belishova, e informon Enver Hoxhën për shqetësimet e Sokratit. Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike, më 28 shtator 1953, do të sqaronte: “Sokrat Bufi, siç dihet, ishte në Moskë, ku kish filluar të shprehte mendime të shtrembra karshi Mehmetit. Kur isha unë në Moskë, Liria më thotë, se me Sokrat Bufin na ka ngjarë një gjë e çuditshme… më raporton për ato që Sokrati mendonte për Mehmetin, se shoku Mehmet donte t’ia hipte partisë dhe të dilte mbi shokun Enver… E porosita Beqirin, me të mbaruar viti shkollor, Sokratin ta dërgonin në Shqipëri.”( AQRSH F.14/APOU, d. 29, f.145-148)

Është legjendarizuar letra e parë e Sokrat Bufit, dërguar nga Moska, sikur atë e ka zhdukur Mehmet Shehu, por nuk ka patur letër nga Moska, ka patur vetëm diskutim të Sokrat Bufit në organizatën e Partisë, ky ka kërkuar që shqetësimi i tij t’i përcillet KQPPH. Problemin e letrës së Sokratit, e sqaron Enver Hoxha në mbledhjen e Sekretariatit: “I thashë Manushit që t’i thotë Sokratit të bënte një autokritikë me shkrim. Thëniet e Sokratit para shokut Manush, i shkroi në letër dhe kopjen e kësaj, porsa ma solli Manushi, ia dërgova Mehmetit.”(AQRSH F.14APOU, d. 32, f. 40)

Kjo është e para letër që Sokrat Bufi i dërgon më 20 gusht 1953, Komitetit Qendror të PPSH për Mehmet Shehun. Ekziston në Arkiv një letër e Sadik Bocajt, dërguar Haxhi Kroit, në të cilën thuhet: “Po ju dërgoj tre letra të Sokrat Bufit që ia ka dërguar  Byrosë Politike  dhe Sekretariatit. Çështja e tij në lidhje me këto letra u shqyrtua në mbledhjen e Byrosë Politike më datën 2 nëntor 1953. Shoku Manush më porositi që këto të lidhen me letrat e tjera të tijat.”( AQRSH F.14APOU, d. 34, f. 55-83)

Në letrën e parë dërguar KQ të PPSH, Sokrati shkruan: “Sot më thirri shoku Manush Myftiu, për të sqaruar disa mosmarrëveshje dhe zënka që kam pasur me shokët në Shkollën e Lartë të Partisë në Moskë. Këto janë të qarta po të shihen dyshimet e mija rreth shokut Mehmet Shehu.”(AQRSH 14APOU, d. 34, f. 55-58)

Pas kësaj letre, Sokrati thirret në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të PPSH. Protokolli Nr. 21 datë 31 gusht 1953 i mbledhjes, na informon se Enver Hoxha i ka bërë disa pyetje Sokratit dhe kërkon prej tij shpjegime; pse ai ka vënë në dyshim besimin tek Byroja Politike dhe tek Mehmet Shehu: “Shiko shoku Sokrat, se nuk je në rrugën e Partisë. Edhe ne kemi bërë gabime, edhe në shkrimet tona janë bërë gabime, po mund të thuash se ne jemi provokatorë? Pse i ke nxjerrë të gjitha këto për Mehmetin?… Na thuaj haptazi. Qëllimi jonë është të shërohesh, se je një kuadër që ke qenë edhe sekretar i parë rrethi dhe nuk duhet të të lëmë të ecësh në rrugë të gabuar. Ne nuk jemi dakord me ato gjëra që ngre ti… Më duket, se nuk po reflekton për këto gjera të gabuara, sidomos për Mehmetin je shumë i gabuar.”( AQRSH F.14APOU, d. 29, f.196)

Sokrati pranon: “Gabimi im është që nuk ia kam thënë gabimet që në çast… Në veten time kam pasur përshtypjen se shoku Mehmet është njeri karrierist, kjo më ka shkaktuar dyshimin, se ç’u bë komandanti… Mendoja se shoku Mehmet nuk ia ka me të drejtë udhëheqjes.”( AQRSH F.14APOU, d. 29,  f. 149)

I gjithë shqetësimi i Enver Hoxhës, ishte që përmes këtij ballafaqimi të ruhej uniteti kolegjial i Partisë, të shpëtonte shokët e udhëheqjes nga opinionet e padokumentuara, prandaj këmbëngul: “Në letrën që ke bërë ti, nuk arsyeton për këto gabime kaq të rënda. Ti nuk ke fije besimi në udhëheqjen e Partisë, në forcën e saj, në kolegjialitetin e saj. Ti mendon se gjërat në parti mund të bëhen sipas qejfit të njërit apo të tjetrit… Nuk ke besim tek Mehmeti dhe arrin të mendosh se Mehmeti ka spostuar komandantin!”(AQRSH F.14/APO, d. 29, f. 148)

Sokrati i vendosur përgjigjet: “Unë nuk kam pasur dyshime në kolegjialitetin e Partisë, por tek një person.”(AQRSH F.14/APOU, d.29, f. 152)

Enver Hoxha synon të afirmojë edhe një herë parimet themelore të Partisë: “Si mund të kesh besim në udhëheqje, kur mendon se një njeri për karrierë likuidon njërin apo tjetrin. Po të tjerët ç’bëjnë? Vetëm në një parti ku nuk bie fare erë marksizmi, mund të ndodhin ato që mendon ti… Ti dyshon se Mehmeti si karrierist ka likuiduar Enverin. Këto janë pikëpamjet që dita ditës propagandojnë radiot armike. Sipas armiqve në udhëheqjen e Partisë bëhet luftë klikash. E realizon sa thellë je futur?… I marrtë të keqen Beria Mehmetit…”(AQSH F/14/AP, d.32, f. 203)

Domethënia e arsyetimit të Enver Hoxhës është i qartë për secilin nga anëtarët e Byrosë. Vetëm për karrierizëm ose për agjenturë, një shok i Byrosë Politike mund të likuidojë njërin apo tjetrin. Indirekt, Shehu paralajmërohet, se përjashtohej një tentativë e tillë në një parti si PPSH. Problemi i shtruar me guxim nga Sokrat Bufi, përbënte një moment shumë delikat për udhëheqjen e Partisë së Punës, edhe për propagandën që bënin mediat e disa vendeve që kishin humbur influencën e tyre gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe kërkonin me çdo kusht ndryshimin e politikës shqiptare nga e djathta, prandaj përmes propagandës, nxisnin rritjen artificialisht të autoritetit të Mehmet Shehut, si kundërpeshë e Enver Hoxhës.

Problemi i Mehmet Shehut si rival agresiv kundër Enver Hoxhës, (në kuadrin e medias së huaj) ishte i njohur nga udhëheqja shqiptare, ishte i njohur gjithashtu edhe nga shtetet europiane:

Gusht 1951 – Ambasada britanike në Paris, citonte ministrin francez të Punëve të Jashtme: “Nga dy fraksione që duket se ekzistojnë brenda Partisë Komuniste Shqiptare, ai i kryesuar nga Enver Hoxha duket se po zmbrapset përpara atij të kryesuar nga M. Shehu,”( FO 371/95024/RA1015/40)

 Po në këtë vit, Ministri i Jashtëm jugosllav i komentonte përfaqësuesit të ambasadës britanike në Beograd: “Një tipar kryesor në politikën shqiptare sot është lufta ndërmjet Shehut dhe Hoxhës.”( FO 371/95024/RA1015/43)

 Sikundër shihet paska ekzistuar një rivalitet i ashpër, i fshehur, i Mehmet Shehut kundër Enver Hoxhës. Këtë rivalitet e ndiqnin me padurim edhe shqiptarët e arratisur pas Luftës së Dytë Botërore:

            Shkurt 1952: “Albania Neës Bulletin”- deklaratë të Komitetit Nacional “Shqipëria e Lirë”: “E çara ndërmjet kryeministrit Hoxha dhe ministrit të Brendshëm Mehmet Shehu… është thelluar më shumë në muajt e fundit”( FO 371/101593/ËA1671/2)

            Gusht 1952: Ambasada britanike në Beograd njoftonte për shkrimin e gazetës “Politika”: “Ndeshja ndërmjet Hoxhës dhe Shehut ka mundësi të dalë në dritë së shpejti, dhe se Shehu ka të ngjarë të fitojë në eliminimin e rivalit të tij”( Ë.Bland, I.Price, “The Tangle Ëeb, Londër, 1986,  f. 286)

            Një muaj më vonë, Shtator 1952: Ministria e Jashtme Britanike paraqiti një përmbledhje të bisedimeve të Ministrit të Jashtëm Britanik në Jugosllavi: “Interesimi ynë për situatën e brendshme në Shqipëri përqendrohet rreth shkallës së pakënaqësisë popullore ndaj regjimit dhe luftës për pushtet, ndërmjet kryeministrit Hoxha dhe ministrit të brendshëm  Shehut.”( FO. 371/ 102180/ËY1052/38)

Ndërsa Titua i shfaq Ministrit të Jashtëm Britanik, Idenit, dyshimin për pozitën e Enver Hoxhës: “Pozicioni i kryeministrit Hoxha duket se po dobësohet dhe ndoshta ai do të përmbyset nga rivali i tij M.Shehu.”( FO 371/100322/N1022/1)

            Korrik 1954: Ivor Vinsent, zyrtar në Ministrinë e Jashtme Britanike për punët e jashtme, raportonte: “Gjenerali Mehmet Shehu është prezantuar si projugosIlav.”( FO 371/112660ËA10392/7)

Sikundër shihet, në këto dokumente flitet për një rivalitet pikërisht të Shehut ndaj Enver Hoxhës dhe jo për ndonjë anëtar tjetër të Byrosë Politike! Përse kanë qenë kaq të interesuara qeveritë e huaja për ekzistencën e këtij rivaliteti dhe përse propagandonin me shumë pompozitet Shehun, si kuadri kryesor i Luftës dhe i ushtrisë shqiptare?! Kjo kuptohet fare qartë nga dokumentet e shtatorit dhe nëntorit të vitit 1944, të Forin Offisit dhe Departamentit të Shtetit Amerikan, të  cilat do t’i parashtrojmë më poshtë.

Në këto situata ndërkombëtare dhe në informimet që kishte udhëheqja e Partisë për zik-zaket e Shehut, Byroja Politike më 1 shtator 1953, e thërret Sokrat Bufin në raport. Në Protokollin Nr. 25 lexojmë këmbënguljen e Enver Hoxhës për kolegjialitetin e Partisë:

“Ne e thirrëm edhe në Sekretariat, por pak përparime bëri. Ai nuk ka besim në udhëheqjen monolite të partisë, nuk ka të kjartë se çështë partia jonë, çështë udhëheqja jonë. Ai mendon se në udhëheqjen tonë veprohet si një klikë…Sokrati e ka përqendruar çështjen tek Mehmeti… flet, ato që flet edhe reaksioni, dmth që në udhëheqjen e Partisë tonë, ka përçarje, që aty sundojnë dy njerëz, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu dhe ky kështu i ka konsideruar këto gjera.”( AQRSH F.14/APOU, d. 29, f.145-146)

Enver Hoxha përfiton nga rasti për të shtruar si domosdoshmëri, problemin e forcimit të kolegjialitetit dhe të besimit reciprok tek udhëheqja e Partisë, në këtë situatë tepër delikate për unitetin e brendshëm të Partisë dhe të popullit, Ai me shumë takt konkludon përfundimisht, se në Byronë Politike nuk mund të ketë as një as dy persona që të bëjnë ligjin, aty do të vendoset vetëm kolegjialisht me të drejta të barabarta dhe gjithmonë në interes të popullit dhe vendit. Kjo nuk mund të mos e kufizonte iniciativën e tepruar të Shehut, që shkonte deri në arrogancë edhe me Enver Hoxhën, skundër ishte shpejtimi i kolektivizimit të bujqësisë, kur Enver Hoxha ndodhej në Moskë, ose anulimi urdhrit të Enver Hoxhës për vullnetarët në hidrocentral, për të cilat Shehu bën autokritikë në plenumin e dhjetorit 1953.

Në përfundim, Enver Hoxha jo pa qëllim evidenton denoncimin e Sokratit: “I influencuar nga rrethi i tij borgjez, Sokrat Bufi mendon, se në udhëheqje ka përçarje, Komandanti është likuiduar dhe Mehmeti është bërë sekretar i përgjithshëm. Duhet t’i bësh një analizë vetes tënde të dalësh me autokritikë. Tani do të të japim një punë dhe nuk duhet të demoralizohesh.”( AQRSH F. 14/AP, d.29 f. 146-147)

Me këtë përfundim të Enver Hoxhës, nuk ishte dakord Mehmet Shehu, i cili vërsulet ashpër kundër Sokratit: “Del një njeri në partinë tonë dhe hedh një parullë të rrezikshme. Unë them se, ose ky njeri është i çmendur ose është provokator dhe se ato që thotë ai janë fjalët e reaksionit… Duhet parë çështja e tij, nuk di nëse mund të qëndrojë në parti një element i tillë me dyshime në udhëheqjen. (AQRSH F. 14/AP, d.29 f. 147)… Teza Enver–Mehmet është bërë çështja kryesore në radiot e huaja armike, prandaj mendoj unë, se nuk është një gjë e thjeshtë.”(AQRSH F.14/APOU, d. 29, f. 148)

Enver Hoxha, sikur të priste pikërisht këtë rast, ndërhyn: “E thjeshtë nuk është kjo çështje... Që ka diçka ai, kjo nuk mund të vihet në dyshim, po këtë nuk e dimë, pse ja fsheh partisë, ai ka shkarë në pellg.”( AQRSH F.14/AP, d.29, f.148)

Ky arsyetim i Enver Hoxhës, me goditje të dyfishtë, e tmerron Shehun dhe me kokëfortësi kërkon që Sokrati të përjashtohet nga Partia dhe të burgoset. Më 28 shtator 1953, çështja paraqitet në Byronë Politike, e cila u ndodh para një presioni të papërligjur, madje para një shkeljeje të rëndë të normave të Partisë nga ana e Shehut. Pas parashtrimit që i bëri Enver Hoxha Byrosë Politike për bisedimet dy palëshe me Shehun, në fund të asaj seance konkludon: “Ky problem është shumë i rëndësishëm prandaj kërkova nga shokët e Byrosë Politike që ta gjykojnë me seriozitetin më të madh, me logjikën marksiste–leniniste, me rreptësi dhe me zemër komunisti… Kjo çështje do të na shërbejë jashtëzakonisht shumë si gjithë partisë ashtu edhe neve si udhëheqje dhe jo vetëm Mehmetit.”( AQRSH F.14 APOU, d. 32, f. 21-22)

Pasi e pa, se tentativa për ta burgosur Sokratin dështoi, Mehmet Shehu, tmerrohet dhe kërkon ndihmë tek ambasadori sovjetik Levinçkini, i cili i thotë që këtë problem ta bisedojë me shokun Enver, por Shehu heziton. Pas dy ditësh Levinçkini i shkon në zyrë Enver Hoxhës dhe i raporton bisedën me Shehun.

Në mbledhjen e Byrosë Politike, Enver Hoxha sqaron:I them shokut Levinçkin, se shoku Mehmet gabohet shumë rëndë, se besimi im dhe i shokëve karshi tij nuk është lëkundur aspak. Mehmeti në këtë rast ka gabuar, se këto gjera duhet t’ia thoshte edhe partisë së tij. Mehmetin duhet ta shpëtojmë medoemos nga kjo situatë, prandaj i transmetoni Partisë Bolshevike, se tek Mehmeti s’ka asgjë politike, për këtë unë jam plotësisht i bindur.”( AQRSH F. 14APOU, d. 32, f. 36-37)

Pasi Shehu mori garancinë nga Levinçkini, se problemi i tij nuk do të analizohej në prizmin politik, pas 20 ditëve shkon te Enver Hoxha. Shehu këtë vonesë e justifikon: “Ndodhesha në një situatë të rëndë, shumë të rrezikshme dhe vuaja rëndë. Më dukej sikur shihja një farë ftohje nga ana e shokut Enver në marrëdhëniet e përditshme me mua, se gjoja besimi i tij kundrejt meje, mund të ishte lëkundur. Atëherë unë vendosa që çështjen t’ia referoj PKBS. Që unë çështjen ia referova PKBS, kjo ishte e drejtë, por në të njëjtën kohë unë duhej që çështjen t’ia referoja haptas edhe shokut Enver. Këtë unë nuk e kam bërë, ky ishte gabimi tjetër i imi, ku më çoi kali i Sokrat Bufit, të cilit i kishja hipur së prapthi… Isha jashtëzakonisht i irrituar… Duke qenë në këtë situatë vendosa të shkoja tek shoku Levinçkin.”( AQRSH F.14APOU, d. 32, f. 27)

Mundet që për këtë veprim të Shehut, të kishte ndonjë konsideratë personale ish shefi i zbulimit, për të na thënë: ç’e detyroi në të vërtetë Shehun të fuste kokën tek ambasadori i huaj?! Përse Shehu bie në këtë situatë të rëndë, nëse letra e Sokrat Bufit nuk ka pasur diçka të vërtetë? Fakti që Shehu nxitoi tek ambasadori sovjetik, krijon dyshime. Edhe më të mëdha bëhen dyshimet për të, ngaqë heziton të takojë Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë dhe Kryeministrin shqiptar, ndonse kishte marrë sigurinë nga Levinçkini!

(Vijon)

February 14, 2020 13:47
Komento

7 Komente

  1. Gent February 14, 19:04

    Nje pyetje per ju, z. Fitim. Pa hedhur poshte dokumentet qe ju permendni, si spiegohet qe Enver Hoxha, pas tere atyre mbledhjeve te byrose per Mehnet Shehun, gjithnje ne vitin 1953, merr lejen e zakonshme se nuk e kishte bere dhe le zi zevendes te tij pikerisht Mehmet Shehun? Si spiegohet qe pa kaluar as 10 muaj propozon pikerisht Mehmetin ne postin e kryeministrit? Si spiegohet qe mbeshtet propozimet e Mehmetit per eliminimin nga udheheqja e larte te Tuk Jakoves, Bedri Spahiut e deri te Liri Belishoves me vone?
    Arkivat e deklasifikuara sovjetike deshmojne qarte se Enveri e degjonte shume Mehmetin dhe per kete kishte shume arsye…
    Tandemi Enver-Mehmet ka funksionuar fuqishem dhe nuk ka patur kontradikta thelbesore ne marredheniet e tyre. Deri ne fund fare.
    Eliminimi i Mehmetit nuk eshte bere nga fejesa e djalit te tij. Arsyet jane te tjera, kjo eshte e qarte.
    Nexhmija, me librin e fundit, eshte kthyer ne identitet…ka hedhur poshte wendrimin e saj se Mehmeti nuk kishte qene agjent e as nuk kishte dashur te vriste Enverin. Kete vrasje ia veshi Kadriut. Tani eshte kthyer ne variantin e pare, ne variantin e Enverit ne librin “Titistet” dhe ne librin e saj “Miqesi e tradhetuar”.
    Ju z. Fitim njiheni se adhurues i ciftit Hoxha, prandaj cfare shkruani le vend per shume dyshime.
    Personalisht libri i z. Caushi nuk me ngjit. E njoh mire dhe prisja te jepte nje opinion te sakte per ato qe shkruan. Ai nuk e ben, ndoshta nuk do qe te bien muret “Hoxha” ne historine e Shqiperise. Ai mbeshtetet vetem ne ato qe ka thene Enveri e ka shkruajtur Nexhmija. Asnje dokument arkivor, sidomos te gjyqeve te vitit 1982 nuk perdor, ndoshta se ka qene edhe vete deshmitar ne gjyqin e Kadri Hazbiut…luga me corbe te prishur te deformon karakterin dhe te fut ne autocensure.
    Mund te shkruaja me shume, por nuk ia vlen. Kjo eshte Shqiperia e sotme ku jemi te “denuar” te jetojme.
    E verteta eshte e rendesishme por kerkon te behesh pre e njerezve si Nexhmija dhe rrethi i saj, pjese e te cilin jeni dhe ju, z. Fitim.

    Reply to this comment
  2. demo February 14, 20:00

    Ambasada e BRSS nuk ishte ambasade e huaj por ishte si Ambasada e Serbi Jugosllavise ne 47,si shoku Miladin-Dushan ne 41-44,si ambasada Amerikane sot,ku perplasin koken intrigantet provinciale te ketij llumi.
    Enver Hoxha qe nga njohja e pare me Memetin e ka shfrytezuar ate per kobure sulmi,per te lare hesapet me rivalet ne Parti dhe ne pushtet.Memet Shehu i kreu spastrimin e forces ushtaraka te komunisteve Vlonjate duke egzekutuar bashke me Hysni Kapon ceten plake te Vlores dhe 150 djem vlonjate ne fshehtesi te plote,prapa kraheve,here me atentatoret Rrahman Parllaku,Hito Cako,here me Seitin,bodigardin e Mehmet Shehut,here ne menyre frontale sic qe sulmi i cetes se Mallakastres kunder Tragjasit dhe Dukatit.(Eshte shitur si beteje kunder Ballit).Etja per gjak e Mehmetit eshte perkrahur nga Enveri si therja e 180 roberve italiane,qe u theren nga brigada e pare per tu marre rrobat dhe vrasja e 160 te tjereve ne Voskopoje dhe masakra mbi popullin e Staroves dhe Pogradecit,por shoku enver e ka kritikuar per vrasjen e 69 ballisteve ne Lushnje,sepse ishte e pa programuar ne dijenine e tij.
    22 pushkatimet e ambasades sovjetike i bene bashke,edhe 17 mirditoret qe varrosi te gjalle Mehmeti pas vrasjes se Bardhok Bibes.Vrasjet dhe perdhunimet e Hodo Habilajt ja veshen Koci Xoxes.Ata 104 malesore te Kelmendit qe u pushkatuan nga Memeti me Preke Calin,Enver Hoxha sa mori lajmin ishte ne Beograd dhe ju piu nje dolli me Alexander Rankovic.
    Rivalitet per pushtet enver hoxha nuk ka pasur me Mehmet Shehun.Ky thoshte:-Ku ve shoku enver kemben,une ve koken! Ky ruante me TERBIM numrin 2.Kur i vihej ne diskutim numri 2 pas enverit,Mehmeti terbohej,bente skandale.Kur shoku Koci e sikterrisi nga qeveria e la vetem shef i shtabit te ushtrise,shkoi ne Mallakaster te bente kryengritje.Kur shoku Enver afroi shokun Beqir dhe ngriti dolline e pare ne emer te Beqirit se ky i ruajti mbreterine ne Tirane,kur ishte ne Moske,Mehmeti u terbua fare.Filloi te bente exese.I vuri prapa Beqirit,Petrit Dumen qe ta diskretitonte dhe ne vitin 1968,kur Beqiri u kthye nga Kina me vaporret kineze plot me tanke,avione,Mehmeti i nxorri revolen ta vrase ne koridorin e Komitetit Qendrore.Edhe Beqiri nxorri revolen,por nderhyri shoku enver,shoku Kadri,shoku husni dhe komondanti legjendar Shefqet Peci sherri nuk u be llaf fare.
    Me Koci Xoxen ndryshonte puna.Koci Xoxe nuk kishte ndonje Stime te vecante per enver hoxhen,e quante bythepambuk,borgjes me te kaluar te erret ashtu si tregon Petro Marko.Kur e pa se sekreti i suksesit te Enver hoxhes ishte bindja e verber ndaj Jugosllaveve
    sa te cante derrasa me rreshteret e panjohur malazez,u afrua me Titon.Koci synonte t`ja merrte pushtetin enver hoxhes,se e quante te pavlere,pa kontribute ne lufte dhe ne historine e levizjes komuniste.Edhe kur dilnin ne popull Koci i hidhte hapat e shkurter shpejt,qe te dilte p[ara enverit,,kishte nje grade me enverin dhe prezantoheshin te dy bashke te pandare.
    Tito e cfaqte hapur simpatine per klasen punetore,shokun Koci.Njehere kur i priti ne vilen mbreterore ne Brione,enverin e perzuri,i tha:-Ti Hoxha shko fshij cizmet se i ke me balte,kuse ti shoku Xoxe ulu ketu prane meje!
    Pune ditesh qe,me centimetra ka shpetuar nga shoku Koci,sa erdhi pergjigja e Stalinit per Titon.
    Aq donte mjeshtri,se e qau lojen.Perdori Tuk Jakoven per te permbysur Kocin,pastaj Tukun e beri kurban per te kenaqur Memetin,qe desh u vra me Tukun,qe kur ky ishte komisar i brigades pare.

    Reply to this comment
  3. Dori February 14, 20:04

    Enver Hoxha ishte xhongler politik i lindur. Ai i dinte se cfare mendonin e te kujt agjenta ishin te gjithe politikanet qe i interesonin; por loja e tij ishte te ruhej ekuilibri i pushtetit absolut te tij. Keshtu ia doli ta mbante pushtetin si diktator komunist per 40 vjet.
    Ai nuk e donte Perendimin sepse kishte bere krime te renda dhe do t’i kerkoni te pergjigjej per to; por, ai nuk e donte as Lindjen, sepse do t’i kerkoni te linte karriken ne favor te agjenteve te tyre te bindur. Ai i eliminoi te tjeret dhe la Ramiz Aline, sepse e dinte se “qingji i urte” do te ndiqte taktiken e tij: as ketej as andej- nen cader qe te mos e zinte shiu. Prandaj miushi Ramiz thoshte: Shqiperia nuk eshte as Lindje as Perendim. Mirepo, kur balanca u prish ai u mbeshtet tek agjentura serbe ne shqireri, por Serbia e shkateroi Shqiperine per shkak te ftohjes se kraheve te Kosoves qe kerkonte te shkeputej nga Serbia. Po te kishte vdekur Nexhmija ne vend te Enverit, xhongleri i lindur do ta rrotullonte rroten perseri ne favor te sundimit te tij dhe do ta kishim Komandant edhe sot e kesaj dite.

    Reply to this comment
  4. fteri February 14, 20:20

    Mehmet Shehu ka dashur e respektuar gjithmoë Enver Hoxhën ,dhe anasjelltas ,këtë e mbështesë në shumë dëshmi të personave që i njohin nga afër.Por të mos harrojm se shtypi raksionar i uashingtonit ,londrës ,parisit ,athinës,jugosllavisë dhe të rusve me anë të radiove zëri i amerikës,e radio londrës dhe duke koloniotë shqiptare të amerikës ,francës ,egjiptit ,jugosllavisë ,greqisë italisë mbanin konferenca si shqipria e Enver Hoxhës po binte në pranver ata me agjentura të huaja mbillnin panik me fletushka me shtypin se ka konflikte midis Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës ,përveë këtyre përhapnin panik se qeveria e Tiranës do të bie.për të krijuar pasiguri ,propoganda shpifse , e imperjalizmit bëhej .e egër edhe nga
    gazetatat e ballit kombëtar “flamuri”. të legalitetit të bllokut intipedent “Albani Libure”dhe një serë buletinsh shpërndaheshin nëpër qytete të ndryshme të italisë ,Greqisë,Jugosllavisë,francës, shba,anglisë etj deri në egjypt që në vitet e para pas çlirimit në shqipri vepruan agjenturat shumë të egra për të eleminuar PKSH dhe përça udhëheqjen e saj Prandaj nuk ja vlen të përmendim letrat e Sokrat Plaks apo të ndonjë tjetri se Mehmet Shehu kurr nuk ka dashur të sfidoi Enver Hoxhën vetë jan shpifja t agjenturave për të marr kalanë sociliste nga branda.

    PRANDAJ Z. ÇAUSHI GABOHEN RËNDË NË ANALIZËN TUAJ SE MEHMET SHEHU QËNKA TRADHËTAR .
    Më kot mundoheni të lindni shpresa të reja armiqësie midis dyshes legjendare të PPSH.

    Reply to this comment
  5. Lisi February 14, 21:21

    Mehmut shehu QE nje spiun e tradhetar,Cfare kelkoo gjeti……

    Reply to this comment
  6. demo February 14, 21:41

    o nxirre te shkreten,kam qw ne oren 20 qe e nisa!

    Reply to this comment
  7. Dauti February 15, 18:10

    Shpesh kam menduar…po kush mund te jete ky “demo”? Tani, mos qofsha i gabuar, mendoj se ai eshte autori i nje libri per grupin e te rinjve dhe Sadik Premten. Eshte nga nje fshat i Vlores. Mbiemrin e vertete e ka Hoxha, por meqe emrin e ka Enver, gjate periudhes komuniste ia vune Memishaj…ndersa vone e ka bere Premte.
    Ka qene shefi i shikut per Vloren gjate ngjarjeve te vitit 1997. Mbushi breket atehere dhe iku be fshat. Per te tregojne qyfyre ne Vlore.
    Demo, Mehmeti nuk e vrau Neki Imerin, komandantin e cetes plake te Vlores. E la te lire. Kete e dine te gjithe.
    Per te tjerat nuk ia vlen te merresh me ty dhe Fitim Caushin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*