Kur PPE i “zbardh” faqen Hungarisë

September 17, 2015 13:10

Kur PPE i “zbardh” faqen Hungarisë

Unioni po përjeton një nga krizat më të rënda të tij. Krizë, që nuk është thjesht humanitare, politike apo ligjore, por një krizë e pastër vlerash morale. Vlera rreth të cilave është krijuar, ndërtuar dhe fortifikuar e gjithë filozofia e integrimit evropian. Vlera, që vendet e ish-kampit komunist i pranuan t’i adoptonin tek kërkuan të bëhen pjesë e kësaj Evrope të bashkuar. Refuzimi dhe rezistenca ndaj këtyre vlerave, ekspozon jo vetëm qëndrimin aspak dinjitoz ndaj solidaritetit dhe humanizmit në nivel evropian, respektimit të të drejtave të njeriut, lirisë dhe barazisë, por shfaq edhe shenja të brishtësisë dhe të dobësisë të konceptimit demokratik të instaluar në këto vende.

Rasti hungarez me inovacionet e vazhdueshme në lidhje me abuzimin ndaj të drejtave të njeriut dhe kryesisht të drejtave të refugjatëve, po shndërrohet në shembullin më negativ të përfaqësimit të një Evrope, që e ka shndërruar ruajtjen e këtyre vlerave në një far ndriçues, me përmasa ndërkombëtare.

Jo më larg se dje, një tjetër apel do t’i drejtohej Hungarisë nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, ish- Presidenti i Internacionales Socialiste, portugezi, Antonio Guterres. Apel për reflektim dhe ndërgjegjësim, në emër të një domosdoshmërie për mos fshirje të memories historike. Për të mos harruar solidaritetin e lartë evropian, kur në krizën e pushtimit rus të vitit 1956, 200 mijë hungarezë e kaluan lirisht kufirin austriak, me një pritje fantastike dhe se, asnjë mur, apo barrierë nuk u ngrit kundër tyre.

Por, rasti hungarez shoqërohet edhe me dy momente të rëndësishme, që e tejkalojnë nevojshmërinë e apeleve për ndërgjegjësim.

Nga njëra anë, shfaqet domosodoshmëria për reagim të fortë nga ana e Unionit, për të detyruar Hungarinë të jetë në përputhje me vlerat dhe legjislacionin evropian, pasi këto situata rrezikojnë jo vetëm të krijojnë precedentin e një dhunimi sistematik të vlerave dhe parimeve demokratike, por edhe të një klime të dëmshme pandëshkueshmërie. Deri në këto momente, reagimi i Unionit ndaj Hungarisë përmblidhet në tentativa të dobëta dhe deklarata gjithashtu të papërfillshme, ku teksa mirëkuptohen qëndrimet dhe pozicionimet e saj politike, i kujtohet nëpërmjet frazave leksion dhënëse të natyrës edukative, se duhet të jetë solidare dhe se muret dhe dhuna nuk janë zgjidhja e problemit.

Këto janë momente, të cilat nuk munden thjesht të anashkalohen me deklarata të zbehta, ku edhe kuptohet, por edhe nuk pranohet qëndrimi i autoriteteve hungareze. Hungaria nuk shfaqet rishtazi me këtë sjelle. Historiku i pozicionimeve të saj që me ardhjen në pushtet të të ashtuquajturit me përkëdheli “diktatori”, ka qenë i ashpër dhe problematik ndaj demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Nëse Evropa toleron që në qendrën fizike të saj, abuzimi i autoriteteve shtetërore dhe nëpërkëmbja e parimeve dhe vlerave bazë të saj, të jenë imazhi që përcillet ndërkombëtarisht, goditjen më të fortë e merr identiteti i saj. Dhe kjo goditje ndaj identitetit, që nuk duhet harruar se është në formësim dhe ndryshim të vazhdueshëm, e shoqëruar me krizën e fortë të unitetit, që ajo po reflekton në këto momente, veçse dobësojnë imazhin, rolin, peshën dhe fuqinë e saj në arenën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, ka dhe një problematikë të fortë, tek veprime të tilla në shkelje të vlerave evropiane, gjejnë rëndom mbështetje nga familjet e mëdha politike evropiane, duke futur akoma dhe më në kaos situatën në përballje me këtë fenomen. Klasa drejtuese hungareze në pushtet, është pjesë e Partive Popullore Evropiane. Por, PPE duket se nuk e shqetëson aspak politika e kreut të Hungarisë, Orban. Ndonëse vlerat që mbron PPE, të paktën në parim apo ideologjikisht janë vlera, që respektojnë në mënyrë absolute të gjithë spektrin e  të drejtave të njeriut dhe demokracinë, në rastin konkret përplasen fortë me to, duke legjitimuar në forma direkte dhe indirekte veprimet aspak demokratike të kreut të qeverisë hungareze.

Reagimi i fundit i kreut të grupit të PPE-së, gjermanit Manfred Weber, shkon drejt një logjike legjitimimi të veprimeve, që po kryhen nga autoritetet hungareze, jo vetëm duke mos e pranuar etiketimin e liderit hungarez si “delja e zezë e Evropës”, por edhe duke përligjur në njëfarë mënyrë veprimet e tij, nëpërmjet vullnetit që Orban shpreh për respektimin e rregullores së Dublinit dhe të Shengenit. Pra, shkarja nga logjika e domosdoshme e distancimit mes vlerave që duhen mbrojtur, dhe të kundërtave të tyre, nuk është arma e preferuar që familjet politike duhet të përdorin ndaj problematikave të rënda, si ai i rastit hungarez.

Por, kjo sjellje karakterizon edhe të majtët evropianë, tek nuk shfaqin ndonjë shqetësim të lartë, apo të venë në diskutim praninë e të majtëve sllovakë në familjen e tyre politike, kur sjelljet e tyre bien ndesh dhe dhunojnë vlerat dhe parimet që ato mbrojnë. Thirrjet e sllovakëve socialistë për pranimin në tokën e tyre, vetëm të refugjatëve dhe imigrantëve të krishterë, duhet të kishin tronditur komplet sistemin e kësaj familje, mbrojtëse e flaktë në parim e mos diskriminimit, barazisë, vëllazërisë dhe solidaritetit. Rëndom familjet e mëdha politike evropiane si majtas, por edhe djathtas nxitojnë të justifikojnë veprimet aspak demokratike të kryera nga liderë, apo parti të caktuara, pjesë e familjes së tyre, duke demonstruar sërish se, mbrojtja e “klaneve” dhe fragmenteve brenda familjeve partiake, është më e rëndësishme dhe kryeson ndaj vlerave dhe mbrojtjes së parimeve demokratike.

Parlamenti Evropian miratoi sot paketën për shpërndarje të detyruar kuotash të Komisionit Evropian. Tashmë radhën e ka Këshilli që të shprehet dhe ta miratojë atë. Por, mbledhja e fundit e Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë nuk gjeti konsensusin e duhur për këtë çështje. Një tjetër mbledhje e tyre do të kryhet sërish javën e ardhshme në Bruksel. Këshilli edhe mund t’ia dalë ta miratojë me një shumicë të cilësuar, paketën imponuese të kuotave. Por, a mund t’i dërgohen një vendi refugjatë, tek ato e refuzojnë kategorikisht këtë gjë ?! Ky është edhe terreni, që mund ta detyrojë politikën evropiane të zmbrapset, për t’iu rikthyer sërish dhe jashtë vullnetit të saj skemës aktuale të shpërndarjes dhe pranimit të refugjatëve në baza vullnetare.

Evropa po përballet me një nga krizat më të rënda që prej krijimit të saj, që mbi të gjitha trondit sistemin e saj identitar dhe boshtin e vlerave themelore, që përfaqëson. Tashmë, kriza ka konfirmuar një Union të çbashkuar, ku gardhet, kufijtë dhe telat me gjemba janë ngritur si simbole ideologjike, duke demonstruar limitet e një egoje kombëtare. Por, kjo situatë do të shërbejë edhe si një test politik. Test, që me shumë gjasa do të konfirmojë edhe njëherë se solidariteti, demokracia dhe humanizmi nuk janë vlera që mund të imponohen vetëm nëpërmjet forcës së votës, por se duhet të burojnë dhe të jenë edhe fryt i një ndërgjegje dhe reflektimi të gjerë social, popullor, pa anashkaluar atë shtetëror. /im.ta/

September 17, 2015 13:10