Kur të rinjtë formësojnë një shpirt të ri rajonal

September 12, 2018 10:16

Kur të rinjtë formësojnë një shpirt të ri rajonal

 

 Ky shkrim vjen në redaksinë e DITA nga dy artiste të reja, që përfaqësuan Shqipërinë në Festivalin e Artit të Rrugës në Nish të Serbisë. Ky festival është pjesë e një serie aktivitetesh dhe projektesh rajonale, të mbështetura nga Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF), një organizatë me seli në Tiranë e themeluar nga gjashtë qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Fondi synon rritjen e komunikimit dhe kontakteve mes njerëzve në Ballkanin Perëndimor, dhe aktualisht mbështet 18 projekte rajonale në kuadër të Thirrjes së Parë, ku janë të përfshira 84 organizata nga rajoni ynë. Artikulli i mëposhtëm, bazohet në shënime udhëtimi dhe sjell eksperiencën e bukur të artistëve të rinj shqiptarë në festival. (Shënim i redaksisë).

 

Nga Eni Mahmuti dhe Tea Alika – Nish, Serbi

Nuk e kishim menduar kurrë se do t’i shkruanim këto radhë. Aq më tepër për t’i publikuar për lexuesit e nderuar…e gjitha nisi si një dëshirë e mirë për të bërë art. Shpesh i nënvlerësuar nga “vetullat e ngrysura” të të mëdhenjve, arti i rrugës, është një mundësi unike e shkëlqyer për të rinjtë. Ata duan të shprehin vetveten, duan të ndajnë me të tjerët botëkuptimin e tyre, shpesh duke dalë edhe jashtë atyre kornizave. Shpesh jemi të paragjykuar. Nganjëherë të diskutuar. Dhe rrallëherë të mbështetur.

Gjithsesi, këto radhë nuk janë për të mbrojtur dhe promovuar artin e rrugës. Të rinjtë në të gjithë botën e bëjnë përditë këtë në mënyrë konkrete dhe në këtë fushë, përfshihen shumë elementë si grafitet dhe lloje të tjerë të pikturave murale, muzika, kërcimi dhe koreografitë e ndryshme, basketbolli i rrugës, posterat, shenjat abstrakte, ri-arredimi i hapësirave të jashtme dhe atyre të salloneve të mëdha publike etj.  Këto fjalë janë për të ndarë historinë tonë; tre ditë të shkëlqyera të një festivali rajonal.

Jemi të angazhuar prej disa vitesh në fushat tona të artit të rrugës. E kemi nisur me pasion dhe dëshirë, pa patur asnjë plan dhe asnjë pritshmëri. Gjithsesi, fatmirësisht ekzistojnë struktura që e duan dhe e mbështesin këtë art. Dolori Association është një prej tyre, dhe ka qëllim të mbështesë të rinjtë.

Kur aplikuam si organizatë partnere në thirrjen për projekte rajonale të Fondit të Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Fund), nuk e menduam se aktivitetet e mbështetura do të ishin të këtij niveli. Kemi marrë pjesë në festivale të vegjël që shpesh kanë qenë organizuar nga një grup artdashësish në ndonjë qytet të rajonit, apo lagje të tij. Sigurisht, kemi organizuar edhe shumë takime, dhe festivale në Tiranë dhe qytete të tjerë të Shqipërisë. Partneri kryesor i projektit është organizata serbe KOM018 që organizoi një seri festivalesh rinore.

Na njoftuan që jemi shpallur sëbashku fitues të projektit të mbështetur nga WBF. U gëzuam shumë edhe kur kolegët e KOM018 erdhën në Tiranë dhe u takuam në kuadër të ceremonisë për 18 projektet fituese nga gjitha rajoni ynë. Në vijim na erdhi ftesa për të marrë pjesë në festivalin që do të organizohej në qytetin e Nishit në Serbi. Ishte hera e parë që dëgjonim për këtë qytet dhe për të qenë të sinqertë, ishim pakëz hezitues. Si do të organizohej festivali? A do të ishin mikpritës njerëzit? Si do të pritej atyre emri i Shqipërisë? Këto e shumë pyetje të tjera, shpesh ia bënim vetes dhe herë pas here kolegëve. Sigurisht që e njohim Beogradin të cilin e kishim vizituar dhe më herët në shkëmbime të tjera rinore, si një qytet ku të rinjtë, kanë prirje evropiane dhe mikpritëse ndaj kulturave të tjera.

Ne, katër kolegët e përzgjedhur, bëmë përgatitjet tona që të shfaqnim performancën më të mirë në mundshme në këtë festival. E veçanta është se sado përgatitje të kryhen, arti i rrugës karakterizohet nga momentalja, pra nga çasti, nga aftësia për të dhënë maksimumin gjatë performancës. Karakterizohet nga kultura  prej të cilës vjen dhe sa e hapur është ajo ndaj kulturave të tjera.

Një shprehje thotë që për të njohur kulturën e një vendi, duhet të kesh kontakt me njerëzit e thjeshtë në rutinën e përditshme. Për këtë arsye për të shkuar në Nish, ne vendosem qe të shkonim nëpërmjet transportit urban për të njohur  dhe më mirë kulturën e këtij vendi. Fillimisht shkuam në Shkup dhe më pas në Nish. I gjithë udhëtimi ishte shumë interesant dhe ne shijuam çdo moment të tij.

Surpriza e parë është pritja që na bënë në qytetin e Nishit. Një qytet shumë i bukur, i pastër dhe mikpritës. Gjithçka ishte organizuar në mënyrë të shkëlqyer. Organizatorët meritojnë notën maksimale për mënyrë sesi e kishin konceptuar këtë festival që nga çasti i parë që të ftuarit nga gjithë rajoni i Ballkanit. Çdo gjë ishte në vendin e vet, dhe ne e ndiem veten si në Tiranë. Kolegët serbë na treguan vendet se ku do qëndronim e më pas na prezantuan me vendin se ku do të zhvillohej aktiviteti. Aty patëm mundësi të takonim të rinj nga Mali i Zi, Bosnja, Serbia, Maqedonia, Kosova, që kishin sjellë eksperiencat e tyre.

Atmosfera ishte e mrekullueshme. Dyshimeve tona paraprake, i zunë vendin ndjesia e ngrohtë që të jep mikpritja në rajonin tonë. Konfirmuam me kënaqësi se mikpritja, kjo cilësi e vyer, është pjesë e shpirtit të madh të njerëzve të Ballkanit.

Shkëmbyem informacione, ide, këndvështrime. Jo gjithmonë ishim në një mendje; edhe një vijë edhe një ngjyrë në grafitet që bënim, edhe një lëvizje në kërcimet tona, mund të jenë të ndryshme, por shpirti i bashkëjetesës, tolerancës, bashkëpunimit mbizotëronte kudo.

Njohëm të rinj serbë, maqedonas, bosnjakë, malazezë të çliruar nga pesha e rëndë e të shkuarës. E pranojmë të gjithë realitetin e shkuar. Por nuk na pëlqen. Ajo që na pëlqen është që të jemi të gjithë bashkë si qytetarë evropianë, që të mos ketë më kufij e ndarje mes nesh. Si mund të jemi shok me suedezin, irlandezin, portugezin apo lituanezin, kur nuk mund të jemi shok me njëri-tjetrin në rajonin tonë? Këtë pyetje dëgjuam në ato ditë të bukura në Nish.

Supriza më e bukur për ne ishte mënyra sesi shfaqet tona u pritën. As që e kishim menduar se në një qytet të Serbisë do të priteshim ndoshta më mirë sesa në vendin tonë. Kishim emocione. Sapo u prezantua emri dhe vendi nga vinim, një dallgë e madhe duartrokitjesh vazhduan gjatë. As që mund ta imagjonin prindërit tanë këtë para 25-30 vitesh. Sot, ne e përjetuam. U pritëm si miq të veçantë dhe emri i vendit tonë u duartrokit gjatë.

E njëjta frymë  vijoi edhe kur nën presionin e kohës dhe emocioneve pikturuam grafitet tona, në muret e atij qyteti. Të rinjtë serbë erdhën na përgëzuan, bënë foto me ne dhe po ashtu bënë foto me punimet tona artistike dhe i përcollën me mirësi e dashuri në kanalet e tyre në rrjetet sociale. Në fund të performancave tona, na rrethuan dhe përgëzuan.

Këtë bëmë edhe ne kur në skenë dolën kolegët –tashmë shokët tanë nga të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. U dhamë atyre të kuptojmë se ky rajon, është yni. Sepse një gjë që e ke bashkë, nuk e ndan dhe e copëton, por e bashkon, i jep tjetër frymë dhe fizionomi.

Tashmë nuk ka më as frikë e as hezitim. Kudo që do jetë aktiviteti e takimi i radhës. Në cilindo qytet, bregdet apo mal të Ballkanit perëndimor. Ne kemi njohur kolegë e miq të mirë nga rajoni ynë, që duan të jetojnë bashkë. Që duan të japin dhe të marrin. Që e pranojnë mendimin ndryshe dhe e respektojnë atë.

Nuk mund të rrimë pa shprehur një mirnjohje, për ata që mundësojnë të rinjtë dhe profesionistët e Ballkanit Perëndimor të takohen, flasin e punojnë bashkë. Faleminderit organizatave që ndërrmarrin nisma të tilla, si BRAVO Association nga Bosnje Hezegovina, Alter Center nga Maqedonia dhe Dolori Association nga Shqipëria. Dhe një mirënjohje Fondit të Ballkanit Perëndimor për mbështetjen!

Jetojmë në një kohë të re. Jetojmë në një kohë që e shkuara nuk mundet më ta mbajë peng. Sepse ne, të rinjtë e Ballkan Perëndimor, kemi nisur të formësojnë një shpirt të ri evropian rajonal. Na ndihmoni që ta rrisim e ta çojmë më para këtë shpirt të ri bashkëpunimi e bashkëjetese. Diku me art, diku me shkencë, diku me biznes e diku me kulturë, etj!

Rrugët janë të pafundme. Duhet vetëm dëshira dhe vijimi i mbështetjes nga ata që pozitivisht kanë në dorë të ardhmen e bukur të këtij rajoni.

September 12, 2018 10:16
Komento

2 Komente

  1. Hosteni September 12, 19:46

    Titullin kush ja ka vene artikullit? Jo per gje, po te na shpjegoje te pakten çdo te thote ” formesojne”.

    Reply to this comment
  2. Dashamiresi D September 14, 14:45

    Per nje Ballkan perendimor ne zhvillim paqesor!

    Shkrimi dhe fotot shoqeruar flasin e tregojne gjithcka, i nderuar kumentues “Hosteni”.
    I faleminderit sa autorit dhe aktoret pjesmarrrs nje krahine e tere pjesmarresve,.mes tyre shqiptare qe lene mbresa.Bukur e mbyllin autoret,me besimin per te ardhme te rajonit.
    Miresite i shoqerofshin popujt qe aspirojne Per nje Ballkan perendimor ne zhvillim paqesor.
    Aktivitete te tilla pafshim e manifestofshin popujt.
    Dashamiresi D.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*