Kurthi i simpatizimit të Muhaxherëve

 Nga Alqi Koçiko August 4, 2014 14:12

Kurthi i simpatizimit të Muhaxherëve

Intervista me shqiptarin që është rastësisht i tillë, sepse së pari e quan veten shtetas të ISIS-it dhe luftëtar të xhihadit, padyshim që do linte përshtypje te lexuesit dhe do bënte bujë. Një gazetar i “gjuan” momente të tilla, i dashur Fatos, dhe përpjekjet e tua dhanë fryte. Nga këndvështrimi i interesit publik, intervista të tilla (me një vrasës serial diku, me një përdhunues gjetkë, me një terrorist a ekstremist diku tjetër) tentojnë të hedhin dritë mbi psikikën dhe formatin mendor të këtyre personazheve, çfarë rrethanash i kanë shtyrë të mbërrijnë deri në këtë pikë etj. Herë pas here, ama, rreziku fshihet tek njëfarë sindromi i Stokholmit, kur intervistuesi nis të simpatizojë diçka tek sjellja dhe qëndrimet e personazhit.

Nuk do mend se rasti Fullani dhe skandali i Bankës Qëndrore ka shkaktuar me të drejtë shumë reaksion tek publiku shqiptar. Zullumi shumëfishohet kur përballë një vjedhjeje “historike” për nga metoda dhe përmasat, vjen e na vendoset edhe jeta luksoze dhe shfrenimet familjare të këtij zyrtari të shtetit, i cili kudo që vinte dorën, çfarëdo mjedisi që e rrethonte, mëtonte ta kthente në ar. Por që nuk ndjen asnjë përgjegjësi për sa ka ndodhur dhe vazhdon të kërkojë “koka turqish”. Acarimi shoqëror kap pastaj majat, kur njerëzit shohin se përgjithësisht politika nuk po ndihet fare për këtë ngjarje, në unison. Por a është kjo situatë dhe gjendja shpirtërore kolektive që ka krijuar, arsye për të gërmuar e për të gjetur diçka më pak të zezë, e largqoftë pastaj të bardhë, tek bëmat e Lavdrim Muhaxherit e aq më tepër tek shteti xhihadist që po krijohet në Lindjen e Mesme?

Mund ta krahasosh gjithë ditën e  gjithë natën, botën dhe botëkuptimin e Muhaxherit dhe realitetin e Shamit, dhe ngjarjet që po bëjnë vaki në hapësirën shqiptare, por paralele nuk mund të heqësh kurrë. Fatos, është fjala për një kurth ku shoqëri e vende, në kohë e epoka të ndryshme kanë rënë vazhdimisht. Ndaj dhe historia duhet të na japë disa mësime. Të simpatizosh (siç po kuptoj, nga dëshpërimi) shoqërinë që tentohet të ndërtohet nga ISIS, sepse këndej nga ne ka korrupsion e zyrtarët vjedhin, është e tepërt. Dhe shumë e rrezikshme. Lavdrimi thotë se nuk ka vjedhje në qytetet që zotëron ISIS, sepse aty hajdutit ja presin dorën, por edhe pa vetëlavdërimet e Lavdrimit ti e di se aty mbase “nuk vjedhin”, por presin koka, ekzekutojnë kalimtarë që nuk dinë ndonjë varg të Kuranit, shtypin gratë, lemerisin popullsinë dhe ato rajone i ka pllakosur errësira primitive.

Pikërisht këtu qëndron rreziku i lehtësisë me të cilën e ke prekur këtë çështje: Të shohësh me simpati fenomenet diktatoriale (aq më tepër mesjetare si Kalifati), i neveritur nga defektet dhe poshtërsitë e disa zyrtarëve në një sistem demokratik ende në shpërgënj, që ka njëmijë e një të çara si ky i yni, por që duhet të meritojë çdo përpjekje për ta përmirësuar dhe jo urryer. Jo pak kombe kanë rrëshqitur në diktatura, të zhgënjyera nga korrupsioni, krizat ekonomike apo nga mungesa e llogaridhënies në demokracitë e reja. Edhe ne shqiptarët, nga inati i vjehrrave, kemi fjetur me mullixhinjtë dhe kur jemi zgjuar 50 vjet më vonë, e kishte marrë ferra uratën.

Sa i përket çështjes konkrete Fullani, ajo që duhet të na mbajë optimistë, është se të paktën nervi i reagimit popullor është gjallë, është i shëndoshë. Unë nuk kërkoj që Ardian Fullanit t’i pritet dora që fullanët e tjerë të venë mend. Kërkoj që të dorëhiqet, e nëse nuk e bën, ta shkarkojë parlamenti. Dhe ndërkaq drejtësia të hetojë se çfarë ka ndodhur me paratë e vjedhura apo dhe si është ngritur pasuria e tij. Ti e pësove nga një plumb në dorë dhe nga një qeverisje autoritariste, i dashur Fatos, dhe duhet ta kishe ndalur dorën pak më shumë para se të shkruaje. Po filluam të presim duar, do vijë rradha e duarve tona. Më e pakta.

 Nga Alqi Koçiko August 4, 2014 14:12
Komento

3 Komente

  1. Aliu August 4, 14:51

    Te jeshe me L. Muhaxherin? Ti qenke trap gazetar,fatkeqsi.Te bejme vetgjygjesi? Je ne vete gazetar . Megjithse e kemi shtetin( politiken) dhe shoqerine cope cope seleksioni do te nxjerre njerez te iluminuar qe do ti ‘a vene shpatullat vendit.Edhe ne do behemi demokraci funksionale.Sa per turpin komtar L.Muhaxheri pyes : ka Shqipria dhe Kosova sherbim komtar zbulimi qe duke bashkpunu me sherbimet partnere ta kapin perr zverku dhe ta sjellin ne Kosove ku ti behet nje gjygj moderne nen trasmetimin e kamrave TV . Etalon per ne shqiptaret te jete gjithnje demokracia Britanike ,te luftojme te behemi si ato dhe jo te merzitemi nga deshtime te çastit dhe te humbin gjykimin . Mahmutaj per sot noten 2 .

    Reply to this comment
  2. Dardha August 4, 18:10

    “Po filluam të presim duar, do vijë rradha e duarve tona. Më e pakta.”

    Me kete i keni thene te gjitha Alqi. Pergezime per artikullin.

    Reply to this comment
  3. Rimi August 5, 14:01

    Me pelqen shume ky lloj te shkruari,me pelqen shume ky lloj i te menduari ,me pelqen shume kjo perzgjedhje e z.Thano per Ju!Urime e fat ne perkushtimin tuaj!Ermiri na eshte bere si Ai administratori i ketij vendi,i kudo ndodhur,i kudo ditur,i kudo lexuar e i kudo komentuar.Nuk e di po sepse kam nje ide qe edhe punen e adminstratorit e ben,si i kudondodhur qe eshte.Uroj te mos jete i derguri prane kesaj medie te shkruar si Saliu ne kliniken e udheheqjes ne monizem!!!!!!!Pergjithesisht respekt per te gjithe stafin e mrekullueshem e te talentuar.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim