Kur Nano jep dorëheqjen: Denigroi PS-në, e quan “kënetë”

July 11, 2016 09:32

Kur Nano jep dorëheqjen: Denigroi PS-në, e quan “kënetë”

Ditari politik i Servet Pëllumbit, “Përvoja ime me Partinë Socialiste”, botimet “Toena”, një skaner politik i forcës kryesore në vend, PS përballë PD-së; Libri vjen si një bilanc politik në 25-vjetorin e themelimit të PS-së, nga një prej pretendentëve për t’u bërë lider pas “rënies” së Nanos

Për të treguar se ditari i tij politik është shkruar për kohën ’91-’96, politikani Servet Pëllumbi thotë se sot do të ishte e pamundur të hidheshin detajet nga ajo kohë. Për shkak se përvoja e tij në Partinë Socialiste sa vjen personale ashtu dhe në marrëdhënie mjaft delikate me personazhe politike brenda saj, si kjo parti u përça, si përjetoi hyrjen në burg të liderit të saj historik, Fatos Nanos, por dhe në anën tjetër të opozitës. Ndoshta edhe në rrëfimin e tij gjatë promovimit ditari “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, Pëllumbi dukej se ende mbante “përplasjen” e madhe, të brendshme që ndodhi në partinë e tij në vitet ’91-’96 duke u ndalur pikërisht në marrëdhëniet me Fatos Nanon. Në botimet e disa pjesëve nga ditari Pëllumbi, si edhe më poshtë, tregohen momentet kur Fatos Nano përgatitet për dorëheqje, dhe momente se si kreu i PS-së e konsideronte partinë e tij, sidomos pas burgut. Ishte koha kur PS po përgatitej për Kongresin dhe po hartonte programin dhe statutin, duke lënë jashtë ish-liderin e tij, kur ky i fundit vazhdonte të thellonte ndarjen me partinë.

 

***

E mërkurë, 24 korrik 1996

Zhvilluam sot mbledhjen e KPD-së, në një atmosferë të tensionuar, shoqëruar me revolta të shumicës dërmuese të anëtarëve të KPD-së që kishin sjellë mesazhe proteste nga baza lidhur me denigrimin e rëndë që Fatosi i bën PS-së, të cilën e quan “kënetë” dhe kolegët e vet që e shndërruan në hero i quan guralecë, vanitozë, frikacakë, të paaftë, meskinë, mëkatarë etj. Mbledhja filloi me tone të tilla, por ndërhyra dhe propozova:

-Të mos hyjmë në përmbajtjen e akuzave dhe të etiketimeve derisa nuk është prezent autori që i ka dalë për zot. Aq më tepër që nuk ka emra konkretë apo adresim për KPD-në. Thjesht ka shprehur mendimin e vet të cilin ne e quajmë të gabuar. Të merremi me kërkesat konkrete dhe të vendosim:

1- F. Nano thotë se jap dorëheqjen nga kryesimi i grupit të punës për raportin e Kongresit.

2 -Propozon që në Kongres të dilet me dy raporte, një i KPD-së dhe tjetri i kryetarit “si pjesë e përgjegjësive politike të tij”.

U pranua dorëheqja e Nanos nga grupi i punës (vetëm Majko abstenoi), për të dytën u tha që statuti dhe praktika e deritanishme nuk lejojnë dy raporte. Ato që ka për të thënë Kryetari të përfshihen në raportin e Kongresit që do të paraqitet nga KPD-ja. U vendos me unanimitet. Formula e zgjedhur për KPD-në e stome evitoi një përçarje që pritej nëse do të merreshim me komentimin e artikujve dhe të etiketimeve për njëri-tjetrin. Sikur të mos kishim asgjë tjetër për të bërë!

Ndërkohë KJ gjithnjë e më tepër po afishohet hapur pro mocionit Nano që vlerësohet si “kontribut për moderacionin e politikës shqiptare”, Po sot F. Çupi teorizon dhe jep “vijën” për më tej. Pas iniciativës së Nanos, shkruan ai, qëndron nevoja e shkarkimit të “ngarkesës së tepërt” nga një pallat –PS me “kolona të dobëta”, duke ruajtur pjesën që “pranon politikat modern”! Kryesia që kundërshton mocionin na qenka pjesa konservatore, ajo që do “shkarkuar”. Po ç’do të bëhet “me pjesën e moderuar të PS-së”? Përgjigja e Frrokut është e “thjeshte”: Blloqet modern të shpërndahen në PAD, PSD e parti të tjera që përfaqësuakan “moderacionin”! Veçse duhet anatemuar instinkti i qenies në unitet! Ndryshe “PS-ja do të jetojë si personazhet e “Lumit të vdekur” në kënetat e Myzeqesë”…A të ka përkthyer mirë Frroku, z. Nano?

Mos vallë për këtë qëllim na kërkove që t’i linim PAD-së së Cekës, Imamit e Frrokut 1/5 e zonave të lira më 26 maj? Kujt do t’i interesonte sot një reformim –shpërndarje e PSSH-së? A nuk i ka kërkuar herë pas here një gjë të tillë S. Berishës, madje dhe në mesazhin që dërgoi Kongresit tonë më 23 mars 1996? Këto janë fakte dhe jo thjesht deduksione, apo operacione mendore z. Nano!

 

E shtunë, 27 korrik 1996

Vazhdon normalisht puna e grupeve të punës për raportin e Kongresit, për ndryshimet në program dhe në statut. Sot diskutova me secilin grup veç e veç. Me Fatosin realisht është prerë çdo komunikim. Ai ka ngritur “grupet e veta” për të sjellë “risi” që Kryetari të paraqesë në Kongres aktivitetin e vet “si pjesë të përgjegjësive të veta. Kjo na qenka “konkurrenca e ndershme e ideve dhe e alternativave…”! Pavarësisht nga motivet, me aq sa i njoh sot, nuk kam si mund ta ndiej veten të detyruar ndaj F. Nanos si Kryetar “i zgjedhur nga Kongresi katër vjet më parë”. Po të jetë se e kam gabim, do të kem kurajën ta pranoj e ta dënoj! Veçse nganjëherë ndihem i dyzuar, veprimet dhe letrat e tij më duken të papërgjegjshme! “I shtrenjtë është për mua Platoni, thoshte Aristoteli, por më i shtrenjtë është e vërteta!”

Ndihemi të inkurajuar për qëndrimet tona politike nga prononcimet publike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Rudolf Perina, zëvendës ndihmës i Sekretarit të Shtetit, nëpërmjet një deklarate për Shqipërinë kërkon: dialog politik, zgjedhje lokale të lira, përgatitje dhe miratim të Kushtetutës dhe Zgjedhje të reja Parlamentare. Kurse Nicholas Burn, zëdhënës i DASH-it, thotë se “përgjigja përfundimtare amerikane është thirrja për zgjedhje të shpejta në Shqipëri”. Edhe në takimin e djeshëm me Van De Brouk, Komisioner i Lartë i BE-së, na u dha e qartë mesazhi: BE do të ndihmojë për zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme. Opozita është e rëndësishme për të evituar polarizimin e shoqërisë dhe për të siguruar zhvillimin demokratik”.

 

E diel, 28 korrik 1996

Na erdhi një “Ftesë” tjetër për reflektim nga F. Nano! Ai kërkon lëvizje dhe ndryshime shumëplanëse. Po si? Ku? Për ç’qëllim? Nga kush? Nano do patentën e “rinovimit” dhe largimin e “guralecëve”, term me të cilin nënkupton kryesinë Ekzekutive ( që realisht nuk ekziston) dhe nënkryetarët” e PS-së, kolegët e vet!

Mendova për një deklaratë në të cilën të theksohen përgatitjet për Kongresin, ndryshimet në program e statut, vazhdimi normal i punës së Partisë në rrethe duke i dhënë indirekt përgjigje edhe Fatosit meqë “ftesën për reflektim” ia ka drejtuar gjithë Partisë. Varianti i deklaratës që paraqita, u mbështet me ndonjë rezervë nga anëtarët e Kryesisë. S. Poçi e quajti “të fortë”, E. Ruka: “mos nxitohemi me deklarata të Kryesisë…”; L. Hajdaraga: “Jo tërheqje zvarrë…”; F. Sinani: “Ftesë e hapur, përgjigje të hapur…”; E. Meksi: “të trajtojmë thelbin e problemeve…”; N. Dokle: “Do t’i përgjigjem publikisht…”; I. Meta: “jam për variantin e deklaratës…”! Deklarata u miratua dhe shënon një përshkallëzim të debatit që është duke vazhduar në rrethe në kuadrin e përgatitjeve për Kongresin e 26 gushtit. Megalomania karakteristike e Fatosit, të cilit i është mbushur mendja se burgu e ka “pasuruar dhe formuar më tej si lider”, se ai di çdo gjë, sepse “nuk ka vend më perfekt sesa burgu për të qenë i informuar për gjithçka…”, po jep frytet e veta negative në parti. Për më tepër që as nuk e kupton që po e përdorin…Paradoksi merr kështu një formë tjetër!

July 11, 2016 09:32
Komento

3 Komente

  1. XHIM XHIBOKSI July 11, 14:13

    Ti je i rrjedhur o Servet Pellumbi por ne te vertet nuk je pellumb por nje sorr me ngjyren e korbit.Fjalen kenete Nano kur ishte ne burg,dhe po te degjojme shume budallaliqe u ule shume nga ç’ti ishe,ke rredhe me te vertete,pale kur Nano paska bere marrveshje me Berishen kur ky ishte ne burg dhe ti pse te goditen paske vuajtur ne liri rrjedhje totale si ha njeri keto te gjithe shoket e vjeter ty te paskan hnger ne bese vetem ti je i kulluar dhe Hysni Milloshi ikore leri keto mbrroçkulla.

    Reply to this comment
  2. A.GRAMSH July 11, 16:53

    PER NANON DHE SHUUME TE TJERE TE ASHTUQUAJTUR ‘LIDER’ TE PS(Qe vetem subjekt i majte nuk u be asnjehere)VLEN THENJA: ‘Jane perjashtuar nga BORDELLO per PROSTITUCION!!!

    Reply to this comment
  3. Mark uk July 11, 17:11

    Mire se Nano e quajti knet,po ky e ka .hie krejt.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*