Kur mungesa e humanizmit nuk njeh kufi 

September 11, 2015 15:25

Kur mungesa e humanizmit nuk njeh kufi 

Ndonëse u konsiderua “Muri i Turpit” gardhi i lartë me tela, që Hungaria ngriti në kufirin e saj me Serbinë, kjo nuk i ka frenuar aspak autoritetet hungareze që jo vetëm ta përforcojnë atë duke e bërë të pakalueshëm, por edhe të kërkojnë shtrirjen e tij deri në kufi me Kroacinë. Teksa Unioni dhe institucionet evropiane po përpiqen të krijojnë një frymë dhe mekanizëm solidariteti, si nëpërmjet shpërndarjes së detyrueshme të kuotave, apo rishikimit të mundshëm të sistemit të azilit, Hungaria vazhdon të distancohet nga ky panel vlerash.

Pamjet e fundit filmike, ku gazetarja hungareze pengon dhe dhunon azilkërkuesit dhe fëmijët e tyre, apo episodet filmike, që tregojnë shpërndarjen e ushqimit jashtë çdo aspekti njerëzor, nuk janë aspak pro vlerave, standardeve dhe normave të një vendi evropian, që ndër të tjera duhet të respektojë edhe detyrimet ndërkombëtare për respektim dhe mbrojtje të të drejtave themelore.

Tek pritet solidaritet dhe humanizëm në këtë krizë përballimi me përmasa historike, autoritetet hungareze vazhdojnë të bëhen shembull i një politike të ashpër ngurtësimi dhe diskriminimi. “Muri i Turpit”, jo vetëm nuk do të hiqet, por përforcimi i tij i planifikuar deri në fund të muajit tetor do ta shndërrojë tokën hungareze në një zonë të papenetrueshme nga fluksi i refugjatëve. Zhvendosja e trupave ushtarake në kufi, që do të ndihmojnë forcat policore në përballimin e situatës, parashikon përdorimin e forcës fizike, mjeteve të ndryshme të shpërndarjes, si nëpërmjet gazit lotues, por edhe shkopinjve të gomës.

Paralelisht janë hedhur idetë për aktualizimin dhe krijimin e zonave të transitit përgjatë shtrirje kufitare. Zona, që do të shërbejnë si pjesë qëndrimi i migrantëve, të cilët ndonëse kanë hyrë në tokën hungareze nuk do të konsiderohen si të tillë për shkak të klimës ligjore, që krijon në parim hapësira e zonës së transitit. Në këtë mënyrë ato do të rikthehen sërish drejt Serbisë, të cilën Hungaria e ka shpallur edhe një vend të sigurt origjine, duke lehtësuar gjithashtu kthimin e flukseve të refugjatëve.

Por, momenti më shqetësues që prek një kuadër të rëndësishëm ligjor lidhet me kriminalizimin e kalimit të kufirit në Hungari. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi më dt. 15 shtator. Pra, çdo azilkërkues i mundshëm,  që do të kalojë kufirin përtej pikave të ligjshme të hyrjes, do të arrestohet dhe dënohet deri në 3 vite burgim.

Vlen për të kujtuar se, jo vetëm BE, por edhe ligji ndërkombëtar e ndalon kategorikisht burgosjen e azilkërkuesve. Askush nuk mund të persekutohet, arrestohet apo dënohet, nëse ka hyrë me dokumente të rreme, apo në mënyrë të parregullt në një vend tjetër evropian, për sa kohë ai është një azilkërkues. Vëmendja ndaj këtyre akteve është tërhequr edhe nga organizatat e të drejtave të njeriut, që paralajmërojnë se krijimi i zonave të transitit, do të mundësojë mos aplikimin e ligjit hungarez në këto hapësira, duke hapur shtigje të reja për abuzim.

Hungaria është vend anëtar i Unionit Evropian dhe si rrjedhojë ka detyrimin jo vetëm të respektojë legjislacionin, dhe frymën legjislative që buron prej direktivave të tij, por detyrimet e saj janë edhe të një niveli ndërkombëtar, duke mos neglizhuar këtu edhe përgjegjësitë ndaj respektimit të Konventës Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Klima e funksionimit të demokracisë në Hungari ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e Unionit dhe instancave të tij drejtuese. Përkeqësimi i kësaj klime, ka detyruar Parlamentin Evropian t’i kërkojë për herë të parë Komisionit, ngritjen e një mekanizmi për survejimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, për çdo vit në BE. Retorika politike për futjen e dënimit me vdekje, për lidhje të imigracionit me terrorizmin, gjuha e fortë e urrejtjes e përdorur ndaj minoriteteve kombëtare, diskriminimi në instanca të gjyqësorit si edhe mbështetja mediatike, janë fenomene që kanë tërhequr vëmendjen e BE-së, si edhe të një sërë organizmave, që merren me ruajtjen e të drejtave të njeriut.

Por, situata në tërësi në ish-vendet e Lindjes komuniste, ka krijuar një thyerje përballë krizës ndërkombëtare të refugjatëve, duke i ekspozuar në luhatje ndaj vlerave humaniste, që duhet të shfaqnin, të paktën si pjesë e një Unioni, që e vlerëson si një ndër pikat më të rëndësishme të tij, ruajtjen e të drejtave themelore si edhe sigurimin e të drejtave të azilkërkuesve.

Tashmë vendet e V4 (Hungari, Sllovaki, Republikë Çeke dhe Poloni) e kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre në Samitin e fundit të Pragës, ku përveç refuzimit për t’u bërë pjesë e skemës solidare në shpërndarjen e kuotave të refugjatëve, kërkojnë që Unioni të marrë gjithashtu në konsideratë opinionet dhe vlerësimet e tyre respektive në lidhje më këtë situatë.

Por, përveç grupit të V4 kësaj klime refuzuese i është bashkuar edhe Rumania me Bullgarinë.

Tek refuzojnë, ato e kushtëzojnë angazhimin e tyre në këtë nivel përgjegjësie me shkëmbime dhe favore të interesave me natyrë kombëtare integruese. Të dy vendet kërkojnë që të bëhen pjesë e zonës Shengen, në mënyrë që të solidarizohen në këtë situatë emergjente. Bullgaria dhe Rumania, ndonëse janë anëtare të BE-së, nuk janë ende pjesë e Shengen, për arsye të kundërshtimeve të forta, që vijnë nga disa vende të tjera anëtare dhe që lidhen kryesisht me karakterin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që pasqyrojnë këto vende.

Mbledhja e jashtëzakonshme, që pritet të kryhet këtë të hënë në Bruskel, mes ministrave të brendshëm dhe atyre të drejtësisë (JHA), pritet të sjellë progres të ndjeshëm në lidhje me krizën e refugjatëve, që ka pushtuar Unionin Evropian.

Në rast të kundërt, kreu i Këshillit Evropian, polaku Tusk, nuk ka ngurruar aspak të kërcënojë se, do të kërkojë mbledhjen e një Samiti special evropian, brenda këtij muaji, për të gjetur zgjidhjen e nevojshme bazuar në konsensus dhe solidaritet. /im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Refugjatët një kërcënim për vlerat kristiane të Evropës

Hungaria në krizë demokratike, BE monitorim të situatës

Merkel në Hungari, frikë për rrëshqitje të vendit drejt Rusisë

Alarmi i BE-së dhe rrëshqitja e Hungarisë drejt ekstremit të djathtë

 

September 11, 2015 15:25