Kusarokracia

September 30, 2019 01:20

Kusarokracia

Nga Jorgo Mandili

 

Jo rastësisht e titullova kështu këtë parashtresë. Indicie u bë statusi i presidentit në ditën e demokracisë e cila për çudi kaloi pothuajse me indiferencë nga të gjitha mediat.

Një status, ku pas 30 vjetësh, presidenti ynë, në mënyrë të sintetizuar na tregon se ç’është demokracia liberale, përçudnimin e saj, rrezikun që i kanoset nga “disa duar të zeza keqbërësish, që kanë krijuar një shtet paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë. Një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore”.

Eh, si përsëritet historia-thashë me vete. Në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme, me personazhe të ndryshme. Por në rastin konkret, e pandryshueshme mbetet Hipokrizia dhe Demagogjia!

Eh, more president i nderuar pse na çove “në mon’e shkuar, por thellë në lashtësi, aty ku Sokrati i urtë përballej me fytyrën e maskuar të “demokracisë” skllavopronare, në Athinën e lashtë. Aty ku gjykohej e nga i akuzuar u kthye në akuzues të kastës politike, parisë së qytetit, që në pretencën e tij, demaskoi kusarinë mashtrimet, gënjeshtrat e poshtërsitë e tyre, falsitetin e demokracisë që e trumbetonin si lirie popullit por që nuk është gjë tjetër veçse një “tirani e maskuar”.

Sokrati me mençurinë dhe qartësinë e tij për të kuptuar të vërtetat e hidhura dhe për tua bërë të ditura popullit të vet (zaten edhe për këtë u dënua), na ndihmon ne të ndërlidhim “demokracinë skllavropronare” me “demokracinë tonë feudototalitare” , të cilën ne e përjetojmë tash e 30 vjet, pavarësisht se mjediset, situatat e frazeologjia janë marrë nga antikiteti.

Tirania e maskuar

Para trupit gjykues ndodhej Sokrati. I pari i qytetit u mbante fjalim qytetarëve duke u shpjeguar se ç’është demokracia, korrupsioni dhe armiqtë e demokracisë që kërkonin të prishnin imazhin e qytetit të tyre, me sjellje qëndrime e veprime që binin në kundërshtim me parimet morale të demokracisë, duke aluduar për Sokratin. Fjalim që Sokrati e kish dëgjuar shumë herë nga paria e qytetit.

Sokrati, mbasi mbaroi i pari i Athinës priti sa ai zuri vend aty ku ishte paria e qytetit, u kthye nga ata dhe tha:

“Ju nuk frikësoheni nga Sokrati, por me vdekjen time doni të frikësoni të tjerët. Republikës suaj po i rrëshqet toka nën këmbë. Ju që jeni në pushtet keni frikë nga ndryshimet. Të tjerët që janë përmbysur ëndërrojnë dhe luftojnë për ndryshime e përdorin çdo mjet e rrugë për t’i realizuar ato d.m.th për të ardhur në pushtet.

Kurse populli qëndron në mes dhe paguan pasojat. Ai njëlloj vuan edhe nën regjimet legale dhe nën ato ilegale, edhe kur pushteti quhet tirani edhe kur quhet demokraci dhe që të mos kuptojë e të mos protestojë e hutoni me gënjeshtra, mashtrime, përralla e shpesh herë dhe me terror. Kjo është tirania e maskuar.

Por ne zbatojmë ligjet – thonë këta, duke i drejtuar gishtin parisë dhe me fytyrë nga qytetarët.

Ligji i barabartë për të gjithë. Ndërtojmë shtetin e së drejtës – thonë këta. Sa bukur tingëllojnë këto fjalë e sidomos kur i thotë i pari i qytetit.

Por ç’e do kur ligji nuk është për të dënuar fajtorët, por për fukarenjtë, nuk është për të penguar të vjedhurit, por që të vidhni edhe ju. Ligj do të thotë vullnet i të fortëve dhe dobësia e të pavullnetëve. Dhe drejtësia nuk është gjëkafshë tjetër përveçse interesi më të fortëve.

Po cilët janë më të fortët ? – vazhdoi Sokrati. Ata me trup të shëndoshë e të stërvitur ? Mendjet e shëndosha e të ndritura si poetë, shkrimtarët, profesorët, akademikët d.m.th të diturit e të urtët? Shpirtrat e guximshëm e mendim ndryshe – laookontët, që tek ne janë personazhe përrallore e krijesa të fantazisë së frikacakëve?

JO!-këta nuk janë të fortët! Të fortët jeni JU KUSARËT! – tingëlloi fort zëri i Sokratit, duke iu kthyer parisë me gishtin tregues.

– Si, si ne jemi kusarë? – njëzëri bërtitën ata të revoltuar. Kjo është një përrallë që e dëgjojmë çdo ditë, është fryt i fantazisë së njerëzve si ty që nuk ja duan të mirën qytetit tonë.

Na akuzoni ne që ju prumë demokracinë dhe lirinë, ne që u sakrifikuam për ju për t’u çliruar nga diktatura? E tani keni lirinë për të zgjedhur, lirinë e fjalës e të mendimit, lirinë për të lëvizur.

I quani përralla ju këto që them unë?-iu përgjigj Sokrati. Doni përralla ju? Hajt se po ju tregoj edhe unë një përrallë që të çlodhemi pakëz e filloi…

Njëherë e një kohë kusarët e qytetit të parë të botës, mbasi u pasuruan mjaft, vendosën të rregullonin jetën e tyre. Një ditë i mblodhën të varfrit e qytetit në sheshin kryesor e i urdhëruan: “Duart lart!”.

Ju duam të mirën! Nuk kemi ndërmend t’u rrëmbejmë as lopatat, as kazmat,as trastat ku mbani bukë e djathë, as këmishët tuaja zhele-zhele plot me morra, as kasollet pa dysheme, ku hyn ujët nga të katër anët.

Jeni të lirë! Duart lart. Jeni të lirë të jetoni sipas qejfit, të fitoni, të kurseni, të pini e të bëheni xurxull, të shtohi e në fund të vdisni.

Vetëm një gjë kërkojmë nga ju. ..Ne do t’u predikojmë ..,të vërtetën..!Do t’u falim një fantazi të pasur e një zemër të ndjeshme. Do t’u japim edhe shpirt të pavdekshëm. Dhe kujt t’i pëlqejë, të shkruajë vjersha, të kërrejë libra, të zbulojë teorira të reja, të fitojë famë e lavdi.

Ju do të jeni populli i plotfuqishëm! Ne vetëm do t’u qeverisim! Do të përpiqemi t’u sigurojmë jetën, nderin e pasurinë, me pak fjalë lirinë tuaj! Ju vetëm do të punoni si të doni e kur të doni! Ne do t’u sigurojmë punë, kur të ketë! Dhe natyrisht frytet e punës do t’i marrim ne…

Dhe që të mos dyshoni për ndonjë padrejtësi nga ana e jonë, do të paguajmë edhe ne një lloj takse shtetit, d.m.th vetes tonë! E, jo vetëm kaq. Edhe ju edhe ne do të kemi po ato ligje që do t’i bëjmë ne, e që ju pastaj do t’i aprovoni me anë të votimit nga deputetët tuaj që do t’i caktojmë ne me lista të mbyllura e do t’i zbatoni me gjykatësit tuaj që do t’i emërojmë ne.

Vazhdojmë më tej… E në rast lufte, nëse rrezikohemi nga kusarët e fqinjëve ose kusarë të ardhur nga përtej deteve në bashkëpunim me kusarët e brendshëm ,ne do t’u armatosim që të mbroni veten tuaj dhe zotërinë tonë d.m.th atdheun! Ju tregohuni trima të vrisni e të vriteni që të rrojmë ne! (Duart lart!)

Vetëm një gjë ju ndalojmë. ..Në asnjë mënyrë të mos vidhni njeri tjetrin. Do të dënoheni rëndë. Kjo sepse mësoheni e na vidhni edhe ne pastaj.

Kështu pra, populli punonte i lirë e mendonte lirisht – vazhdoi Sokrati me ironi… Dhe çdo mbrëmje englendisej nëpër taverna, e këndonte i gëzuar si mëllënja në kafaz.

Ndërkaq, shpëtimtarët e tij shtriheshin sa gjerë gjatë, dimrit brenda pallateve të ngrohta e beharit nën hijen e pemëve të bleruara. Rreth tyre mblidheshin mizëri gra të bukura me duar në qafë e që i përkëdhelnin prapa veshit. Lumturia e tyre ishte forca e atdheut dhe paturpësia -shpëtimi!

Fundi i përrallës? E ku t’a di unë e ku t’a gjej -u tha Sokrati. Vetëm një gjë ju them:

“Mjerë ai qytetar që arrin në shkallë të fundit të dëshpërimit e me qëllim që të shpëtojë, dorëzohet në mëshirën e perëndisë e të ligjeve te kusarëve”!-përfundoi Sokrati dhe ul në vendin e tij para trupit gjykues.

Ju jeni përbindësha!

Jo pa qëllim u ndalëm këtu. Për t’i bërë presidentit disa pyetje. Të kuptohemi me presidentin do të “komunikojmë”, por do të nënkuptojmë gjithë klasën politike kryq e tërthor.

Atëherë pyetja është: Ku e futni veten Ju? (gjithë klasa politike) Tek Ne? Vërtetë e besoni këtë që jeni “Ne” edhe Ju”? Dhe e doni Shqipërinë si ne? Vërtet e doni Shqipërinë ju ashtu si e duam ne?
Pse ikim? Nuk e keni kuptuar ende edhe pas 30vjetësh?

Nga ju ikim! Se na i kini bërë të padurueshme jetën. Sikur pak, fare pak ta deshët mëmëdheun, fare pak sikur ta ndjenit dhimbjen e të varfërve, që të hanë bukë e të paguajnë drita, pak kujdes, fare pak për punësimin e rinisë për t’i pajisur me shprehi profesionale dhe aftësi intelektuale (duke menduar pak, fare pak për një raport të drejtë midis kolegjeve profesionalë dhe universiteteve për një shpërndarje të drejtë të tyre sipas standardeve evropiane në numur e cilësi), sikur pak dhimbje të ndjenit për pensionistët, që kanë lënë “leshtë” për këtë vend (që ju e vodhët, dogjët, plaçiktët, shkatërruat) dhe u jepni pension 0,5- 1% të pagave tuaja, pak respekt për punën e tyre 50 vjeçare e kusur (me ndershmëri e dinjitet), pak po fare pak vëmendje ore të uruar zuzarë, kur u dridhet dora për një kafe dhe u dhemb shpirti kur nipi apo mbesa u kërkojnë ndonjë dhuratë, pak mëshirë kur shikoni lotët e tyre në faqe me kokën pas që të mos i shohin nipat, po pak, fare pak humanizëm nuk keni o të pashpirt kur me zë të mekur nga kombi që u bëhet në fyt u përgjigjen nipave. ..”nesër, xhan i gjyshit nesër, se sot gjyshi e harroi portofolin”.

E ku ta dinë nipërit e shkretë që gjyshi nuk ka portofol fare. Ju dhe fëmijët tuaj që nuk dini sa portofolë e llogari bankare keni, ju që të zhytur në luksokraci nuk ndjeni dhimbje, humanizëm dhe përgjegjshmëri as për nëpërkëmbjen e njerëzve te varfër dhe shtresave të tjera vulnerabël, as për dinjitetin e nëpërkëmbur të pensionistëve, as për skllavërimin e punëtorëve në fasone, ndërtim, miniera, naftë e sektorë të tjerë ku punojnë me paga qesharake e kushte stallore.

Kësisoj, ju nuk mund të jeni si ne! Ju ushqeheni me mish njeriu, kurse ne me barishte të ziera dhe pasi “keni shijuar mishin e njeriut nuk dini ç’të bëni me ushqimet e tjera”(Russoi).

A mund të jeni, atëherë Ne? Kurrsesi! Po të ishit Ne do të hanit si Ne, do vuanit si Ne, do jetonit si Ne. Ashtu si Ne do të ndjenit neveri për veten. Po po, neveri për veten tuaj, ashtu siç ndjejmë Ne që jetojmë në këtë vend që pretendon për të aspiruar në familjen evropiane (ku prevalon liria, barazia sociale dhe ligjore, dija, virtyti e mirëqenia), kur shikojmë se kush të menaxhon dhe të mbron, kush të përfaqëson në parlament, kush të qeveris, kush të jep drejtësi, kush të jep dije, kush të shërben në zyra ….Dosidotë e shkeleshkotë.

E do t’i duronit këta leshko po të ishit si Ne? Jo byrazer…jo… ..do të iknit natën, jo ditën!

“T’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe”-shkruani ju.

Po për cilin Atdhe flisni ju? Ç’kuptoni ju me Atdhe? Para, pushtet, famë, lavdi, konçesione,PPP, vila, pallate, truaj, mbrëmje gala, ëc për mace etj? Apo kodrat, brigjet, gërxhet,lumenjtë e kulluar? Malet, fushat, pyjet, livadhet e gjelbëruara? Portet, aeroportet, hidrocentralet, minierat ,bitumi, nafta ajri, deti, rëra, plazhet, shkollat, spitalet, universitetet, mendimi e vullneti, shteti, pushteti?

A ndjen ndokush krenari në shpirt për këto pasuri që janë tonat, pra janë kombëtare? Nëse po, çfarë na përket neve? Çfarë është e jona, pra e popullit në këtë pasuri kombëtare? Asgjë! Sepse të gjitha janë të konçesionuara!Të gjitha të mirat materiale të kësaj toke të bekuar nga Perëndia janë grumbulluar në duart tuaja!

Sa prej nesh kanë aq vend sa të futin kokën kur janë gjallë apo të hapin një varr kur të vdesin? Ju nuk e ndjeni këtë dhembje. E kjo tregon se “Ju” nuk jeni “Ne”..

Ne na dhemb Atdheu, ne e duam Atmëmëdheun. Por ju, ju na keni bërë të harrojmë edhe ngjyrën e bukur të qiellit, të harrojmë buzëqeshjen e detit, shkëlqimin e livadheve nën rrezet e diellit. Sepse ju na keni kthyer në skllevër e mbi kurrizin tonë bëni të gjitha llojet e padrejtësive …

Prandaj dhe njerëzit po marrin arratinë…të ikin…të ikin…vetëm të ikin…nga sytë këmbët. Ju me politikat tuaja djallëzore në ekonomi që nuk gjeneron punë, ju me një sistem gjyqësor grabitqar ku vepron ligji i të fortit, që gjeneron padrejtësi të padëgjuara, ju me një sistem arsimor, që gjeneron injorancë,ju që me një administratë mediokre, të paaftë totalisht dhe arrogante maksimalisht i,ju me një parlament injorantësh e të kriminalizuar që nxjerr ligje në favor të të fortëve, ju me një qeverisje kontraverse, ju me një shtet pa shtet…a mund të ndjesh ndonjë kënaqësi të veçantë të jesh qytetar i këtij shteti?

Ju pra, ju që nuk ndjeni dhembje për të varfrit, pensionistët, punëtorët, studentët, fëmijët, ju që nuk i ndjeni rënkimet e shoqërisë që lëngon nga sundimi juaj, ju që nuk ndjeni përgjegjshmëri për të ardhmen e saj ju pra, që keni hyrë në politikë dhe keni marrë ç’keni dashur e nuk i keni dhënë asgjë shoqërisë ju pra, e keni bërë të pajetueshëm këtë vend nga makutëria juaj ,nga babëzia juaj ,nga epshi juaj për para, pushtet, lavdi e famë …

Juve të pashpirtët që nuk jepni asgjë për njerëzit fisnikë e bujarë nëse nuk përfitoni gjësendi për vete, ju hipokritë, demagogë egoistë, të paaftë për të drejtuar, por të aftë për të sunduar, për të bërë hile, për të gënjyer, për të mashtruar:

“A nuk ju vjen turp që jeni kaq të dhënë pas parasë, famës dhe prestigjit, në një kohë që nuk mendoni dhe as nuk ju bëhet vonë për mendjen dhe të vërtetën dhe as për përmirësimin e shpirtit tuaj “? (Sokrati) Të atij shpirti të kapur nga “demonët”- Mashtrim, Kusari, Poshtërsi!

Po ç’dreq populli jemi ne? Kur ju hani e pini ne ngopemi…kur ju grumbulloni më tepër pasuri ne varfërohemi në të njëjtën shkallë…kur pasuria juaj gjendet në rrezik ne vuajmë nga pagjumësia e jemi gati ta mbrojmë qoftë edhe me jetën tonë…atë jetë që ju na e keni kthyer në “vetëvrasje të ngadalshme”.

Mirë ju nuk u vjen turp se janë të pacipë, por ne, ne që ju shkojmë pas sa herë na grishin në protesta e mitingje, nuk e kuptojmë talljen që na bëjnë?

 

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë. Karikatura shoqëruese, nga Agim Sulaj

September 30, 2019 01:20
Komento

7 Komente

  1. Don Manfredo September 30, 02:05

    Kusari ma i madh i Universiteteve shqiptare asht JORGAQ GAQI KACANI. Duhet te ishte ne burg per mashtrim ne formularin e dekriminalizimit, por e kan ba dekan fakulteti. Turpi akademizmit. Qeveria te veproje.

    Reply to this comment
  2. Arben September 30, 08:14

    Keshtu eshte shqiperia uropiane, se mos merziteni

    Reply to this comment
  3. Monika hajdute me cizme September 30, 08:26

    E kush nuk ka vjedhur ne kete vend?!!!!
    Zbriten fillimisht shpellaret me urdher te saliut,pushtuan tokat ,pronat e perbashketa,pyjet e cfardo qe ishte mall pa zot…
    Dilte heroi saliut bertiste ,shkatrroni uzina e fabrika e cdo gje se jane komuniste.
    Pushto troruare e nderto ku i donte trapi.
    Dhe qeverits hajdute rrinin e veshtronin dhe mernin copen me te majme dhe u bene sheiket tane…
    Ata qe ngelen me gisht ne goje dhe donin te ishin te ndershem duke zbatuar ligjin,ankohen por eshte teper vone…
    Pronaret ngelen ish dhe hajdutet u bene pronar te legalizuar…
    Sot hani m se ju ben mire.
    Shpresat i kemi te lulashi nga hollanda qe te na ndaj leket e oligarkeve

    Reply to this comment
  4. ETHEM LALAJ September 30, 10:35

    Z.Mandili i ke thene te gjitha per Liken & te tjeret bashk-hajdut e vrastar te njerezve & demokracise.
    -Une qe shkruaj jam futur ne burg 12 ore prej falangave te Saliut ne 96 se donin te me vidhnin votat.Dhe kur degjoj keto hiena se atyre u kane vjedhur votat te tjeret,me vjen te marr arratine ne kete moshe madhore-veçse nuk kam ku te shkoi.Se edhe lumi Gjanica po thahet..!
    -z.Mandili: Ne L2B partizanet legjendar luftuan kunder NAZIFASHIZMIT me arme dhe çliruan vatanin qe ne sot jetojme ne vendin tone..por te varfer nga 100 % politikanet hajdut, te pa fe, te pa ngopur,shpitezinje,siç i pershkruani ju.Athere lind pyetja:”Si mund te shpetojme nga kjo klase politike e degjeneryare 30 vjeçare ” !? Kjo eshte çeshtja.Une mendoi:
    1-Ne arme nuk mund te drejtojme mbi ta siç pretendon Saliu.
    2-Shqiperia ka plot njerz te mençem ane Botes.Ata duhet te thirren nga dikush dhe te krijojne nje parti te RE me orientim perendimor.Dhe D I T A e citonte kete opsion dite me pare.
    3-PD+LSI te kalojne per SKRAP pasi gjat 2019 u shenderruane ne BANDE dhe acaruane 99 % te popullit,SHBA+BE.Dhe faktori nd/kombetar nuk i perkrahe me per 20 vjet
    -VENECIA siç duket po i jep goditjen vdekje-siguro Ilir Metes dhe Sali Berishes i cili i heq per hunde Liken+Lulin+gjithe shpuren Berishiste si fatkeqsia Kombetare 30 vjeçare.
    4-Drejtesia e RE duhet te çoi ne REÇ te korruptuarit e shekullit 20,21 dhe tu sekuestroi pasurit per rritjen e rrogave e pesolioneve.Ktu futen I.Meta,S Berusha,L.Basha,Ruli,Bode,Haxhinasto,etj,ku E Rama duhet te jete i 1000-ti.
    -Kushti GJERMAN per sekuestrim pasurish te gjykatesve e prekuroreve qe u larguan pa veting-eshte nje kerkese OK te 100 % te popullit Shqipetar.
    5-Partit e vogla te shkrihen sipas kodit zghedhor me rritje pragu deri 10-15 %.Se nuk ka çna duhen 129 parti-perfshi dhe partin Kosovare te Albin Kurtit-shtojce e partis se Bujar Bukoshit i thirrur nga Saliu per grushtin e shtetut ne 98.
    6-Partit ekzistuese te hartojne kodin zgjedhor sipas OSBE/IDHIR,duke ndryshuare 2008 me lista te hapura jo me shume se 100 deputet, KQZ te depolitizuare,etj.
    7-Futja ne zgjedhje me monitorim te rrept nd/kombetar ..per te rritur besimin te populli.
    -Ne te kundert Shqiperise i duhen edhe 30 vjet te tjera tranzicion. Dhe Bota filo-RUSE-SERBE-GREKE..E KO.. do te tallet me ne.
    -FLM-D I T E S,FLM-J.MANDILI.
    -Nga Mallakastrioti jo anonim.

    Reply to this comment
  5. Vjola September 30, 18:58

    Te lumte …por duhet te mos I lejojme qe ti gezojne. SEKUESTRO HAJDUTEVE deri ne qindarken e fundit pastaj le te dalin te persekutuar po te duan .

    Reply to this comment
  6. Gezimi October 2, 11:47

    Jorgaq Korofillaq Bandilli na shkruan per Kusarokraci pa permendur kuryekusarin Rama qe prej 6 vitesh ka dorezuar ekonomine shqiptare tek mafia me ato te famshmet koncesione mafioze. Eshte si te shkruash per Luften e Dyte Boterore pa permendur Adolf Hitlerin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*