Kush e ‘hëngri’ polifoninë?

February 5, 2016 10:02

Kush e ‘hëngri’ polifoninë?

Letër e hapur Ministres së Kulturës Znj. Kumbaro (Furxhi)

Nga Fitim Çaushi

Znj. Ministre!

Gjatë kohës që ju po ministroni, ka patur një debat publik, për tjetërsimin e Polifonisë Popullore Shqiptare nga Ministria e Kulturës. Por ju, përmes personelit tuaj, manovroni për vite të tëra, duke përligjur këtë tjetërsim për të mohuar një ndër pasuritë më monumentale dhe më të çmuara të kombit shqiptar, muzikën tradicionale Polifonike, e cila përbën tiparin thelbësor të identitetit kulturor muzikor. Vlerën artistike dhe kombëtare të kësaj krijimtarie, e ritheksoi edhe një herë Forumi i 9-të i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës më 25 Nëntor 2015, i cili në Rezolutën e tij shpalli se nuk e njeh “iso-polifoninë”.

Drejtoresha e Përgjithshme e Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor pranë Ministrisë së Kulturës, Znj. Harasani, me përgjigjen e shkresës datë 29 maj 2015, nr.2598/prot., dërguar Drejtoreshës të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Qytetarët pranë Kryeministrisë, Znj. Ana Rafti, dëshmon se është pikërisht Ministria e Kulturës që ka tjetërsuar Polifoninë popullore shqiptare:

“Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 3050/prot. dt. 18.5.2015, sqarojmë se emërtimi (iso-polifoni) është propozuar nga një grup pune me specialistë të fushës nga disa institucione të specializuara, ngritur nga Ministria e Kulturës në vitin 2002., i cili përgatiti dosjen e iso-polifonisë për nominim në UNESKO…”

Pranohet zyrtarisht nga drejtoresha juaj, se grupin e punës për tjetërsimin e polifonisë shqiptare, e ka   ngritur Ministria e Kulturës. Pikërisht për këtë, studiues të ndryshëm, etnomuzikologë, etno-organologë, muzikologë, intelektualë dhe bartës të shumtë të këngës polifonike shqiptare, individualisht dhe institucionalisht, (sikundër janë letrat drejtuar prej ish Kryetarit të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, “Artistit të Merituar” Limos Dizdari, dhe Shoqatave Kulturore dhe Atdhetare “Labëria”, nga Përmeti, Saranda, Lushnja, Skrapari, Erseka, etj), ju drejtohen juve si ministri për të dhënë përgjigje:

Përse ka qenë i nevojshëm krijimi i një grupi pune për të eliminuar polifoninë, ndërkohë që institucionet shkencore të Republikës së Shqipërisë, për më se 50 vjet kanë argumentuar termin përfundimtar – Polifoni Popullore?!

Kush konkretisht e ngriti grupin e punës nga Ministria e Kulturës, sepse i ashtuquajturi “grup pune”, ose Komitet Kombëtar, nuk është institucion shkencor, është institucion administrativ pa kompetencën e nevojshme për të marrë vendime për tjetërsimin e termit që deformon kulturën kombëtare?!

Cilët “specialistë” bënin pjesë në grupin e punës që krijoi Ministria e Kulturës?

Cilat ishin argumentet shkencore me të cilat grupi i punës, hodhi poshtë emërtesën Polifoni Popullore të pagëzuar nga etnomuzikologët shqiptarë: Prof. Ramadan Sokoli, prof. Çesk Zadeja, prof. Beniamin Kruta, prof. Pirro Miso, prof. Spiro Shituni, prof. Hysen Filja, Limos Dizdari, prof. Shpëtim Kushta, prof. Sokol Shupo, prof. Aleksandër Peçi, prof. Roland Çene, etj. etj.?

Në bazë të së drejtës dhe lirive kushtetuese, kemi shtruar kërkesën për informim, të garantuar me ligj, por në emrin tuaj Znj. Kumbaro, na përcjellin për ta fshehur të vërtetën, duke synuar eliminimin e polifonisë popullore shqiptare dhe gjenezën e saj me bazë kombëtare. Në disa përgjigje, dërguar Shoqatës “Polifonia Shqiptare”, ish Kryetarit të Akademisë së Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, Z. Limos Dizdari, dhe dhjetë Shoqatave Kulturore e Atdhetare, Znj. Harasani i bie fyellit në një vrimë:

“Propozimi, që ka të bëjë me ndryshimin e emërtimit të termit nga “Iso-Polifoni” në “Polifoni” në veprimtaritë kombëtare dhe në UNESKO, i është dërguar Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, si i vetmi institucion shkencor shtetëror me shkresën tonë, pasi ky problem nuk është problem administrativ, por shkencor. Propozojmë që edhe Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencës, propozimin e saj t’ia dërgojë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, si i vetmi institucion shkencor shtetëror në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale.”

Studiuesit dhe bardët e këngës polifonike ju tregojnë ujkun, Ministrinë e Kulturës që ka ndryshuar emërtesën tradicionale të polifonisë, ndërsa ju na tregoni gjurmët, institucionet shkencore! Përse na sorollatni tek Instituti i Antropologjisë Kulturore, ndërkohë që ky institucion (Instituti i Kulturës Popullore), ka organizuar në Tiranë në 6-7 Tetor 1989, simpoziumin “Polifonia e Popujve të Ballkanit”, duke mbrojtur termin Polifoni Popullore? Kërkojmë prononcimin tuaj publik, Znj. Kumbaro: i pranoni rezultatet e këtij Institucioni Shkencor të Akademisë së Shkencave, apo i mohoni ato? Për këtë duhet të prononcoheni publikisht dhe të bëni të njohur qëndrimin tuaj zyrtar.

Me sa duket ju, dhe vartësit tuaj, nuk e dinë se Institucionet Shkencore të Republikës së Shqipërisë, nuk kanë bërë asnjë ndryshim në emërtesën tradicionale të polifonisë popullore, as në vitin 2002 e as më vonë për të ndryshuar Polifoninë shqiptare në “iso-polifoni”, sikundër na garanton edhe etnomuzikologu prof. dr. Pirro Misa, ish punonjës i këtij institucioni në atë kohë, që i ka kontestuar përgjigjet e Znj. Harasani. Përderisa tjetërsimin e polifonisë e kanë bërë punonjësit e Ministrisë tuaj, nuk kuptojmë përse i mbroni ata? Polifonia popullore shqiptare nuk është pronë e gjyshes tuaj, as e gjyshërve të atyre punonjësve të papërgjegjshëm të Ministrisë së Kulturës që tentojnë ta eliminojnë; si vjedhjen e një karvani kuajsh nëpër natë, ajo është pasuri dhe identitet kombëtar i shqiptarëve ardhur nga shekujt.

Në forumin e 9-të të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës për Polifoninë popullore, datë 25 Nëntor 2015, ish kryetari i saj, “Artisti i Merituar” Limos Dizdari, theksoi shqetësimin e tij qytetar dhe institucional: se “Ministria e Kulturës ka shitur shpirtin (trashëgiminë shpirtërore), sikundër Ministria e Jashtme ka shitur detin”. Përse Znj. Kumbaro, nuk jepni përgjigje për aktin antikombëtar të Ministrisë suaj?

Ju nuk mund të anashkaloni faktin, se asnjë nga i ashtuquajturi “grup pune “ i krijuar nga Ministria e Kulturës, nuk ka guximin të prononcohet publikisht dhe ta mbrojë tjetërsimin “iso-polifoni”, por fshihen si hije. Jemi të detyruar znj. ministre, t’ju kujtojmë edhe një herë se nocioni “iso-polifoni” nuk e karakterizon shkencërisht drejt thelbin e kulturës muzikore shumë-zërëshe të kombit shqiptar, përkundrazi, ka sjellë e po sjell mjegull në rrugën e mbarëvajtjes së etnomuzikologjisë shqiptare dhe identitetit tonë kombëtar, duke mohuar punën shumëvjeçare të studiuesve shqiptarë dhe institucioneve shkencore për disa dekada.

Ishte një debat dhe shqetësim i drejtë i intelektualëve shqiptarë: prononcimi kundër “iso-polifonisë”, prandaj Drejtoreshë Harasanin më datën 6 gusht 2014, me shkresën nr. 3027/1 prot., i përgjigjej Zjn. Ana Rafti: “Ministria e Kulturës do të përdorë termin “polifoni shqiptare” në aktivitetet përkatëse.”

Metamorfoza e Znj. Harasani dhe tërheqja nga ky vendim, e shtoi debatin në shtyp, prandaj ajo vazhdon të manovrojë keq edhe pas përgjigjes që ju, Znj. Kumbaro, i kini dërguar ish kryetarit të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës, z. Limos Dizdari me shkresën nr. 6170/1, datë 17.12.2015, si një vlerësim dhe angazhim:

“Më lejoni të shpreh falënderimet e mija për organizimin e Forumit të 9-të të institucionit tuaj, për trajtimin shkencor dhe debatin publik për polifoninë popullore shqiptare. Gjithashtu shpreh vlerësimin dhe konsideratat e mija në   emër   të Ministrisë së Kulturës, për diskutimet cilësore akademike dhe profesionale të pjesëmarrësve në këtë forum, për t’i dhënë zë nga pikëpamja shkencore etnomuzikologjisë, vlerave të jashtëzakonshme kulturore dhe historike që mbart polifonia popullore e kombit tonë. Në këtë kuadër shpreh vullnetin tim të vazhdueshëm për të kontribuar në ruajtjen dhe përcjelljen brez pas brezi të këtij thesari unik të kombit shqiptar.”

Sikundër shihet Znj. Kumbaro, ju shprehni konsideratat për Forumin në emër të Ministrisë së Kulturës dhe jo në emrin tuaj personal, njëherazi edhe vullnetin për të kontribuar në kuadrin e polifonisë popullore shqiptare. Por, përgjigja e Znj. Harasani në emër të Ministrisë, e mohon këtë vullnet, duke ju kompromentuar keq: jemi në dilemë: t’ju besojmë juve Znj. Kumbaro, apo drejtoreshë Harasanit, ndërkohë që presim një veprim energjik në pastrimin e udhëzimeve dhe statutit të Festivaleve Kombëtare nga virusi antikombëtar i “iso-polifonisë”!

Ose ju, Znj. Kumbaro, do të argumentoni shkencërisht “iso-polifoninë” dhe do ta mbroni atë publikisht, ose do ta çrrënjosni atë nga literatura zyrtare e Ministrisë tuaj, rrugë të mesme nuk ka. Nëse ju do të vazhdoni të mos jipni përgjigje si Ministri, dhe do ta mbani çështjen në mister, do të thotë se aty ka një korrupsion me ngarkesë antikombëtare. Kundër këtij korrupsioni, përshkallëzimi i denoncimeve do të jetë edhe më i madh, deri në organet gjyqësore. Por, mos mendoni se do të jeni tërë jetën me mandatin e ministres…

Me respekt dhe konsideratë të lartë

February 5, 2016 10:02
Komento

5 Komente

  1. demo February 5, 11:59

    Nga na doli ky termi-Iso polifoni???Ceshte kjo emertese hibride si turbo-folku?

    Reply to this comment
  2. kosta February 5, 20:17

    Fitim! Te rrosh vote se mendja te pska vdekur! Ku I kupton ti o derezi keto pprobleme.

    Reply to this comment
    • Pellumb Zaimi February 5, 22:07

      Per pak o z. Fitim Caushi (qe nuk ju njoh) ,- kjo ministrja e ministrimit te puneve te kota desh ja nderroi komplet emrin perles popullore ? Per pak fare kjo zuzare pati nje shkrepmendje moderniste putaniste per te vene emrin “Vrimo Polifoni” por ah, fati dhe fama e saj e tremben aq shume saqe nga pataksja harroi gjithcka pos iso-s? Pushtetare dhe hajvanologe te pushtetit mos prekni pasurine e gurres muzikore kombetare te
      Popullit Shqiptar . Poshte fantaksjet tuaja kunder tradites e trashegimise sone kulturore historike? Nderime z.Fitim ngritesit te ketij problemi te madh!

      Reply to this comment
      • Pellumb Zaimi February 5, 22:12

        @@@@ @@ VR !!! Per pak o z. Fitim Caushi (qe nuk ju njoh) ,- kjo ministrja e ministrimit te puneve te kota desh ja nderroi komplet emrin perles popullore ? Per pak fare kjo zuzare pati nje shkrepmendje moderniste putaniste per te vene emrin “Vrimo Polifoni” por ah, fati dhe fama e saj e tremben aq shume saqe nga pataksja harroi gjithcka pos iso-s? Pushtetare dhe hajvanologe te pushtetit mos prekni pasurine e gurres muzikore kombetare te
        Popullit Shqiptar . Poshte fantaksjet tuaja kunder tradites e trashegimise sone kulturore historike? Nderime z.Fitim ngritesit te ketij problemi te madh!

        Reply to this comment
    • Pellumb Zaimi February 5, 22:11

      @@@@ @@ VR !!! Per pak o z. Fitim Caushi (qe nuk ju njoh) ,- kjo ministrja e ministrimit te puneve te kota desh ja nderroi komplet emrin perles popullore ? Per pak fare kjo zuzare pati nje shkrepmendje moderniste putaniste per te vene emrin “Vrimo Polifoni” por ah, fati dhe fama e saj e tremben aq shume saqe nga pataksja harroi gjithcka pos iso-s? Pushtetare dhe hajvanologe te pushtetit mos prekni pasurine e gurres muzikore kombetare te
      Popullit Shqiptar . Poshte fantaksjet tuaja kunder tradites e trashegimise sone kulturore historike? Nderime z.Fitim ngritesit te ketij problemi te madh!

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*