Kur Shpëtimi doli nga burgu…

Nga Mero Baze December 23, 2012 17:03

Kur Shpëtimi doli nga burgu…

Shpëtim Karamuço nuk jeton më. Shkoi pas Lirakut. Disa muaj pas grevës vetëmohuese të urisë, ish- i burgosuri për 26 vite burg politik gjatë komunizmit, nuk ia doli dot të përballonte pasojat e grevës mbi shëndetin e tij, edhe ashtu të rënduar nga një tumor i pamjekuar në Shqipëri. Jeta e tij më e mirë kaloi në burg, nga 25 deri në 51 vjeç, dhe pjesa tjetër në varfëri dhe poshtërim rrugëve të një vendi, i cili shkëmbeu komunizmin me pluralizmin, por jo komunistët me udhëheqës të tjerë mendjehapur dhe dinjitozë.

Spartak Ngjela, një bashkëvuajtës i tij në qeli, më ka treguar për ditët e fundit në burg, kur u mor vesh se komunizmi po binte se si Shpëtimi tentonte t’u jepte zemër shokëve të tij në qeli se liria do të jetë e bukur, se ata do t’u kthehen punëve të tyre, do të kenë bizneset e tyre, do të jenë të lirë të punojnë, të fitojnë dhe shëtisin jashtë Shqipërisë…

E kujtova tregimin e Avokatit ditët e grevës së tij të urisë, kur Shpëtimi tregonte se kishte 21 vite rrugëve i papunë, i varfër, i pastrehë, i pasigurt dhe i pashpresë. Liria për të cilën ai kish vuajtur 26 vite, nuk ishte shansi i tij, por hakmarrja ndaj idealit të tij. Shpëtimi nuk ia doli dot të prekte ëndrrën për të cilën ishte burgosur.

Përgjegjës për këtë janë ata që ia vodhën ëndrrën dhe e kthyen në kapital politik duke e konvertuar në pushtet dhe pasuri për Familjen e tyre. Partia Demokratike dhe Sali Berisha e përdorën 51- vjeçarin Karamuço në vitin 1991 për të ardhur në pushtet dhe për 22 vite ata i siguruan atij varfëri, mungesë respekti dhe poshtërim klasor. Ata nuk mundën t’i bëjnë dot realitet as një ëndërr të burgosurit të fundit të diktaturës. Dhe si për ironi të fatit, protestën e tij të fundit në grevë të urisë e poshtëruan me një armiqësi të pashoqe.

Kur Shpëtim Karamuço doli nga burgu, fëmijët e Sali Berishës ishin fëmijë dhe jetonin një apartament 72 metra katror në Brakë të Tiranës. Sot ata janë milionerë, edhe pse nuk kanë biznese zyrtare me NIPT dhe taksa, ndërsa Shpëtimi nuk kishte lek për ilaçe të luftonte tumorin.

Kur Shpëtim Karamuço doli nga Burgu, gruaja e Sali Berishës ishte një mjeke e zakonshme lagjeje, që vizitonte fëmijë, por sot që Shpëtimi ka ikur, ajo është një milionere, që bën ballo të pacipa bamirësie ku paguajnë “gjobat” jozyrtare ata biznesmenë që përfitojnë prej pushtetit të burrit të saj.

Kur Shpëtim Karamuço doli nga burgu, Sali Berisha ishte një ish- komunist për 22 vite, që premtoi se do ndërtonte një shtet demokratik në Shqipëri, por Shpëtim Karamuço u nda nga kjo jetë dhe dhurata e fundit e Sali Berishës për të ishte fyerja që ai i bëri si trafikant dhe hajdut ditët e grevës së urisë. Për këtë arsye Shpëtim Karamuço iku i qartë nga kjo botë për fatkeqësinë e lirisë së tij. Iku i qartë se burgun e kishte dhuratë nga komunizmi dhe vuajtjet pas burgut dhuratë nga komunisti Sali Berisha.

Por ikja e Shpëtimit ka dhe një moment tjetër tragjik. Shumë bashkëvuajtës të tij, sidomos brezi i thyer i moshës së tij, e shikojnë ikjen e dëshpëruar të tij si një pamundësi për t’u përballur me pushtetin e sotëm dhe një arsye më shumë për të humbur dinjitetin dhe për t’i shtrirë dorën për lëmoshat e tij. Nuk janë të paktë ata bashkëvuajtës të Shpëtimit, që preferojnë të bëjnë pazar me vuajtjet e tyre në emër të një kësti më të shpejtuar lekësh, apo ndonjë vendi pune për fëmijët e tyre. Sa më shumë Berisha ua zgjat agoninë e vuajtjeve të komunizmit, aq më shumë disa prej tyre bëhen urë nën këmbët e pushtetit të tij, duke u vetëposhtëruar në ekstrem. Ikja e Shpëtimit, ashtu i zhgënjyer, i pabukë dhe i pashpresë, po tenton të përdoret nga qeveria dhe pushteti si një model ndëshkimi për ata që nuk pranojnë në heshtje lëmoshat e Berishës. Qëndrimi i turpshëm i Berishës ndaj grevës po paraqitet prej tij si triumf ndaj ish- të burgosurve politikë rebelë, dhe vdekja e tyre njëri pas tjetrit po tenton të shitet si triumf i regjimit.

E vërteta është se shumë ish- të burgosur janë të varfër, të pashpresë dhe të paintegruar pasi pjesa më aktive e jetës së tyre shkoi burgjeve. T’i poshtërosh ata në këtë moshë, është e lehtë. Por më keq se kaq është t’i poshtërosh ata duke i bërë të besojnë se sërish zgjidhja e problemeve të tyre vjen nga Sali Berisha. Ky është një vetëposhtërim që tejkalon poshtërimin dhe degradimin që u ka bërë Sali Berisha këto 22 vite. Shpëtim Karamuço së paku nuk e bëri këtë. Ai vdiq pa shtëpi, pa punë, pa pension, pa ilaçe, por dhe i pagënjyer nga Sali Berisha. Ai vdiq i qartë për fatkeqësitë e tij. Nëse Liraku i vuri flakën vetes të ndriçonte mendjet e ndryshkura dhe dinjitetet e thyera të bashkëvuajtësve të tij, Shpëtim vdiq i qartë për shkakun e fatkeqësisë së tij në liri. Sali Berisha nuk mundi ta gënjente. Kjo do t’i mbahet mend më gjatë se sa tollonat apo këstet me të cilat Berisha tenton të mbajë në vathë bashkëvuajtësit e tij, po ashtu të pashpresë. Të vdesësh i qartë në fund të jetës është një pasuri e madhe që nuk të duhet për veten, por për ata që lë pas.

Nga Mero Baze December 23, 2012 17:03
Komento

1 Koment

  1. marta December 25, 11:03

    Ti Mero Baze je nga kontribuesit me te zinj ne sherbim te Saliut, kunder ish-te burgosurve politike ne vitet 1992-1997, duke i denigruar ata edhe familriasht me shkrime ne mediat plehra te Saliut dhe nen dirigjimin e SHIK te Gazi-degës, ashtu sic i bere ne gazeen “albania” 25 pyetje Azem Hajdarit, ku e konsideroje spiun, hajdut batanjesh e trafikant droge. Krimet prapagandistike dhe prapskenat qe ke bere ti under ketyre per te mos u integruar ne shoqeei, per t’u percare si shoqate dhe per te mos depertuar ne strukturat drejtuese te PD, nuk i ka bere as Enver Hoxha kunder tyre

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*