Kur shpresa lind nga frika e së nesërmes

January 4, 2017 13:10

Kur shpresa lind nga frika e së nesërmes

Viti 2016, mund të quhet viti i krizave të plota në Bashkimin Evropian.

Krizë ekonomike, që konfirmoi për herë të parë se gjenerata e re, po e sheh veten më të varfër se sa prindërit e tyre. Krizë refugjatësh dhe migrimi, që ka shkaktuar mijëra të vdekur, në përpjekje për të penetruar në Kështjellën Evropiane. Kriza e Shengenit dhe kriza e mureve, që filluan të ndajnë sërish territoret e shteteve-kombe. Krizë vlerash dhe identiteti. Kriza e shtetit të së drejtës, e thelluar jo vetëm në Hungari, por edhe në Poloni. Kriza e sigurisë së brendshme, me kërcënimin konstant terrorist dhe radikalizmin. Dhe më e rëndësishmja, kriza e largimit të Britanisë së Madhe nga BE.

Në këtë sfond krizash, realitetet gjeopolitike kanë pësuar ndryshime. Rusia ka intensifikuar përpjekjet e saj në një platformë të trefishtë, ndaj politikave të brendshme të vendeve anëtare, ndaj politikave të zgjerimit të BE-së, dhe ndaj politikave të saj të fqinjësisë. Mjeti i saj i preferuar, tërësisht i suksesshëm që prej Luftës së Parë Botërore, ngelet propaganda dhe fuqia, që ajo ushtron në terren. Paralelisht ajo vazhdon të financojë fuqizimin e forcave dhe partive populiste, që në thelb janë kundër Evropës dhe duan shkatërrimin e BE-së. Nga ana tjetër, SHBA zgjodhi një president, që nuk po i siguron ende evropianët se, vëmendja amerikane nuk do të shkëputet tërësisht nga kontinenti. Është pikërisht ky ndryshim realiteti gjeopolitik, që ka shkaktuar një mori kritikash dhe nxitjesh nga ekspertë të fushës evropiane, për domosdoshmërinë e fuqizimit të BE-së, si një aktor që duhet të ketë jo vetëm profilin e një fuqie të vërtetë ushtarake, por edhe bërthamore. Është kjo fuqi, që mund t’i sigurojë Unionit besueshmëri, peshë të vërtetë rajonale dhe ndërkombëtare, si edhe qëndrueshmëri dhe rezistencë.

Por, hezitimet në nivel evropian, sidomos në fushën e mbrojtjes, kanë dominuar gjatë vitit 2016 dhe pritet të kenë të njëjtën tendencë edhe përgjatë këtij viti. Ekziston një vullnet, që nuk preferon si zgjidhje fuqizimin ushtarak, por qëndrim nën mbrojtjen, që ofron kuadri i NATO-s.

Moria e krizave në përgjithësi, ka fuqinë që të shkaktojë dy reagime të njohura: paralizim ose kundër-reagim veprues, që mundëson daljen nga cikli i krizave. Por, akti i parë më i rëndësishëm lidhet me aftësinë për të pranuar se gjendesh në krizë të thellë. Mohimi nuk lejon kontrollimin e diçkaje, që nuk mund ta pranosh. Dhe BE, në këtë mori krizash ka konfirmuar se është pjesërisht i paralizuar. I vetmi krah i fortë kundër-reagues dhe imponues në vendimmarrje, sidomos në lidhje me çështje të nxehta, ngelet Gjermania e Merkelit. I tillë ishte pozicioni gjerman edhe gjatë hezitimeve të fundit në BE, për shtyrje apo jo, të sanksioneve ndaj Rusisë në lidhje me çështjen e Ukrainës. Është pikërisht kjo fuqi kundër-reaguese në BE, që po mbahet nga shtylla gjermane e Merkelit, që ka shkaktuar edhe vënien në shënjestër nga Rusia të zgjedhjeve federale, që pritet të zhvillohen në Gjermani. Shërbimet sekrete gjermane kanë kohë, që kanë paralajmëruar për ndërhyrjet e Rusisë dhe ndikimin që këto ndërhyrje mund të kenë gjatë procesit zgjedhor. Synimi është rrëzimi i shtyllës kryesore të BE-së, kancelares Merkel. Britania e Madhe iku. Franca mund të sjellë në fronin presidencial një kandidaturë të djathtë që ka shfaqur prirje preferenciale ndaj Rusisë dhe rivali tjetër i FN-së, Lë Pen financohet nga Rusia. Në Holandë ekstremistët rrezikojnë edhe të marrin pushtetin, ndërkohë që panorama e vendeve të tjera nuk është shumë inkurajuese.

Dhe pikërisht, në këtë fushë do të shtrihet, ndoshta, edhe sfida më e madhe me të cilën do të përballet BE, gjatë vitit 2017, përballja me populizmin dhe ekstremizmin. Jo vetëm në kuptimin e fuqizimit të këtyre forcave si konkurrente të demokracisë dhe të liberalizmit, por sidomos në lidhje me thelbin e filozofisë së tyre politike, ku “sovraniteti i humbur i kombeve” do të mund të rikthehet vetëm nëpërmjet shkatërrimit të Bashkimit Evropian.

BE dhe vendet e tij anëtare, nuk janë përballur ndonjëherë, në të gjithë historikun e integrimit evropian, me një mori kaq të shumëfishtë krizash. Kriza, që në mënyrë të pashmangshme pritet të ruajnë të njëjtat tendenca edhe për vitin 2017. Ndaj edhe ky vit do të jetë, ndoshta, një prej viteve më të rëndësishëm në politikën evropiane. Vit, që mund edhe të zgjerojë rrethin e krizave aktuale, por që ka edhe shansin historik, të mundësojë dalje me vullnet të qartë politik, nga ky cikël krizash. Pra, të gjendet momenti ideal për të shfrytëzuar rrethanat që do të krijohen, nga konteksti i vazhdueshëm i pasigurive dhe i krizave. Shpresa është e palogjikshme të humbasë. Memoria e së kaluarës dhe frika e së nesërmes, imponojnë forcimin e saj. Krizat janë vërtetë të rënda, por nuk duhet harruar se, pikërisht falë krizave edhe më të rënda, siç do të ishin luftërat dhe konfliktet e përgjakshme në kontinent, BE është krijuar dhe ka përforcuar ekzistencën e tij.

Im.Ta.

DITA

January 4, 2017 13:10