Diplomacia, kush do të jetë pasardhësi i Klintonit?

Redaksia Online November 9, 2012 09:27

Diplomacia, kush do të jetë pasardhësi i Klintonit?

Hillari Klinton, dikur rivale politike e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Baack Obama, ka thënë disa herë se një mandat i shefes së diplomacisë është i mjaftueshëm.

Duke vizituar të paktën 111 vende dhe duke udhëtuar rreth 1.5 milione kilometra, Klinton jo rastësisht ka marrë epitetin e sekretares së palodhur. Andaj, edhe Obama nuk është i gatshëm të lejojë largimin e saj. Presidenti ka thënë publikisht se do të përpiqet të bindë Klintonin për të qëndruar, sidomos për të udhëhequr politikën e Amerikës në Pranverën Arabe dhe në Siri.

Por, duke folur para gazetarëve pas rizgjedhjes së Obamës më 6 nëntor, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, ka thënë se planet e Klintonit nuk kanë ndryshuar.

“Nuk mendoj se planet e sekretares kanë ndryshuar. E keni dëgjuar të thotë disa herë se planifikon të largohet, t’i kthehet jetës private, të mendojë dhe të shkruajë”, ka thënë Nuland.

Çelësi për një sekretar të mirë të shtetit është marrëdhënia e tij me presidentin, thotë ish-zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, Lorens Has, aktualisht analist në Këshillin Amerikan për Politikë të Jashtme.

“Sekretari i shtetit zbaton politikën e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Një gjë e tillë duhet të bëhet, pa marrë parasysh se kush mban atë pozitë. Mendoj se sekretarja Klinton ka bërë një punë shumë të mirë në këtë drejtim. Nuk ka pasur asnjë ditë mes asaj që Obama ka thënë dhe Clinton ka bërë përpjekje ta bëjë”, thotë Has.

Nëse Obama nuk arrin të bindë Klintonin që të ndryshojë mendje, kush do ta pasojë atë?

Disa emra janë përmendur si pasardhës të mundshëm. Njëri nga ta është Xhon Kerri, kryesues i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Ai është vlerësuar për kontaktet e tij të gjera ndërkombëtare dhe ekspertizën në çështjet e politikës së jashtme, duke filluar nga Lindja e Mesme deri në Kinë dhe Rusi.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara kërkon që emërimet e kabinetit të miratohen nga Senati, gjë që nuk duhet të paraqesë problem për Kerrin, i cili ka shërbyer në këtë dhomë qysh në vitin 1985.

Por, kjo forcë është edhe dobësia e tij. Marrë parasysh se Partia Republikane kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve dhe Demokratët e Obamës kanë një shumicë të dobët në Senat, presidenti do të mendojë dy herë për emërimin e një senatori në kabinet, për shkak të rrezikut se një republikan mund të fitojë vendin e tij në Senat.

Në mesin e emrave të lakueshëm është edhe ai i ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Suzan Rajs. Ajo është afro-amerikania e parë që shërben në këtë post, të cilin Obama e ka ngritur në status të nivelit të kabinetit.

Megjithatë, Rajs është kritikuar ashpër për komentet që ka bërë pas sulmit të 11 shtatorit në Konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Bengazi, ku kanë humbur jetën katër diplomatë amerikanë, përfshirë ambasadorin.

Konservatorët e SHBA-së kanë bërë thirrje për dorëheqjen e saj, duke e akuzuar për mashtrim të publikut në lidhje me natyrën e sulmit.

Nëse Obama emëron atë, ajo do të përballet me pyetje të vështira gjatë seancave të konfirmimit në Senat.

Këshilltari për siguri kombëtare i Obamës, Tomas Donilon, është përmendur po ashtu shpesh si pasardhës i mundshëm i Klintonit. Ai ka shërbyer si sekretar i shefit të personelit në administratën e presidentit Bill Klinton, duke luajtur rol të rëndësishëm në negocimin e marrëveshjes që i ka dhënë fund luftës në Bosnjë, si dhe në zgjerimin e NATO-s në fund të viteve 1990 dhe në fillim të atyre 2000.

“Ai ka marrë përvojë të gjerë në çështjet e politikës së jashtme, të sigurisë kombëtare dhe, krahasuar me dy të tjerët, mendoj se është më i mirëkualifikuar. Ai gëzon respekt të gjerë dhe ka të gjitha mjetet për të bërë një punë të mirë”, thotë analisti Has.

Redaksia Online November 9, 2012 09:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*